Poezi nga Rami Kamberi
TI, QË IKE…
Ishe
Më shumë se liria, n’pikë t’lotit
Kishe
Dashuri jetësh, me gjuhë t’motit
Për buzëqeshje, t’lumturisë
Nëpër fytyrat e fateve, t’dashurisë
Mes syve, dete, t’ardhmërisë
N’koka plisash, t’kullave t’krenarisë
Ishe
Si Odeoni i Sharrit, n’tel, t’lahutës
Kishe
Zë lirie e flakë toke, n’tytë t’hutës.
TOKË, E KOKË…
Koka
U derdh mbi sytë e guximit, nëpër inate
Toka
Qeshte, si djalli kur preket, nëpër shtate
Natën e Madhe, kur i këndohet shpresës
Për tradhtitë e jetëve, që nuk vdesin
T’i vrasin, gojët e fjalëve, për gjak t’besës
Varret, nishanet e kobit, t’mos mbesin
Koka
U përgjak, për fjalën e gojës, në terr nate
Toka
Kur dridhej, nga nuri i shtatit, nëpër inate.
SI GJUHA, QË RUHET…
Do të shkruhet
N’lëkurë të jetës, poezia e tokës, tetovare
Si gjuha që ruhet
Mes gurëve t’kullave, t’krenarisë shqiptare
Për ty, që vdekjes i the: ta kam borxh guximin
Që jetës, t’i kthehet, buzëqeshja e lumturisë
Nëpër motet e rilindjeve, për ta gjetur fillimin
Sikur zëri i lyrës, n’kërkim, t’rrënjëve të Ilirisë
Do të shkruhet
N’sytë tetovare, kujtesa, për poezinë e tokës
Si gjuha që ruhet
N’penën tënde, poet, pirgu i guximit, t’kokës.
N’SYTË, E SHPRESËS…
Kujtesës
Nisën t’i humbin fjalët, n’shpatën e gjuhës, atdhe
Si besës
Ngjyrat e burrërisë, që iu tretën tinëza, nëpër dhe
Për buzë të lakmive, nën sytë e shpresës, unë, jam
Zëri i kulmit, t’bëmave t’lirisë
Me fjalën e fundit, t’emrit, që kokë t’kombit e kam
Ikonë, t’ikonave, t’shqiptarisë
Kujtesës
Iu ngrinë edhe motet, nëpër acarret, lavdi e krenari
Si besës
Germat e gjakut, ndër balle burrërie, nëpër Shqipëri!
MBI JETËT, E VDEKJEVE…
Botë moj, kopile
Seç na i qepe sytë, me jermi t’kota, nëpër stuhi
N’ëndrra, me hile
Mbi jetët e vdekjeve, t’mbetura, besë e krenari
Për tokën e mallkuar, nga gojët e perëndive, kotësi
Që nuk sosen, fushëbetejave, ku kërkohet gjak
Për të parin e harlisur, n’kulm t’thënës: jam perëndi
Që e qëndisi jetën, n’gjuhë t’zjarrit, që t’përflak
Botë moj, katile
Seç na i qepe gojët, me frikën e frikës, beso n’Zot
N’zhgjëndrra, rezile
Për jetë e vdekje, na i frikëson sytë, për ca pika lot.