Poezi nga Arjola Zadrima
***
I ke kallxue botës për kangët e shpindës teme,
asnjiherë t’drejtë…
Andrrën e krrusun që përmbysi net e net n’ulërimë,
arkitraun e kalbun,
pyllin e detyruem me këndue,
dihatjen që ushtoi veç për mue,
gurin e fundit mbrenda syve qelq.
I ke kallxue se si koha
që lidhi brigjet e fundosuna ishte një urë
e çalë…
Tash t’lutem hesht, për atë që ke ma t’shenjt hesht,
dhimbja e buzëve asht fole puthjesh
që i perkasin katit përdhes,
shekullit tjetër,
harresës,
që nuk lidh ma brigje,
as prej letrës n’leter!
***
Çdo natë kam thanë, pse,
tu e shkund kryet prej tana premtimeve.
Çdo natë kam mbledhë gjunjët der në gjoks
me e nda dysh dhimbjen,
çdo natë që me je fanitë në andërr
s’kam ditë me u çmall,
s’kam mujtë me të thanë
se me grahma kujtimesh
ndihem gjallë.
Çdo herë që të kam puthë
jam kthye buzë akull
zemër vrame,
çdo herë që të kam fajësu
të kam falë,
a e sheh sa bukur duhena pa kenë,
pa fjalë?!
Francit
Ortek Vjeshte
( Kushtue Francit )
Orteku i vjeshtës u rrxue mbi ballnat tanë,
tue shpërnda pikëllimin ndër ftyra të pa sprovueme.
Trupat u shkërmoqën si gjethe të fishkuna.
Pema ime hesht
degat e saj të preme shembën folenë e jetës.
Heshtje virr,
buçit prej gjoksit tem.
Çliroje këtë dhimbë prej krahnorit ku ka lshue rranjë.
E mue s’më duhet kurgja,
ma shumë se rrokja e tij,
kjoftë për të fundit herë.