Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

DUKE FSHIRË LOTËT E SAJ

Mbesa vogëlushe, doli në mesditë,
kur derdhej lumi diellor te sheshi.
Zërat e kalamajve, laheshin në dritë,
nga dritarja, më jehonin te veshi.

Pas disa çastesh, dera ime u hap,
dhe mbuluar, nga lotët hyri mbesa…
Brofa nga divani, iu afrova me vrap,
tronditur nga kuja e saj me dënesa…

Zëri i bukuroshes dridhej tel violine,
por melodia e dhimbjes qe e thjeshtë.
Përplaste krahët, si fluturim gjeraqine,
se Beni nuk e qaste në lojën e vet…

Duke pritur rubinët, e saj mbi faqe,
shkova t’i lutem Benit, e mendova kështu:
Eh, ta dinë benët e kësaj lagjie,
me sa përgjërime do i paguajnë,
kur të rritesh, këta lotët e tu!…

 

MATRAPAZËT E USHQIMEVE TERRORISTE

Tregtarë matrapazë ka gjithë bota,
madje me kulturë tepër të rafinuar,
shesin nëpër varka me katër rrota,
për peshk të freskët, të konservuar.

Matrapazët tanë, pa shumë vite shkolle,
me praktikën e hiles, që rrezikon diabetin,
përziejnë lëng kungulli me lëng molle,
dhe shesin për mjaltë, sheqer sherbetin.

Hollojnë alkool, me ujë mali dhe fushe,
duke hedhur aromë me esencë rrushi,
dhe shesin raki nga vreshtat mashtruese,
të bëhet tapë dasme, dollibash babushi.

Perime, fruta me hormone stimuluar,
domate kuqalashe, me zemër druri,
shalqinj të rëndë, me kungull shartuar,
të fryjnë stomakun, me bajga hauri.

Matrapazët kanë krijuar tregun horror,
mish lope të çmendur dhe pula me grip.
Nga tmerri psikologjik i rrezikut ushqimor,
tani tek çdo gjë i futim gojës, kemi frikë.

Sjellin pula nga toka dhe qielli me erë,
fryjnë me shiringa uji, tulet ku peshon.
Nëpër laboratorët e kontrollit, të blerë,
ndryshojnë dhe datat, kur malli skadon.

Me ilaçe të skaduara, shitet lirshëm vdekja,
të ikësh para kohe me shpresën e shërimit,
teksa prodhojnë gënjeshtra, si zgjatet jeta,
nëpër bodrumet e fshehtë të mashtrimit.

Shesin çdo gjë e gjithçka i duhet njeriut,
duke falsifikuar çdo prodhim bio natyre,
Janë të gatshëm, deri në Polin e Veriut,
t’u shesin dhe eskimezëve akullin e tyre.

Kjo mafie vrastare, fitimesh ekstremiste,
mund të na heqë qafe, kur të dojë vetë.
Veç me postbllok goje, ushqimeve terroriste,
mund të shpëtojmë ekzistencën në jetë…

 

ZANA E BJESHKËVE

Kisha ëndërruar dikur, në moshën rinore,
të bëhesha dhëndër me një zanë bjeshke.
Dhe si ylber, harkuar mbi malet mjegullore,
kërkoja imazhin e saj, në purpurime vjeshte.

Zbrita te mrizi, me lentën e qiellit në duar,
të dalloja sytë e saj, me valëzim të kaltër.
Lisat e moçëm thanë, zana e fundit qe martuar,
para pak kohësh, me një princ të largët…

Atëherë psherëtiva, sa më erdhi logu vërdallë:
Ah…fati im qenka shituar nga zanat e bjeshkëve
dhe zemra ime e përgjëruar për atë bukuri të rrallë,
s’ka për të provuar dashuri tjetër, gjer në vdekje!…

Po si do mund ta ngrysja beqar të gjithë jetën,
pa gjetur bukurinë e një zane të pamartuar?
Ndoshta s’do të kishte më kurrë një femër tjetër,
aq të magjishme, si ajo zanë e ëndërruar?…

Nga pikëllimi i thellë, lëshova sytë e përlotur,
në rrugën e lagjes së vjetër, me gurishte asfalti.
Atë çast, dora adoleshente e një fqinje të vogël,
më fshiu lotët, me ca gishta, si fasha mëndafshi…

Kur vështrimi i turbullt m’u kthjellua tek sytë,
ajo buzëqeshi ëmbëlsisht e më puthi në faqe…
Oh, ku ishe, moj zanë e vogël, me shpirt të dëlirtë?
Mos ke zbritur nga bjeshkët, për mua në këtë lagje?!…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s