Dëshmitë etnografike tek Sarajet e bejlerëve të Këlcyrës pjesë e qenësishme e identitetit tonë kombëtar / Nga: Kujtim Mateli

Dëshmitë etnografike tek Sarajet e bejlerëve të Këlcyrës pjesë e qenësishme e identitetit tonë kombëtar

 

Nga: Kujtim Mateli

Ka disa ditë që një grup i vogël njerëzish, pasi e lënë qytetin e Këlcyrës në pjesën perëndimore të tij, fillojnë t`i ngjiten shpatit të malit Trebeshinë. Po udhëtimi nuk zgjat shumë. Pikërisht sapo këmba shkel në shpat të malit, grupi i vogël ndalet dhe fillon nga puna. Në krye të grupit është znj. Hëna Këlcyra, tashmë një figurë publike e njohur në të gjithë vendin tonë për intervistat e saj televizive dhe në shtypin e printuar, në mbrojtje të vlerave të shoqërisë shqiptare. Po ajo është e njohur edhe si bija e Ali Këlcyrës, i cili ka qenë deputet i Përmetit në parlamentin e parë të vitit 1921 dhe me një veprimtari të ngjeshur politike.
Tjetri është arkeologu i mirënjohur prof. Skënder Muçaj me prurjet e tij shkencore në fushë të arkeologjisë. Sarajet e Këlcyrës, pronë e Bejlerëve të Këlcyrës, e kanë tërhequr vazhdimisht dhe këto ditë iu krijua mundësia që të kryej një studim të plotë për strukturën arkitekturore dhe të hedhë dritë mbi mënyrën e jetesës të kësaj familje të dëgjuar në trojet shqiptare për atdhetarinë që ka treguar në mbrojtje të interesave kombëtare.

1-Një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Kamber Bënja” Këlcyrë

Me dëshirën e Hënës që më ftoi t`i bëja një vizitë për të parë nga afër punimet që po kryheshin, por dhe me dëshirën time që ta bëja atë vizitë sa më shpejt, vendosa të shkoj nga Tirana deri në Këlcyrën e ëndrrave të mia.
E gjeta Hënën në drejtorinë e shkollës 9-vjeçare “Kamber Bënja”. Aty gjeta drejtorin e kësaj shkolle, njeriun e përkushtuar në fushë të arsimit, z. Vladimir Aliaj. Hëna kishte shkuar dhe ditë më parë pranë kësaj shkolle dhe kishte ligjëruar me nxënësit për historinë e Sarajeve dhe të familjes së saj, për anën e panjohur të historisë sonë. Këtë radhë e gjeta të interesuar pranë drejtorisë, se do të shpërndante për nxënësit disa dhurata të vogla. Hëna kudo që shkon është e mirëpritur, sepse ajo gjithmonë të surprizon me veprimet dhe fjalën e saj, ku gjithmonë do të mësosh diçka të re. Këndvështrimi i Hënës për historinë shqiptare të shekullit të kaluar, nuk është ai që kanë të majtët në Shqipëri, as ai që kanë të djathtët, këndvështrime diametralisht të kundërta që krijohen nën presionin e interesave të ngushta dhe që e kanë deformuar historinë tonë. Këndvështrimi i Hënës pasqyron realitetin e historisë shqiptare, ndaj ajo është e mirëpritur nga të gjithë ata që kërkojnë të vërtetën. Të thuash të vërtetën, jo vetëm që je i mirëpritur në mjediset tona shoqërore, por je dhe më jetëgjati në kujtesën e njerëzore.
Vite më parë, prof. Niko Tyto vlerësonte lart personalitetin e Hënës. Si dëshmi më solli qëndrimin e saj ndaj disa pronave-kullota që familja e Këlcyrajve kishte pasur në të majtë të Vjosës, në fshatin Brezhdan.  Kur babai i saj, Ali Këlcyra, kandidonte në këtë zonë si deputet në parlamentin e parë shqiptar, u kishte thënë banorëve të fshatit se prona është e Juaja. Vetëm fjalë elektorale dhe asnjë ndryshim në kadastrën e pronave. Po Hëna e kishte ditur këtë bisedë të babait të saj dhe nuk kishte pranuar që këto kullota t`i ktheheshin.
“Çudi,- më thoshte Nikoja,- njerëzit po manipulojnë dokumentet për të rrëmbyer atë që nuk i takon dhe ajo e dorëzon pronën me një fjalë goje”.

