Një ditë si gjithë ditët / Tregim nga Resmi Osmani   

Një ditë si gjithë ditët

-Kristinave-

 

  

Tregim nga Resmi Osmani   

Kur kulla e vjetër u rrënua e gati po vidhisej,Marku dhe Pjetri ndertuan shtëpitë e reja, disi larg fshatit, ca të menjanuara në tokat e tyre, krye luginës, rrëzë kodrës, në anën e djathtë,  të lumit e ca më afër qytetit. Dy shtëpitë i ndante një gardh me petavra druri. Pjetri me djalin e madh mërguan në Itali. Djali tjetër,Ndreca me të ëmën, Margjelën,  të shoqen Diella dhe dy camerdhokë, qendruan që të mbanin shtëpinë hapur. Ndreca, me paratë që i dërgoi i ati, mbolli një vreshtë, me rrush ”Kallmet” dhe bënte verë të zgjedhur që ia blenin restorantet e qytetit.

Në shtëpinë tjetër rronte Marku, me të shoqen Marën dhe tre fëmijët. Marku punonte me buldozer, në kantierin e një firme që ndërtonte një rrugë të re, dhe ngaqë ishte larg, vinte në shtëpi një herë në javë. Mara e vetme i dilte për zot shtëpisë dhe fëmijëve.

*  * *

Kënga e ditës së re, u çel me borien e këndezit, kakarisjen e pulave dhe basin buluritësë të lopës larë. Përjashta nata po zvarriste përtueshëm perden e zbehte të muzgut dhe dita që kishte çelur në lindje  e ndiqte prapa, duke e shigjetuar me tufën e ndritshme të rrezeve, që paralajmëronin ardhjen e diellit, që ende  s’kishte lindur.

Ishte gdhirë dhe kjo ditë. Mara zgjohej para lindjes së diellit, e priste atë dhe në punë e sipër, ai i dërgonte në ditët e kthiellta një vrundull të artë rrezeshn, në ditë të vrenjtura bardhesine e dritës dhe i uronte ditën e re: “Mirmëngjes”! Kështu për ditë. Ditë si njera-tjetra.

Ndënji ulur buzë shtratit, sa trupi të mësohej me zgjimin, ti kthjellohej shikimi e që të mos i merreshin mendtë kur të ngrihej. Rrjedha e pandalshme e ditës për të, kishte kodet e saj dhe ishte si një mësim i mësuar përmendsh. Punët kishin radhën e tyre, ishin të shumta aq sa dita s’mjaftonte për t’i kryer të gjitha.

U vesh me përtesë, ende ishte si përgjumësh dhe kapakët e syve i rëndonin. Te sqolli  u hodhi një grusht ujë syve. I dha dritë koridorit që ishte në gjysmë errësirë. Sytë i shkuan te korniza me fotografinë e madhe. Kishin dalë pas martesës. Dukeshin të lumtur: e kush u martua e s’u gëzua! Ajo rrëzëllente nga bukuria.Kishin kaluar shumë vite. U pa në pasqyrë. Aty u shfaq ajo Mara tjetër , e ndryshme. Fytyrë e rreshkur, e pjekur nga dielli, e rrahur nga erërat dhe cikna që kishin lënë gjurmët e tyre: ato rrudhëzat te cepat e buzëve e të syve, në ballë, në faqe. Edhe ajo drita e syve si ngazëllim e gëzim që buronte së brendshmi, tashmë ishte zbehur e trishtuar, në tëmtha ishin çfaqur fijet e argjendta të thinjave. Barra e rëndë e jetës i peshonte mbi shpatulla dhe i mblidhej në bel si një dhimbje prore. U kthye sërish nga fotografia, si t’i vinte keq për veten. E ku kishte shkuar ajo bukuri?Tinëzisht, koha, si pa kuptuar, ditë pas dite, muaj pas muaji, e vit pas viti, e  kishte fshirë e tjetërsuar, por nuk kishin mundur t’ia hiqnin fisnikërinë e mirësinë, që i buronte nga gjithë pamja dhe çiltërsia e buzëqeshjes.

