NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË / Nga: Xheni Shehaj

NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË

Nga: Xheni Shehaj

  1. Autorët sllavë dhe eposet përkatëse

3.1. Vdekja e Smail – Agë Çengiqit   (Ivan Mazhuraniq)

“Vdekja e Smail- Agë Çengiqit” asht vepër e shkurtë. Për këtë ajo nuk mund të quhet epos në kuptimin e vërtetë të fjalës. Megjithë këtë, ajo asht e pasun në përmbajtje tue na prekë edhe me plotmënin e akcionit edhe me llojë – llojëshmënin e asociacioneve që ndjell. Stili i Mazhuraniqit në Vdekjen e Smail – Agë Çengiqit asht shprehimisht popullor.14

“Mazuranic-i për nga formimi dhe gjurmët e pranishme në vepër, dëshmon të jetë bir i klasicitetit, me gjithë tejkalimin e modelit klasik në të gjitha drejtimet. Në këtë kuptim, ‘klasiciteti’ i veprës së Mazuranic-it do lexuar në këndvështrim jo thjesht letrar, por të ‘universalizmit’ të vlerave etike që shpalosen aty: fe dhe drejtësi njerëzore.”15

E marrë në kompleksitetin e vet, lufta së cilës i këndohet në vepër nuk është luftë për pushtime territoresh. Nga mënyra e të përshkruarit, ajo paraqitet si një luftë ‘fetare’. Termi ‘kryqalitë’ që turqit përdorin për malazezeët si shprehje fyese vendos një hendek në lidhje me religjionin. Kemi gjysmëhënën nga një anë, kryqin nga ana tjetër. Ka dhe elementë të tjerë në vepër të cilat flasin për një luftë fetare në vetvete. Vepra e Mazhuraniqit ndahet në pesë këngë:

I – Agalluku

II – Natari

III – Çeta

IV – Haraçi

V – Kobi

Teksti nis me torturat që turqit me urdhër të Smail agës u bëjnë malazezëve të zënë rob. Autori rrëfen trimërinë e pashoqe të malazezëve përballë dhimbjes. Në epos dalin figura të ndryshme si ajo e tradhëtarit, e këngëtarit popullor, e bariut shpritëror që predikon dhe pagëzon luftëtarët. Vepra është e mbushur me frymë patriotike, me material popullor dhe me besim të patundur te Jezu Krishti. I gjithë teksti është ndërtuat në një linjë  koherente duke i dhënë lexuesit një tablo të qartë të ngjarjeve.

—————————————–

 14 Ivan Mazhuraniq, Vdekja e Smail – Agë Çengiqit, Beograd,  1963, f. 13.

15 Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, Tiranë, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2007, f. 47.

3.2. Kunora e maleve – Petar Petroviç Njegosh

Kunora e maleve është vepra më e rëndësishme e Njegosh-it. Në të pasqyrohet lufta për liri e pavarësi. Njegoshi për të shkruar eposin e tij është bazuar në ngjarje historike dhe në epikën popullore. “Vepra sillet rreth katër ngjarjeve themelore, si rreth katër akteve në një dramë:

Pjesa e parë është Mbledhja në prak të ditës të së Shenjtës Trini në Llovqen;

Pjesa e dytë, Mbedhja ditën e Zonjës së Vogël në Cetinë ku është vendosur për të bërë kryengritje;

Pjesa e tretë, Mbledhja me krerët turq po në Cetinë;

Pjesa e katërt, Këshnellat e Vjeti i ri kur bëhet shfarosja e zhbimja e turkoshakëve.”16

Njegoshi ashtu si dhe Mazhuraniqi e ndërton eposin e tij në një drejtim të mirëpërcaktuar. Vepra e tij nis me monologun e vlladika Danillos. Ky është prijësi i serbëve në vepër, mirëpo del si personazh i lëkundur. Nuk është frikacak por i brumosur në besim nuk arrin të qartësojë idetë, të vendosë se ç’duhet bërë me rrezikun që i kanoset popullit të tij. Vepra nis me monolog për të vazhduar me dialog të ngjeshur e të shpeshtë. Teksti i Njegoshit teksa e lexon të krijon përshtypjen se je duke shijuar një dramë. Përmendja e personazheve pjesëmarrës, ligjërimi i ndërtuar në formë dialogu janë elemente të dukshme.

