Poezi nga Lola Musliaj Agaj

Poezi nga Lola Musliaj Agaj
 
 
MOHIM
 
Jam një shpirt në arrati ,
pa Atdhe, pa themel, pa qiellin tim,
ndërsa mes turmës përzihem,
ndjehem më e vetme se kurrë.
Zhurma të pakuptimta
që shqisat refuzojnë t’i kuptojnë,
e kot lodhem, në gjuhën e shpirtit tim
s’ flet dhe s’kthen përgjigje askush.
 
E dhimbshme të të mohojnë
pa pritur mengjesin të këndojë gjeli,
puthjen e Judës ta japin plot finesë,
shoqëruar me kokteil buzëqeshje vesh më vesh.
Andaj vazhdoni lojën ju , hipokritë,
argëtohuni me zhurmën e thyerjes në copa
të një shpirti që çdo mbrëmje vdes pa bujë
e prap pa bujë çdo mëngjes rilind !!…
 
 
 
SIKUR T’ ISHA DJALË
 
Sikur t’ isha djalë,
këtë Botë të ndyrë ta përmbysja,
nën armën e fjalës së lirë
vazhdimisht nën shënjestër t’i mbaja
sharlatanë e hipokritë,
e me plot dëshirë të shkelja
të gjitha tabutë e rregullat
e pashkruara të Tempullit -Fjalë,
pa u merakosur kur do më shtypë
pesha e paragjykimit nga faji
i të qënurit thjeshtë femër,
nga ata që më të fëlliqtë
se vetë fëlliqësia janë.
 
Sikur t’ isha djalë,
të shijoja lirinë e fjalës,
e jo këtë liri të rreme
që dergjet në autocensurë,
e në pranga ,pa gjyq,
prej të tjerëve vihet përditë .
Një libër udhëzimesh më duhet,
të më mësojë si ta kaloj ylberin,
e veç një herë të vetme
të gjindesha në anën tjetër,
jashtë mantelit- Femër,
që kaq ngushtë po më rri.
Edhe sikur të ishte
e fundmja gjë mbi këtë dhé,
veç të shihja Botën jo prej lart,
por sy më sy,
lartësia e takave
ka filluar të më bezdisë…
 
 
 
N’ DAÇ
 
Lexoji kur t’ kesh kohë
këta rrjeshta që presin me u ledhatu prej teje,
n’ daç lexoji me i pas si udhërrëfyes
në ditët e tua mâ t’ trishta,
e me t’ bâ shoqni nën neonët e fikun t’ shpresës.
N’ daç lexoji kur t’ jesh vetëm,
në netët mâ t’ ftofta t’ dimnit e të tuat,
kanë me t’ kuptu e ke me i kuptu,
e afër oxhakut kanë me t’u duk shoku yt mâ i ngushtë
e lotin e nxehtë kur t’ bijn’ as s’ke me e diktu.
 
E kur mos t’ jesh mâ pjesë e udhëve t’ mërzisë
e rrugicat e errëta t’ saj s’ke me i shkel as pa dashtë si dikur,
e kur i pushtuem t’ jesh prej shkëlqimit e euforisë ,
s’ke me pas mâ kohë për vargje t’ mijat , e di .
Por n’ daç e n’ mundsh,
lexoji tash që je n’ kohë ,
në fillim me mendje,
e mbrapa lexoji edhe nji herë tjetër me zemër,
e mos m’i shkel me kâmbën e cinizmit,
se n’ ato rrjeshta âsht krejt bota eme….

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s