Vargu i Zamirës një dritare për të parë shpirtin / Nga: Safet Hyseni

Vargu i Zamirës një dritare për të parë shpirtin

 

Nga: Safet Hyseni

Zamira Hysenaj Agalliu me vargun e saj na hap një dritare për të shikuar drejt vetveten dhe për të marr frymë duke soditur kujtimet që kanë lënë gjurmë në jetën tonë. Jeta është e bukur, ajo përbëhet nga kujtimet, dashuritë, gëzimet, hidhërimet, pikëllimet, dhimbjet, vuajtjet… në një luftë të shpirtit për të zënë lumturin. E gjitha shkrihet në një mall, mall dashurie. Të dashurosh nuk është lehtë, ta fitosh dashurinë duhet ta ndjesh, ta bashkosh shpirtin e zemrën e të bësh udhën drejtë qiellit të thithësh frymën e pastër për të mbush poret e dëshirave që lozin në lëngun e jetës tek njeriu që është çdo herë në kërkim të hyjnores, dashurisë. Është një fjalë që populli e ka bartë nëpër breza; “kush dashuron keq s’mendon”. Këtë na e përcjellë varg pas vargu në librin e saj poetja Zamira  “Malli i arratisur”. Libri hapet me fjalën si parathënie të redaktorit Ragip Kçiku për të na drejtuar nëpër ciklet “Galaktika e dashurisë”, “Unë dhe ti, “Prehje”, “Mjerim”, “Përkushtim”, “Atdheu”, “Qyteti im Vlora” dhe i fundit “Gjithësia”. Redaktori është përkujdesur që ndarjen ta bëjë në rrjedhshmëri të përmbajtjes së vargut dhe për këtë ka bërë një punë të pëlqyer që lexuesi ta ketë sa më lehtë për të thithë nektarin e fjalës së bukur.

Në ciklin e parë “Galaktika e dashurisë” mendoj se radhiten poezitë më të bukura, vargjet lirike, lirika iu sfidon kohërave. Duke filluar nga poezia “Fjeta me yjet” dhe deri tek e fundit e këtij cikli “Pa mua” lexuesi jo vetëm që udhëton por ngaherë edhe fluturon për të zënë hapësirën e dëshirave për të jetuar çastet më të mira të jetës që sjell dashuria. “Fjeta me yjet” ka vargun “aspak mos u bë xheloz!”, një gjetje e bukur thjeshtë për të treguar e bënë krahasimin me yllin e shpirtit. Se çdo shpirt kërkon yllin e fatit në netët pa gjumë, e krijon dhe e dashuron. Ajo thotë “Zhvesha këmishën e errësirës së qiellit”, thjeshtë për ta parë, për ta përjetuar “Ti shndritje zjarr më shumë se të tjerët”, dhe ja arsyeja përse të mos behët xheloz. Autorja ndoshta me qëllim kësaj poezie ia ka vënë vendin e parë, për të josh lexuesin apo për t’i thënë yllit të shpirtit ndiçëm, se kam ende për të thënë. Lirikat e saja me shumë ndjenjë, me shumë emocion na shpalosin shpirtin e saj, si një dhuratë me qëllim të pasurimit të shpirtit me dritë, dritë nate. Dashuria është e bukur, është hyjnore po aq sa dhe poezia, ajo lëndohet, përpëlitet vargut të poezisë, por jeton, nuk vdes. Jo kotë thotë: “Orët trokasin”, po ku trokasin? Në rrahjet e zemrës apo dihatjet e shpirtit. “Kam zgjatur krahët, pres atë fjalë/ Betohem që do ta shtrëngoj”/, shtrëngohet fjala, ajo kërkon që fjalën “të dua” ta shtrëngon  si një thesar të çmuat, se dashuria është jeta, s’ka thesar më të çmuar, ajo s’matet me asgjë, dhe këtë fjalë ajo e donë, se ajo është shpresa që vallëzon përbrenda ndjenjës andaj hasim edhe vargun “Po pres zgjuar mëngjesin”. Po të ndjekësh vargjet e ciklit të parë do bindesh se ka një roman poetik që shumë pak poet e ruajnë temën, ngjyrën, emocionin gjatë gjithë poezive, kjo rrjedh si një burim nate që ia dëgjon shushurimën, apo melodinë e rrjedhës.  Ajo thotë se ka dritë edhe nata dhe këtë e bënë në një mënyrë tejet të bukur dhe me art.