Veshi çismet e llastikta, hodhi në tas ushqimin e pulave, doli në oborr dhe hapi derën e qymezit. Pulat duke kakarisur u sulën përjashta dhe e qarkuan, prisnin ushqimin. Ua shpërdau. Në furriqe, zbardhnin vezët, i mblodhi në prehrin e përparses, ishin ende të vakëta. Pula bardhoke rrinte në furrik.”Po ti,ç’ne që s’del me shoqet?”E kapi nga krahët, por ajo desh ta çukiste me sqep, dhe iu përgjigj me një “Klluk-klluk”.Kur e ngriti pa që ndën vete kishte vezën që po e ngrohte.”Jo moj bardhoke, u kujtove von për të klloçitur e nxjerrë zogj, po vjen vjeshta dhe dimri i gjen të pa rritur. Hajd, shko me shoqet”- dhe e flaku përjashta. Doli dhe vetë. Pa që gjeli i vetëm i tufës, pikalor, lafshëkuq e pendëndritur, sillej rreth ca kokrrave misri, ndolli pulat, kur ato u mblodhën rreth tij, mashtrusi i çukiti vetë dhe ju sul zogës dhe e shkeli sheshit. Teksa zoga po shkundej, ai hodhi atë vallen e çuditshme të triumfit. “Ah ti, mburravec e rrenacak i pafytyrë- i tha ajo,  meshkujt po njësoj. Edhe burrat duan të duken pak si gjela!

Mori kovën dhe hyri në kasollen e lopës.Dukej që Lara me gjirin e rënduar nga qumshti po e priste. i ledhatoj vithet, ndjeu me mollzat e gishtave një dridhje të lehte kënaqësie nën lëkurë e ngrohtë. I pëlqente kur e ledhatonin. Pastaj ia lau gjirin e bëshëm me ujë të vakët. Vuri koven ndën të dhe nisi ta milte.Lara këtë priste që ti lehtësohej gjiri. Currilat e bardhë të qumshtit zhurmëronin lehtë teksa derdheshin dhe shkumëzonin, aroma ëmbëlcake aq e njohur e qumshtit të sapomjelë i giciloi flegrat dhe i ndolli oreksin. Lara i dha edhe pikën e fundit të qumshtit të saj dhe e shikoi si me  të lutur  me ata sytë e mëdhenj e të butë si kadife. Ato ishin më shumë se shoqe.Ajo e kishte rritur që mëshqerrë, po me atë kujdes si t’a kishte fëmijëv. Lara ishte si pjestar i shtëpisë.  “ E shoh moj Larë, ke uri, por bëj durim, se do të vijë dhe mëngjesi yt  edhe kasollja do të pastrohet. Se je kaqë e mirë sa s’të ka kush. Ti nuk je nga ato që e mbushin kovën dhe e shkelmojnë”, i tha dhe i ledhatoi sërish vithet. E nxori nga kasollja dhe e lidhi lirshën në oborr, nën hije të manit.

Qeni Murro, edhe pse me zinxhir, kishte dale nga kolibja, luante bishtin miqësisht dhe e shihte të zonjën si me të lutur. Priste ti jepte mëngjesin. Të gjithë kerkonin të hanin nga duart e saj!

Hoqi pak qumësht dhe e vuri në zjarr që ta valonte për mengjesin e fëmijëve. Tjetri ishte për në treg, i pajtuar nga familjet qytetare të një pallati.  Mbushi shishet, i kishte larë e bërë dritë që në mbrëmje.

Dielli hala s’kishte lindur, megjithatë duhej ngutur. Fëmijët ende bënin gjumë, zgjimin do t’ua bënte më pas, pasi të kryente edhe disa punë të ngutshme.

