“Loja e rruazave prej qelqi” ( Roman në dy vëllime) – HERMAN HESE: Laureat i Çmimit Nobel / Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani 

“Loja e rruazave prej qelqi” – HERMAN HESE: Laureat i Çmimit Nobel
( Roman në dy vëllime) 

Fragment nga kapitulli
“Poezitë e nxënësit dhe të studentit”

 

ANKIM

S’qëndrojmë dot në një vend. Jemi vetëm rrëke,
rrjedhim e marrim çdo formë që kudo ndeshim,
ditë e natë, ndër shpella e ndër tempuj mbi dhe,
përherë të etur duam të rrimë paksa e të presim.

Formë pas forme mbushim e s’ndalemi një herë,
por asnjëra s’na bëhet shtëpi, lumturi a mjerim.
Si shtegtarë dhe mysafirë mbetemi ne paprerë,
pa arë e plug, as mbjellim, as korrim në amshim.

Se çfarë ka ndër mend Krijuesi, këtë ne s’e dimë,
pareshtur luan me ne duke mbajtur prore në duar
atë argjilë memece, që as qesh e as qan një grimë,
e mbrun mirë e mirë e s’e pjek në furrë të pashuar.

Eh, në u kthefshim në gur një ditë! Sikur të rrimë!
Mall të pasosur për këtë lloj metamorfoze ne kemi,
veçse ajo na lë përherë një të frikshme drithërimë,
që na kaplon e s’na shqitet kurrë në rrugën ku jemi.

 

KOMPROMIS

Të gjithë njerëzit e palëkundur e naivë
dyshimet tona kurrë s’mund t’i durojnë.
E sheshtë është bota, prerazi ata thonë,
për legjenda e humnera s’duan t’ia dinë.

Po të kishte vërtet një tjetër dimension,
përveç dy të lashtëve të njohur aq mirë,
si mund të ishe i sigurt atje ku ti banon,
si do të rroje në këtë botë njëmend i lirë?

Për hir të paqes, a s’do të ishte më lehtë
po të hiqnim dorë nga dimensioni i tretë?

Po të jenë të palëkundurit vërtet të drejtë,
dhe ka rrezik kur humnerës sytë ia hedh,
do të ishte fare i kotë një dimension i tretë.

 

DUKE LEXUAR NJË FILOZOF TË LASHTË

Ajo që gjer më dje ishte plot fisnikëri e hir,
fryt shekullor mendimesh të përzgjedhura,
befas zbehet e vyshket e mbetet pa kuptim,
njësoj si në një partiturë tërë ato t’hedhura

ku çdo diez e çelës prej notave është hequr,
ashtu sikurse ekuilibrin humbet ndërtesa:
epohet e rrënohet, dhe tek ajo që ka mbetur
duket sikur harmonisë i është vënë fshesa.

Po ashtu dhe ajo fytyra e një plaku të urtë,
të dashur e të nderuar, keqas zhubravitet,
gati për t’u venitur krejt e mençurisë dritë
në një lojë mjerane rrudhëzash përpëlitet.

Edhe thellë në shpirtin tonë një gazmend,
sa ta ndiejmë, në një ngërdheshje kthehet,
thua se prej kohësh ne e dimë përnjëmend
se çdo gjë do venitet, do kalbet e do tretet.

Dhe mbi atë luginë të pështirë plot kufoma
prapë shpirti i sfilitur, veçse i paprekshëm,
ngre i kapluar nga malli fenerin flakërues
kundër mortjes, e vetë bëhet i pavdekshëm.

(Hermann Hesse, Laureat i Çmimit Nobel: 
“Loja e rruazave prej qelqi”, Titulli i origjinalit: 
“Das Glasperlenspiel”, Roman në dy vëllime.)

 

Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s