KUSH T’I PREU DUART… / Poezi e shkëputur nga vëllimi poetik “Harxhova gjithë ngjyrat ” të autorit PETRO ÇERKEZI 

Poezi nga Petro ÇERKEZI 

 

KUSH T’I PREU DUART…

Kush t’i preu duart hyjneshë e erosit;

Ti rri përballë e na vështron hutimshëm
Me duar të varura, cungje të ngrira
Herë mua, herë statujën e Afërditës.

Era lodron me buklat e tua
Dhe të rrëmben fustanin si dem i harbuar,
Era i ka duart të lira,
Mund të puthë, të harliset, të dhelet zjarrmërisht,
Afërdita i ka duart të prera
Thua se donin t’i privonin dhelet erotike
Dhe ja thyen barbarisht.

Ti t’u varën duart cungje të mpira,
Kurse unë prek me gishta të nxehtë
Mrekullinë e mermerit të ftohtë
Sikur të shtërngoja duart e mjeshtrit të madh.
Sytë e tu kanë një vezullim lotësh,
Sytë e mi shkëndijime erotike,
Sytë e Afërditës një verbëri anonime.

Kush të verboi, hyjneshë e bukurisë;

U ngrys thua. Hëna hyn nga dritaret
Dhe çapitet haplehtë në korridoret e heshtjes
Të kreh flokët me krehër të argjendë,
Të kap prej duarsh sikur do të të thotë:
Ti ke duar, fale përqafimin!

Shoh të digjen sytë, po s’ke duar,
Shoh të hidhet vrulltas kraharori,
Po mermeri s’i çel buzët,
Sa egoist është ky lloj mermeri
Mund të plasë nga mërzia e të mbytet në lotë,
Po rri i ngrirë e i ftohtë
Mbi piedestalin e kokëfortësisë
Dhe nuk e hedh një hap guximndjellës,
Ka harruar si puthen,
Ka harruar si dashurohen.

Kush t’i preu duart hyjneshë e erosit;

 

PETRO ÇERKEZI 
Nga vëllimi: “HARXHOVA GJITHË NGJYRAT”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s