”Narcisi dhe Gojarti – Histori e një miqësie”  (Roman)  – HERMAN HESE Laureat i Çmimit Nobel / Përktheu: Aristidh Ristani

”Narcisi dhe Gojarti – Histori e një miqësie”  (Roman)  – HERMAN HESE Laureat i Çmimit Nobel

Mu buzë rrugës, përballë qemerit gjysmërrethor, që mbështetej mbi kolona dyshe dhe përbënte hyrjen e manastirit të Mariabronit, ndodhej një gështenjë trungmadhe, bijë vetmitare e Jugut, sjellë aty qysh në kohëra të hershme prej një pelegrini të ardhur nga Roma. Kurora e saj rrumbullake nderej ëmbël sipër rrugës dhe merrte frymë mes erës me tërë mushkëritë. Në pranverë, kur gjithçka rreth e rrotull bleronte, kur edhe arrat e manastirit visheshin me atë gjethnajën rioshe e të kuqërremtë, gjetheve në degët e saj do t’u duhej akoma një kohë e gjatë gjersa të buthtonin. Mandej, me të mbërritur ajo periudha e netëve më të shkurtra, nga tufat e gjetheve të gështenjës nisnin e pluskonin, me ca rrëzëllime dritëmekëta, të bardhema e bleroshe, lulet e saj ekzotike, me një aromë të fortë, që bënte të zgjoheshin kujtime dhe të angështoheshin zemra.

Në tetor, kur kishte marrë fund mbledhja e frutave të tjera dhe vjelja e rrushit, era vjeshtake shkundte nga kurora e gështenjës verdhullore kokrrat e saj gjembashe, që nuk arrinin të piqeshin çdo vit. Djemtë e manastirit kapërtheheshin mes tyre që kush e kush të mblidhte më shumë, dhe më pas zëvendësabati Gregor, me prejardhje nga Jugu latin, ua piqte në zjarrin e oxhakut të dhomës së vet. Ashtu ekzotike dhe e brishtë, ajo pemë tërë hijeshi valëzonte me mërmërima kurorën e saj mbi hyrjen e manastirit, mysafire e ndjeshme dhe paksa mërdhace, e ardhur nga një klimë tjetër, e lidhur përmes një afrie misterioze me ato kolonat elegante prej graniti të portalit e me zbukurimet e skalitura në qemeret e dritareve, në kornizat e në shtyllat mbajtëse, e dashur për ata që u rridhte gjak latin në rremba, dhe ekzotike për vendarët që e sodisnin të mahnitur.

Poshtë asaj peme ekzotike patën kaluar breza të shumtë nxënësish të manastirit, me pllakat e shkrimit nën sqetull, duke kuvenduar, duke qeshur, duke luajtur, duke u grindur, të zbathur ose të mbathur, sipas stinës, me një lule në gojë, një kokërr arre mes dhëmbëve ose një top bore në dorë. Vinin përherë nxënës të rinj, në krye të disa vjetëve shikoje fytyra të tjera, pjesa më e madhe syresh ngjanin me shoqi-shoqin: flokëverdhë e kaçurrelë. Disa mbeteshin në manastir, bëheshin rishtarë, bëheshin murgj, qethnin flokët, vishnin veladon e ngjeshnin gajtan, lexonin libra, mësonin fëmijët, plakeshin e vdisnin. Të tjerë, pasi mbaronin vitet e shkollës, prisnin t’u vinin prindërit që t’i merrnin e t’i kthenin në shtëpi: në kështjella feudale, në banesa tregtarësh e zejtarësh, pastaj niseshin e shëtisnin nëpër botë, jepeshin pas qejfeve ose ushtronin zanatin dhe ktheheshin nganjëherë për të vizituar manastirin; pasi bëheshin burra, sillnin aty djemtë e tyre të vegjël për të mësuar në shkollën e murgjve, ndaleshin një çast, ngrinin sytë e sodisnin, ashtu buzagaz e të kredhur në mendime, atë gështenjën buzë rrugës dhe mandej zhdukeshin përsëri.

(Hermann Hesse: “Narcisi dhe Gojarti – Histori e një miqësie”, 
Titulli i origjinalit: “Narziss und Goldmund – Geschichte 
einer Freundschaft”, Roman, Botimet “SANTORI”, 
Tiranë 2008, 346 faqe.)

 

Përktheu: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s