Poezi nga Lida Lazaj
Përgjysmë
O shpirt,
që mbretëron humnerave të errëta,
me hynitë dhe eremitët veten mos e barabit,
nuk je i panjollë siç do të desha
me Kalë Troje të kanë njollosur palavitë.
Dil o shpirt,
dhe shih si i ka shpalosur tetori mrekullitë,
nga qielli lart deri përdhe ka shtruar fustanin me ngjyra vjeshta,
përpara se të shpalosë çarçafë mjegulle e bryme,
sikur përkulet dhe kërkon të falur
për të zjarret e verës,
që djersën dhe qumështin e nënës,
na nxorrën nga sytë
Dil o shpirt,
por më parë përfytyro një lejlek
që ngrihet fluturim, drejt qiellit
nga çerdhja e tij mbi nja kavak të lartë.
Dil o shpirt,
por jo më parë se sa ti kem bindur shqisat,
të funksionojnë përgjysmë,
përgjysmë shikimin,
përgjysmë dëgjimin,
përgjysmë nuhatjen
Përndryshe me të dy sytë
zogj shtegtarë në qiell mos kërko,
do të përpijë ky qiell i pangjyrë,
do të të bjerë të fiktit prej blozës dhe helmit,
do të të neveritet vetja,
nga kalbëzimi i shpirtit njerëzor
Po ti dil o shpirt,
nga shpellat e errëta,
ku stalakmitet pikojnë vetmi të trishtë
dil me shqisat përgjysmë,
se pasi të shkojë e falur vjeshta
dëborë e pistë do shkundet prej qiellit dimëror.