Hyrja e shekullit të ri / Poezi nga Fridrih Shiler

Poezi nga Fridrih Shiler
 
 
Hyrja e shekullit të ri
 
O Mik fisnik! A sheh gjëkundi paqe?
A mund të ketë sot diku liri?
Ky shekull shkon nëpër stuhi e gjaqe,
Me vdekje çelet shekulli i ri.
 
Dhe çdo lloj lidhje vendesh zu të bjerë,
Të vjetrat forma shëmben në çdo cak.
As deti s’ia ndal dot luftës poterën,
As zoti i Nilit dhe as Rini plak.
 
Dy kombe të fuqishëm po luftojnë
Krejt botën për ta vënë në sundim.
Që vendeve lirinë t’u gllabërojnë,
Këllëçet vringëllojnë me tërbim.
 
Për ta çdo vend po jep haraçe ari,
Se si dikur Brenusi, përsëri,
Francezi vendos shpatën te kandari
Dhe do që t’ia peshojnë me flori.
 
Anglezi po shtrin flotat tregtare
Si këmbët e polipit plot lakmi
Dhe mbretërin’ e detrave përfare
Kërkon ta mbyllë, si shtëpinë e tij.
 
Gjer tej në pol të jugut yjpadukur
Mbërrin ky vrap i tij i pandaluar,
Shkel ishujt më të largët brigjebukur,
Parajsa mbeti vetëm pa pushtuar.
 
Ah, sot më kot në hartën botërore,
Shpreson të gjesh një kënd ku ka gëzim,
Ku lulëzon rinia njerëzore
Mes kopshteve përgjithmonë me blerim.
 
Shih botën e pafundme tejembanë,
Që as anijet nuk e masin dot,
Po dhe në hapësirat e paanë
Një copë vend i lumturi s’gjen sot.
 
Në zemër, pra, kërkoje qetësinë,
Larg kësaj jete gjithë gjullurdi.
Në ëndrra vetëm mund të gjesh lirinë
Dhe veç në këngë gjendet bukuri.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s