Keqkuptimi  / Tregim nga Petrit Sulaj

Keqkuptimi 

 

Tregim nga Petrit Sulaj

Kujtova se ai që po priste në koridor që t’i hapja derën, do ishte një dosido tip postieri e jo i tillë që do më ndryshonte pasditen time të trishtë, në mënyrë të mrekullueshme. Kur ra zilja dhe unë hapa portën e u gjenda ballëpërballë me të në prag, sa nuk mu ndal zemra.
Nuk deshi të hynte ai, thjesht kërkoi të më thoshte diçka me një libër në dorë, aty në prag ; por unë nuk e lashtë të hapte gojën, e ftova të hynte brenda duke i dhënë një buzëqeshje tejet joshëse. Isha thujse çveshur, domethënë intimet poshtë dhe rrobën e dhomës sipër tyre.
Ishte një tip aq interesant ai, sa që gjithmonë më kishte bërë përshtypje ndryshe nga gjithë meshkujt e tjerë dhe përherë kur mendoja për të, shkoja nga shkoja dhe një mendimi nuk mund t’i ikja: e gjeja veten duke luftuar me të trup me trup. E ku ? Në krevat. Kisha krijuar bindjen se ishte një njeri i tillë, që ëmbëlsinë mashkullore e kishte gjënë më të lehtë për ta marrë nga ana e anës e për të ta servirur para, me thjeshtësinë e elegancën e një kamarieri të sprovuar tek të shërben kafenë e mëngjezit.
U futëm brenda dhe ndërsa ai zuri vend në divan pa ditur ç’ të bënte me vështrimin e duart, unë në këmbë, merrja frymë me zor duke e vështruar pa mundur që të ja hiqja sytë. Zot i madh sa në qejf isha ! Fillova ta vizitoja me vështrimin tim jo vetëm guximshëm por dhe krejt të pacipë. Dikur nisa të haja me sy e mbllaçitja me imagjinatë, e nisa punën me buzët e tij; u mora nja dy minuta të mira me ta, pastaj zbrita te mjekra. O zot çfare mjekre ka ai! Kur zbrita pak më poshtë, te qafa, aty nuk dija të ngopesha dhe kështu e pangopur, u ktheva përsëri aty ku kisha filluar, te buzët. Buzët e tij mishtore gjithmonë sikur më premtonin, vetëm me një të prekur me gishta një lumturi të pafundëme, mendo pastaj se ç’ mund të provoja po të bashkoja të mijat me të tijat.
Por magjia ime, ishin sytë e tij. Vështrimi i tij ishte i veçantë. Sytë e meshkujve të tjerë më dukëshin fruta të papjekur, madje dhe të krimbur krahasuar me të tijtë. Bile kishte mundësi që, sytë e meshkujve të tjerë kishin ngelur të papjekur, thjesht sepse dy sytë e tij kishin marrë pjesën më cilësore të diellit, qiellit, detit e ajrit.
Kështu unë torturoja mendimin, lumturoja vështrimin e lodhja mushkëritë duke frymëmarrë vrullshëm e ai ulur e përhumbur në divan, nuk e di se ç’ po mendonte. Dikur vura re se në dorë mbante librin tim më të fundit.
“ Po ky, ç’don këtu?” – e pyeta jo pa çudi, duke i dhënë të kuptoja se fjalën e kisha për librin tim të sapobotuar në dorën e tij.
« Sapo e bleva, desha të më bësh një përkushtim… të lutem, a mundesh?”- më tha ai, i skuqur deri në majën e veshit.
Unë vura buzën në gaz dhe tunda kokën, si koketë, për ti dhënë të kuptonte, se kjo për mua ishte gjëja më e lehtë në botë, ndërsa më fjalë i thashë:“ Sot kam pak dhimbje koke, po shkoj të shtrihem në dhomën tjetër”. Kaq bëra e thashë dhe si e ftova që të vinte pas meje me vështrimin tim të etur, u nisa para tij, në dhomën e gjumit ndërsa po digjësha zjarr e flakë. Hoqa rrobën e dhomës dhe ashtu po prisja momentin më magjik të asaj dite.
Prita ca minuta të gjatë, pesë minuta, gjashtë, tetë…dhe më në fund pasi kaluan dhe nja dy minuta të tjera që nuk e di pse nuk po mbaronin, u bë i gjallë. Nga dhoma e ndenjës më thirri:
– Ej, Ana, po të sjell një aspirinë për kokën…sa e bleva në farmaci…

petrit sulaj
Marrë nga libri me tregime  “QIELLGERVISHTËS PA THEMELE “

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s