Mori shportën dhe kosën e zbriti në kopshtin e perimeve. Ky kopsht ishte krijesë e duarve te saj. I mbrujtur nga puna,në çdo fryt ishte një pikë nga djersa e saj, por edhe nga dashuria. Se tokën  dhe bimët duhet ti duash. Asgjë nuk bëhet pa dashuri. Ishte si një qëndismë: domatet kuqëlonin, specat jeshilonin, patllixhanat ndrinin me reflekse blu, lakrat po hidhnin shtat, pjeprat kundermonin…tufat e borzilokut ermironin ajrin.Piklat e vesës mbi gjethe dhe fryte ua shtonin hijeshinë. Nuk mungonin as lulet: lulekadifet, bufkat e verdha, luleshëmitri që çelnin në vjeshtë,se lulet zbukurojnë jetën. Kishte dëgjuar të thoshin se të duash lulet është fisnikëri dhe se kush do lulet do edhe njerëzit. Vllaja e erzave : kopra, majdanozi selinoja, maraj, sherebela që u japin shijen gjellëve, se shija e gjellëve është pjesë e kënaqësive të jetës. Ishte një kopsht familjar, por diçka tepronte edhe për treg.“Mirmëngjes”, i përshëndeti Mara, ishte mësuar ta njihte gjuhën e tyre të heshtur e të fshehtë, por që fliste shumë, ngaqë i kishte parë e kujdesuar që kur kishin mbirë nga fara, si fidane te vegjël e të brishtë, sesi rriteshin nga dita në ditë, si lulëzonin e lidhnin frytet. E dinte: kur përkuleshin e rrudheshin gjethet, ato kishin etje, kur zbeheshin dhe rrëzonin kokrrat, u mungonte ushqimi, ose i kishin sulmuar parazitët, vyshkja nga maja rrëfente se e keqja ishte te rrënja. Në çdo rast u vinte në ndihmë sa i vinte përdorësh. Selitja e tyre nuk donte vetëm punë, por edhe kujdes e dituri! Edhe pse ishte ende freskët e s’kish nisur të nxehtit, në gjethe kishte shënja vyshkje.Bimët kërkonin ujë. Ah ky uji! Sa kohë kishin që e kërkonin, veç premtime, po s’e sillnin që s’e sillnin, e linin të derdhej në lumë! Dikur e kishin patur,por mendjet e çartura i kishin shkatërruar kanalizimet.Ishte si një mallkim. ”Durim, miket e mia,u tha, jemi në dorë të resë. Të presim e të shpresojmë se shiu do të vijë” Hodhi sytë në qiell, ishte qelq i kthiellët!

Në ngastrën e jonxhës kositi nje ovrat. Kishte mësuar kaherë për ta përdorur kosën, njësoj si burrat. Jonxha e kositur, kishte atë aromën idhcake, të amsht e të këndshme të barit të luadheve, që ajo e pëlqente.  Këputi edhe një krah me degë të njoma misri. Të gjitha i futi në thes. Lara kishte ç’të hante tërë ditën. Thesin me zor e hodhi në shpinë, ishte i rëndë. Me dorën e majtë mbajti shportën e perimeve dhe u nis për në shtëpi. Nga pesha e rëndë i merreshin këmbët!”Mbahu moj marë”, i dha zemër vetes.

Syri i artë i diellit u ngrit mbi majëmalet,kërkoi Marën, e pa dhe itha “Mirmëngjes”! Ajo zgjoi fëmijët, i detyroi të laheshin e të kriheshin. U uli sillën: qumësht, vezë të ziera dhe djathë të njomë, pa kripë, të sapo nxjerë nga napa.Ndërkohë u ndrrua, veshi ndrresa të lara , një shami të bardhë dhe përparse me qëndizma.U veshën dhe fëmijët, rroba të reja, të pastra, këpucë atlete, çorape të bardha, që shokët e tyre qytetarë të mos i gërgisnin dhe ti quanin katundarë.

Shpejt, shpejt, se koha nuk pret!

Shkolla e fshatit kishte kohë që qe mbyllur, ndaj shkonin në atë të qytetit. Po të ecnin mirë, u duhej gjysme ore. Rruga ishte e vjetër, e pa shtruar, gropa – gropa, në verë të mbyste pluhuri në dimër balta. U bë kohë që makinat nuk kalonin më në ‘të. Kjo rrugë, që rrugë i thënçin, ua nxiu jetën, ishte pjesë e mundimeve të përditshme, dimër-verë, si të mos mjaftonin e tepronin të tjerat.

U bënë gati për të dale”Shiko dhe ruaj shtëpinë, se ne ikëm”, i tha Murros, pastaj i bëri një zë Diellës, që të hidhte një sy nga shtëpia, sa të kthehej. “Ikë pa merak e mendje mbledhur” , i tha nusja e nipit.

E ndau ngarkesën. Albanit, djalit të madh, që kishte hyrë në të katërmbëdhjetat, i dha trastën me shishet e qumshtit, Sokolit, djalit të dytë, vezët dhe qeskën me erëzat, për vete mbajti dy shportat me perimet, Luçies, vajzës, që ishte në klasë të dytë, nuk i dha gjë, i mjaftonte çanta e librave që ishte bajagi e rëndë. Ishin të detyruar të  ecnin me hapin e Luçies. Dielli po ngrihej dhe vapa po shtrëngonte. Në çdo hap që hidhnin, ngrihej pluhuri, që ua veshi atletet dhe kërcinjtë. Duhet t’i lanin te çesma që ishte në qendër të qytetit, para se të shkonin në shkollë.