 

Mall i arratisur

Na e sjell ylberin si simbol ngjyrash ku duhet të betohet apo përshkohet dashuria. Vargu “Më shih në sy pa ndezur dritën” tregon se sytë e dashurisë bëjnë dritë, ta dritësojnë natën. Dashuria është si një lum që kur nuk fle, i rrah brigjet në ditët me diell në netët e errëta, lumi herë i qetë e herë i turbulluar por ka një jehon që ulet e këndon brenda qenies sonë. Ajo ka të fshehtat, sekretet, pa to as që do ishte aq e ëmbël, aq e dëshiruar. “Ti s’duhet ta dish një të fshehtën time/ Që xhelozin tënde e lexoj dashuri /   Mos fluturo për të qenë i mrekullueshëm /Kur, edhe mungesa jote më çel në gji./  Në poezinë “Nuk kam fjalë” ne arrimë të mësojmë se dashuria nuk shuhet. “Çdo pikë loti që del nga syri e ka një zë / E ka një emër, ka një fytyrë të vërtetë./ Kjo dëshmon se çdo gjë që ndodh ka një arsye, ka një emër që lidhet më një gëzim, lumturi, vuajtje… por kur është tek ndjenja ajo jeton në mënyrën e vetë andaj poezia përfundon; “Lere heshtjen që midis nesh ajo të fle/ Edhe mungesën kur është jotja unë e dua./ . Poezia “Jam Eva” është një perlë e vërtetë, është një zbrazje shpirti që nuk pranon mëkatin që i ngjitet si një akuzë gruas. Gruaja është jeta se falë jetë, është gjallëria, është lindja që jeton me lindje, është e bukura e rruzullit dhe dikush, burri është dashur ta vë nën mëkat për ta sunduar, arsyeja xhelozia, smira, dhe ate me ndihmën e Zotit, oh Zot s’ia nuk ia ndale hovin! /Jam Eva //Kanë çelur bajamet i dashur / Nuk të lutem të m’i bësh dhuratë  /Mollë nga kopshti yt Eden vola  Jam unë! /Eva që ju lash në mëkat. /Kurrë nuk ju përgjërova Perëndive /Jezu Krishtit nuk ju fala kurrë /E dashurova fort Dashurinë time /Në fund të fundit njoha një burrë!/  Ajo nuk bëri mëkat mollën e morri nga Kopshti i Edenit, dhe atëherë e pa veten zhveshur ai ajo si Edeni. Nuk ishte kjo mëkat se atëherë ajo njohu një burrë, dhe burri një grua. Kjo ishte drita e fillimit të njerëzimit, kur ata nisën në mbulojnë pjesët e trupit që dallonin, kur ata mbushën shpirtin dhe thanë duhet të lind turpi, se është qytetërim. Kjo është mrekullia e Zamirës në këto vargje. Ndoshta do ish dashur që cikli të ishte mbyllur me këtë poezi brilante edhe pse të tjerat pas saj janë po aq të bukura dhe me plotë ndjenjë e ngjyra. Dashuria jeton shpesh jashtë nesh, me hijen tonë e cila shëtitet jashtë nesh duke ndjekur dëshirat, është imagjinata, fundi fundit imagjinata është realja, ajo krijon ajo jeton dhe përjeton dhimbje, gëzim, hare, lumturi, pikëllim… Poetëve iu bie hise të jetojnë jashtë vendit ku kanë lindur, nëse jo atyre dashuria e tyre ndodhet diku larg. Dashuria shkrihet në mall e malli kurdoherë arratiset. Këtë në e thotë Zamira në poezinë me të cilën edhe e ka titulluar librin e saj; “Malli i arratisur/ /Paqja u rehatua mbi heshtjen time/

Kur shikimi i retinës të pa në fytyrë/ Malli u çua prej tavoline/ E dashuritë tona morën një ngjyrë./ Bëra të çohem por, s’e di/ Fryma pa dashur për pak, m’u ndal / Dua t’i mbjell kësaj toke tani /Pak dashuri që çelë nga një fjal´. / Madhështia e poetes është se ajo i bënë vend çdo herë dashurisë, se vetëm në dashuri nuk ka krenari. Në poezinë tjetër “Ku ishe Ti” me shumë mjeshtëri dhe art ajo na rrëfen për botën femërore dhe ëndrrën e saj fëmijërore. Do sjell vetëm ca vargje edhe atë të fundit për të dëshmuar mendimin tim.  “Që atëherë të ndërtova në ëndrrën time/  Dhe nuk guxova të të kërkoja më kurrë /… Ishte turp, turp ishte nga bota/  Të ëndërroje një Burrë…/ Cikli i parë përfundon me poezinë “Pa mua” po aq e bukur që ndjek atë parapraken dhe që dëshmon se dashuria është e çiltër e kthjelltë e shëndosh vetëm aty ku krenaria ka ulur kryet. “Për një fjalë / Që ti nuk e thirre kurrë në emër/ Unë, jam ndryshe Jam femër!!!/ Dashurohem pas fjalës Të dua! /

