RRUMBULLAKU / Shkëputur nga libri me tregime e novela “Muzeu i Dhembjes” të autorit Myrteza Mara

RRUMBULLAKU

 

Tregim nga Myrteza Mara

Ai ishte zbulimi im. Dhe prona ime. E gjeta duke lozur symbullurazi me shokët. U futa në mesin e një tufe të madhe shtogjesh, nga ku dilnin shpesh nepërka dhe askujt nuk i shkonte ndër mend se mund të isha fshehur aty. Vrojtoja nëpër hapsirat që linin degët dhe kisha harruar rrezikun që mund të më vërshëllente nga çasti në çast. Shokët u lodhën duke kërkuar. Me zë të lartë pranuan humbjen, por unë nuk dola. Kisha gjetur atë, gurin e rrumbullaktë.
Më saktë ishte një top guri vërtetë i rrumbullaktë. I bardhë. Nuk e dalloja dot në ishte i gdhendur apo i derdhur. Rëndësi kishte që bëra një zbulim të madh. Po sikur të kishte flori? Vetëm ky mendim më bëri të kujtohem ku isha. Shokët ishin afruar shtëpisë time dhe flisnin me zë të lartë, duke menduar se isha brenda.
-E ka zënë barku dhe do jetë fundosur në banjë,-thoshte Ermali duke i bërë të tjerët të qeshnin.
-Jo, do ta ketë marrë ndonjë hardhuckë në gojë,- bënte shaka Dhëmbëkrimburi.
Kështu kishim pagëzuar Silvin. U afrova krenar, dhe habinë e shokëve, se ku isha fshehur, e kriposa me gënjeshtër të besueshme.
-Jeni qorra! Kisha hipur mbi pemë dhe mirë që nuk më kishte zënë barku se do ua lëshoja nga lartë…
Atë natë u zgjova disa herë. Më dilte përpara guri i rrumbullkatë. Sa i bardhë ishte! Po kur ta pastroja si do dilte? Do e mbaja sekret. As me shokët nuk do lozja. Vetëm babait, nëse më pyeste, do i tregoja të vërtetën.
Im atë nuk u bë kurreshtarë. Më shikonte që lozja dhe buzëqeshte nën strehën e kapeles, duke menduar se ishte më mirë që merresha me atë gur se sa të mos “lija dy gurë bashkë”. Nëna ishte betuar kaqë herë se do ta flakte nga fundi i kopshtit, kur nuk i bindesha urdhrave të saj për punë të ndryshme, që në fshat nuk kanë as numur, as orar. Gjyshja, ajo gjyshja ime e mirë që dukej sikur kishte lindur me rrudha dhe me shami të zezë mbi ballë, më këshillonte se mos vritesha.
-Kujdes, bir’i gjyshes, është gur i rrumbullaktë ai!
Por unë lozja, vetëm. Dhe qeshja me gjyshen që merakun e kishte tek rrumbullaksia e gurit, sikur ata të tjerët me qoshe nuk të vrisnin. Gurë ishin të gjithë!
Ishte i rëndë guri dhe nuk doja të ftoja shokët, aq më tepër Ermalin, që ishte më i madh se unë. Do ta ngrinte me ata krahët e fuqishëm dhe unë do humbisja erën e pronarit. Guri mund të shkonte pas më të fortit. Prapa shtëpisë kishim një barakë të vjetër, mbuluar me llamarina, eternit, dërrasa dhe gjethe të ndryshme që çdo ditë pudrosnin me tallash të imtë që dilte nga dhëmbët e krimbave, disa fuçi dhe vegla bujqësore. Ajo barakë u bë streha dhe e pronës time-lodër.
Kisha kohë pa pastruar e sistemuar, sipas porosive të babait dhe u desh të gjeja gurin e rrumbullaktë që të vija dorë mbi rrangullinat pa vlerë të asaj barake. “Eh, mendoja, këto vjetërsira janë pronë e babait. Ky gurë i rrumbullkatë, i bardhë si top dëbore, është prona ime!”
