Mbetje heronjsh / Tregim nga Teuta Keli

Mbetje heronjsh
 
 
Tregim nga Teuta Keli
 
“Në fillim ishte fjala, pas saj erdhi gjithçka…”
Më duket shumë paradoksale kjo fjali, gjithësesi po e mbaj shënim që të pyes regjisorin, me qellim që ta përshtasim më mirë.
Duhet të gjej edhe mënyrën dhe kohën e duhur për ta pyetur, se njerëzve sot nuk u dihet se ku u vlojnë problemet dhe të përgjigjen çuditshëm, aq sa të bëjnë të dyshosh me veten, nëse ndonjë nga fjalët që u ke drejtuar të është rebeluar dhe është përplasur padashje, dhunshëm tek bashkëbiseduesi.
Ky nuk është roli im i parë në teatër, por nuk e di pse e ndjej si të tillë. U habita kur më zgjodhën mua, mos ndoshta atyre u jam dukur pak i çmendur?!
Unë zakonisht s’flas për veten në jetën e përditshme, flas vetëm për rolet e mia. Të gjithë më thonë që kam pamje ndryshe nga të tjerët dhe mua kjo gjë më pëlqen, në fakt më pëlqen fakti qe ata nuk kanë pamje të njëjtë me mua.
Kam një skenar të gjatë për ta mësuar përmendësh, por kam një orë që jam përqendruar vetëm tek fjalia e parë: “Në fillim ishte fjala…”. Sikur ky tekst të fillonte ndryshe, unë do të mund ta mësoja më shpejt, kam ngecur këtu dhe nuk po di si të eci përpara. Ndaj mendime të kundërta me skenaristin e kësaj drame, aq sa më shqetëson fakti që do më duhet t’i mësoj përmendësh gjithë budalliqet e tij të mëpasshme. Mundohem të gjej ngushëllim, se regjisori më tha që skenari është sipas tragjedisë klasike “Hamleti”, por me disa thyerje të vogla, sa për ta bërë më të afërt për shikuesit. Eh me këtë fillim vështirë është, mendoi, por nejse…
Ai la mbi tavolinë disa fletë, të cilat kishin të shënuara me një rend të rregullt disa ligjërata të gjata. Iu soll rrotull tavolinës dhe i rimori fletët në dorë. Ishin shumë të tilla dhe të gjitha do i duhej që t’i mësonte përmendësh.
Para pak ditësh e kishin ftuar, që të luante rolin kryesor në tragjedinë “Hamleti”. Fillimisht ishte gëzuar, sepse nuk kishte luajtur kurrë në role kaq të rëndësishme. Përfytytoi Hamletin, ashtu me pamje gjasme të çmenduri, sa për dukje të të tjerëve, i cili u besonte fantazmave.
Ai ishte munduar që të futej direkt në rol, sapo kishte marrë vesh për të, dhe çuditërisht edhe flokët i kishin ndryshuar drejtim, i ishin përshtatur rolit. Ato i ishin ngritur të gjitha përjetë dhe e kishin bërë portretin e tij më të besueshëm, tamam si të një të çmenduri të stisur.
Regjisori e kishte kuptuar, sepse kjo u ndodhte gati të gjithë aktorëve. Ishte mësuar ai me protagonizmin dhe egoizmin e shumë prej tyre, teksa u komunikohej roli që ata do të luanin.
-Qetësohu, i kishte thënë më tej regjisori, se nuk është i njëjti Hamlet që di ti, është Hamleti modern. Eshtë një përshtatje tragjedie për kohën e sotme. Tragjizmin jemi munduar ta zbusim ca, ta bëjmë disi qesharak, ashtu si në ditët tona, dhe për këtë arsye ne të kemi zgjedhur ty, duam që të jesh ti ai lloj Hamleti.
Ai kishte mbetur pa fjalë për pak çaste, por me shumë mendime në kokë. Nuk e dinte se si duhet ta kuptonte, nëse ai ishte vlerësuar me këtë rol, apo…?! Pamja e tij e çuditshme dhe flokët pa model nuk po i thoshin se duhej ta kishin vlerësuar, por pavarësisht kësaj, ai ishte aty dhe me të po flisnin për një rol, fundja ai aktor ishte dhe pse duhej që të analizonte rolin, ai thjesht duhej ta luante atë.
Kishte folur shumë pak me regjisorin dhe ishte munduar që kohën e shkurtër që kishte pasur në dispozicion ta shfrytëzonte sa më mirë. I kishte bërë vetëm një pyetje, si për të lënë të kuptohej prej tjetrit që ai ishte i qartë për çdo gjë.
-Si do trajtohet Hamleti modern, si hero, apo antihero i kohës sonë? Pas kësaj pyetje ai ishte spostuar pak, si për t’i dhënë më tepër hapësirë pyetjes së tij.
