ZËRI I BUKUR  / Tregim nga Vita Blloshmi


ZËRI I BUKUR
 
Tregim nga Vita Blloshmi
 
-Mami,-po bie telefoni yt,- më thirri vajza nga dhoma e saj .
Unë me përtesë u çova nga divani dhe mora telefonin që po binte mbi tavolinën në dhomën e ndenjes.
-Urdhëroni,- u përgjigja.
-Më falni,- dëgjoj nga ana tjetër e telefonit,- dua të flas me zonjën Iliriana . Jam gazetar i nje televisioni privat,- vazhdonte ai .
-Më falni, zotëri,- ia ndërpreva shkurt bisedën,- këtu nuk ka asnjë Ilirianë, keni ngatërruar numurin,- dhe mbylla telefonin.
-Kush ishte, mami?- pyeti vajza.
– Një gazetar që kishte ngatërruar numër,- i thashë dhe u ula përsëri në divan, duke shtrirë këmbët mbas një dite të lodhshme pune . Kishte qenë vërtet një ditë e lodhshme. Punoja në një agenci udhëtimesh dhe çdo ditë kisha të bëja me njerëz dhe karaktere të ndryshme, shto edhe problemet e përditshme,si vajza që ishte në periudhën e paraadoleshencës, ku çdo “pse” duhet sqaruar në mënyrën e duhur dhe me durim të tepruar, shtëpia, pazari etj … Jetoja vetëm me vajzën prej disa vitesh, pas humbjes së tim shoqi në një aksident automobilistik . Që atëherë nuk mendoja që në jetën time mund të kishte ndonjë mashkull tjetër. E desha shumë tim shoq. Ishim njohur që të vegjël, kur shkoja në fshat te gjyshja … Akoma kujtoj aromën e bukës së sapopjekur, erën e ftonjve dhe të mollëve të mbuluara me kashte nëpër plevica që t’i rezistonin kohës.
-Noke, mund të iki pak të luaj me Arbrin nga korijet?- i lutesha gjyshes. Ajo tundte kokën duke lidhur shaminë dhe më thonte: – Ikë të keqen nokja, por mos u vononi se do të të mësojë nokja të bësh petë … Unë qeshja, e puthja në faqe dhe ikja duke i thënë: – Po ç’petë moj noke, unë do t’i blej të gatshme …
Arbri mblidhte lule dele, i bënim kurora, pastaj ndiqnim xixëllojat deri vonë. Ndonjëherë shkonim edhe larg, deri nga Përroi i Lepeshit për të mbledhur lajthi e bajame …Vitet iknin dhe unë e Arbri u dashuruam e një ditë të bukur u martuam. Akoma edhe sot e kësaj dite kujtoj momentin e largimit tim nga shtëpia nuse, ditën e dasmës dhe puthjen e gjyshes bashkë me urimin “më paç uratën, moj bijë!” Dy vite më vonë erdhi në jetë Dea, vajza jonë e vetme. Jeta jonë ishte e thjeshtë, por e bukur, derisa atë ditë të mallkuar mora lajmin e kobshëm për humbjen e tim shoqi…
Një zile telefoni më shkundi përsëri nga mendimet. E ngrita telefonin me përtesë.
– Urdhëro, kush jeni ?
-Më falni që ju shqetësoj përsëri, – foli dikush nga ana tjetër,- por zëri juaj ishte aq i ëmbël sa nuk harrohet lehtësisht e më lindi dëshira t’ju dëgjoja përsëri …
-Kush jeni, ju lutem? Nuk po kuptoj…
-Ah, më falni jam Adriatiku, ai gazetari që gabimisht ngatërroi numrin pak më parë.
-Ah, po,- u përgjigja unë pa treguar ndonjë interes,- si mund t’ ju ndihmoj ?