Në ciklin e dytë autorja sërish na bart kujtimeve ku ka shtruar tryezën e fjalës lirike që nuk bëjnë shumë dallim nga e para, bile unë do thosha se disa poezi mund të ishin apo e kanë vendin në ciklin e parë. Mjeshtëria e sajë është se i ka ikur mallkimit, pesimizmit për më të bukurën që ë bënë jetën, dashurisë. Ajo në asnjë varg nuk mallkon madje as që është penduar përse ka dashuruar dhe vazhdon që dashurinë ta paraqes ashtu siç është hyjnore dhe mungesa e saj sërish është dhe mbetet një ëndërr plotë shpresë. “Fjalët e zhveshura t’i tregova në pëllëmbë /E shpirtin zbuluar të lash në dorë/, janë vargje nga poezia “Fjalë të zhveshura që dëshmojnë për një çiltërsi që ka mbjell për një ëndërr përjetësie, për ta përfunduar “Lotët i thaj retinës mbi letër/ Me shkronja të ftohta rrugët mbjell./, ku dëshmon se kujtimet shkruhen, por e bukura e shpirtit të dashuruar është kur ato i shkruan me shkronja të nxehta nga buzë të puthura.  Në këtë cikël ajo ka vendosur të shpupurisë kujtimet si një amvise e mirë që nxjerr xixa nga hiri i vatrës që sërish të ndezë zjarrin me çka dëshmon se asgjë më afër se kujtimet nuk kemi, se jeta pa kujtime është e ftohtë, e zhveshur madje i afrohet fundit. E dyta e këtij cikli në mënyrën me të bukur dëshmon se dashuria nuk ka moshë, ajo të rrëmben të bart udhëve të lumtura të thursh ëndrra e kur të rrëzohesh sërish ta dashurosh, por siç thotë ajo të dashurosh edhe mungesën, pikëllimin, madje të përqafosh edhe dhimbjen.

 

Zamira Agalliu

Të dashurosh të jesh i përgatitur që të falësh e të jetosh me kujtimet e ëmbla. Ajo virtytin e shpirtit të saj na e dëshmon në ca vargje të poezisë “Të pres” ku shprehet; “Të pres me sy tek sahati ngrirë/ Sot jam një skllave a robinë e varfër/ Që të më thuash përsëri ti lamtumirë/ E ta quaj lumturi atë çast që rrimë afër./, kjo është madhështia e dashurisë, ta pranosh edhe kur e ke humbur, se ajo nuk pranon humbje, lëviz nëpër qenien njerëzore.  Stili i të shkruarit është i lehtë dhe të përshkon si në erë mali në kohë të nxehtë. Vargjet të vinë si freski, të ledhatojnë dhe futen në brendësi për të jetuar një çast, se jeta ka nevojë për fjalën e bukur. Këte na ë dëshmon në poezinë; “Ndjenjë”…. /Si vesë e lehtë mbi buzën time / Bien kaq ëmbël puthjet e tua / Qerpikët çelin si nënpetla / Nga fjala magjike , Të dua !  / Vesë e pafund hyn nën lëkurë / Dhe e gjelbëroi çdo qelizë  / Në fund të fundit quhet natyrë  / Kur ndjenjën mbjell si një filizë . / Zamira nuk e ngarkon vargun, vetëm në ndonjë rast kur kërkon rimën, ajo e lejon shpirtin të dal jashtë saj për të kërkuar të bukurën, për të hedhë valle në kopsht me lule bashkë me fluturat. Në këtë cikël autorja ka radhit poezi të momentit të jetës, ku ndodhet që lexuesi të marr frymë më lirë të gjejë paq edhe atje ku sheh trishtim, por gjithmonë duke dashuruar. Ajo tani më, është një poete e formuar dha ka identitet poetik por gjithmonë brenda njerëzores dëshiron dhe këtë e dëshmon se vargu i saj duhet të jetë dhe është i dobishëm. “Frikën do t’ia them një mali/ N’majën e lartë, ta përziej me borën e tij/ Në pranverë do të ma kthejë me rrjedhën / dhe unë do të mbush grushtet do të pi.”, në këto vargje sa të bukura aq dhe të dobishme për lexuesin. Këtu godet metafora si arma më e bukur e saj. Ajo e din se edhe vetë ka kaluar nëpër fenomenet që krijon një shoqëri e kalbur, por jep këshilla me metafora që vërtetë jetojnë dhe do të mbeten në arkivin e saj poetik që do i bëjnë vend në letrat shqipe. Në poezinë “ Rininë nuk e ktheva “ kemi vargjet që flasin shumë: “Ma morën shtëpinë,  unë përsëri e bleva. / Ma morën qetësinë,  unë përsëri e ktheva./ Ma morën fëmijën’  unë një tjetër linda. / Ma morën rininë,  u plaka u thinja. / Me pak vargje ajo shëtitet nëpër historinë shqiptare dhe në fund depërton në urtësinë e odës shqiptare. Kjo poezi brilante sa është krenare është aq e dhimbshme, sa është kombëtare aq është e urtë.