-Do jetë njëlloj si heronjtë modern pra, i ishte përgjigjur regjisori, i njëjti si heronjtë e tu.
-Si?! kishte shtangur ai. Si heronjtë e mi?! kishte pyetur ai më tej, me shpresën që përsëritja e pyetjes do i kthente një përgjigje ndryshe nga ajo çfarë dëgjoi më parë.
-Po, i ishte përgjigjur regjisori, që tani po e shikonte me habi, se pse ai nuk e kishte kuptuar më parë përgjigjen. Ti a ke heronj? e kishte pyetur regjisori, me shpresën që me këtë pyetje të drejtpërdrejtë do ta bënte më të thjeshtë bisedën.
-Po unë nuk kam heronj, iu përgjigj ai me gjysëm zëri. I kam vrarë të gjithë, gjatë kohës, një e nga një, kurse i fundit…
Këtu ndaloi të folurën dhe uli kokën, si për të thënë që nuk mundej të vazhdonte më tej me sinqeritetin e tij.
-Çfarë i ndodhi të fundit, e pyeti regjisori, gati me një ton lutës dhe gjithë kuriozitet, si ata fëmijët që u është lënë përralla pa treguar në pikën kulminante.
-I fundit, m’u vetvra përpara syve, vrau veten vetëm me disa pika loti. Iku kot dhe më e keqja është që nuk mu dhimbs. E meritoi vdekjen, edhe pse për disa pika loti, se unë nuk do kisha qarë në atë moment, ashtu sikurse bëri ai. Ja pra, tani jam pa heronj, por besoj se kjo nuk do të ndikoj në rolin që ju më keni besuar.
-Aspak, u përgjigj regjisori, mua më pëlqejnë njerëzit pa heronj. Në të vërtetë, si për dreq mua më ka mbetur vetëm njëri prej tyre, vetëm Piter Pani, tha regjisori dhe uli kokën, dhe aktori pa që pas xhamave të zyzeve, atij i kishte mbetur akoma naiviteti fëmijëror.
-Po ndonjë edhe duhet, u përgjigj aktori, si për ta nxjerrë nga gjendja e sikletshme, në të cilën kishte rënë regjisori. Edhe unë u mundova ta mbaj të fundit, nuk ishte faji im që u vetvra. E di si ndihem tani? pyeti ai regjisorin.
-Si? nxitoi të përgjigjej regjisori, dhe këtë herë ngutjen nuk e pati aspak nga kurioziteti, por thjesht sa për të larguar peshën e bisedës që ishte përqendruar tek vetja.
-Tani, vazhdoi aktori, ndihem njëlloj si një person që gjithë jetën mundohet të mbajë gjallë dikë dhe kur ky i fundit vdes, përveç dhimbjes ndjen edhe njëfarë çlirimi, se më në fund mbaroi edhe frika që ai do vdiste. Për më tepër kjo ishte vetëvrasje, unë jam i pafajshëm, nuk e di nëse më beson, por i pafajshëm jam. Teksa tha fjalët e fundit ndjeu, që zëri i tij po merrte disa tone të lehta shfajësimi, iu duk sikur tjetri po mundohej që të gjente tek ai ndonjë fije të vogël faji, dhe ai po lutej që regjisori mos të zbulonte skeletin e frikshëm të heroit të fundit, që ndodhej brenda tij.
-Të besoj, tha regjizori, se mendoj si për veten. Edhe unë mund të kisha mbetur pa heronj, nëse Piter Pani im do ishte vetëvrarë, ky imi është ca më optimist se joti dhe ja, tani, unë kam pak më tepër fat se ty, me një hero të mbetur.
Pas fjalëve të fundit, ra një qetësi e thellë. Askush nuk po dinte të thoshte diçka, ishin shpërqendruar kaq shumë nga ajo çfarë duhej të diskutonin, sa askush nuk po dinte si ta kthente bisedën në normalitet.
-Flokët i ke më mirë kështu për rolin, tha regjisori, dhe këtë e tha sa për të thënë diçka, sa për të vrarë qetësinë idiote që u duk se zuri rrënjë mes të dyve.
-Edhe mund të vë ndonjë paruke, i tha aktori, dhe me këtë donte të thoshte, që flokët e tij nuk ngjanin aq shumë me flokët e një të çmenduri.
-Jo, i ke mirë, se duken që janë natyrale, këmbënguli regjisori, duke mos i lënë atij asnjë mundësi shprese që ai të ngjasonte si normal. Pra, u kuptuam, vazhdoi me tej regjisori, sot do të marrësh edhe skenarin dhe mundohu që të futesh në rol, megjithëse e shoh që tashmë aty je.
Regjisori i rrahu shpatullat në shenjë miqësie dhe aktori mbeti vetëm në sallën boshe dhe të ftohtë të teatrit.
