KOLEKSIONISTI  / Tregim nga Petrit Sulaj

KOLEKSIONISTI 

 

Tregim nga Petrit Sulaj

Mua më dukej se ishte rritur vetëm e bërë burrë po vetëm, që ditën kur kishte lindur, P. Ai kishte ngelur kështu deri tash që po flas, dhe ishte fakt se vetmia e tij nuk kishte skartuar shans kuj, a prishur punë njeriu. Tani që po tregoi për të, P. ishte në një moshë që s’ mund t’a përcaktoj me siguri dhe moshëgjendja e tij një gjë e bënte mirë: e ndihmonte që t’a mobilonte vetminë e vet, si askush tjetër e kishte bërë këtë gjë në botë.
E vetmja ditë që nuk e filloj e mbaroj vetëm P., ka qenë dita kur i vdiq nëna. Babanë nuk e kishte njohur. E ëma i kishte treguar për të atin pak gjëra, dhe nga ato pak gjëra që i kishte thënë nëna e tij për të atin, ai nuk mbante mend thujse asgjë.
Ditën kur i vdiq e ëma, P. pati vizitorë. Jo shumë, pak fare. Më saktë, dy njerëz erdhën me një furgon të zi, sollën arkivolin i hoqën kapakun dhe si futën në të nënën e tij, e mbyllën. Pasi e mbyllën dy burrat po prisnin në këmbë, njëri duke pirë duhan e tjetri duke mos bërë asgjë. Prisnin që P tu jepte shenjë, se duhej të niseshin drejt varrezave.
P. nuk kishte ardhur në vete akoma, ndërsa vështronte dy njerëzit tek përgatitnin nënën e tij që ta dërgonin në shtëpinë e fundit. Këtë punë që po bëni nato, atij as i kishte rënë rasti ta shihte ndonjëhere më parë, dhe as imagjinuar. Admironte sidomos përpikërinë e njërit prej punëtorëvë të agjensisë funebre, më të riut, aq sa harroi krejt se ai po konsumonte takimin e fundit me të ëmën. Erdhi në vete vetëm kur njeri nga dy njerëzit, më i moshuari, si mbaroj cigaren dhe bishtin e saj e flaku në gjethet e një lulebore aty pranë, e kapi për krahu dhe i spjegoi se kishin mbaruar punë me kufomën dhe si e ngushëlloi për humbjen e pyeti se në ç’ orë duhej të vinin e ta dërgonin né varrezë. P. kuptoi gjithçka dhe pa u menduar, u përgjigj se mund të niseshin dhe tani. Tjetri, kolegu i tij, nuk e hapi gojën jo veç tani por edhe gjatë gjatë gjithë kohës që bënte punët e tij. Duhet sqaruar, ka rëndësi ky fakt, se ai që nuk e kishte thyer heshtjen gjithë kohën, kishte bërë punët më të rënda e më të vështira me nënën e tij.
P. nuk i bënë përshtypje as mjekëroshi e as fjalët ngushëlluese të tij, ndërsa ai tjetri po, i tërhoqi vëmendjen, si asnjë njeri tjetër. “Ky njeri më ngjaka mua shumë”, tha me vete P. dhe i lindi një dëshirë e marrë që të përpiqej t’a njihte, e pse jo ta bënte dhe shok. Pasi pagoi mjekroshin për punën e bërë me nënën e vdekur, pati një dëshirë jo të zakonëshme për të shkëmbyer dy fjalë me tjetrin, kolegun e tij më të ri, të pafjalë e tepër preçiz.
P. përveçse me mua – dhe se rrallëherë kjo gjë, një herë në vit, kur i uroja ditëlindjen – nuk fliste me njeri tjetër. Te gjithë, kush e njihte, kur vinte rasti e flitej për të – gjë tepër e rrallë kjo – e përkufizonin normalisht, pa përjetuar as edhe emocionin më të rëndomtë, me nofkën “i vdekuri që ec”.
Nejse, po vij në temë, P. deshi që t’i fliste kolegut të mjekroshit, më e pakta t’a falenderonte për kujdesin e treguar ndaj kufomës së nënës, dhe më e shumta t’a bënte shok; por sapo hapi gojën për të folur, njeriu me mjekër ja shkatërroi rastin brutalisht, duke i thënë që të mos humbëte kohën kot me të. Pastaj dhe duke i spjeguar se kolegut të tij nuk i punonin as goja e as veshët. Mënyra se si mjekroshi e bëri këtë gjë, – sidomos kur ndërsa përkufizonte kolegun e tij, vinte buzën né gaz – e zemroi shumë, P, aq sa stimul çasti që i erdhi për t’i vënë duart në fyt, për pak sa nuk e realizoi.
