ME HOMERIN / Nga: Edmond Shallvari

ME HOMERIN

 

Nga: Edmond Shallvari

M’u shfaq përsëri i verbëri Homer, por këtë radhë ia lashë fjalën mes buzëve.
-Më thuaj të vërtetën, linde apo u verbove më vonë në jetë?
Homeri vuri buzën në gaz, tundi kokën duke e mbajtur mendueshëm pjertas në të majtë të tij dhe pas pak sekondash u përgjigj:
-Ke dëgjuar e lexuar nga unë të them gjëkundi që jam i verbër?
Këtë radhë ma la ai fjalën jo mes buzëve, por akoma më thellë gojës.
Kështu që munda t’i flas vetëm vetes atë çast:
-O tallet me mua, pasi bën muu verbëria e syve të tij, ose është çmendur e s’di ç’thotë.
Por nuk ishte as njera, as tjetra.
Sikur të ishte në mendjen time, më kap për krahu dhe më thotë:
-Shiko Itakën, Mondi!
Duke drejtuar gishtin në hapësirën e detit përballë.
Baaa, veç detit në takim me qiellin në horizont, asnjë grimcë Itake nuk dukej.
Por Homeri vazhdoi:
-Sa mirë, ke fatin të shikosh këtë çast Odiseun me Penelopën në verandën e shtëpisë, ja, tek ajo kodra me ullishte.
Baaa, kur nuk shikoja Itakën, nga do gjendej mbreti i saj me gruan në krah?
Mbetur të dy me sytë ngulur horizontit, humba më pas rrëfimit të Homerit dhe para vetes vërtet u shfaq Itaka, Odiseu, Penelopa, më pas Troja, Priami, Hektori, mos vazhdoj të them të njohurit e tjerë për shumicën e njerëzve, si Parisin me Helenën, Akilin, Menelaun me Agamemnonin, Klitemnestrën, Ifigjienën e flijuar në altar perëndish dhe në fund, të famshin Kalë të drunjtë.
Zëri i Homerit pas pak u kthye në rreth zjarri, në mes të të cilit isha unë, si një pjesë rënoje e Trojës së djegur.
Po digjesha vërtet.
Thirra për ndihmë, kur një përplasje uji në trup e fytyrë, më solli në vete.
Homeri mbante në dorë një kovë të posa zbrazur nga uji i detit.
I gëzuar që shpëtova nga zjarri, thirra:
-Homer, kam zili verbërinë tënde!

@Edmond Shallvari

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s