Shkolla 9-vjeçare “Kamber Bënja” Këlcyrë

Po këtë gjë e dëgjova dhe nga drejtori i shkollës z. Vladimir Aliaj, që Hëna nuk i kishte pranuar t`i ktheheshin shumë prona-kullota. Hëna i kishte falur pronat-kullota që lidheshin ngushtësisht me fshatrat, duke ua lënë atyre si një pronë kolektive. A ndodh ky veprim me çdo shqiptar? Ndodh, por rastet janë tepër të rralla. Janë të rralla, por tepër të çmuara dhe të vlerësuara për t`u marrë si gur kilometrik në udhëkryqet e formimit të ndërgjegjes sonë kombëtare.

2-Sarajet presin dhe përcjellin vizitorë

Bashkë me Hënën, aty nga mesdita, arritëm tek Sarajet. Puna e arkeologut, është gjithmonë e shoqëruar nga befasia. Çfarë do të ketë pas çdo zhvendosje guri apo dheu?  Të pariturat nuk munguan as asaj dite. Ishte një lugë salce që shërbente për të marrë salcën nga ena ku ruhej. Kjo tregon se ndodhemi në kuzhinë apo në mjediset e ngrënies. Gërmimet vazhdojnë me kujdes dhe pritet surpriza e radhës. Punimet do të vazhdojnë edhe disa ditë, kur dhe do të kemi një pasqyrim më të plotë të sendeve të gjetura në mjediset e Sarajeve. Gjatë këtyre ditëve Sarajet kanë pasur vizitorë të shumtë, që janë kryesisht banorë të qytetit të Këlcyrës. Në këto mjedise takova katër të rinj: Albano Allamani, Gentian Bega, Valentino Çoli dhe Moreno Allamani që ishin të interesuar jo vetëm për gjetjet arkeologjike, por dhe për historinë e fisit të Këlcyrajve. Hëna, si e zonja e këtyre Sarajeve, kryente dhe rolin e mikpritësit. Gjatë gjithë kohës që unë qëndrova aty, vizitorët ishin nën shoqërinë e saj, një zakon i yni, që miku nuk lihet vetëm, por pritet dhe përcillet nga i Zoti apo e Zonja e shtëpisë.
Në pjesën e sipërme të sarajeve takova Selim Sheme vjeç 51 dhe djalin e tij Skerxhon Sheme 19 vjeç, të dy at dhe bir që ishin bërë pjesë e grupit të gërmimeve. Bisedova me ta dhe pashë një shenjë optimizmi se dhe Këlcyra do të mund të ndryshohej dhe do të fitonte në të ardhmen statusin e një qyteti që do të mbrohej dhe ruhej nga institucionet ndërkombëtare që ruajnë dhe mbrojnë vlerat kulturore të popujve dhe vendeve të ndryshme të botës.