-Po ja, si fillim duke më krijuar mundësinë të dëgjoj zërin tuaj të ëmbël,- qeshi nga ana tjetër ai,- më vonë mbase duke më treguar edhe emrin tuaj…
-Me që u prezantuat, unë quhem Jeta, nuk punoj në asnjë televizion, nuk bëj artisten dhe nuk jam gazetare,- vazhdova me një ton paksa më të ngritur, duke mos e fshehur njëfarë njëfarë bezdie nga toni i tij konfidencial.- Kështu, ju lutem mos më shqetësoni më, – u hoqa si e nervozuar. Ndërsa flisja, shikoja veten në pasqyrën që ndodhej përballë dhe pashë që nervozizmi im nuk ishte i besueshëm as për veten time, jo më për atë …
-Në fakt unë ju telefonova për t’ju kërkuar ndjesë për shqetësimin, Jeta,- tha ai si i zënë në faj.- Gjithësesi më falni sërish. Ju uroj një natë të qetë e të bukur.
-Natën,- përshpërita unë si me vete dhe mbylla telefonin pak si e hutuar. Në veshë më kishte mbetur zëri i tij pak i veçantë dhe ajo e qeshur çapkëne.
Vesha këmishën e natës, bëra tualetin e darkës dhe, ndërsa kaloja kremin në fytyrë, pashë Dean që më shikonte nga dera. Ajo u afrua ngadalë e plot dashuri më tha:- mami, ti je shumë e bukur … Përqafova time bijë dhe u shtrimë të flinim të dyja. Atë e zuri gjumi përnjëherësh, ndërsa unë rrotullohesha në krevat dhe në mendje me rrinte ai zë. Me siguri rënia e telefonit për herë të dytë nuk ishte një rastësi, pastaj fjalët për zërin tim të bukur, dëshira për të mësuar emrin… Emri i tij Adriatik më tingëlloi disi ndryshe tek e solla ndër mend. Megjithatë u rrotullova në anën tjetër e pas pak më zuri gjumi.
E nesërmja erdhi njësoj si gjithë ditët e tjera: aroma e kafesë më shponte hundët, u veshëm dhe çova Dean në shkollë. Pastaj puna dhe përsëri rutina e përditshme… Java kaloi si duke u zvarritur nën monotoninë e saj. Të premten Dea, si rregullisht një herë në muaj, shkoi ta kalonte me prindërit e Arbrit. Pasi e shoqërova në shtëpinë e tyre, pas kafesë që më ofruan, mora rrugën për në shtëpi. Ndeza TV dhe u përplasa e pafuqishme në divan. Doja të ndiqja ndonjë film të lehtë apo spektakël zbavitës pas lodhjes javore. Por nuk po gjeja ndonjë gjë të hajrit. Nuk doja as t’u hyja punëve të zakonshme. Më pushtoi një ndjenjë vetmie. Nuk dija si do i kaloja dy ditët e fundjavës pa Dean. Për një grua mbetur e ve në moshë të re nuk është aspak e lehtë mbyllja në shtëpi, kur përjashta jeta lëvrin me gjallërinë e saj. Pasi kaluan vitet e para pas aksidentit, të afërmit e mi, koleget, por edhe shoqe të shkollës fillonin të më hapnin biseda për mundësinë e njohjes me ndonjë person me të cilin mund të bashkohesha. Por unë i kisha kundërshtuar prerë e hedhur tej me njëfarë bezdie. Kujtimin e Arbrit e kisha të gjallë në çdo hap. Pastaj doja t’i përkushtohesha e tëra Deas… Por ja, vijnë momente si kjo fundjavë, kur ndihesh e vetme brenda katër mureve. Nuk je e zonja as të organizohesh me shoqe për të shkuar në ndonjë lokal, se të gjitha ato janë të martuara e mezi ç’presin të dalin lokaleve me burrat e fëmijët e tyre…
