Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

SHKRUAR NË ETER

Mos u trishto, pse s’shkruaj si të tjerët,
E si pa kuptim qesh, si pa kuptim qaj.
Shpesh vdekjen ofroj pranë, më herët,
Pastaj me jetën eci më tej, matanë saj.

Ngrihem nga varri e emrin vë mbi gur,
Dhe vdekjen e përshëndes si zbavitje.
Se ne që edhe kur jetuam, bëmë sikur,
Sikur, kemi për të bërë edhe në ikje.

Mos u trishto, ndërsa tek ai gur do vish,
Dhe nuk do t’i gjesh germat e thjeshta.
Nëse asnjëherë, jeta ime, imja nuk ish’,
Pse duhet vallë, të jetë e imja vdekja!?

 

SHKRUAR NË KOHË TË NDRYSHME

Paska qenë burrë i trishtë im atë,
Shtatë herë, shtëpinë e ka ngritur.
Shtatë herë, ka shtuar nga një kat,
Shtatë herë, prapë e ka prishur!

Shtatë herë iu gremisën tërë vitet,
Shtatë herë e ka gjakosur buzën.
Shtatë herë, gulç iu kthyen ikjet,
Shtatë herë s’deshi ta shoh udhën.

Shtatë herë u deh veç me një teke,
Shtatë herë ka thënë-Në djall truri!
Shtatë herë, u ngashërye për vete,
Shtatë herë i është turpëruar burri.

Shtatë herë si gur, ngriu në portë,
Shtatë herë lutje:-Do ju pres gjatë?!
Shtatë herë nuk foli, si flas unë sot,
Biri im,paska qenë i trishtë im atë!

 

BISEDË BURRASH NGA IM BIR

Asaj që nëna ime do të bëhej një ditë,
Kur imazhe burrash kish’ në mendje.
Do ja grisja dhe do t’i thosha:-Prit,
E pastaj do t’i skicoja fytyrën tënde.

Të betohem se nuk i lija asnjë shkas,
Që udha ta shpinte në një tjetër breg.
Sy më sy, do i thosha:-Ndiqmë pas,
Deri sa ty, të ta nxirja para, në shteg.

A, në s’dëgjonte e ma priste shkurt,
Si gratë me trille që s’kuptohen dot.
Të drejtë s’kisha t’i vendosja kusht,
Po fatin se lija të më ikte kot më kot.

Nëse me perënditë, s’matem në sherr,
Asaj do i bija në gjunjë me përgjërim.
E do t’i lutesha që ta dridhte njëherë,
(Ndjesë mamkë!), që ti të ishe ati im!

 

FLAS PËR VETEN

Shpesh kur iki nëpër darka e pritje,
Ku ndrijnë gotat, shandanët, gratë.
E lë vetëm nënën, ulur në karrige,
Si tufë reshë me një kollë të thatë.

Sa herë unë iki larg, në ca dashuri,
Që kockën po ma bëjnë të mishtë.
Druhem se një imazh, thuajse gri,
Mes dekolteve do ishte aq i trishtë.

E ndërsa e kthej dhe ndonjë gotë,
Poet bëhem, a ndoshta dhe murg.
Një varg të vjetër, përtyp si idiot:
-Më mirë të kish lindur një trung.

Sonte po ndihem, mbytur në malle,
A lot që aty brenda askush s’i njeh.
Të tjerët, më keq harbojnë në valle,
Gotat trokasin:- Po qan se u deh!

As nuk u deha, as pija u bë shtysë,
Kam një tjetër shkak të jem me faj.
Që tavolinën se kthej dot përmbys,
Deri sa s’shoh nënën në krye të saj.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s