Ata dëshironin që Këlcyra të merrte statusin që ka Berati dhe Gjirokastra, si qytete muzeale të mbrojtura nga UNESCO. Pse mund të mendojmë që kjo gjë nuk është e mundur që të ndodhë? Nëse një individ i bashkon përpjekjet dhe forcat me një grup njerëzish, madje dhe me një qytet të tërë, çdo gjë është e arritshme. Një qytet i tërë antik në shpat të malit, me një numër shtëpish rrënoja që mund të shkojë drejt numrit një mijë, me një kala 2300 vjeçare dhe me një grup ndërtesash siç janë Sarajet, nga më të bukurat që mund të ketë pasur shekulli XIX-të në këto territore të Shqipërisë jugore, ajo që mendohet mund dhe të bëhet realitet.
Po biseda me Selimin më shkëputi për disa çaste nga puna që bëhej aty dhe më shpuri larg në histori. Midis të tjerash më tha se familja e Këlcyrajve kishte qenë vazhdimisht mbështetje për banorët e lagjes Guri, që është lagjia më e afërt e Sarajeve të Këlcyrës. Aq sa mbante mend nga tregimet e të parëve të tij, ata kur nuk kishin mundësi të punësoheshin vetë, apo kur puna e tyre nuk vazhdonte gjatë gjithë vitit, të parët e familjes së Këlcyrajve, nuk i linin pa punë. I punësonin në pronat e tyre edhe përkohësisht. Dhe kur mbeteshin edhe pa bukë, i ndihmonin që të kapërcenin vështirësitë. Lagjia e Gurit kishte qenë me fat që në fqinjësi kishte pasur këtë familje të madhe dhe bujare. Kjo ndjesi i ishte përforcuar mbase, se edhe Hëna i kishte punësuar babë e bir, qoftë dhe për disa ditë.
Arben Poli, është një tjetër banor i Këlcyrës që ka fatin të shohë nga afër gjetjet arkeologjike që dalin nga Sarajet. Ai ka një histori të pazgjidhshme me familjen e bejlerëve të Këlcyrës. Të parët e tij kishin qenë admirues të kësaj familjeje të madhe, edhe pse vetë nuk zotëronin ndonjë pasuri që ta veçonte nga familjet e tjera dëshnicare. Muhamet Poli kishte qenë administrator i pronave të familjes Këlcyrajve. Dhe mbahet mend si një nga administratorët më të aftë, në vitet e para të shekullit të kaluar, kur familja e Këlcyrajve ka qenë në kohën më të mirë të rritjes së saj ekonomike. Aftësitë e tij si organizator, Muhamet Poli i tregoi dhe në vitet, kur pas Luftës së dytë Botërore u vendos në Amerikë dhe me disa lokale u bë shembull dhe për emigrantët e tjerë. Shembulli i tij vlen dhe në ditët e sotme se si mund të punohet, se je i nderuar dhe i respektuar kudo që të ndodhesh, nëse mbështetesh tek aftësitë e tua dhe puna jote.
Ndaj dhe Arbeni ka aty nën ato rrënoja dhe një pjesë të historisë së fisit të tij, për të cilin ndihet krenar, se si të parët e tij u mësuan dhe të tjerëve se me punë dhe përkushtim mund të bëhesh i vlefshëm për shoqërinë në të cilën jeton. Në fund të fundit, shembulli gjendet aty ku të udhëheq guximi për të ndryshuar realitetin, aty ku dashuria për njerëzit bëhet motivi kryesor dhe njeriu e kupton se nuk jeton për veten e tij, por dhe për të tjerët.

Punohej në të gjithë territorin e Sarajeve. Arkeologu, prof. Skënderi, shkonte sa në njërin grup tek tjetri. Profesorin e kam njohur disa vite më parë dhe ishte kënaqësi për mua që të kaloja rreth dy orë nën shoqërinë e tij. Ai më tregoi në detaje rezultatet që ishin arritur në ato pak ditë. Të gjitha ato rezultate do të bëhen të njohura për publikun në përfundim të punimeve, çka do t`na njohë me arkitekturën e ndërtesave dhe me sistemin e komunikimit të brendshëm të tyre. Do të doja që lexuesi dhe banori i Këlcyrës të mos mbetet me shuarjen e kureshtjes, por t`i konsiderojë këto punime si fillimin e një kërkimi të madh që do të zgjojë historinë dhe ta sjellë Këlcyrën në qendër të vëmendjes të opinionit publik dhe atij shkencor dhe të verë në lëvizje qeverisjen qendrore dhe atë vendore për të kryer investime që ia vlejnë në këtë hapësirë të Shqipërisë juglindore.

3Pozicioni gjeografik

Sarajet e Bejlerëve të Këlcyrës janë perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës, në pjesën e poshtme të shpatit të malit Trebeshinë, poshtë të cilave kalon rruga automobilistike që lidh Këlcyrën me pjesën perëndimore të vendit, në veçanti Gjirokastrën dhe Tepelenën. Sipër Sarajeve deri tek kalaja antike, e datuar si ndërtim i shekullit të III-të para Krishtit, janë rrënojat e një qyteti, jetëgjatësia e të cilit erdhi deri në shekullin e kaluar, ku Sarajet e bejlerëve të Këlcyrës si pjesë e këtij qyteti, ishin ndërtimi arkitekturor më i bukur dhe më madhështor në Shqipërinë e jugut. Madje mund të themi se lagjia me emërtimin “Guri” pjesa më fundore e këtij qyteti është edhe në ditët e sotme, si pjesa e mbetur e një qyteti që shtrihej në shpat të malit. Ky qytet me disa qindra shtëpi-rrënoja, numri i të cilave drejtohet drejt shifrës një mijë dhe që sot përfaqësohet vetëm nga një lagje e vetme, siç është ajo e Gurit, mund të jetë ndoshta qyteti me jetëgjatësinë më të madhe, në harkun kohor të tre mijëvjeçarëve, çka e bën tërheqës për arkeologët, që çuditërisht nuk është vizituar nga ekspedita arkeologjike deri në ditët e sotme e ku mund të kryheshin gërmime e të hidhej më tepër dritë mbi gjenezën dhe historinë e tij.