Gurin e mora ditën tjetër, pasi perëndoi dielli. E futa në një thes dhe unë e di sa kam djersitur që ta bindja të vinte pas tërheqjes që bënin krahët e mi të hollë. Vetëm ashtu mund ta merrja. Guri i rrumbullkatë bënte naze edhe brenda thesit. Nuk ikte pas gjurmëve të mija, por kërkonte ku ishte vendi më i pjerrtë. “Ah, dembel,-i fola,- ke kohë pa lëvizur dhe të janë mpirë gjymtyrët, por do të të bëj unë atlet.” Kur u afrova barakës vendi ishte i pjerrët dhe mendova se muskujt do të shlodheshin, por ndodhi ajo që s’e kisha parashikur. Guri, sado brenda thesit, mori tatpjetën duke më tërhequr zvarrë. U gjenda i papërgatitur dhe vendosa të shtërngoja morsën e duarve derisa ta bindja ose detyroja robin tim të ndalte.
Një zvarritje e tmerrshshme. Pjerrësia po më thithte me shpejtësi. Mua apo gurin? Apo të dy njëherësh?! Ndjeja që përgjakesha. Ndjeja gjithashtu se pas filloi të përpëlitesh njëra këmbë e këputur, e djathta më duket. Më poshtë gjithë ç’ishte brenda barkut fluturoi mbi majat e barishteve të thara. Shikoja thesin që më tërhiqte si i marrë dhe duart e mija, që dhe të priteshin, nuk hapeshin. Një çast m’u duk vetja predhë fluturuese që çante ajrin drejt objektivit të shënuar. Dhe objektivi ishte ana lindore e barakës së vjetër. Nuk di sa zgjati ai makth, veç kur dëgjova një zhurmë eksplozivi dhe pashë thesin, dy duart e mija të ngrira si mos më keq dhe këmbën, (e djathta më duket) që u ngjit tek vendi. Gjithashtu dhe një vorbull rrotulluese u end disa çaste mbi kokën time dhe hyri në barkun e boshatisur.
Nuk di sa kisha qëndruar ashtu. Më përmendi zëri i gjyshes që më kërkonte. Tentova të ngrihesha, por me vështirësi gjeta forcë të zbërtheja gishtat e shtrënguar. Ishte errësirë dhe nuk e shihja veten, as gurin që rrinte si gjah i zënë në lak brenda errësirës. Me një copë tel të ndryshku lidha grykën e thesit, si të kisha frikë se ikte gjatë natës dhe me tehun e një sopate të vjetër hapa një gropë të përshtatshme ku shtyva gurin, i cili m’u duk sikur psherëtiu i trishtuar që u rifut aq shpejt nën tokë ku kishte qendruar kush e di sa kohë. Tani isha i bindur se s’kish nga ia mbante. I ktheva përgjigje gjyshes dhe u futa në shtëpi nga dritarja.
Drejt e në banjë. Nuk kisha hallin e rrobave të grisura e të shqyera, por si t’ia bëja gjakut që më rridhte nga plaga nën mjekër! Im vëlla kishte sajuar një dush me vajguri që ushqehej me ujë nga fuçia dy kuintalëshe mbi taracë, kështu që sa u dëgjua bubullima e flakës gjyshja ime e mirë vari në dorezë të derës ndrresat, duke më porositur me zë të lartë:
-Fërkoi mirë këmbët, edhe kokën! T’u bëftë gjyshja që u rrite dhe lahesh vetë!
Gjithë sekretet e mia i dinte vetëm ajo. Edhe kur bëja ndonjë prapsi i tregoja gjyshes dhe në të gjitha rastet kisha dalë nga situata. Këtë radhë e gënjeva. I thashë se u rrëzova duke lozur dhe i kërkova të mos e merrte vesh babai dhe mamaja.