Sidoqoftë edhe se nuk e hapi gojën t’i thoshte gjë, nën zë mjekëroshit i tha: “Ti nuk e ke idenë, se sa mrekullira rrinë poshtë kësja pandjeshmërisë tënde idiote”.
Ndërsa informacioni se kolegu i mjekëroshit ishte shurdhmemec, njëherë e bëri të frymëmerrte thellë nga keqardhja që i përshkoi trupin, pastaj pa e ditur pse, nisi të sjellë në kujtesë dhe një herë nga fillimi, kujdesin e madh që djaloshi shurdhmemec kishte treguar ndaj nënës së tij të vdekur.
P. kishte standardet e tij – për mua të pa arritëshme nga askush – e që njerëzit e tjerë do shkonin në varr, pa i njohur e provuar në lëkurën e tyre. Themeli i këtij standardi sipas meje, ishte një mbiaftësi humane për ta administruar vetminë, pa shpenzuar as edhe një gram energji. Deduktoj sa herë vras mendjen, se vetmia për të është si një tokë pjellore që nuk prodhon gjë tjetër veçse inteligjencë, ndërsa heshtja, një kohë e artë në të cilën mbillet fara e inteligjencës.
Sillte për mendje P, gjithë ç’ kishte berë punëtori i agjensisë funebre, shurdhmemec, me nënën e tij, dhe e gjente veten mbytur në mendime e emocione. Me sa kujdes ja kishte hequr ai njeri rrobat e jetës nënës së tij, dhe me çfarë preçizioni ia kishte veshur ata të vdekjes. Me sa dashuri e kishte zënë nga shpatullat nënën e tij të vdekur, shurdhmemeci – P. vetë, se kishte prekur me delikatesën e tij, ashtu si ai të ëmë dhe njëherëtë vetme për së gjalli – aq lehtë e kishte ngritur, ndërkohë që kolegu i tij, mjekroshi e kishte zënë nga këmbët pa as edhe më të voglin kujdes, kur erdhi koha për t’a shtrirë në arkivol. Dhe ndërsa krejt puna e mjekroshit ishte ndalur këtu, shurdhmemeci, kishte vazhduar punën me nënën akoma dhe një orë. I rregullonte flokët e thinjur duke përdorur krehrin me një mjeshtri prej parukieri klasi, e parfumoste me kujdes, sikur nëna e tij do të dilte shëtitje nëna e jo se do shkonte të mbulohej me dhe. Pastaj e kishte lyer me një krem special i cili ja hoqi rrudhat, dhe kufoma nga plakë e mbaruar u transformua në një grua në mes moshe.
Po sjellja që i kishte bërë përshtypje të jashtëzakonshme P., kishte qënë kur shurdhmemeci deshi t’i mbathte këpucët, nënës së tij të vdekur. Sapo i pa këpucët, pa ja provuar, kuptoi menjëherë se ato këpucë nuk ishin për këmbët e saj. Dukeshin që ishin të vockla, e ai nuk donte të ushtronte forcë kur të ja mbathte dhe pa e lënë që të vihej në diskutim, ja la të dyja këpucët që nuk bënin në dorë mjekroshit. P. Në fillim nuk e kishte kuptuar gjestin e shurdhmemecit me këpucët, pastaj e kishte marrë si një refuzim për të mos i mbathur këpucë; por pasi mjekëroshi i mori dhe shkoi e i ndërroi né furgon me një palë të tjera më të vogla, P nisi t’a admirojë megjithëmend atë njeri.
“Ky njeri është fantastik, po kujdeset për nënën time të vdekur me një kujdes e dashuri të tillë, sa ngjante sikur të ishte e fejuara e tij që po e bënte nuse. Merre me mend, dhe këpucët donte të ja mbathte të tilla, sa që po t’i mbushej mendja kufomës të ngrihej e të hidhte një valle, këpucët t’i bëheshin aleate për të mos patur as dhe problemin më të vogël për të rënë në sy, se ishte balerina më e zonja e vendit” – kështu mendonte P, ndërsa mjekëroshi nuk po e zinte vendi vend që të niseshin.
