NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË / Nga : Xheni Shehaj

NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË

Nga : Xheni Shehaj

  1. Hyrje

Ky punim vjen si rezultat i një përqasjeje krahasimtare mes eposit të At Gjergj Fishtës me “Kunorën e maleve” të Njegosh-it dhe “Vdekja e Smail agë Çengiçit” të  Mazuranic-it. Sigurisht që kjo përqasje mbështetet në disa argumente, pasi për të krahasuar dy apo tri tekste duhet që ato të kenë diçka të përbashkët. Janë marrë tri poetë të cilët janë vlerësuar në kombet e tyre. “Ashtu si Fishtës nga shqiptarët, edhe Njegosh-it nga serbët, Martic-it nga kroatët e Bosnjes dhe Mazhuranic-it nga kroatët iu është dhënë titulli ‘Homer’ i kombit të vet.”1  Veprat e tyre kanë tiparet e eposit çka e ndihmon studimin tonë. “Karakteri dhe historia e një populli pasqyrohen më së miri në poezinë popullore. Një pjesë kryesore të poezisë popullore së vendeve ballkanike e përbën epika. Epika popullore e viseve të Ballkanit fillon me kohën turke dhe mbaron me të. Ajo lindet dhe zhvillohet nga kontrasti me turqit dhe nga kundërshtimi ndaj tyre.”2

“Poezija popullore jo veçse s’do lanë m’anesh, por do ruejt si nji visar i çmueshëm, si nji flakë prejë t’cillës do t’marrë dritë e nder komi.”3  Eposi ka lindur që në lashtësi, pati lulëzimin e vet e më pas shteroi duke ia lënë vendin gjinive të tjera. Eposet rrëfejnë ngjarje të mëdha, kryesisht luftra, beteja. Personazhet, karakteret në epos janë nga më të larmishmet. Gjejmë aty trimat kreshnikë, armiqtë e egër, tradhëtarët e pabesë, aedët e verbër. Ballkani ka qenë kurdoherë “fuçi baroti”, në çdo kohë ka nxjerrë trima, heronj por dhe njerëz pa karakter, batakçinj e sahanlëpirës. Në veprat e marra për studim gjejmë shqiptarin kreshnik, kroatin trim e serbin azgan. Linjat që përshkojnë këto tri epose nuk janë kurrë të drejta.

At Gjergj Fishta

Shtjellimi nis vrullshëm për t’u përmbyllur edhe më furishëm. Synimi ynë është të pikasim pikat e përbashkëta por dhe dallimet, pasi janë këto të fundit që tregojnë origjinalitetin e poetëve. Temat, motivet e përbashkëta, religjioni, nderi, burrnija, pabesia, të gjitha këto janë të pranishme si tek eposi ynë dhe te ai i autorëve sllavojugorë. E megjithatë funksioni që kryejnë në tekst, mënyra se si janë dhënë, ngjyrimi që kanë marrë është i ndryshëm nga njëri autor te tjetri. Puna jonë është fokusuar në disa pika që ngjallin interes te studiuesit. Është fjala për pikëtakime mes tri poemave, pikëtakime që ndërtojnë dhe vënë në lëvizje boshtin kryesor të tyre. Të tri poetët nuk i bashkon vetëm gjinia të cilën ata kanë lëvruar, kjo është emëruesi i përbashkët. Këtë bashkim, këtë trajektore që poetët kanë përshkruar e përforcojnë këto tipare, elemente që janë pjesë e subjektit të veprave. Në vijim do thellohemi mbi këto motive, tema, variante që autorët i kanë bërë pjesë të artit të tyre.

—————————————

1 Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, Tiranë, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2007, f. 26.