U mundua të ulte me dorë flokët, por pasi nuk ia arriti dot, i ngriti përpjetë edhe ato të paktat fije floku që i kishin mbetur mbi ballë.
Kishte ndenjur ca gjatë në atë sallë, duke menduar për skenarin që do të merrte. Shumë dilema të vetes ia ngjiti skenarit dhe shumë dilema prej skenarit ia ngjiti vetes. Nuk arriti dot t’i ndante me kufij të saktë pronësie, sepse tashmë ishte futur në rol dhe po e kishte të vështirë të përcaktonte ku fillonte ai dhe ky mbaronte Hamleti.
E priti ca gjatë skenaristin në sallën e teatrit, dhe ky i fundit nuk ishte as ndonjë i rëndësishëm, thjesht një shkrimtar i ri në profesion dhe për më tepër që gjithçka e kishte të kopjuar nga tragjedia klasike, vetëm disa fjali idiote kishte shtuar. Po kur do fati ecën vetë, ai që me dorëshkrimin e parë kishte rënë në sy të kritikëve të vendit dhe ja tani aktori duhej që të mësonte përmendësh këtë dreq skenari, i cili fillonte me: “Në fillim ishte fjala… ”
U mundua që të vazhdonte më tej, të mësonte përmendësh vargjet për dashurinë e Hamletit për Ofelinë. Këtu u bë lëmsh se ju ngatërrua nëpër mendime Ofelia e tij, ajo e vërteta. Ishte ndarë me të pa e ditur si. E kishte parë atë një ditë teksa largohej dhe mesa dukej kjo siluetë largimi kishte qënë ogurzezë për lidhjen e tyre. Kishte ndenjur në kafenenë ngjitur me stacionin e trenit, ndërsa e kishte parë atë të largohej. Ashtu ngatërruar mes njerëzve, ai nuk arriti ta shquante atë si dikë që e donte. Kishte parë, sesi ajo largohej bashkë me të tjerët njerëz, që ai nuk i njihte dhe nuk mundte ta ndante dot, atë prej të tjerëve. Ishte një ditë normal, koha nuk kishte ndikuar aspak në mendimet e tij. Çdo gjë ishte shumë e dlirë dhe aty për aty ai kishte marrë vendimin: ishte më mirë për të që ajo të ikte, të largohej bashkë me turmën e madhe të njerëzve. Përderisa ai nuk e kishte shquar mirë dashurinë e tij, ajo duhet të ikte, bashkë me të gjithë, duke u larguar për diku…
Sa e tmerrshme është, mendoi, të dish që njerëz që dikur i ke dashur nuk do i shohësh më kurrë dhe jo sepse nuk janë më, por sepse ashtu kot, pa arsye. Askush nuk ishte çmendur prej të dyve, as shtirej njëri si i tillë, të dy ishin gjallë, por të destinuar për të mos u parë më kurrë. U largua prej këtij mendimi, se e ndjeu se nuk ishte faji i tij, ishte ajo siluetë largimi dikur dhe këto vargje këtu, shkruar në këtë palo skenar, që po e bënin të mendonte kështu.
E ktheu fletën e skenarit, se nuk i pëlqeu aspak ajo çfarë ishte shkruar dhe ndjeu edhe pështjellimin e Hamletit, teksa e akuzonin për dashurinë e tij.
U mundua të shkoj më tej, lexoi shumë dialogje, monologje dhe kudo pa Hamletin klasik, ai moderni nuk po dukej gjëkundi.
Asgjë nuk paska ndryshuar skenarisi nga vepra origjinale?! mendoi, mesa duket vetëm titulli që qënka ndryshe, pretendohet që mund të ndryshojë edhe përmbajtjen?!
U çudit edhe vetë me këtë mendim naiv, por gjithësesi diçka mendova, i tha vetes, është ca më mirë se sa të mbetesh si guak.
U lodh shumë për ta mësuar përmendësh skenarin, por edhe pse ishte i sigurtë, që e dintë atë shumë mire, në ditën e madhe të shfaqjes monologu i tij filloi me:
“Në fillim ishte mendimi…”
Pas kësaj fjale regjisori dhe skenaristi panë njëri- tjetrin në sy. Duhej të merrnin një vendim: të ndërprisnin shfaqjen, apo të linin që të luhej në skenë “Hamleti”, sipas versionit të aktorit…?
-Duhet ta lëmë të aktrojë, tha regjisori, nuk kemi ç’humbim, mesa duket ai tani ai po ringjall heroin e tij të fundit, atë të vetëvrarin, “Hamletin modern”.
Ndërsa tha këto fjalë, regjisori buzëqëshi dhe iu kujtua heroi i tij, Piter Pani, që sot e priste përtej skenës.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s