Çorapet / Tregim nga Sabina Darova


Çorapet
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
Një nga rrëfimet që bën pjesë në dhjetëshen e preferuar të nipave të partizanit Metkë gjatë viteveve 70′-80′, është ai i çorapeve.
Ndërsa kthehet tekja e dytë apo e tretë e rakisë së kumbullës, thanës dhe në raste të ralla ajo e rrushit ardhur nga Skrapari, çakmak ndezës për kujtimet e tim eti, sytë kureshtarë të shtatë fëmijëve që rrethojnë tavolinën, përqëndrohen tek goja e tij.
Rihapet sipari teatral i përrallave të jetuara. Kërshëria lëviz këmbët me padurim në udhëtimin mbi shinat e së kaluarës.
” Në vitet 30′”, nis e rrëfen, – ” qarkullimi nga njëri shtet në tjetrin, për personat që ishin në gjendje të mirë ekonomike ishte i lirë. Kështu, im atë, apo gjyshi juaj, çdo fund vere e fillim vjeshte udhëtonte drejt Italisë. Shqipëria qëndronte nën protektoratin e italianëve, ndaj dhe lëvizjet në drejtim të saj bëheshin të shpeshta.
Dy qytetet e preferuara të gjyshit tuaj ishin Roma dhe Firenze. I apasionuar ndaj artit, përpara se të nisej, nxirrte fletoren e radhiste emrat e muzeumeve apo objekteve të artit, mbetur pa u parë prej udhëtimit të parafundit. Përbri, nuk harronte të shënonte dhe emrat e hoteleve apo të restoranteve. Një tjetër pasion ky. Ndërsa mbante shënim e rrumbullakoste adresat me një kaligrafi perfekte, mbi buzë i vizatohej një nënqeshje e tundte kokën gjithë gëzim. Vështronte me të qeshur mamanë, fërkonte duart e shkelte syrin këndej nga unë, që në ato kohë gëzoja adoleshencën e parë.
Jo vonë, kuptova arësyen e gëzimit të tim eti, sepse më takoi dhe mua të vizitoja Italinë, Firenzen, e të dashurohesha kokë e këmbë me atë vënd për tërë jetën. Por kjo është një histori tjetër, e për një tjetër mbrëmje…”
Ndërpret tregimin, na vështron me radhë në sy, e pëshpërin. Ajo psherëtimë, zgjon më tepër kureshtjen. Kushedi çfarë bukurish kish parë dhe nuk ishte i aftë të gjente fjalët më të përshtatshme për ta përshkruar. Apo ishte dhimbje dhe mëdyshje nëse bënte mirë apo jo duke na njohur me një realitet tjetër qytetërimi, ndryshe nga modeli varfanjak i të përditshmes, të cilës i përkisnim?
Ne, fëmijët 10-12 vjeçarë, imagjinonim qytetin e Michelangelos e të Dantes duke fantastikuar si Alice në botën e mrekullirave.
Zilia ndaj udhëtimeve të gjyshit apo ajo më e afërta, më e prekshmja, ndaj tim eti, merrte krahë dhe gjëndrat sekretive fillonin të prodhonin lëngje. Ndoshta aty kishte zanafillën dhe shprehja e vjetër: ” Më shkoi lëng nga goja”. E për çfarë nuk na lëshonte goja lëng në ato kohë!
Pasi kalonin këto pak minuta të cilat shërbenin si pauzë për përgatitjen tonë mendore në përballjen me pjesën më interesante të tregimit, im atë vazhdonte.
” Tët vëlla e kam në pëllëmbë të dorës, ngrinte zërin nga mamaja. Ja tregoj unë atij kësaj radhe zënkën e fundit që më krijoi për dy palë çorape!”
Ajo qeshte e tundte kokën. E njihte kokëfortësinë e dy burrave.
Udhëtimet e gjyshit tuaj nuk kanë qënë kurrë të vetmuara. Shoqërohej nga i kunati, vëllai i mamasë, tregëtar i vjetër i ” starkinkave”, mollëve të kuqe me aromën e fortë që vishte një rrugë të tërë si me magji.
Bëhej fjalë për mollët e shijshme e plot lëng, që prodhonte Korça e Pogradeci, të cilave ju njihnim famën e më pak shijen, sepse haheshin shumë rrallë.
Gjuhët e fshehura tregonin se pjesa dërrmuese dërgohej për eksport dhe një pjesë shkonte në bllok për udhëheqjen. Një sasi mjaft e vogël ruhej për popullin, për festat e Vitit të Ri dhe të dëshmorëve, në 5 maj. Pra, mollët në sytë tanë ishin të barazvlefshme me floririn. Kjo, sepse thuhej që molla largon mjekun e të shëron nga çdo sëmundje. Ah sikur të ishte e vërtetë!
” Dajua, vëllai i gjyshes tuaj, – vazhdon, – ” ishte njeri i kamur e herë pas here tregtonte mallra nga Italia . Kishte një difekt, nuk njihte asnjë gjuhë të huaj, prandaj i nevojitej dikush për shoqërim e komunikim me ndërrmarjet kontraktuese italiane. Ky shërbim, përmbushej më së miri nga i kunati, gjyshi juaj, arsimtar i dëgjuar e njohës i 5-6 gjuhëve.
