Kodi i gjakut… / Tregim nga Hyqmet Hasko

 

Kodi i gjakut…

 

Tregim nga Hyqmet Hasko

Gjelosh Tirtes i mbeti celulari në dorë dhe një ngjyrë e mollët, spërkatur me nuanca të hirta, ia mbuloi krejt fytyrën. Djersë të ftohta ia mbuluan ballin e lartë prej malësori. Sikur një shigjetë e helmatisur t’ia kishte përshkuar krejt zemrën, ndihej i shokuar nga cfarë kishte mësuar. Mbesa e tij e bukur, Djella si zanë mali, qe plagosur aksidentalisht, gjatë një shkëmbimi zjarri mes dy grupeve rivale, të përfshirë në trafik droge. Ajo po shetiste me një shoqe të saj, kur një plumb qorr i kishte përshkuar trupin.
Kaq. Më shumë nuk dinte. Tani ajo ndodhej e shtruar në spitalin e qytetit dhe nuk dihej asgjë për gjendjen e saj. Nuk kishte as të nipin që t’i grahte makinës e ta çonte me urgjencë në spital. Ai pati shkuar në Tiranë për një punë e do të kthehej pas dy ditësh. I biri, i ati i vajzës, ishte në Londër prej disa muajsh.
Sytë e picërruar të burrit në hall u endën në bosh, për një grimë herë, pastaj u përshkënditën nga pesha e të ndodhurës.
Atë çast i zuri syri djalin e mikut të tij, Martinit dhe pasi ia tha hallin, tjetri e ftoi të ngjitej në sedilje të makinës benz dhe u nisën me shpejtësi në drejtim të qytetit. Gjithë rrugës nuk folën asnjë fjalë.
Makina rrëshqiste me shpejtësi vetetime nëpër asfaltin e lagur, pa pyetur madje as për postblloqet policore.
Në spital nxitoi drejt sallës së reminacionit, ku i thanë se ndodhej e shtruar mbesa e tij, por te dera kryesore nuk e lane të hynte.
-Nuk mund të hyni,-i thanë me këmbëngulje. -Është në çastin kur shoqja e saj engushtë, me të cilën ndodhej kur u plagos, po i jep gjak. Fatmirësisht kishin të njëjtin grup gjaku dhe ajo këmbënguli që t’i dhuronte gjakun e saj mbesës suaj.
U end një copë herë korridoreve të trishta të atij spitali, duke tymosur rëndshëm me çibukun e tij të gjatë, prej druri arrnie.
Dikush deshi t’i tërhiqte vëmendjen, se nuk mund të pinte duhan në një institucion publik, por kur pa fytyrën e tij të murrëtyer dhe cepat e mustaqeve që i dridheshin, u pendua dhe nuk i foli.
Më në fund, dikush nga ekipi i reminacionit doli dhe i tha se e mbesa e kishte kaluar çastin e rrezikut për jetën, ishin vetëm çështje dy tre ditësh që të dilte nga spitali dhe të shkonte në shtëpi,shëndoshë emirë si kokrra e mollës.
-Por tani nuk mund ta takoni mbesën tuaj gysh, se sapo ka marrë gjak dhe i duhet të flejë e të çlodhet.
-Ani, bre, nuk ka dert, duroj unë, duroj, veç mbesa të më bëhet mirë.
Pastaj, duke kruar cepin e mustaqeve me trinën e dorës, pyeti:
-Ani bre, po a mund ta takoj atë çikën që i ka dhënë gjak Diellës sime?
Mjeku dezhurn, që atë çast po mbushte një formular, ngriti kokën nga shkresa dhe foli:
-Sigurisht, gjysh. Ja tek po vjen…
Gjeloshi pa një vajzë të re, aty tek të tetëmbëdhjetat, që po zbriste shkallët.
-Kjo është vajza që i dha gjak mbesës tënde, -foli mjeku duke treguar me gisht drejt asaj që po vinte drejt tyre.
-Stela, -iu drejtua të porsaradhurës, -ky është gjyshi i të plagosurës, shoqes tënde.
Ajo iu afrua burrit mustaqekuq dhe ky ia mbështolli dorën e djathtë me duart e tij të mëdha e të agrasura nga puna.
-Nuk di si të të falenderoj, moj bijë!
-Nuk ke pse më falenderon gjysh. Ajo është shoqja ime e ngushtë. Nuk ka shumë që jemi njohur, veçse nja dy muaj, por koha nuk përcakton intensitetin dhe vlerën e një shoqërie. Edhe ajo do të kishte bërë për mua të njëjtën gjë.
Pastaj Stela tregoi se si kishte ndodhur ngjarja e kobshme. Sapo kishin dalë me Diellën nga një kafe në qytet, kur në rrugë ishin dëgjuar krisma. Pastaj dy të rinj kishin frenuar makinën para tyre dhe ishin përballur me disa persona që kishin zbritur nga një fuoristradë. Rrëketë e plumbave ishin derdhur mbi asphalt e njëri syresh pati bërë rikoshetë dhe pati goditur Diellën.
Gjeloshi e vështronte vajzën në sytë e saj të ujshëm e të trazuar nga mirësia dhe dukej sikur në ato sy lexonte kodet e një dashurie të harruar…
-Nga je ti, moj bijë?
-Nga Kepi i Keq, gjysh.
-E kujt je?
-E Mitri Derehemit.
-Siiii!?!
Befas sytë e burrit u picërruan dhe një hënëz ankthi, ku përziheshin të gjitha llamburitjet e ndjeshmërisë njerëzore iu vizatua në fytyrë. Duart po i dridheshin dhe përpjekja e tij për të ndezur çibukun e gjatë me eshkë dhe onur dështoi…
Stela u habit me këtë ndryshim të përnjëhershëm të gjendjes së tij, por nuk e dha veten. Ç’të kishte vallë?!
Pas kësaj qasje të beftë, që duket se kulmoi në një kurbë të fortë emocionale, ai u duk sikur u qetësua.
-Eh,moj bijë…ne nuk i njohim rrugët e jetës dhe të fatit. Por, të lutem, çoju selam babait dhe thuaj se të dielën që vjen të pret Gjelosh Tirtja në kullë si mik. I lutem të marrë dhe djalin, tët vëlla, por thuaj se nuk ia hapi derën po nuk mori të bijën. Pra, -foli malësori duke qeshur çiltër, -pa ty mos të marrë mundimin me ardhë, se besa nuk e pranoj.
Kur vajti në shtëpi, Stela ia tregoi të atit gjithë historinë dhe në fund i foli për porosinë që i kishte dhënë gjyshi i Stelës.
-Si ia thonë emrin gjyshit?-pyeti i ati.
-Ia thonë Gjelosh Tirtja.
Atë çast, teksa po gjerbte kafenë me shumë shije, teksa dëgjoi këtë emër, i shpëtoi filxhani nga duart dhe ra në dysheme e u bë copë-copë.
-Ç’pate?!-u habit vajza.
-Ai është gjaksi, bijë! Ai ka gjak për të marrë në kullën tonë!…

