Letër mikut tim… (Mendime rreth librit poetik “ Val’ e bregut valë” të krijuesit Leonard Bixhili.) / Nga: Andrea Petromilo

Letër mikut tim…

(Mendime rreth librit poetik “ Val’ e bregut valë” të krijuesit Leonard Bixhili.)

 

Nga: Andrea Petromilo

Vjen një ditë…Kështu po i nis shënimet e mia, pasi e lexova librin tënd poetik, i nderuar miku im. Që në fillim mu krijua një ndjesi, që lidhet me një shpërthim të botës tuaj emocionale drejt krijimit nga një, apo disa faktorë, që ndërvepruan njëherësh, pra, ranë në rezonancë dhe “shembën” atë “ fragmë” solide që ishte “ndërtuar brenda teje ndër vite. Do doja në një çast ta krahasoja librin tënd, me të tetëdhjetë poezitë që përmban, si një dallgë, që pasi përplaset fuqishëm në një shkëmb buzë detit, karakteristikë e detit të vendlidjes tuaj, dhe pasi “copëtohet” e shpërbëhet në miliarda pikëza, ngrihen në ajër, e që pas pak bien nxitimthi në “shtratin e shqetësuar” shkumë-bardhë të asaj mase ujore të egërsuar…Por më kot kërkojnë qetësi pasi përfshihen përsëri nga vrullimi i dallgës së më pasme… Nuk e di sa i saktë jam në këtë perifrazim për një analogi, por, ja që sapo e përfundova së lexuari, kjo ndjesi më vrundulloi në mendje… Duke njohur, sigurisht së largu, jetën tuaj në sferën e kulturës, pra, të profesionit të një masoviku, si dhe duke patur në rrethin tuaj shoqëror, siç edhe i keni evidentuar në poezitë tuaja, kompozitorë, muzikantë, dirigjentë, etj… kanë ndikuar për të formuar “detin“ tuaj poetik, i cili gjeti çastin për të ngritur “dallgën” emocionale… Pra, vjen një ditë që shqetësimi emocional do shpërthejë

Leonard Bixhili

… Dhe kështu ndodhi me ju. Tematika e poezive tuaja vjen nga qëmtimi ndër vite i fenomeneve të prekshme dhe nga ditët e sotme, por që me sa vërej mbështillen nga manteli i nostalgjisë… Bukur! Tek nostalgjia fshihet ndjenja, dhe, kur derdhet ndjenja në vargje, atëhere poezia ka musht, ka lëng, e kështu mbahet e freskët dhe “shijohet”. Pjesa më e madhe e poezive, që, ashtu siç e pohon dhe vetë, ndër vargje janë vitet e shkollës, shoqëria dhe takimi pas dyzet vitesh. Aty bëhet apeli, përjetohen përmes kujtimeve gjithë ato çaste të rinisë së hershme, kujtohen shokët dhe bëmat, dhe, si një grigjë e urtë, që pret ledhatimin, afrohet portreti i pedagogëve, atyre që ju hapën shtigjet e frymëzimit krijues, ngrihet për të zënë majën e “pemës” respekti ndaj tyre… Ja, kështu udhëtuan ato ëndrra brenda teje, miku im, të dlirta… Ashtu, me të njëjtën fizionomi, nostalgjia jote rendi drejt vendlindjes, te bukuria e fshatit tënd Dhërmiut, kësaj perle të bregdetit tonë Jonian, për t’i kënduar atij me të gjithë ngjyrat… Të kujtosh këngët mahnitëse dhe ato figura që i çuan drejt pushtimit të hapsirave qiellore krejt të kaltra, të flurosh fëmijërinë sa të varfër, po aq të ëmbël, siç shijon një frut të këputur në kohën e pjekjes, ndërsa ktheheshit nga banja gjatë verës…; pa harruar idilin e dashurisë që shëtiste ndrojtur sokaqeve të gurta….; por nënat e lodhura nga punët e rënda të ditës, nuk ndjeheshin të qeta për të “ zbuluar” sekretin e fëmijëve të tyre… (Eh, rinia!) Të gjitha këto i gjen në vargjet e tua, në poezitë, që me kaq pasion u ke dhënë jetë. Nuk mund të të shpëtonin nga fokusi i vëzhgimit as situatat e ditëve të sotme, politika e “ përdalë”, që shëmbi gjithçka të bukur, që sot shikon një plak të zvarritet i pangrënë, që askund nuk ke siguri në jetë, që njerëzia, si një “ mbretëri bletësh” u rroit e roitet dhe merr udhët e emigracionit…. Shqetësimi yt poetik nuk u anashkalon fenomeneve dhe veseve që për kaq vite tranzicioni, lulëzojnë përditë si monstra shëmtimi, përkundrazi i rrok dhe mban qëndrim, i vë në ingranazhin lëvizës të arsyes për ta dhënë mesazhin e qartë, siç janë ato të vjedhjes prej politikanëve të pasurive të shtetit kur populli vuan e heq, të rinisë që në emër të modernizmit shpërfytyron portretin duke ekspozuar barkun, gjokset, me vëth në veshë, plot tatuazhe, që nuk e duan punën e mbeten kafeneve, që droga e çon drejt humnerave jetën e tyre…por që brezi i prindërve nuk mund të pajtohet dhe qeverisë kjo as që i intereson

Val’ e bregut valë

I nderuar, miku im nuk do doja të rendisja poezitëmë të spikatura, por me lejo të diferencoj disa prej tyre, si :“ E mban mend atë ditë”, Dialog me detin”, “ Prapë desha t’ju dëgjoj”, “ Mëngjes herët”, “Shoqes së bankës”, “Xhimi ynë nga Lukova” etj… Ndërsa jam duke përfunduar, doja të të sugjeroja, se shpesh ndihet nxitimi për të hedhur emocionin në letër, por ama, siç ndodhte kur nënat tona donin të zinin brumin për bukë pasi u kishte ikur koha dhe shtëpia mbetej pa të, nxitonin dhe e nxirrnin furrën ende pa u terur mirë buka… Dhe më kot prisnim ta shijonim bukën e papjekur dhe që ta hanim e afronim tek prushi i vatrës… Duhej të punoje pak më tepër për nivelin artistik, pasi figuracioni, ajo dantellë që i jep bukurinë vargut, thuajse mungon në një masë të gjerë. Gjithashtu jo kudo mund të dallohet mesazhi poetik… Megjithatë, si libri i parë, i uroj udhë të mbarë në destinacionin e nisur! Suksese…!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s