Poezi nga Petrit Nika

Poezi nga Petrit Nika
 
 
FOSILE
 
Orët e mia kalojnë në heshtje,
nën pikat e shiut të mërzisë;
ditët e mia të shtypura,
nga krahët viganë të dëshprimit;
si luledele, jeta ime
pikon vuajtje
të bardhë,
të verdhë.
 
Ç’mrekulli, kur ushqehesh
me fosilet e lumturisë tënde!
Je prapë një mbrëmje
nga mbrëmjet e shkuara,
ndonëse gjysmake,
megjithë përkujdesjet e dukshme të natyrës.
 
 
 
NOKTURN PËR NJË VAJZË POETE
NGA SHKODRA
 
Ora dymbëdhjetë. Tek pres i menduar
shiun që matet dhe akoma s’po bie,
në kafé Royal, mu në zemër të Shkodrës,
s’e di si më erdhe në jetë.
 
Është ditë e zakonshme prilli,
si gjithë të tjerat që s’janë më asgjëkundi,
si ti një vajzë e zakonshme fshati,
si gjithë të tjerat që kam njohur
e s’kam njohur, – pra,
thjesht një rastësi,
që më bën të jem dyfish i menduar.
 
S’të kam parë, as të kam njohur kurrë,
veç nëpërmjet eterit të një pranvere
të largët pafajsie,
prandaj desha të di në këtë kohë vetmie,
në pritje të shiut,
nëse je akoma ajo e para shtatë viteve,
me sytë imagjinarë prej ëndërre,
me flokët imagjinare prej hëne
dhe me atë pëshpëritje vjeshte
të parakohshme ngjyrë gri.
 
Apo mos vallë u je nënshtruar,
sfidave, zhurmave, mungesave
dhe tani ke harruar t’i kultivosh
ato bimë të praruara kotësie;
je e martuar me një bujk
a emigrant të trishtuar,
ke një fëmijë, dy, a mbase
në këtë kohë dreke prilli,
si gjithë të tjerat që s’janë asgjëkundi,
e vetmuar përjetësisht si unë,
pret shiun që matet dhe akoma s’po bie.
 
Lexon gazetat e vonuara,
revistat e modës së shkuar;
nuk habitesh për asgjë,
nuk gëzohesh më me atë gëzimin fëminor,
si dikur;
nuk qahesh për asgjë
dhe asgjë nuk pret nga kjo botë,
veç mbase pak më shumë qetësi,
aq të nevojshme për të qenë privatisht
në koordinatat e tua.
 
Apo mos ndoshta, tani,
shëtit nëpër këto rrugë të martirizuara,
m’u para syve të mi,
me një Mercedes – tip i fundit
vjedhur në Mal të Zi;
mban në xhepa telefon
dhe pak mariuhanë,
ndoshta, ndoshta…
Dhe pse unë ngre ekuacionin
me ikse, në kafé Royal,
s’di si më erdhe aq ëndshëm,
si atëherë, në atë pranverë të largët,
me sytë imagjinarë prej ëndrre,
me flokët imagjinare prej hëne
dhe me atë pëshpëritje vjeshte
të parakohshme ngjyrë gri.
 
 
 
KTHIMI I ODISEUT NË ITAKË
 
Agshol mjegullor. Anì misterioze,
çan ujërat e mefshta të detit Mesdhe,
kërcasin direkët dhe velat e mallit
mbështillen mbi krye t’udhëtarit Odise.
 
Zgjohen ngadalë syprinave gjallesat,
llampat e qiellit fiken në fshehtësi;
njëzet vjet heroi humbi në detëra,
tevona – gjet vragën e Itakës së tij.
 
Mbi tëmtha thinjat i zbardhin n’për ag,
(kreshnik itakas riosh la atdhenë);
Kaq vite firuan; me humbje a lavd,
kurrgjë djalërinë heroit s’ia kthen.
 
Anì misterioze mes ujërash hepohet,
ta presë në breg askush s’ka dalë,
asnjë flamur për heroin s’çohet,
veç shiu këngëzon mbi direk me mall.
 
S’ka as Penelopë. Çdo ndjenjë zbehu koha
Dhe pritja e femrës e pati një cak.
S’e dinte Odiseu ç’legjenda të kota,
kthimi i tij do mbillte mbas pak.
 
Odiseu n’Itakë mbas vitesh t’shtegtimit,
s’u kthye të mbretërojë; u kthye të vdesë,
këtë gjë fort mirë e dinte Penelopa,
ndaj mashtroi kush tha se kuturisi të presë.
 
Itakë e gjorë! Burrit të lavdishëm,
nën qiellin e vranët moskokëçarëse i rri,
mbi tëmthat e bardhë të luftëtarit pikët,
rrëshqasin me mal dhe prehen m’anì.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s