Vepra bart një sërë tiparesh popullore e religjioze. Në themel të saj, ashtu si dhe tek Mazhuraniqi qëndron konflikti fetar, krishtërim vs myslimanizëm. Kjo është një nga motorët që e bëjnë tekstin të lëvizë. Për serbët të ndërrosh fenë do të thotë të humbësh identitetin. Për ta feja e tyre ishte superiore karshi osmanëve myslimanë. Në vepër nuk mungon materiali folklorik, i cili zë një pjesë të mirë dhe për më tepër është përdorur qëllimisht e me shumë mjeshtëri prej poetit për të theksuar momente të caktuara. Pas thurjes së subjetit qëndron një unitet solid që strukturon tërësinë e poemës. “Çështjen e truqizimit, që pushtuesi turk e përdorte me forcë e me para kudo në Ballkan, e ka paraqitur Njegoshi në Kunorën e maleve si kalim në anën e të fortit, si tradhtinë e flamurit në fushën e luftës, si fyemjen e rëndë të historisë kombëtare.”17  Njegoshi përmes penës së tij ka riprodhuar një ngjarje historike duke i dhënë ngjyra e përmasa të tjera për ta sjellë te lexuesi.

—————————————–

16 Petar Petroviç Njegosh, Kunora e maleve, Prishtinë, “Rilindja”, 1981, f. 14.

17 po aty, f. 14.

  1. Pikëtakimet mes Fishtës dhe sllavëve

Gjatë studimit të tri autorëve, dalin mbi sipërfaqe disa pikëtakime të cilat i kemi pjesë të punës. Të habit fakti se si mund të ketë pika të përbashkëta mes tri shkrimtarëve. Këtu nuk është fjala për disa pasazhe të vakëta që fare mirë mund t’i gjejmë dhe te plot autorë të tjerë. Bëhet fjalë për pikëtakime që ndërtojnë subjektin e poemës, pika kyçe që përbëjnë boshtin e veprës. Në të vërtetë nuk ka një shumësi pikash të njëjta por ato që janë, janë mëse të mjaftueshme për të kuptuar mënyrën se si funksionojnë këto epose. Le t’i shqyrtojmë një nga një këta emërues të përbashkët.

  1. a) Përshkrimi i çetës te Fishta dhe Mazhuraniqi;

Fishta e përshkruan me imtësi çetën shqiptare ndryshe nga Mazhuraniqi që flet në përgjithësi mbi çetën malazeze. Madje dhe për kryetarin e çetës, Mirkon nuk jep shumë detaje.

“Çeta e vogël, por kreshnike:

40 vetë ma s’janë me t’njehun:

djelm të zgjedhun n’mal e n’vrri,

jo për dukë e për pashi,

por për zemër e për trimni.”18

Kështu e nis poeti ynë përshkrimin për çetën e Osos për të kaluar më pas në përmendjen e trimave një për një.

“Oso Kuka na u ka pri

Oso Kuka, i rrfè prej qiellet,

shoq nuk ka kah vranë e kthiellet.”19

“Soko Tona, si Valbona,

larg përmend m’kto male t’ona,

si për bukë n’shpi t’tij të ngranme,

si për pushkë e besë të dhanme.”20

Fishta vazhdon më tej përshkrimin e çetës kreshnike duke e njohur lexuesin me tiparet fizike dhe shpirtërore të luftëtarëve.

—————————————

18 At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. 19.

19 po aty, f. 19.

20 po aty, f. 20.

“Mbrapa i shkon qa i biri i t’mirit,

Tara Pllumi i Jegumirit.

Mandej vijnë dy re mizore,

dy djelmoça prej zagore:

Kaçel Doda e Kerrni Gila,

rritun mocë si karajfila.”21

Dhe kështu vazhdon Fishta duke dhënë detaje për kreshnikët shqiptarë. Mazhuraniqi e jep tablonë e çetës malazeze më pak të detajuar.

“Na u çue çet’ e vogël

mu në Cetinjë t’Malit t’Zi.