***

Të dielën, Mitër Derhemi, i biri Landi dhe e bija Stela sosën në kullën e Gjelosh dhe trokitën në portë.
-Bujrum e mirë se iu pru i madhi Zot!-briti Gjeloshi dhe doli në prag të derës, ashtu i gjatë dhe hijerëndë, si kur të qe një copë mali nga ato të viseve të tij.
Fill pas tij, doli Diella, e cila iu hodh shoqes në krah dhe, ashtu të përqafuara, hynë të dyja brenda në kullë dhe u ulën përbri njëra tjetrës, ngjitur me Gjelosh Tirtjen, që i donte sa më pranë…
Erdhën gotat e rakisë dhe mezetë e bollshme.
Gjelosh Tirtja u ngrit në këmbë e foli:
-Mitër Derhemi, të ka pasur lezet me të pasur hasëm. Ke qenë hasëm i hijshëm. Po ma lezet po paska qe besa, me të pasë mik e vëlla tash e tutje. Vajza jote si drita Stela dhe mbesa ime si hana Diella e mbyllën kohën e gjakut dhe të hasmënisë. Në trupin e mbesës sime rrjedh edhe gjaku i vajzës tande. Qofsh i bekuar në kullën tande e me të gjithë njerëzit e tu! Dera e kësaj kulle do të jetë ditë e natë hapur për ty dhe robtë e tu dhe po kështu besoj se do të jetë dera e kullës tande për mua dhe robtë e mi.
-Të paça me nder, o Gjelosh Tirtja. Ti nuk ke pasur të sharë kur të kisha hasëm, e jo tani që të kam vëlla! Qofsh i bekuar në themel eçati, sot e brez pas brezi!
Në mesnatë qiellin e rimtë të atij fshati të largët në prehër të maleve e përshkuan krisma armësh, që shponin tisin e dendur të errësirës. Nuk ishin krisma kobi, por krisma gazmendi e hareje, që lajmëronin gjakun e falur dhe çelnin një flete të ri në librin e jetës në male…
Në sytë e Stelës dhe Diellës rridhnin ujëvara lotësh, të cilët ato as që rrekeshin t’i fshinin e t’i fshihnin…

H..@..B..H.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s