Tek lëvizja me telekomandën nga një kanal në tjetrin, pa pritur pashë në ekran njerëz që vraponin të shqetësuar e të trembur, me panik ndër sy. Pastaj sytë më vajtën tek një gazetar që intervistonte njerëz nga turma. Ata dukeshin të frikësur. Një alarm bombe në një stacion autobuzi i kishte bërë ata të largoheshin me vrap e të boshatisnin rrugët përreth. Pastaj doli dikush nga ata të rendit, i cili sqaroi që bëhej fjalë për një alarm falls dhe i ftonte njerëzit të ruanin qetësinë e të vazhdonin rrjedhën normale të ditës. Në fund të kronikës lexova emrin e gazetarit: Adriatik Kosta. Mos është ai gazetari që kishte ngatërruar numurin? Nuk e kisha parë asnjëherë, por zëri i tij gjatë kronikës më kishte kujtuar atë zërin në telefon. Ishte një burrë i pashëm, pak a shumë në moshën time, i veshur bukur e me shije. Figura e tij u zhduk nga ekrani dhe vazhduan lajme të tjera. Unë ndërrova kanalin, por sërish nuk po gjeja ndonjë gjë interesante. Mora një libër për të lexuar, por shpejt e ndjeva që nuk më lexohej e nuk përqëndrohesha dot. Pashë orën. Ishte ende shpejt për t’u shtrirë e as nuk më flihej kaq herët. Kisha dëshirë të flisja me ndokënd në telefon. Po me kë?… Me një farë pasigurie mora telefonin dhe gjeta numrin e tij. E formova numurin me një ngadalësi që ishte midis hezitimit dhe tundimit për të folur.
– Alo! Kush jeni? – u dëgjuar nga ana tjetër…
-Jam Jeta…-fola pas një hezitimi, aq sa pata frikë që ai do e mbyllte telefonin. – Më falni në se ju shqetësoj po pashë kronikën tuaj në lajmet, ishte tronditëse, por pastaj sikur u qetësua gjithçka,- po flisja si për të mbuluar hutimin tim.
-Ah, Jeta…Mirëmbrëma. Po më gëzon fakti që e keni ndjekur kronikën, veçse po ta dija që do e shikonit, do kisha bërë çmos të vija në dukje cilësitë e mia prej superheroi në një moment kaosi të atillë,-qeshi ai.
Kjo e qeshur sikur më nxori nga situata dhe vazhduam të flisnim normalisht gati si dy njerëz që njihen prej kohësh. Folëm për punën e tij në TV e për punën time të përditshme. Ai kishte një sens të hollë humori dhe i përshkruante ngjarjet e episodet që tregonte mjaft këndshëm. Shpesh herë qesha gati në mënyre të papërmbajtur, aq sa u kujtova që kishte vite që nuk qeshja në këtë mënyrë. Por zëri i tij nga ana tjetër sikur ma hiqte ndrojtjen.
Nuk e di sa kohë kaluam duke folur, kur papritur ai tha:
-Do të flemë ndonjë orë sonte apo do ta presim mëngjesin në telefon?
Pashë orën dhe vërtet ishin orët e para pas mesnate.
-Më falni, nuk e dija që ka shkuar kaq vonë, ju kërkoj ndjesë për kohën që ju mora,-i thashë dhe e ndjeva se vërtet isha skuqur.
Ai qeshi dhe me natyrën e tij si të shkujdesur tha: – Për dënim do na japësh nesër kafen e mëngjesit. Të pres tek bari pranë hyrjes së televizionit. Natën e mirë… Dhe, pa më lënë kohë të flisja, e mbylli telefonin.
 