Rrumbullku u bë shoku im. Të nesërmen kontrollova vendin ku kisha rrëshqitur dhe pashë se forca e gurit kishte hapur një vrimë të madhe, si predhë, në murin prej dërrasash të vjetra. E androva barakën dhe pas disa ditëve e mora gurin, duke e rrokullisur ngadalë, në oborrin e shtëpisë. Gjyshja u habit dhe tha se nuk kishte parë kurrë të tillë. Mamaja nuk kishte kohë të merrte frymë e jo të shikonte lodrat e mija, ndërsa im atë më duket se tha që gurë të tillë më parë i kishin përdorur për të thërrmuar grurin në ca vaska të mëdha ovale po prej guri. Ose mund të ketë qenë predhë e topave, kur luftohej në kështjella! “Pra,-mendova – nuk ka flori brenda. Domethënë nuk ma shikon kush me mendimin të ma vjedh natën.”
Të mos ndotej guri bëra pastrimin e oborrit, për të cilën mora falënderimet e gjyshes. Ajo mburrej sa herë bëja ndonjë gjë të mirë që binte në sy. Guri nuk duhej të pengohej e të bëhej pis. E pastroja çdo ditë dhe në darkë e rrokullisja nëpër rrugën që kisha përgatitur drejt barakës. I thoshja “natën e mirë” e pasi merrja përgjigje mbyllja derën me çelsin e ri që bleva enkas. Kopjet e çelsit i mbante vetëm gjyshja e cila, herë pas here, më porosiste të kisha kujdes nga çdo gjë e rrumbullaktë se dëmton më shumë se gjithë të tjerët.
-Ja,-më thoshte-rrota e makinës është e rrumbullaktë dhe po të mos ruhesh të shtyp. Edhe rrota e qerres, edhe e zetorit të rrumbullakta janë. Guri i rrumbullkatë, të keqen gjyshja, nuk bën as për mur, as për themel, as…, as për gjë nuk bën. Vetëm për të lozur e për t’u dukur. Kështu janë të bukur, por të padobishëm. Shikoji muret e shtëpisë dhe sidomos qoshet, kanë ndonjë gurë të rrumbullkatë? Jo! Të tërë me kënde të skalitur. Ata po, mbajnë peshë dhe janë të urtë si qengja. Gurët e rrumbullaktë duken dhe ata të urtë, kur i shikon ndenjur, por po morën rrokullimën, aha, nuk ka digë që t’u ndal hovin. Ata dinë vetëm të shkelin mbi të tjerët, por provo të vendosësh diçka sipër tyre! Agjë nuk qëndron. Të ishte gurë tjetër ti nuk do të ishe dëmtuar. Tërë jetën do kujtosh se plagën nën mjekër e ke nga një gur i rrumbullaktë.
Gjyshja donte të më largonte me takt e durim nga miku im i ri, por lodhej kot. Një ditë gurin e mora në dhomën e gjumit dhe vetëm kërcënimi i mamasë, se do t’i thoshte babait, më bëri të kërkojë ndjesë e ta heq pa dëshirë. Kur veja në shkollë porositja gjyshen që mos t’ja jepte kujt çelsin e barakës.
Ditët kalonin, edhe muajt. Kaloi dhe një vit. Unë dhe guri i rrumbullkatë nuk e prishëm miqësinë. Ai gur u bë shkas dhe i një pëllëmbe, që dhe sot më bënë sikur jehonë në rrëzë të veshit. E kisha nxjerrë në oborr dhe e lava me sapun dhe ujë të bollshëm. Dielli vezullonte mbi të dhe unë kënaqeshe duke e soditur. Gjeli, i vetmi i farës, që kishte mbetur gjallë, pa marrë leje dhe pa pyetur fare hipën mbi gur dhe, pasi lëshon një kikirikikiii… të gjatë, mbolli një gëlasë të madhe sipër. S’e durova fyerjen, por lëshova një shkop që i thyeu zverkun si të ishte sallator i njomë. S’e kisha mendjen tek përpëlitjet e gjelit dhe mallkimet e mamasë, por tek guri që m’u bë pis. Ishte miku im. Mirëpo ai dukej si kur qeshte nga rrezet e diellit dhe nuk donte t’ia dinte. “Shqetësohesh? Pse? U bëra pis, nuk prish punë. Ujë e lecka ka plotë. Rëndësi ka të jem rehat, pa jo gjeli, por dhe qeni e gomari të dhjesin mbi mua nuk më bëhet vonë.”