P. vërtet jetonte vetëm, por po ta gjeje me mendje të mirë e të uleshe e të bisedoje me të, e sidomos nëse të rrëshqiste mendja e filloje t’i kërkoje llogari për vetminë e tij – siç kisha patur guximin të bëja unë njëherë – ai nuk pranonte kurrë që ishte vetëm. Njëherë më kishte thënë, se vetmia nuk është kjo që bënte ai. Më kishte folur gjërë e gjatë teorikisht e praktikisht rreth vetëmisë, dhe ne fund, kur kishte kuptuar se mua nga një vesh më hynin e nga tjetri më dilnin fjalet e tij, ma kishte plasur në sy:
– Or mik, vetmi mund të quash një situatë të tillë kur subjekti që i pëlqen vetmia, nis e kërkon solidaritetin e njerëzve, pra u kërkon ndihmë të tjerëve për t’i qenë pranë…!
Pas kësaj batute inteligjente të tij, mua mu’ mbyll goja vetiu. Pastaj s’ më mbeti gjë tjetër veçse të ikja me bisht në shalë, dhe sa herë përballeshim, nuk mund të bëja gjë tjetër me të, vetem se t’a ndjeja veten fajtor të përjetëshëm dhe t’a përshendesja me sy në tokë. Sa herë takohesha me të rastësisht, unë gjendesha nën efektin psikologjik të një njeriu të mundur keq, që sa herë takohet ballpërballë me të, konfirmon përjetsisht gjendjen e tij mjerane. Të them të drejtën, unë pas asaj bisede e sidomos me atë batutën inteligjente për vetminë të P., kisha filluar ta respektoja më shumë, i bindur se e meritonte. Por gjithë kjo gjë ishte vetëm një roman i fshehtë i imi, domethënë subjektin e tij nuk e dinte njeri tjetër veç meje.
Më vonë, pasi kisha parë e jetuar goxha në këtë botë, nga përvoja ime me ” të vdekurin që ec” , kisha bërë shumë konkluzione. Shumicën e tyre i kam paraqitur ku e kur më është dhënë rasti. Vetëm një konkluzion, nuk kam patur guxim ta them me zë të lartë a t’a shkruaj deri tani, madje as dhe me shokët e miqtë intimë, edhe se më ka lodhur shumë për ta formuluar. Formulimi im nën presionin e atij njeriu special, pak a shumë thotë se: “vetmia, në të vërtetë nuk është gjë e keqe nëse individi në fjalë, nuk e konsideron izolim të imponuar…”
Më tej nuk mund të shkoj në ketë temë, por dhe në rastet kur dikush don të heqë ndonjë guralec këtu, në formulimin tim për vetëminë, nuk lëshoj pe gjallë dhe litarin me vënë. Po meqë akoma askush ka kohë të merret me mua, e aq më pak me formulimet e mia, fraza ime ka ngelur aty ku është, aq sa ndonjëherë më ngjan me një piramidë né një kufi mes dy vendesh i pashkelur kurrë, që bëjnë “luftë” e “paqe” mes tyre vetëm në distancë, domethënë në mënyrë virtuale.
Po për një gjë ama jam më se i sigurtë: P. e administron vetëminë e tij më mirë jo vetëm se sa unë dhe njerëzve të tjerë që njoh, por dhe e gjithë personazheve të librave që kam leuar e filmave që kam parë. Nuk ekzagjeroj tashmë kur them, se P. e administron vetminë e tij me aftësinë e elegancën me të cilën njerëzit e zakonshëm administrojnë gjymtyrëte tyre.
Nuk kisha hollësi e detaje, nëse ai e analizonte vetminë e tij, dhe nëse e analizonte e i pëlqente, përse nuk i bënte reklamë, ose në rastin e kundërt nëse nuk i pëlqente sa hamendësoja unë, përse nuk kërkonte rrugë të tjera. Unë deri sa të jepja frymën e fundit, në raport me P. do të isha në gjendjen e të mundurit, dhe kur je në ketë gjendje me tjetrin nuk mund të bësh asgjë të hajrit, përjashtuar një përshëndetje i thënçin, me sytë e lodhur përdhe, kur të bije rasti të përplasesh me të krejt rastësisht në rrrugë.
Ditën pasi i vdiq e ëma, P. i ndodhi një gjë e cila e detyroi të vendosë njëherë e mirë kahun e jetës së tij. Ishte mëngjes kur ai hapi derën e jashtme, dhe në prag të saj vështrimi, punë e parë ju përplas me një mace të bukur; që ju duk se po e priste prej sa kohe duke mjaullitur në mënyrë të tillë sa që e bëri të rrënqethej. Goditja e tij emocionale nuk kishte të bënte me pamjen e kafshës, sepse mace atyre anëve kishte sa të duash. Të tronditej e bëri gjesti i saj, pritja nuk dihej sa, mjaullitja e veçantë e sidomos lëkundja e bishtit që e gozhduan për minuta të tëra. Ndenji nja ca minuta P. ashtu duke e parë plot emocione e rënqethje, pastaj u kthye, hyri në shtëpi, mori një kuti me peshk të koservuar, e hapi, u kthye dhe vuri në tokë para kafshës.