Çet’ e vogël, por kreshnike.

Në të mezi ‘iqind trima;

por jo trima që janë t’zgjedhun

vetëm për dukë e pasha,

por për zemër e trimni.”22

Togfjalëshi ‘çetë e vogël, por kreshnike’ është tregues jo vetëm i forcës por dhe madhësisë; nga një anë çeta shqiptare e vogël përballë asaj malazeze, nga ana tjetër çeta e vogël malazeze përballë asaj osmane.

“Çeta trime për t’kalue ditën

në Moraç’n e ftohtë qëndroi.

Kush u shtri në bar t’vesuem

me gjum’ t’përtrijë fuqin trupore,

kush strallin i provon pushkës

dhe fyshekët vdekës njeh.”23

——————————-

21 At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. 20.

22 Ivan Mazhuraniq, Vdekja e Smail – Agë Çengiqit, Beograd,  1963, f. 27.

23 po aty, f. 30.

Mazhuraniqi dhe Fishta takohen pikërisht në përshkrimin fizik dhe shpirtëror të çetës së luftëtarëve. Edhe pse e bëjnë në mënyra të ndryshme, në thelb është po ai konstrukt, po ajo mënyrë shprehëse.

  1. b) Figura e udhëheqësit shpirtëror; Patër Gjoni te Fishta, bariu shpirtëror te Mazhuraniqi.

Udhëheqësi shpirtëror është i pranishëm te Fishta dhe Mazhuraniqi. Kjo figurë është tipike religjioze. Edhe pse i përdorur nga dy autorët, secili prej tyre e ka përdorur sipas veçantisë së vet. Te Fishta, del figura e Patër Gjonit. Është ky personazh që luan rolin e bariut që udhëheq grigjën e vet. Te Mazhuraniqi, bariu që prin kopenë nuk del me emër, dhe për më tepër nuk merr pjesë në luftë, ndërkohë që Pater Gjoni lufton përkrah luftëtarëve.

“Patër Gjoni bashkohet me malësorët si udhëheqës shpirtëror ndërsa këta të fundit drejtohen për në fushën e betejës, pasi e quan të drejtë çështjen për të cilën ata luftojnë dhe prandaj është i sigurtë se nuk dhunon doktrinën e krishterë dhe urdhëresën ‘mos vrit’. Ndryshe nga ‘barinjtë’ sllavojugorë, që ngelen vetëm formalisht në rolin e udhëheqësit shpirtëror, por realisht përgatitës të ‘gjakmarrjes’. Fishta nuk frikësohet ta bashkojë personazhin frat me luftëtarët, të cilët ishin nisur gjithsesi në luftë pa nxitjen e tij.”24

“Veç ti a e njef njat guna – zi,

qi me at çetë burrash perzi

pllojcë litarin lidhë për ì,

kambën zbathë, kryqen në gji.

Aj asht, Zanë, Frati i Kelmendit

Pater Gjoni quejtuen emnit,

qi për krah me famulli,

asht tue dalë aj vetë n’ushtri.”25

Patër Gjoni jo vetëm që bashkohet me luftëtarët por u ndez gjakun atyre për t’u hedhur në luftë pa marrë parasysh faktin që i përket një komuniteti të caktuar, i cili se pranon luftën. Bariu i sllavëve kërkon t’ua çojë shpirtin peshë trimave duke iu përmendur Zotin. Ai është i lidhur ngushtë me fenë dhe nuk e harron misionin e tij. Është feja që përbën rrafshin thelbësor të tekstit të Mazhuraniqit. Bariu i tij u kërkon luftëtarëve të pendohen për mëkatet që kanë bërë, u flet për rëndësinë e kryqit, për faljen e mëkateve, madje pagëzon dhe Novicën para se ata të nisen për luftë.

—————————————

24 Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, Tiranë, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2007, f. 71.

25At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis,  Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. 235.

“Kur qe, dikur, tjetri bari ia behu,

grigjës së vet përvujshëm i drejtohet.

Nuk e zbukuron as ar as argjend,

por virtyti dhe xhybja e zezë.”26

Në këto vargje autori tregon ardhjen e bariut para grigjës së luftëtarëve. Më pas ai jep fjalimin e tij para trimave. Mazhuraniqi e vë theksin te rëndësia e kryqit, duke i dhënë kështu veprës karakter fetar.

