Duke njohur dhe gjetur veten / Shkëputur nga libri “Gjallë pas mbytjes së anijes” i autorit Maksim Rakipaj

Duke njohur dhe gjetur veten

Shtator-tetor ’79. Kam mbi tre muaj që jam në Spaç. Vazhdoj me shumë mundim punën e rëndë të minatorit. Puna rëndohet edhe më shumë sepse nga 7-8 atmosferë që duhet të jetë presioni i ajrit që duhet të vijë në martel, nuk arrin kurrë më shumë se 4 atmosferë dhe baromina bën vetëm zhurmë e pluhur dhe nuk hap birat në shkëmb. Mua më qëllon, për çudi, të punoj në fronte ku fortësia e shkëmbit është shumë e lartë. Më duhet të rri 4 orë mes pluhurit të martelit që me zor të arrij të mbyll ciklin e punës. E pres me kënaqësi të madhe përfundimin e turnit, lahem me ujë të ftohtë brenda në galeri, vishem dhe zbres me brigadën për të hyrë në kamp. Kam zënë shumë shokë të rinj këtu, nga e gjithë Shqipëria. Vijnë nga profesione të ndryshme; mësues, si Ron Çobani dhe Visari, shkrimtarë si Halil Laze, piktorë etj. Me bindje politike nga më të ndryshmet: ka eurokomunistë(!), ballistë, zogistë, prorusë, proamerikanë e ku ta di unë. Nga të gjitha shtresat. Ka prej tyre që kanë lindur internimeve, që vazhdojnë traditën familjare në burgjet komuniste, gjyshi-baba-biri… Ka edhe prej nomenklaturës së lartë komuniste, jo aq shumë sa në Ballsh, por ka edhe këtu. Ka edhe si puna ime, që nuk di ku të rreshtohem… im atë e filloi luftën si ballist dhe e mbylli si partizan i plagosur dy herë. Pas lufte, oficer në artileri, më pas në xhenio (mbasi u shpall kulak i jati, gjyshi im, dhe i dënuan një vëlla dhe i pushkatuan tjetrin pa gjyq në burg) Puna si oficer në xhenjo duke punuar me ushtarë të “deklasuar” e mbante gjithnjë nën tension. Frika nga përmendja e biografisë e bënte të punonte më shumë se të tjerët. Ra në sy si organizator i shquar dhe “lart” e kishin me sy të mirë. Njohjet dhe ish partizanllëku luanin shumë rol. Në vitin 1960 e çmobilizuan nga ushtria kur ishim me banim në Sarandë dhe im atë punonte në ndërtimin e hidrocentralit të Bistricës. Ndërhyrja e Rrahman Hankut si zv/ministër ndërtimi e shpëtoi edhe nga rreziku i përjashtimit nga partia. Ndihmoi edhe njohja me Dashnor Mamaqin e disa të tjerë. Na transferuan në Shkozet. Na strehuan në disa ndërtesa që fillimisht ishin projektuar për depo dhe wc-të i kishim jashtë banesës. Babai u dërgua si drejtor kantjeri për bonifikimin e kënetës rreth Lezhës. “Për një vit Xhafer, pastaj do të të rregullojmë pranë familjes në Durrës” …edhe një vit, edhe një vit… u bënë plot 13 vjet larg familjes. Letrat anonime që vinin në komitetet e partisë, që mbulonin zonën ku punonte im atë, nuk ndalonin asnjëherë… “Si është e mundur që i biri i kulakut dhe vëllai i një të dënuari politik me 17 vjet burg dhe me vëlla të pushkatuar të drejtojë një ndërmarrje?” “A e di Partia që…?”
Gjithsesi, në vitin 1976 tim atë e përjashtuan nga partia me motivacion: “Ka zbutur luftën e klasave, ka ndihmuar në vazhdimësi elementë me biografi të keqe. Për këtë gjë ka ndikuar edhe prejardhja familjare e Xhafer Rakipajt.” Plagët e marra në luftë dhe puna vetmohuese nuk u llogaritën. Biografia ishte e para, që nganjëherë partia bënte sikur nuk e dinte…