Rastësisht, arkeolog Skënderi që kryen gërmimet tek Sarajet, gjeti në pjesën fundore të këtij qyteti antik me jetëgjatësi deri në ditët e sotme, një sëpatë prej guri, e brimuar, që i përket eneolitit ose para fillimit të bronzit të hershëm, gjë që tregon se ky territor ka qenë i banuar në disa mijëvjeçarë para lindjes së Krishtit.
Po atë që nuk e bën shteti, e bën një individ i përkushtuar, siç është znj. Hëna Këlcyra, që kërkon të hedhë dritë për historinë e të parëve tanë. Duhet shtuar se kjo zonjë e nderuar është me statusin e pensionistit, një pension modest që e ka siguruar nga puna e saj si emigrante. Po ajo e ka kursyer atë për një kohë të gjatë duke mos e shpenzuar të gjithin dhe më në fund ngre një ekspeditë dhe kryen gërmime tek një nga pjesët më të rëndësishme të këtij qyteti siç janë Sarajet.

4-Struktura ndërtimiore e Sarajeve.

Sarajet e Bejlerëve të Këlcyrës janë ndërtim i shekullit të XIX. Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, familja e Këlcyrajve ka qenë e internuar prej tij në Turqi. Me vdekjen e Pashait, familja u kthye përsëri në Këlcyrë. Para sundimit të Pashait të Janinës, familja e Këlcyrajve ka banuar tek kalaja antike e Këlcyrës. Por Ali Pasha ngriti aty ndërtimet e veta që do t`i shërbenin Pashallëkut të Janinës dhe siç duket prishi dhe ndërtimet e familjes së Këlcyrajve. Kur familja e Këlcyrajve u kthye nga internimi, vendosi të mos jetonte më e veçuar, në kala, por iu bashkëngjit qytetit ekzistues në pjesën e poshtme të tij, pikërisht në skajin më juglindor të shpatit të malit Trebeshinë. Vendi ku janë ngritur Sarajet ka qenë pa asnjë copëz shesh natyral. Por është copëtuar shkëmbi dhe janë krijuar gjashtë sheshe të vegjël ndërtimi, në kufijtë e njëri-tjetrit dhe në këtë mjedis janë ndërtuar gjashtë kulla madhështore, të cilat kanë pasur funksione të ndryshme. Kullat janë tre katëshe dhe çdonjëra prej tyre ka pasur funksione të veçanta. Gërmimet nuk kanë përfunduar ndaj dhe nuk mund të dilet në një përfundim të saktë, se në këtë ansambël kullash çfarë funksioni ka pasur secila prej tyre. Kulla që i përket pjesës së sipërme duhet të ketë shërbyer për fjetje. Në secilin kat, në pjesën jugore të kullës, janë banjat dhe dushet. Në kullën tjetër, ngjitur me të parën, muri në pjesën perëndimore është i zbukuruar me motive të shekullit të X-të pas Krishtit. Ky lloj zbukurimi duhet të jetë marrë nga ndonjë shtëpi apo kishë që ka ekzistuar akoma në pjesën e poshtme të qytetit, sipër Sarajeve. Sarajet, ashtu si dhe qyteti, janë furnizuar me ujë të rrjedhshëm, me tubacione, nga pjesa e sipërme e fshatit Katundishtë, lagjia e Muçejve. Në territorin e Sarajeve janë gjetur çezma uji që furnizonin mjedisin e jashtëm. Por në qendër të Sarajeve është gjetur dhe një sterë uji, që pavarësisht se uji ishte i rrjedhshëm, duhet të ketë shërbyer për furnizim në stinën e verës, kur burimet i ulin prurjet e tyre. Në mes të këtyre Sarajave, mbase njëra nga kullat, duhet të jetë përdorur si kuzhinë e familjes dhe si sallë e ngrënies. Sipas tregimit të Antonio Bladaçit në fundin e shekullit të XIX-të, i cili ka takuar vetë Beun e kësaj familjeje, Xhelalin, kishte një vend të posaçëm ku priteshin mysafirët dhe që sipas tij emërtohej selamllëk. Përveç kullave, aty ka dhe ndërtesa të tjera që duhet të jenë përdorur për personelin që shërbente në këtë familje. Sarajet janë të rrethuara nga një mur dekorativ. Në disa vende muret kanë qenë të zbukuruar me harqe.