Kontrata kryhej edhe midis dy kunetërve; mbas tregëtisë, një javë i dedikohej shëtitjeve dhe shijimit të bukurive të qyteteve të Italisë. Shpenzimet mbuloheshin nga dajë Ganiu.
Këtu qëndronte dhe sekreti i shoqërimit, më saktë, strategjia hakmarrëse ndaj të kunatit. Përsenë do ta kuptoni në fund,- shtonte im atë.
” Zgjidheshin hotelet dhe restorantet më të shtrenjta. Edhe pse dajë Ganiut i vinte hidhur të nxirrte nga xhepi monedhat e florinjta, plani i shëtitjeve realizohej me përpikmëri. Si çdo fund udhëtimi, të dy kalonin kohë në kërkim të dhuratave për familjarët. Pasi kishin zgjedhur këmishët e linosë dhe kravatat për veten e tyre, ju vinte radha fëmijëve. Për të dyja familjet, fëmijët realizonin numrin e dy ekipeve të futbollit. Për mos lënduar xhepin, i cili dëmtime të konsiderueshme kish marrë gjatë rrugës, zgjidhja ishte bërë me çorapet. Ato nuk kushtonin shtrenjtë dhe në krahasim me ato të leshit apo të pambuktat, punuar me shtiza nga nënat, ishin një mrekulli për sytë e dëshiruar të fëmijëve. Me ngjyra, pa ngjyra, vizatime të ndryshme, të gjata apo të shkurtra, fije pambuku , fije të mëndafshta”. Fëmijët dhe gratë kënaqen me pak. Kështu mendohej dikur…
Koha e pauzës së dytë troket mbi tavolinë. Sytë e tim eti vishen me një tis të gëzueshëm, sepse kujtesa i afron prekjen e atyre çorapeve të cilat i përshkruan si më të bukurat që kish parë në jetën e tij. Ndërkohë ne të vegjlit, ulim sytë e shohim ato që mbathim, të arrnuara apo me ndonjë gisht të dalë e një ngjyrëshe, o të bardha, o të zeza. Kushedi si do jenë çorapet jashtë shtetit mendonim. Por edhe ky mendim duhej përzënë nga mendja sa më shpejt, sepse sillte probleme të rënda për biografinë. Atdheu ishte shkëmb graniti në buzë të Adriatikut e ne lëshonim dritë që verbonte kapitalizmin. E ç’mund të ishin një palë çorape përkundrejt kësaj drite?!
” Ehh fëmijë, – psherëtinte për së dyti.
” mbasi kishin blerë veshje e mbathje ktheheshin në hotel. Këtu vjen momenti më pikant i udhëtimit të tyre. Përgatitja e valixheve shoqërohej me buzë të varura, me vështrime inatçore, me kurrize të kthyera. Kurrë nuk binin dakort sa palë çorape do merrte njëri apo tjetri. Dajë Ganiu pretendonte të kishte më shumë për familjen e tij. Nganjëherë ngrinin zërat edhe për një palë të vetme. Kërcënoheshin edhe me kobure. Babai kërkonte ti ndante në mënyrë të barabartë, sepse falë tij tregëtia i lulëzonte, por ishte e kotë. Shpirti tregtar i të kunatit fitonte përherë. Dhe për këtë, ne fëmijët nuk kishim asnjë dyshim. Kur piqeshin mollët, gjatë natës hipnim fshehurazi mbi pemë , i këpusnim e mbushnim xhepat plot. Para se të largoheshim, linim një shënim mbi trung: ” Numëro mollët”. Këtë e bënim sepse e kishim kapur disa herë tek i numëronte me një shkop të gjatë gjatë ditës. Sapo vinte mëngjesi, e ruanim nga dritaret për të vëzhguar reagimin e tij. Turfullimet e të sharat tundnin xhamat. Pra, njihej në të gjithë lagjen për kopracërinë e tij. Molieri do kish kërkuar ringjalljen vetëm për ti dhënë pak vend në komeditë e tij. Asnjë nga prindërit nuk na tërhiqte veshin. Vinin veç buzën në gaz.
Rruga i sillte në Pogradec të zemëruar për shkak të çorapeve. Im atë i zemëruar, betohej që herën e ardhshme, në qoftë se do kishte një të ardhme, ( shpesh nuk flisnin me kohë të zgjatura), do gjente mënyrë si të hakmerrej akoma dhe më shumë. Prandaj, një muaj më parë, para se të nisnin sërish udhëtimiet, studjonte me zell gjetjen e restoranteve më në emër.” Vlefta e çorapeve superohej katërcipërisht pa frikë edhe vetëm me një drekë, në restorantet e hoteleve me pesë yje.
Rrëfimit i kish ardhur fundi. Gota e rakisë kthehej me fund e heshtja mbulonte dhomën. Ne, fëmijëria qeshnim duke imagjinuar dy burra të fortë e me mjekerr që luftonin me çorapet.
Por edhe qanim, ndërsa mbyllnim sytë për të fjetur, ku bota e ëndrrave na shpinte në dyqanet plot dritë të përtej detit duke imagjinuar shkëlqimin e një bote aq të bukur, të largët e të pamundur.
Sa do kishim dashur të kishim qënë në vend të dy burrave me frak e mjekërr, për tu grindur edhe për një palë çorape të vetme!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s