Piktura në mur / Tregim nga Xheni Shehaj

Piktura në mur

 

Tregim nga Xheni Shehaj

Ai u zgjua tepër energjik. Teksa mbushte filxhanin me kafe po sillte ndërmend ëndrrën e mbrëmshme. Dikush i kish thënë të bënte një pikturë murale, një pikturë që do i jepte famë, para e gjithçka tjetër. Kjo ide e kënaqte shumë. Pas mbarimit të shkollës së arteve, ai nuk kishte bërë ndonjë punim me vlerë. Disa skica, dy peisazhe të qeta dhe një qiell të mbushur me engjëj. Tashmë, e gricte kjo ëndërr. Mendja i punonte për atë pikturë që do ia rriste vlerat. Mbaroi kafenë dhe nisi të lironte një faqe muri.

Brenda tridhjetë minutave faqja e murit ishte gati për të pritur bojrat. Piktori iu përvesh punës me vrull. Mori të gjelbrën dhe i dha jetë një lëndine. Me të kaltrën mbushi gjysmën e murit me qiell. Mes për mes lëndinës gurgullonte një përrua me ujë si kristal. Ca qiparisa, pak më tutje, i bënin hije një varreze të vogël.

Ditët kalonin dhe piktori punonte pa u ndalur. Fshinte, ribënte, ofshante, qeshte. Tek po i jepte një tjetër dorë, ia nguli sytë varrezës së vogël dhe i menduar psherëtiu:

-“Kot e vura aty atë varrezë. Po meqë e vura tani le të rrijë”.

Atë pasdite, piktori ndjehej i ngazëllyer. Kishte ditë që nuk dilte nga shtëpia, ndaj vendosi të bënte një shëtitje. Ashtu i shkujdesur, me qiellin e vrenjtur mbi kokë, mori rrugën drejt periferisë. Ecte, lëshonte ndonjë gjysmë melodie të fishkëllyer, ndalej, e çonte mendjen te ëndrra, pastaj te fama, paratë. Ndjehej mirë, ndjehej plot jetë por thellë brenda tij seç ia prishte ndjesinë e ëmbël. Një shtëllungë reje i daravitej mbi krye duke ia hidhëruar mendimet.

Megjithatë, të ecurit se ndali. Vazhdoi kështu për ca kohë, pastaj vendosi të kthehej. Shëtitja në vend që ta qetësonte, i kish lënë një shije të hidhur. Mendja po i punonte së prapthi. Shpejtoi hapat. Donte të sigurohej se piktura ishte aty ku e kishte lënë. Befas, u ndal, dhe i foli vetes:

-“Sa i marrë je! E çdo ta gjejë pikturën, ajo është në mur, e murin se merr njeri!”

Donte dhe pesëmbëdhjetë minuta të arrinte në shtëpi, kur pa kopsitur ende mendimin, toka u tund. Tërmet! Dukej sikur do të hapej dheu e do përpinte gjithçka. Piktori kish mbetur pa gojë. Dridhej si purtekë dhe kraharori i ulej e i ngrihej pa pushim. Nga gryka e tij doli një JO! rrënqethëse. Ia dha vrapit duke shkelur kuturu. U ngjit në banesë dhe pa atë që s’do të donte kurrsesi të shihte. Kryevepra, fama, paratë, i dolën para syve, të varura në litar.

U ul përdhe, me kokën mes duarve dhe ngashëreu për një kohë ta pacaktuar. Herë pas here, si supersticioz që ishte mërmëriste:

-“Ajo varrezë s’duhej të ishte aty!”

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s