* * *
 
Ishte e shtuna e parë që po niste disi ndryshe pas kaq vitesh. Bëra një dush të ngrohtë, rregullova flokët dhe u ndala përpara garderobës. U hodha një sy fustaneve dhe vështrimi u ndal tek ai që i pëlqente më shumë Deas kur dilja me të. -Ky fustan të tregon më të re e më të bukur,-më kishte thënë një ditë…Buzëqesha si ta kisha vajzën përpara syve dhe e hoqa fustanin nga varësja. Pashë që ora po ecte me nxitim e unë e kapa veten tek po vonohesha më shumë se ditët e tjera me tualetin dhe zgjedhjen e parfumit. Një palë këpucë me taka të larta, që i shkonin aq shumë fustanit, filluan të trokisnin me njëfarë nxitimi në trotuar. Kur arrita përpara barit tek televizioni e pashë që po priste i ulur dhe lexonte gazetën. Ishte edhe më i bukur nga ç’dukej në ekran. Një ndjenjë e çuditshme pasigurie dhe faji më pushtoi befas. Pashë nga të katër anët në mos kishte njeri të njohur, pastaj prapë atë tek lexonte gazetën në qetësi. Përfitova nga rasti që nuk më njihte dhe ktheva krahët e nisa të ikja nëpër trotuar. Nuk kisha bërë as dhjetë hapa, kur ndjeva një zë nga pas:
-Jeta!
U ktheva. Ishte ai. I ndalur dy hapa përpara meje, po më vështronte me një buzëqeshje të përmbajtur e me njëfarë qortimi.-Po ikën?-më pyeti e sytë e tij të zinj nën qerpikët e dendur u bënë më qortues.
-Po ti, nga më njohe? Nuk jemi takuar ndonjëherë,-i thashë për të ndërruar muhabet.
-Nuk mund të kishte veshje materiale më të hijshme se kjo për zërin tënd të bukur. S’kisha si të gaboja,- tha dhe më zuri për dore.-Eja,- më tërhoqi ngadalë drejt barit.
Ishte i sigurtë e elegant në lëvizjet e tij, më drejtoi tek vendi, më regulloi karriken dhe porositi kafe e lëng pjeshke për mua. Kurse për vete kafe e konjak “Napoleon”. Lëngu i pjeshkës më pëlqente dhe buzëqesha me intuitën e tij.
Vazhduam të bisedonim, tashmë akoma më të shpenguar. Unë i fola për Dean dhe atij i qeshën sytë. Mësova se ishte beqar pas një fejese deludente me një vajzë tekanjoze e tërë pretendime. Ai preferonte më shumë bashkëjetesën se sa martesën, për të cilën tha se tendencat e sotme në botë janë duke e nxjerrë në plan të dytë. Kisha lexuar diku një material mbi këtë tendencë e natyrisht e kisha marrë si një ndryshim siç ndodh me tendencat në modë, sidoqë familja është shumë më e rëndësishme se sfilatat e fustaneve.
Në një moment atij i ra telefoni celular. E prisnin në studio për montimin e një emisioni. U ngrit, duke më kërkuar ndjesë, më puthi lehtë në faqe dhe u largua drejt hyrjes së Televizionit.
 
* * *
 
Të premten tjetër në darkë ishim ulur në divan të dyja me Dean e po shikonim filmin “Vjeshtë në Nju Jork”, që asaj i pëlqen shumë, sidomos për ato pamjet e mrekullueshme të ambientit që ofron. Papritur ra zilja e telefonit.
U përgjigja me një zë përtac, ku ndihej njëfarë mërzie:
-Ku ka vajtur zëri i bukur?-dëgjova të flisnin nga ana tjetër.Ishte ai. Nuk u përgjigja përnjëherësh. Pas kafesë së asaj dite ai nuk ishte bërë më i gjallë e gjatë gjithë javës kisha menduar se ai kishte mbetur i zhgënjyer nga paraqitja ime e asaj dite.
-Ti nga je zhdukur?- fola me një ton serioz e pak qortues.
-Po flas nga aeroporti. Sapo zbrita nga avioni e më duhet të shkoj në studio për të montuar një kronikë qeveritare.
-Ok. Punë të mbarë,-i thashë ftohtë.
-A ke ndonjë plan për nesër?-pyeti.
-Të bëj punët e shtëpisë,-iu përgjigja.
-Punët mund të presin. Nesër jam pushim. Do të shkojmë për fundjavë në një qytet të bukur.
-Kështu i vendos gjërat ti?- i thashë prerë. -Ku do shkojmë?
-Surprizë. Merre edhe Dean me vete. Në ora 9.00 do jem me makinë përpara shtëpisë suaj…Me kaq telefoni u mbyll.
Unë mbeta e heshtur dhe e menduar. Por ndjeva një ngrohtësi nga ato që t’i skuqin faqet e u japin shkëlqim të veçantë syve.
-Çfarë ke, mami?- pyeti Dea.
-Asgjë. Nesër do dalim për fundjavë në një qytet tjetër.
-Urrraaaaa!…Me atë gazetarin që ngatërron numurin e telefonit?-pyeti ajo me pafajsi dhe shejtanllëk përnjëherësh.
E vështrova e habitur dhe me një qortim të dukshëm në sy. Ajo u bë më serioze, m’u afrua ngadalë, më hodhi duart në qafë dhe duke me puthur më tha:- Mami, këtë javë ti ke qenë më e bukur se asnjëherë.
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s