2 Eqrem Çabej, Për gjenezën e literaturës shqipe, Tiranë, 1939, në Studime gjuhësore V, Prishtinë, 1975, f. 37.

3 At Vinçenc Prennushi, Visari Komtar I, Kangë popullore gegnishte, Shkodër, Botime Françeskane, 2013, f. IX.

 

  1. Dy fjalë për Lahutën, struktura, përmbajtja, botimi, censurimi.

2.1. Ndërtimi dhe përmbajtja e veprës

“Poema përbëhet prej 15613 vargjesh tetërrokësh (me theks kryesisht mbi rrokjen e 3-të dhe të 7-të, siç e do tradita shqiptare e vargut), të organizuara në 30 këngë.4  Në vija të përgjithshme kritika ka evindentuar tri rrafshe kohore të Lahutës që i përkojnë tri nyjave kryesore tematike rreth të cilave autori ndërton episodet:

  1. a) lufta e familjeve të Hotit dhe Grudës kundër malazezëve në 1856-58 dhe ngjarjet e betejës së Vraninës. (Kk. I – V);
  2. b) ngjarjet rreth Kongresit të Berlinit, 1878 dhe krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, deri më 1880. (Kk. VI – XXV);
  3. c) revolucioni xhonturk dhe luftërat ballkanike 1912-1913 kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër ndan sërish trojet shqiptare për të kënaqur kërkesat e fqinjëve sllavë dhe grekë. (Kk. XXVI – XXX).5

At Zef Pllumi në parathënien e Lahutës, jep gjashtë rrafshe historike të cilat lidhen me njëra – tjetrën përmes një kënge ndërlidhëse. “Gjithnji tue pasë mendjen te Lahuta e Malcìs atij i erdh mendimi gjenial që t’i bashkonte ngjarjet e kohëve të ndryshme, e vendeve të ndryshme me nga nji kangë ndërlidhëse.” 6

Dhe ja se si e sheh të strukturuar veprën Z.Pllumi:

1) Cikli i Oso Kukës pesë kangë, ose lufta e Vraninës në vjetin 1858. Kanga e gjashtë: Dervish Pasha paraqet nji periudhë njizet – tridhetë vjeçare luftash turke – malazeze.

2) Cikli i dytë: Lidhja e Prizrenit (1878) përfshinë katër kangë. Kanga ndërlidhëse asht Lugati ose Kanga e 11-të.

3) Cikli i tretë: Te Ura e Rrzhanicës (1880) që përfshinë që prej Kangës 12 –të deri në të 15- tën. Si kangë ndërlidhëse vjen Kanga e 16- të: Kulshedra.

4) Cikli i katërt: Te Ura e Sutjeskës që përfshinë nga Kanga 17 –të deri te Kanga e 21 –të, nëpër të cilën bahet ndërlidhja me Ndërmjetësia.

———————————————–

4 Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, Tiranë, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2007, f. 14.

5 po aty, f. 16.

6 Zef Pllumi, “Parathanje”, në Fishta Lahuta e malcis, Me fjalorë të At Benedikt Demës dhe parathanje të At Zef Pllumit, Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. XVI.

 

5) Cikli i pestë: Tringa që përfshinë që nga Kanga 22-të deri te e 25 –ta. Kanga e 26-të: Koha e re, ndërlidhë perjudhën e luftave të kohës së Lidhjes së Prizrenit me ato në zhvillim në shekullin e njizetët.

6) Cikli i gjashtë: Dedë Gjo Luli ose kryengritja e malsorëve në vjetin 1911 e përfundon me traktatin e Londrës më 1913.7

2.2. Botimi i veprës

Veprat e gjenive u mbijetojnë kohërave. Kështu ndodhi dhe me Lahutën e Fishtës. Një vepër si ajo nuk kish se si të mos botohej e ribotohej. Teksti përfundimtar do të botohej më 28 nëntor 1937. “Pjesa më e madhe e këngëve do të botohej veçmas,në variante të përpunuara shpesh prej autorit, deri në formën përfundimtare. Dy blejt e parë të Lahutës të titulluar Lahuta e maltsiis.Kangë popullore, Blèe i parë dhe Lahuta e maltsiis. Blèe i dytë përbëjnë gjithsej tetë këngë të veprës përfundimtare të botuar më 1937.”8  “Dimë se autori deri në çastin e fundit ka kryer modifikime dhe korrigjime të shumta, si për të eliminuar gabimet, ashtu edhe për të përsosur tekstin.”9

“At Daniel Gjeçaj përgatiti botimin e dytë të veprës duke bërë disa ndryshime ortografike. Këto ndryshime vijnë dhe me disa risi:

  1. përmasat e gërmës;
  2. numërimi i vargjeve;
  3. përmbledhja e këngëve;
  4. shënimet shpjeguese në tekst.”10

Ribotimet e veprës sa vinin dhe përmirësoheshin dhe këtë e vërteton shtimi i fjalorit të B.Demës në fund të veprës. Për t’i ardhur në ndihmë lexuesit të mësuar me shqipen standarte në ribotimin e tretë në fund vihet dhe një fjalorth që sqaron fjalët arkaike të gegërishtes.