Fjeta pa darkë atë natë. E dija që gjyshja do ma hiqte mënjanë racionin. Babai i lodhur nuk pyeti për mua. Se mos ishte hera e parë! Gjumëprishur nëpër ëndrra…
Babai im kishte shkarkuar dhjetra metra kub gurë. Do rindërtonte shtëpinë e vjetër mbi themelet egzistuese, atje ku sot ishte baraka. E kam amanet nga babai! -thoshte kur i kujtonin ta bënte me tulla. -Këtu kanë lindur shtatë breza dhe s’është e lehtë të harrosh amanetin.
Kur pashë atë mal me gurë të mëdhenjë, të bardhë, më lindi idea që t’i bëja të gjithë të rrumbullkatë. Pse të mos bëheshin! Edhe Rrumbua im, (kështu do ta quaj tani e tutje) nuk ka lindur i rrumbullaktë. S’e pata të vështirë të kërkoja dhe gjeja një paisje që i shndrronte gurët në topa të bardhë. Nuk vonoi dhe oborri, kopshti dhe baraka u mbushën me Rrumbo. Po tani?
Urdhërova muratorët e hutuar të fillonin nga puna. Do ngrihej shtëpia më interesante, e veçanta në tërë rruzullin, e gjitha me gurë të rrumbullaktë. Unë isha ideatori, projektuesi dhe zbatuesi. Kudo do të përhapej përvoja ime, por çdo gjë ka koston e saj. Do bëhem i pasur. I famshëm. Edhe gurët e tjerë, malet, kodrat do bëheshin të gjithë të rrumbullaktë. Bota është e rrumbullaktë, apo jo? Edhe njerëzit do bëheshin të gjithë të rrumbullaktë. Lëvizja do bëhej më e lehtë. Nuk do ketë më emra, por numura, psh.: Rrumbua 1, Rrumbua 2 e me radhë. Kjo është shpikje!
Edhe mësuesi i matematikës, Rrumbo me syza. Edhe ajo e letërsisë, që lyen qepallat me bojë të shpifur dhe vjen me funde të shkurtra, Rrumbë është. Të gjithë nëpër banga ishim të rrumbullaktë. Edhe kur dola nga mësimi pashë se rrugët ishin mbushur me njerëz topa që shtynin njeri-tjetrin. Makinat i ngisnin rrumbot, nëpër lokale shërbenin po ata. Lajmet në televizor do jepeshin nga njerëzit e rrumbullaktë. Parlamenti do mbushej me rrumbo të përgjumur që do flisnin vetëm për replikë kur t’u përmendej emri. Po policët? Edhe ata do ishin të rrumbullaktë, me bilbil në gojë që do vraponin pas rrumbove keqbërës duke u rrokullisur.
Prisja murin të lartësohej, por muratorët klithnin dhe mallkonin mbyturazi të regjur në djersë. Më i vjetri m’u afrua me përulje dhe gjithë respekt foli:
-Zotëri, është e pamundur. Me këta gurë nuk bëhet punë. Muret duan gurë me qoshe që të lidhen. Siç e shikon kemi dy vjet dhe deri tani kanë dhënë shpirt njëzetë e katër vetë…
-Pse kanë kaluar dy vjet?-klitha tmerruar dhe e pashë veten në këmbë.
-U më hëngërt morta!-dëgjova gjyshen që nxitoi drejt shtratit tim,-ke parë ëndërr? Mos e ki mendjen tek gjeli. Marrtë të keqen tënde!
-Gjyshe, ku është babi?-dëgjova zërin tim të ngjirrur.
-Ka ikur në punë herët. Po ti ngrihu se vajti vonë!