Në ciklin e tretë autorja na sjell disa fenomene që ndodhin në jetë nga qëllimet e ulëta njerëzore por edhe nga ato të rastit. Në këtë cikël për dallim nga të parët kemi pak ngarkesë të fjalës si dhimbje që shkakton e keqja në një shpirt poetik. Po ashtu hasim rebelim të autores për të luftuar smirën, zilinë, të keqen, gënjeshtrën, lakminë me çka dëshmon se poeti duhet t’i shoh këto fenomene dhe t’i vargëzoj për të mirën njerëzore. Disa poezi si ajo “Më pritë” mendoj se është dashur të futen në valle në ciklin e parë apo të dytë, gjithsesi ajo me qëllim e ka bërë këtë përzgjedhje që lexuesin ta bartë nëpër rrugë të ndryshme vetëm për të përjetuar freskinë e duhur.

Në  ciklin “Prehje” autorja na radhit vargje që na bartin emocione të ndryshme ndoshta qëllimi i saj është që duke gjetur qetësin e saj, ajo fjalën e artit donë ta mbjell në shpirtin e lexuesit artdashës. Po të ndalesh në çdo poezi do duhet shumë kohë por ajo ka gjetur kohë dhe talentin e saj e shkrin për çdo rast, dhe imagjinata e shpirti i saj i bardhë na bënë që të ndihemi si personazhe të çmuara në peizazhet që krijon. Në këtë cikël kemi pak a shumë edhe vargun e lirë që po krijon hapësirë loje të artit në varg. Shpirti i saj poetik udhëton, shtegton, nëpër muzgje, mëngjese, nëpër natë duke kërkuar dritë por gjithsesi shpirti im thotë autorja është ujëvarë, ujëvarë freskie e bardhësi, është dritë që dritëson natën. Nuk është e rastësishme që në këtë cikël autorja kërkon vargje, vargje që t’i dhuroj jeta, jeta që është e bukur, e bukuria nga hyjnorja dashuri, dashuri që të bënë të bashkohesh me hijen e ëndrrës. Mbase është kërkesë shumë e madhe por, është virtyti që e bart nëpër peizazhe të tilla.

Zamira në vazhdim na sjellë edhe vargje për mërgimin një gangrenë e moçme që e ndjek popullin tonë, kjo dhimbje e madhe, kjo ndarje e madhe andaj edhe e quan vepër “Malli i arratisur”. Ndonjëherë ajo të sjell lotin në cep të syrit, t’i lag qerpikët më fjalën e saj me bukurin e dhimbjes, se të bësh art do të thotë të dashurosh dhimbjen për ta sjell bukur. Nuk do ndaloj shumë në ciklet Atdheu, Vlora e Gjithësia, jo për ndonjë arsye të veçantë por dua të them se ajo me këto cikle dëshmon për identitetin prej poeti. Ajo është poete që radhitet ndër penat që falin dritë, ndezin dashuri, dashuri për njeriun, dashuri e respekt për atdheun, dashuri për të bukurën, natyrën e gjithësinë. Përmbledhja me poezi “Malli i arratisur” , është titull i qëlluar me atë që kemi të lexojmë e shijojmë brenda kapakëve të kësaj vepre. Padyshim që e mira dhe e bukura s’ka fund, ashtu siç na e derdhë autorja të mirën, shpirtin dhe zemrën e saj nëpër vargjet që iu dedikohen përkushtimeve. Dihet që jo vetëm tek shqiptarët por edhe tek popujt tjerë shumica e poetëve, shkrimtarëve, artistëve për arsye të ndryshme kanë jetuar jashtë atdheut të tyre, edhe Zamira jeton jashtë atdheut të vetë, andaj edhe vargu i saj ka shumë mall, dashuri, bardhësi dhe përgjegjësi për të parët, kulturën, traditën, gjuhën e Shqipërinë. Ajo ka identitet, identitet dhe është krenare për identitetin e saj. Unë mendoj se ka mundur dhe më mirë dhe më bukur, po të kishte më shumë kujdes në ndarje të cikleve. Gjithsesi për këtë vepër ka shumë të thuhet e shkruhet, është vepër që autores i bënë vend të merituar në letrat shqipe.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s