Partia e dinte, por raste si i tim eti nuk ishin të paktë në Shqipërine e atyre viteve. “Dy milion popull jemi, dalim të gjithë kushërinj me njëri tjetrin…” i kish thënë babait një shok i veti, që kish marrë urdhër të gjente 4 inxhinierë ndërtimi për një byro speciale në Tiranë. Duhej të ishin inxhinierë të aftë dhe me eksperiencë, por, (mbi të gjitha) me biografi të kulluar… “Nuk gjeta asnjë për be, nuk e di si të raportoj atje lart, hall i madh…”
Unë në Spaç e kisha më të lehtë, nuk i zgjidhja njerëzit sipas bindjeve politike, por sipas karakterit. I dëgjoja me durim spjegimet që më bënin dhe mësoja prej tyre. Duke dëgjuar histori të njerëzve që patën jetuar kohën e luftës, mësova të gjykoj ndryshe nga sa kisha mësuar në shkollë. Duke biseduar me Ahmet Kolgjinin, Murat Kalaverin etj., fillova ta shoh me sy tjetër periudhën e monarkisë, arsyet e lindjes së monarkisë ne atë kohë, personalitetin kompleks të Mbretit Ahmet Zog I. Jo më me urrejtjen që na kishin ushqyer në shkollë. As me adhurim, por me respektin që duhet të kemi për krijuesin e shtetit modern shqiptar, që u mundua të manovronte në kohë të turbullta, pa aleatë, vetëm me armiq, me bashkëpuntorë që nuk e kishin aspak problem t’u shiteshin të huajve. Por nuk do të zgjatem më tej, sado që ka shumë për të thënë.
…Pata marrë një letër nga familja. Shkova e mora kur tellalli i kampit thirri emrin tim. E lexova i mallëngjyer letrën, kur, sapo e futa në xhep, më afrohet dikush që nuk e njihja. Rreth të dyzetave, palltos ngjyrë kafe të burgut i kishte lidhur në brez një fije litari të bardhë dhe kjo e përgjasonte me një murg franceskan…
– Më falni për shqetsimin, zotni, por nuk mundem me ndejt pa ju pvetë… Nigjova që murët nji letër me mbiemrin Ragipaj… A e keni gjà Xhafer Ragipajn?
– Po – i thashë – Xhafer Rakipaj është im atë…
– Mos! Ça e paska gjetë të shkretin Xhafer… me djalë në burg.
– Xhaferi është në shtëpi – i thashë – unë jam në burg, jo ai…
– Nuk di pse keni ra ju në burg, zotni, nuk më interreson me e ditë dhe nuk ju njof. Por më lejoni të prezantohem… unë jam me mbiemër Hardhia. Gjithë burrat e fisit tonë, o jan pushkatue, o jan ndër burgje dhe familjet punojn për pesmdhet lek dita në koprativë… Në pun shteti nuk na pranojshin, veç kur erdh Xhaferri në bonifikim. Aj vu dorë dhe na mori në punë. Pati edhe boll sherre prej nalt, por ka qindrue, na ka mbrojt… ma bajn punën, prandaj i mbaj… Iku Xhaferri prej bonifikimit të Lezhës, u fik dielli për ne… M’i ço shumë, shumë të fala zotit Xhaferr… prej fisit të Hardhive i thuj, aj na mban mend.
U ndjeva mirë, u ndjeva shumë mirë. U ndjeva më ngrohtë, më “i pranuar” në Spaç. Por e ndjeva më fort dashurinë e lezhjanëve për tim atë mbas lirimit tim. Na kanë erdhur për urim në shtëpi më shumë njerëz nga Lezha se sa nga Durrësi, pa mohuar këtu ngrohtësinë që na ofroi Shkozeti im.

 

Shkëputur nga libri “Gjallë pas mbytjes së anijes” i autorit Maksim Rakipaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s