Ëndrra më kishte mufatur sytë. Më dhimbte koka dhe me zor e piva gotën me qumësht e sheqer që më solli si gjithmonë gjyshja. Ëndërr e rrumbullaktë. Edhe ëndrrat u prishkan kur janë me Rrumbo. Rrumbo! Ku e kisha dëgjura këtë emër? Ah, po në ëndërr. Ta gëzosh emrin miku im! Rrumbo ke për të mbetur. Dhe në ëndërr nuk të futa dot në punë. Keni lindur për qejf ju rrumbot. Hallall. Për punë janë ata, qoshellinjtë. Le të punojnë, atë punë kanë!
Me kalimin e kohës Rrumbua nuk mbeti më sekret. Shokët e mi vinin shpesh dhe e kërkonin hua për disa orë, duke më dhënë si shpërblim herë një shegë majhoshe, herë ndonjë varg me manaferra. Madje Ermali më premtoi se penalltitë tani e tutje di i gjuaja vetëm unë. Shkonin e loznin tek Ledhi i Madh që ishte një pjerrësi e bukur, mbuluar me shkurrë e karkaleca të vegjël. E lëshonin gurin me radhë dhe matnin kohën. Kampioni bënte nga një xhiro në shpinë të secilit humbës, poshtë e lartë pjerrësisë. Ai që zinte vendin e fundit do sillte Rrumbon deri tek oborri im.
Por dhe kjo lojë nuk e pati të gjatë. Rrumbua e bëri dëmin, i theu gishtin e këmbës Silvit, i cili ishte humbsi i radhës. Krahët e lodhur s’e mbajtën dot peshën dhe ulërima e tij na rrënqethi. Dora më shkoi nën mjekër. Plaga ndihej dhe me mollëzën e gishtit.
Pasi e qetësuam Silvin, dhe bëmë shurrën të gjithë mbi gishtin e dëmtuar që rridhte gjak, u betova se nuk do lozja më me Rrumbon. Dhe ashtu u bë. Gjyshja e mori vesh dhe më kujtoi porosinë e vjetër. Ula sytë dhe për herë të parë e pashë me dyshim dhe përçmim Rrumbon tim. Pse?- e pyeta. Çfarë të bëri Silvi që i thërrmove gishtin? Mosmirënjohës! Në krahë të mbante. I tillë je ti Rrumbo. Mirë mua, që nuk më njihje se ishte hera e parë, po me Silvin ç’pate! Pse nuk je i kënaqur, çfarë të mungon? Të nxora nga errësira e ftohtë dhe të shërbej si vëlla, ndërsa ti…I shikon shokët ku i ke? Në mure, të ngrirë. Një pjesë janë më keq fare, në themele dënuar me errësirë të përjetëshme. Disa përfundojnë në kaminat e gëlqeres, disa të tjerë thërrmohen e bëhen hì. Ma ke prishur qejfin fare dhe dije se do të të dënoj të mos shohësh diell një javë. Qartë? Hajt tani, nisu drejt barakës dhe mblidhe mendjen!
I flisja me zë dhe mendjen e kisha tek Silvi. Do merrja mbi vete mallkimet dhe nëmat e prindërve të tij, sado që Silvi premtoi se do sajonte një gënjeshtër. Në të tilla raste të gjithë e kishim mbajtur fjalën, por këtë radhë…
– Fëmijë i mbrapshtë! Dembel! I përkëdheluri i gjyshes që nuk ze një punë me dorë. T’u bënë trutë rrumbullak, si ai guri i mallkuar. Ku e ke, se do ta bëj copë! Si t’i them babait të shokut tënd, që është shtruar në spital? Mund të mbetet dhe pa gisht. Oj, u tërbua fëmija pas një guri! Mos të të shikoj më të merresh me atë lodër se do e pësosh keq. Dëgjove? Dëgjova, thuaj!
Qortimi i babait nuk u shoqërua me shpulla. Gjyshja qëndronte pranë për çdo të papritur dhe im atë para saj nuk më kishte vënë kurrë dorë. Dhe aq ashpër ishte hera e parë që më fliste.