Macja hante, e ai e shihte. Macja hante me oreks, ai vështronte. Macja ishte zhytur në oreksin e saj e ai nuk ja ndante sytë deri në fund. Vështrimit të tij të pashqetsuar, i bënin shoqëri ndërkohë gjysma e mendimeve dhe emocioneve që rasti po ja provokonte. Macja hante dhe ai e ndiqte i mrekulluar, deri sa ajo i dha lëpirjen e fundit kutisë me peshk. Pastaj kafsha ngriti vështrimin dhe kur sytë e kafshës me atë të njeriut u takuan, ai kuptoi se ajo donte akoma të hante.
Hyri përsëri brenda, mori një konserve tjetër, e hapi dhe u kthye. Ia vuri para dhe ndërsa kafsha bënte përvojë të ngrëni, P. e vështronte duke bërë përvojë mendimi e emocioni. Macja e mbaroi dhe konservën e dytë, dhe ai përsëri shkoi te bufeja, mori një kuti tjetër dhe si e hapi u kthye dhe një herë te macja, po në sallonin e jashtëm, tashmë nuk kishte më mace. Dy kutitë, njëra përmbysur dhe tjetra me dy peshq brenda, si dhe treta në dorë të tij, e sollën në gjendje normale. Ndërsa u ul e mori nga toka kutitë e konsumuara, emocionet po e linin, ndërsa mendimet jo. I thirri disa herë maces, herë me një emër e herë me një tjetër, por ajo nuk bë e gjallë, as atë ditë e as ditët e tjera.
Qëndrimi i asaj kafshe, padyshim e vuri në të thella. Nuk bënte gjë tjetër, mendonte vetëm për macen që si kishte arritur të realizonte nevojën e saj, domethënë të mundëte urinë me ndihmën e tij dhe pa ju bërë vonë e kishte lënë vetëm. Atë ditë, të gjithën, të nesërmen dhe plot ditë të tjera, P vetëm mendohej rreth kësaj gjëje. Dikur ai arriti një konkluzion, për mua jo të çuditshëm. Pastaj konkluzionin nisi ta bëjë përvojë, e në fakt ajo përvojë ndryshe nga konkluzioni, ishte tejet e çuditëshme. Natën që konkludoj për përvojën që po niste, P. nuk bëri gjumë.
Të nesërmen projektin filloi ta realizojë. Bleu një aparat fotografik, më të mirin që gjeti dhe filloi të bënte foto. Fotografonte fshehurazi e me dije, me qëllim e pa qëllim fare, si ti vinte për mbarë e si të ishte situata. Shkrepte aparatin para gjithçkaje që i bënte, apo jo përshtypje. Gjithmonë në fokus të aparatit të tij do të përfundonte një femër e bukur, a një e tillë e shëmtuar, një burrë me paterica, a një tjetër me të dyja këmbët në rregull që kalonte vijat e bardha. Por nuk mungonin dhe kafshët nga më të ndryshmet, mace e njëqind kafshë të tjera, vazo me lule, e të tilla pa lule. Kur shkonte e i bënte vizitë varrit të së ëmës, nuk e linte varrezën më parë se t’i mbarohej krejt filmi né aparat.
Dalngadalë, shtëpia e tij erdhi e u bë koleksioni më i madh i fotografisë, në atë vend. Në fillim të kësaj pune, fotografitë i mbërthente me gozhdë në dhomën e ndenjes, kur muret u dhomës së qëndrimit u mbushën dëng, vazhdoi me muret e dhomave të tjera, pastaj me muret e banjos e koridoreve. Kur muret e shtëpisë u mbuluan me foto, u bënte vend në dysheme, sipër mobiljeve, anash rafteve e kudo gjente vend të përshtateshëm.
Unë dhe tani, pas gjithë këtyre ngjarjeve që akoma nuk i di askush, vazhdoj ta ruaj me xhelozi formulimin tim rreth vetmisë: “vetmia, në të vërtetë nuk është gjë e keqe nëse individi në fjalë, nuk e konsideron izolim të imponuar…”

petrit sulaj
Shkëputur nga “NJË CIGAN KA HUMBUR UDHËN “

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s