“Asht’ kryq i dlirtë, që mbi të qëndron,

ai asht që – në halle ju forcon;

ai i mëshirshëm, që me qiell ju mpron.

Për kryqin e dlirtë me vdekë jeni gadi,

për të dhe tash u çuet me u flijue.”27

Në fund, bariu sllav pasi e ka kryer misionin e tij largohet.

“Dielli i artë mbas bjeshkës pikoi

Plaku i la, çeta në rrugë nxitoi.”28

Pra, dhe në këtë pikëtakim mes dy poetëve vërehet ajo ‘diçkaja’ që i bën të jenë të ndryshëm. Në thurjen e tekstit ata kanë kërkuar sipas stilit, ideologjisë, mënyrës së shprehjes të jenë sa më origjinalë.

  1. c) Vaji i motrës së Avdi Hisës përballë vajit të motrës së Batriqit

Vajet si pjesë e pasurisë folklorike kanë qenë kurdoherë interesante për t’u studiuar. Te Fishta e Njegoshi gjendet vaji si shpërthim ndjenjash femërore. Humbja e njeriut të dashur, në dy rastet në fjalë, humbja e vëllait, e bën motrën të vajtojë, të vërë kujën. Në dy eposet, jepen dy motra fatkeqe që qajnë vëllezërit e vrarë në luftë, njëri me turkun, tjetri me shkjaun. Te Fishta, kemi vajin e motrës së Avdi Hisës ndërsa te Njegoshi vajin e motrës së Batriqit vrarë prej turqve. Motra e Batriqit ndryshe nga vajza shqiptare, se duron dot pikëllimin dhe vret veten me thikën e gjyshit Bajko.

—————————————–

26 Ivan Mazhuraniq, Vdekja e Smail – Agë Çengiqit, Beograd,  1963, f. 30.

27 po aty, f. 32.

28 po aty, f. 35.

“Fort po kjàn nji e bija e Turkinës,

fort po kjàn e fort po fshàn,

dekun m’vig kah shef të vllan.”29

Vaji i çikës shqiptare ngrin në këmbë çetën e Osos. Ai shërben si sinjal, u bën me dije kreshnikëve gjëmën që ka ndodhur. Pra, ka karakter informues te Fishta. Burrat e çetës ngrihen vrik për të marrë hakë për Avdiun. Ndryshe ndodh te Njegoshi. Vaji te ai është i përvuajtshëm, i përlot ata që e dëgjojnë por nuk i nxit të hakmerren. Ata mendojnë se dhe sikur të hakmerren nuk ka dobi pasi ai nuk do të ngjallet. E thënë sipas malësorëve tanë, Batriqit i ‘hup’ gjaku.

  1. Elementet folklorikë në eposin fishtian dhe eposet sllave

Folklori ka zënë përherë një vend të rëndësishëm në letërsi. Është e çuditshme se si shkrimtarët i brumosin veprat e tyre me brumin popullor. Folklori, ky det i pafund gojëdhënash, mitesh, vajesh, zakonesh, bëhet bashkëudhëtar i poetëve, bëhet burim i pashterur. Gjithçka lind aty, mes bjeshkëve, mes staneve, kuvendit të burrave me tri pllamë mustaqe, me zhgunat të hedhura supeve. Folklori ynë është i pasur, është si burim me ujë të kulluar ku lodrojnë e hedhin valle Zanat tona e ato fqinje. Malësori shqiptar rritun mes maleve të ashpra, është ushqyer me mite e legjenda, përralla për trima të bukur e të fortë. Shqiptarët kanë dhënë e kanë marrë me fqinjët sllavë, grekë, italianë. Koncepte, zakone, veshje, janë pasuri e jona dhe e vendeve fqinje. Në veprat e marra për studim ka gjurmë të elementit popullor. Ku më shumë e ku më pak, ato ndërtojnë, i japin dorë artpunuesit të shprehë ndjenjat, të krijojë karaktere, të thurë ngjarje. Pikërisht këtë do shohim në këtë nënçështje.

 

Nga: Xheni Shehaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s