Silvit i prenë gishtin. Rrumbua për mua u bë armik, por dhe ta flakja më vinte keq. Veja rrallë në barakë dhe e shikoja të vetmuar, mbuluar me pluhur e tallash të imët nga dhëmbët e krimbave. Kushedi sa vite e shekuj do kishte qëndruar në letargji! Dhe kush mund ta maste kohën se sa do të rrinte ashtu. Janë me fat Rrumbot, mendova. Duke qenë të vlefshëm vetëm për gjëra të pavlefshme nuk bëjnë armiq. Miq me të gjithë dhe me asnjë. Dinë vetëm të heshtin, të buzëqeshin kur u bie dielli sipër, kur ka rè dhe kur bie shi ata… prapë Rrumbo!
Këto mendoja kur dëgjova zërin e Ermalit që më kërkonte. Kishte një trastë të mbushur pranë këmbëve. Këmbyem buzëqeshje dhe prisja të fliste.
-Të kam sjellë njëzetë e katër kokrra shegë, se e di që të pëlqejnë shumë dhe si shkëmbim dua Rrumbon. E di që nuk loz më me të, por e ke marrë vesh se unë do iki në qytet. Babi u vesh polic dhe i kanë dhënë një shtëpi përdhese të madhe që ka qenë dikur makazinë. Është gjithë ai vend, i rrethuar me gardh, si këtu dhe meqë nuk njoh njeri mirë është të kaloj kohën me të. Kur të vish ndonjëherë atje do e gjesh. Hë, si thua?
Shegët majhoshe ishin dobësia ime. Dhe nuk ishin pak. Njëzetë e katër! Aq njerëz ishin vrarë në ëndrrën time. Shegët e kuqe. Edhe gjaku i Silivit i kuq ishte. Edhe plaga ime gjak të kuq kulloi. Po Rrumbua? Ku kanë gjak rrumbullakët!
-Dakort,-thashë papritur.
Ermali m’u hodh në qafë nga gëzimi.
-Rrofsh! Je shoku më më i mirë. Vetëm ti mund të futesh në kopshtin tonë sa herë të duash. Kam biseduar dhe me babin.
Ishte gati të më thoshte që mund të prisja dhe të tëra pemët. Ndihesha i kënaqur se i bëja nder shokut që do ikte në qytet. Kjo mund të merrej edhe si dhuratë përcjelljeje. Në shtëpi do gëzoheshin. Ky ishte dënimi dhe për gjakun tim e të Silvit. Zbraza çantën nga shegët dhe e ndihmova blerësin e ri të fuste në të Rrumbon. Ermali ishte i fuqishëm dhe e hodhi mbi shpinë çantën e rëndë. Kur u ndava i kujtova këshillën e gjyshes:
-Kujdes Ermal, është gur i rrumbullaktë ai!

***

Rrumbua u bë qytetar. Ermali e pastronte çdo ditë, madje i kishte vizatuar me bojë tatuazhi sytë, hundën, gojën, veshët e vetullat dhe gjatë rrotullimit herë dilte njëra shqisë e herë tjetra, duke i bërë kalimtarët të qeshnin. Por Rrumbos aq i bënte, jetonte mirë dhe e nderonin më shumë se në fshat.
Ermali ishte me fat. E bleu njëzetë e katër kokrra shegë dhe e këmbeu me një orë dore, nga ato të bukurat, me bateri që kishin dhe kronometër. Kishja parë vetëm një herë në dorën e një mësuesi që bënte-ç’bënte e shikonte shpesh që të binte në sy. Ne na vinte inat, por ç’të bënim! Thoshnin se këto i sillnin futbollistët që dilnin jashtë shtetit. Ja si kishte ndodhur:
Një ditë Rrumbua kishte rënë në pusetën e ujërave të zeza, pasi kapakun e kishin vjedhur. Ermali nuk kishte kujt t’i thoshte, pasi kishte frikë mos e akuzonin për humbjen e kapakut të pusetës. Mirëpo Rrumbua bllokoi kalimin e ujërave të zeza dhe përgjatë rrugës vraponin copa fekalesh dhe ndotje.
