Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

ELEGJI PËR VDEKJEN E LULEVE

Jam ulur në stolin e fundvjeshtës së pikëllimit,
vajtoj vdekjen tuaj të trishtuar, o lule bukurie!
Juve u venit ngjyrat, fryma e ftohtë e dimrit,
mua gjëma juaj më çngjyros, retinat e syve.

Ky mort i bukurisë suaj, me ylbere mes fletëve,
duke varur kryet mbi varrin e akullt të stinës,
më trishton më tepër se zverdhja e gjetheve,
që rrëmbejnë erërat, e i flakin skutave tinëz.

Kemi folur bashkë fjalë të pathëna nga gjuha,
disa shprehje, që s’i ka asnjë fjalor i shkruar,
mendime të frymëzuara nga ngjyrat e purpurta,
që s’gjenden në asnjë hieroglif, për t’u deshifruar.

Brenda lulëzimit tuaj, kishit tharmin e poezisë,
që ngjizej, me pjalmin e kolorit dhe aromave,
kishit figurat krahasuese, me kulmet e bukurisë
dhe nderin për të qëndruar në krye të dhomave.

Cili burrë i dashuruar, s’e bëri femrën të gufojë,
me tufën aromatike, dërguar prej tij dhuratë?
Cili poet, në vargjet me trëndafila, s’i këndojë,
dashurisë së fluturave, mbi karafila e zambakë?

Vdekja juaj e madhërishme, me heshtje mortore,
siç vdesin ylberet, me qefinin e reve hapësirave,
lë tokën nën lotët e shiut dhe nën qefin dëbore,
me horizonte të shkretuar, nga vdekja e ngjyrave.

Ah, si do të pres edhe gjysmë viti, rilindjen tuaj,
pa i çuar njeriut të zemrës, tufën e luleve me vesë!
Vetëm qielli dhe toka, mund ta ndjejnë, sa do vuaj,
derisa t’i çoj pranverën te dera, në të parin mëngjes…

 

VILA IME PËRTEJ JETËS…

Vilën përtej jetës e ngrita me mjegullat, që mbesin,
nga Udha e Qumështit, në bishtin e galaktikës tonë,
aty ku disa yje barinj, me shishe kometash, shesin,
qumështin e Arushës së Vogël, me këlyshë të vonë…

Vizitorët kozmonaut, që kalojnë pranë me raketa,
më kanë përgëzuar, me urime të befta në internet.
Madje një kozmologe e re, deshi për studimet e veta,
të provonte me mua shtatzëninë qiellore, ultraviolet.

Arsyeja kryesore, kundërshtova tradhtinë me frikë,
se do bëhesha këtu, nismëtar i prostitucionit ajror.
Dhe do më shfrynte gruaja përditë: ”O kurvar kozmik,
më nxive fytyrën, mes shoqeve të planetëve qiellor!..

Por edhe nuk desha të bëja fëmijë jashtë martesës,
se mund të kërkonin trashëgim, prej kësaj pasurie,
siç u dhashë fëmijëve të Tokës, dhomat e banesës,
dhe hyra në bunker parafabrikat, lënë prej sime bije.

Vila ime e re, me shkallare harkore, stil venecian,
ka dritare transparente, prej oksigjeni të kaltër,
katër rrufepritëse, mbrojnë çatinë, në katër anët,
nga pickimet e zjarrta, të kometave bisht gjarpër.

Paguaj rregullisht me këste, siguracionet kozmike,
për ta ruajtur nga rreziqet, dhjetë vitet e ardhshëm.
Ndonëse gruaja shqetësohet e bëhet paksa nevrike,
që s’u kemi bërë ende dhomave mobilim të rehatshëm.

Hamë tërshërë, derdhur nga kuajt asteroid të galaksisë,
të mos shtojmë peshë, për të rënduar vilën mjegullore,
se mund të na bjerë nga gjëmimet e bombave të Sirisë,
të mbetemi sërish pa strehim, si aty në kushtet tokësore.

Jam i vendosur plotësisht të mbijetoj edhe në qiell,
me qindarkat nga shitja e fantazive, pa kërkuar hua.
Sigurisht, duhet kohë të mbledh paratë, duke kursyer,
por shpresoj, telebingoja e Ufove, të më bjerë mua…

 

NËSE POEZIA NUK BËN EFEKT…

Nëse xhepat i kam, pa dinjitetin e shkrimtarit,
që bëjnë t’u bishtnoj kafeneve moderne në qytet,
metaforat m’u bëfshin tufë nga seria e dollarit,
t’i ndaj me kolegët e mi, varfanjakët poetë!…

Nëse në e pistën e zbrazur të frigoriferit tim,
janë ulur të pushojnë vetëm tre presh,
librat e mi u bëfshin portofola, humbur në udhëtim,
për qeveritarët që marrin avionët e qejfit shpesh!…

Nëse mbërthehem, si në karrigen e maternitetit,
për të lindur vargun, nga mitra e oksipitalit,
vargjet m’u bëfshin pranga, në vettingun e shtetit,
për duart e korruptuara, që varfërojnë shqiptarin!…

Nëse mbjellja e mendjeve, me mirësi, nga poezitë,
mbjellësve të hashashit, s’u bën efektin e mundur,
krijimet e mia t’u bëhen, overdozë verbimi te sytë,
të mos dalin t’u shesin nxënësve qeskat me pluhur.

Nëse arti poetik, nuk zbut dot gjuhën e deputetit,
e cila është e denjë, vetëm për stallat me derra,
shprehjet poetike, t’u bëhen rrugës së parlamentit,
shkëmbinj të mprehtë, shkurre, gjarpërinj e ferra!…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s