5Kontributi i Hënës në shoqërinë shqiptare

Në këtë dhjetëvjeçarin e fundit, Hëna e ka intensifikuar kontributin e saj në dokumentimin e shumë ngjarjeve historike, të cilat ajo i kishte dëgjuar nga goja e vetë Eqerem Bej Vlorës, të babait të saj Ali Bej Këlcyra, por dhe të mjaft personaliteteve të tjera. Edhe pse jashtë Atdheut, një emigrante në kërkim të sigurimit të mjeteve të jetesës si të gjithë emigrantët e kësaj bote, Hëna ka menduar vazhdimisht për Shqipërinë, për të ardhmen e vendit tonë, pjesë e të cilit ajo është ndjerë gjithmonë, edhe pse me punën e saj ajo i ka bërë vend vetes edhe në Austri.  Edhe pse ajo e njeh mirë Austrinë, kulturën dhe historinë e saj, sidomos të qytetit të Vjenës ku dhe jeton, ajo prapëseprapë, shpirtin e saj e ka të tejbushur me Shqipërinë dhe shqiptarët, me ata njerëz që punojnë dhe luftojnë për begatinë e vendit tonë. Mban kontakte të vazhdueshme me njerëzit që njeh, komunikon me ta, debaton e kërkon të njohë më tepër nga ajo pjesë e historisë së kombit tonë që për të ka mbetur ende e panjohur për shkak të moskthimit në Shqipërisë përgjatë gjithë periudhës së sistemit komunist.
Dëshnicës i ka munguar historia reale e familjes së Këlcyrajve. Njeriu gjykon drejt kur njihet e tëra. Nëse gjykon mbi fakte dhe dëshmi të cunguara apo të përzgjedhura në funksion të një qëllimi të caktuar, atëherë historia nuk është histori dhe gjykimi mbi të është i deformuar.
Në tregimet e saj të shumta në bisedat me njerëzit, Hëna ka shpalosur një pasion të saj që është etnografia.  Në tregimet e saj vend të veçantë zënë materialet e çmuara me të cilat zbukuroheshin gratë e krahinës së Dëshnicës, punimet në dru, në hekur, bakër, etj. Në Austri, njërën nga shtëpitë e saj, Hëna e kishte të mbushur pikërisht me këto materiale, që u përkisnin pothuaj të gjitha vendeve evropiane. Në tregimet e saj do të gjesh se ishte e organizuar familja e Këlcyrajve, do të shikosh se rregullat dhe normat të cilat rregullonin jetën në familje ishin të paprekshme, askush nuk mund t`i ndryshonte ato sipas interesit të tij.
Tashmë Hëna e ka kuptuar mirë, se e gjithë kultura materiale dhe ajo shpirtërore janë përcaktueset e identitetit tonë kombëtar.
Tashmë Hëna ka vendosur të sjellë para banorëve të trevës së saj dëshmi etnografike të familjes së saj, dëshmi që përfaqësojnë traditat dhe zakonet dëshnicare. Shumë fakte dhe dëshmi nuk të presin përjetësisht. Edhe ato kanë periudhën e tyre të ruajtjes në gjendje natyrore dhe pastaj zhduken si mijëra dëshmi të tjera. Ndaj dhe Hëna ka vendosur që dëshmitë etnografike që ruhen nën rrënojat ku kanë banuar të parët e saj, t`i zhvarrosë dhe t`i bëjë të njohura për publikun.