 

  1. 3. Censurimi

Fati i kryeveprave kurdoherë ka qenë i trishtë në krye për të triumfuar në fund. Regjimet e egra, të trembura nga forca e pashtershme e artit në përgjithësi dhe letërsisë në veçanti mundoheshin ta shfarosnin, ta digjnin, ta shkatërronin të bukurën.

——————————————–

7 Zef Pllumi, “Parathanje”, në Fishta Lahuta e malcis, Me fjalorë të At Benedikt Demës dhe parathanje të At Zef Pllumit, Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. XVII.

8 Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, Tiranë, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2007, f. 14.

9 po aty, f. 18.

10 po aty, f. 19.

Ky ka qenë dhe fati i shumë veprave në rrjedhë të kohës. Shkrimtarë të ndaluar, të internuar, vepra të djegura, ndalime botimesh. Por artistin, gjeniun, asgjë se ndal. Tash që shkruaj këto rradhë më vijnë ndër mend personazhe të trilluar që kuptonin fuqinë e artit dhe s’i ndalte asgjë. Këtë fat pati dhe Lahuta gjatë regjimit diktatorial të E. Hoxhës.  “Censurimi rrodhi si pasojë e idilit shqiptaro – sllav, imazhi i të cilit turbullohej nga nacionalizmi antisllav i Fishtës.”11

Gjatë regjimit komunist Fishta u ndalua ashtu si dhe shumë shkrimtarë të tjerë. Kleri katolik pësoi humbjet më të mëdha gjatë kësaj periudhe. Kujtimet drithëruese rrëfehen prej At Zef Pllumit. Ja se si e përshkruan ai ndalimin e veprës dhe dhunimin e varrit të poetit.

“Me datën 6 shkurt 1967 tirani e shpalli me sulm ‘revolucionin kultural’ edhe këtu ndër ne, e ia kaloi. Feja u ndalue. Kishat e xhamijat u shembën përtokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuj e tradhtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër, iu suellën vorrit në fund të kishës, e dhunuen, shkatërruen. Kje natë. Simpas nji dishmitari okular, eshtrat e të vorruemit i nxuerrën gjithë inad e i hodhën në Drin. Partia kishte vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në kino – teatër.”12

Partia kishte vendosur që jo vetëm të ndalonte veprën e Fishtës por dhe atë si person fizik (tashmë jo më në jetë) duke i dhunuar varrin. Pas rënies së diktaturës, Fishta dhe vepra e tij u rehabilituan, rimorën vendin që i takonte në letrat shqipe. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë duket se mezi e ka pritur “të dëbuarin”. Menjëherë pas rikthimit të qetësisë u bënë mbledhje, u recituan vargje nga Lahuta. Aurel Plasari në fjalën që mbajti në mbledhjen e Lidhjes kërkon prej botës së letrave, lexuesve, intelektualëve të rivënë Fishtën në piedistalin e mohuar.

“Gjysmë shekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje edhe për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Ta mbrojmë këtë jetëgjatësi duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre e sidomos duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha: jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon.”13

Siç vërehet, rrugëtimi i Lahutës ka qenë i gjatë e i lodhshëm.  Pjesa më e madhe e studiuesve janë të një mendjeje për vlerën e padiskutueshme të eposit fishtian. Faza e rehabilitimit ka kohë që ka kaluar. Tashmë ngrihen çështje të tjera si; ideologjia nacionale. I takon kritikës, studiuesve të merren me veprën si tërësi, kompleksitet, si unitet i pandarë.

——————————————

11 Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, Tiranë, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2007, f. 22.

12 At Zef Pllumi, Françeskanët e mëdhaj, Tiranë, 2001, f. 24.

13 po aty, f. 27.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s