Kjo ngjarje shqetësoi jo vetëm banorët e lagjes, por dhe pushtetin vendor. Gazetat nxituan të shkruanin për paaftësinë e drejtuesve të komunales. Rrumbua u bë objekt dhe i kamerave televizive. Rast si ky nuk kishte ndodhur kurrë. Kanalet ishin bllokuar dhe tjetër herë me mbeturina të ndryshme, por nga një gur!?
“Është bërë me qëllim! Nga mbiu kjo rracë guri?”-ngirin supet banorët e dëmtuar.
Punonjësit e komunales e çbllokuan pusetën, por kur panë se shkaku kishte qenë një top guri i rrumbullaktë mallkuan dhe pështynë mbi të me neveri. Ermali ishte afruar dhe lutur punëtorëve t’i ndihmonte duke hequr gurin e rëndë.
-Merre dhe flake ku të mundesh, veç kujdes mos e nxir në rrugë se bënë hatanë, po vuri njeri ose makinë përpara në këtë pjerrësi, – tha punëtori i komunales që kullonte djersë.
Mjaftoi një pagure plastike me ujë që Rrumbua të shplahej dhe t’i dilnin shqisat, përveç njerit sy që ishte prishur gjatë përplasjes me grykën ose fundin e pusetës. Ermali e përkëdhelte, por nuk vuri re se para tij kishte ndaluar një burrë i shëndosh që e mbuloi të tërin me hijen e trupit.
-Ky është ai guri fajtor, ë?
Ermali u ngirt në këmbë dhe një çast mendoi se mund ta arrestonin. Ishte dhe djalë polici! Pamja autoritare të impononte nënshtrim. Nuk foli. Shikonte barkun e tij të madh dhe menjëherë i shkoi ndër mend se brenda atij trupi mund të ishte një Rrumbo tjetër. “Mos është babai i tij dhe kërkon djalin e humbur?!”
-Qenka interesant ky gur, djalosh. E shet?
Ermali mbeti në mëdyshje. Mos ndoshta me këtë pyetje mund të zbulohej pronari i vërtet dhe ai do të mbante përgjegjësinë e dëmit? Nuk u përgjigj.
-Një miku im është mbledhës i gjërave të rralla. Ky gur mund të vihet në ndonjë muzeum, ose në Parlament. Edhe në Kryeministri, apo më lartë mund të shkojë. Gur të tillë u rezistojnë kohërave. E, si thua, të pëlqen kjo orë dore?
-Kur, tani?-u ngrit në këmbë Ermali.
-Po, tani! Po të jap dhe njëqind lekë të blesh një top futbolli.
Ermali mori orën dhe e pa me kujdes. Ishte më e mirë se ajo që kishte mësuesi i tyre. E vuri në dorë dhe megjithëse i rrinte e madhe nuk e hoqi. Futi paratë në xhep dhe nuk harroi të përcillte këshillën që kishte marrë nga unë:
-Kujdes zotëri! Është gur i rrumbullaktë ai!
-E di djalosh, faleminderit, prandaj e bleva. Nuk më the, meqë ka shqisa, si e quajnë?
-Rrumbo!
-Të lumtë! Je djalë i zgjuar! – falënderoi zotëria duke e ngritur Rrumbullakun në krahë drejt makinës.
-Eja Rrumbo se kemi shumë punë për të bërë bashkë. Nuk është për ty ky vend.
Rrumbua u rehatua në vend të parë dhe sytë gazmorë shikonin Ermalin sikur donin t’i thoshnin: “Mirupafshim miku im! Për ne rrumbullakët interesohen sferat e larta. E pe sa ngjaj me pronarin e ri?”

(Marrë nga libri me tregime e novela “Muzeu i Dhembjes”)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s