6- Këndvështrim pozitiv për familjen e Këlcyrajve

Znj. Hëna Këlcyra ka dhënë një kontribut të ndjeshëm në emancipimin e shoqërisë shqiptare. Një shoqëri, sado e emancipuar që të jetë, ka nevojë për kontributin e gjithsecilit. Debatojmë për atë çfarë kemi bërë dhe për atë që do të bëjmë. Hëna i ka bërë një skaner të plotë historisë së trungut të saj familjar. Shoqëria shqiptare e ka njohur familjen e Këlcyrajve nga jashtë, në marrëdhëniet e kësaj familjeje të njohur me shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe në marrëdhëniet me familjet e pasura shqiptare. Një ndikim negative mbi këtë familje dha sistemi i kaluar politik në konceptin e tij antinjerëzore që njeriu i pasur është gjithmonë njeri i keq. Ky koncept ka bërë që shoqëria shqiptare e deri sotme të mos vlerësonte tek kjo familje gjërat pozitive që kishte mbartur në rrjedhë të shekujve. Nxjerrja në dritë e shumë dëshmive të kësaj familjeje që e lidhin atë ngushtësisht me interesat e vendit tonë, ka bërë që opinioni publik të ndryshojë mendim në lidhje me familjen e Këlcyrajve. Nga mjaft udhëtarë të shekullit të XIX dhe në fillimet e shekullit XX, kemi vlerësime nga më pozitivet: me kontribut të çmuar në përgatitjen e kryengritjeve antiosmane në fillimet e shekullit XX-të, në Shpalljen e Pavarësisë dhe, pas Shpalljes së Pavarësisë, në mbrojtjen e trojeve shqiptare. Mirëpo këto fakte ishin errësuar dhe ky kontribut nuk i njihej kësaj familjeje. Në këto vite të demokracisë dhe qëndrimi i shoqërisë ka ndryshuar, sepse ndryshoi koncepti me të cilin shoqëria e sotme i shikon marrëdhëniet midis shtresave të shoqërisë. I pasuri i sotëm që kontribuon në konsolidimin e shtetit shqiptar është njeri i nderuar dhe i respektuar. Në këtë këndvështrim edhe familjes së pasur të Këlcyrajve në fillimet e shekullit të kaluar dhe më tej, ka filluar t`i vlerësohet kontributi, qoftë në planin atdhetar, qoftë dhe në atë shoqëror

7-Nisma që nuk duhen të ndërpriten

Hëna me këtë nismë, që duhet përkrahur dhe mbështetur, na jep një leksion nxitës dhe njëkohësisht qortues. Duhet të nxitojmë, të dokumentojnë identitetin tonë që është këtu poshtë nesh, në trojet tona, ku dëshnicari deri më sot nuk njeh asnjë gërmim arkeologjik, ku elementët e etnografisë që do të dalin nga këto gërmime do të sqarojnë shumë çështje që deri më sot kanë mbetur të errëta dhe që presin dorën e këlcyriotit dhe përmetarit që të zbardhen. Shembullin e Hënës duhet ta ndjekë çdo familje dëshnicare. Cilido ka të ruajtur në qilarët e shtëpisë së tij diçka që e konsideron të moçme. Të veçuara një e nga një, ato nuk thonë asgjë. Të mbledhura bashkë ato ndriçojnë historinë tonë, dëshmojnë identitetin tonë.
Po nuk përjashtohet mundësia që themelet e vjetra të shtëpive tona, tashmë të braktisura në një masë të madhe, secili të gërmojë dhe të sjellë diçka nga historia e familjes së tij. I zoti i shtëpisë e di se ku mund të ruhet diçka që mund të ketë vlerë për atë vetë dhe për publikun. Secili duhet të bëjë maksimumin, kur bëhet fjalë për grumbullimin e pasurisë sonë etnografike. Themelet e shtëpive tona janë njëkohësisht dhe themelet e identitetit tonë kombëtar.
Etnografia është elementi më i sigurt në identitetin e një kombi. Të gjithë pak e nga pak, le ta grumbullojmë këtë pasuri të çmuar, sepse nesër ajo do të bëhet e pamundshme për t`u sjellë para brezave, për shkak të shkatërrimit që mund të pësojë, nëse është jashtë kujdesit të specialistëve. Krijimi i një muzeu etnografik në qytetin e Këlcyrës, do të mund të ishte hap i duhur dhe i rëndësishëm në pasqyrimin e identitetit tonë. Ky muzeum do të jetë bërthama e një nisme të madhe që do të pasurohet vazhdimisht nga brezi ynë, por dhe nga brezat që do të vijnë. Le t`u lëmë brezave të ardhshëm themelet ku do të kontribuojnë në konsolidimin e identitetit tonë kombëtar.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s