Kur mbrritën te sheshi i qytetit u ndanë, fëmijët shkuan në shkollë, Mara vajti te këmbësorja e rrugës, rrëzë pallateve të reja, ku ishte vendi i saj i përditshëm, i shpresës dhe zhgënjimit.Ata të policisë bashkiake e njihnin dhe s’i binin qafës. Kishin mbrritur para saj edhe bashkfshatare të tjera: Kristina e Ndreut, Dila e Zefit dhe Margjela e Pjetrit. Shoqe të halleve. Ja la Kristinës nën kujdes ato që kishte sjellë dhe vetë shkoi të shpërndante qumshtin: derë më derë, i binte ziles ose trokiste. Ata e prisnin. I jepnin një shishe bosh dhe merrnin atë plot. Të shumtit e paguanin në dorë ,por kishte edhe që i luteshin t’i priste për nesër ose pasnesër, se nuk u ndodheshin lekë! I mirëkuptonte, ishin hallexhinj si ajo.

Ishin të shumtë ata që kishin dalë në treg për të blerë harxhet e ditës, amvisa, burra, të shumtit në mesmoshë por edhe pensionistë. Kalonin, ndaleshin, shihnin, pyesnin për çmimin dhe të pavendosur ngisnin më tej për të shkuar te tezgat e tregut. Leku, që s’fitohej kollaj, duhej harxhuar me ekonomi. Edhe kur blenin,sasia ishte e pakët; tre-katër kokrra domate, po aq patllixhane, do copë speca. Mara u jepte falas një tufë erza, si tu pëlqente, majdanoz, kopër, apo selino e mente. Sido që perimet dhe vezët ishin të freskëta, vezë fshati, shitja ecte ngadalë. “Bëj durim moj Marë”, i tha vetes dhe hodhi sytë nga qëndra e qytetit. Makinat gumzhinin, njerëzia mizëri, me punë e pa punë, të ngeshëm e të ngutur, me gajle e pagajle, lumi njerëzor rridhte papra. “Të gjithë këta, mendoj ajo, e pakta tri herë në ditë ulen në tryezë,  kush më mirë, në tryezë të pasur, e kush në më të varfër, sipas gjendjes, mire a keq, hanë vaktet. Kësisoj në gjithë qytetet ku gjallon jeta. Ushqehen me ato që seliten nga duart e saj, të gjithë atyre mijëra grave e ca më pak burrave, anë e kënd fshatrave të Shqipërisë, që u ka rënë mbi shpinë barra e jetës: Kristinave, Dilave, Margjelave, Fatimeve, Merusheve, bujkesha e çobanesha, nëna që rrisin fëmijët dhe amvisa që qeverisin shtëpitë….. Po a e mendojnë apo kujtojnë vallë se gjithëçka kanë mbi tryezë vjen nga fshati e nuk bie nga qielli, që eshtë fryt i punës dhe djersës së tyre? E ç’do të ishte qyteti pa fshatin? Një gërmadhë e uritur. Shum- kush këtë e di, veç jo politikanët. Fshati e kishte bërë dhe e ushqente qytetin, prandaj qyteti ishte në borxh me fshatin. Kështu e mendonte Mara. Por atyre as u shkonte ndër mend për ‘të. Kur donin të fyenin kënd i thoshin përbuzshëm“fshatar” dhe kjo ishte e rëndë dhe aq fyese. Mos durofsh o Zot! Kështu fliste Mara me vete dhe i dukej se brenga i lehtësohej.

Ajo që mbjti këmbët para saj, ishte një zonjë e re, që mbante nga rripi i gjatë një qenush vocrrak gjithë lesh të bardhë. E përshëndeti dhe nisi të shihte perimet. Mara e njihte në të pare, ishte zonja e deputetit, folëse në televizionin lokal, jepte lajmet mbrëmjeve. E bukur? S’ke ç’i thua,si kukull. Shtathedhur, qafëgjatë, belhollë, sydrenushe, flokëverdhë, cipa e fytyrës qumësht e bardhë. Bluza shumë e hapur linte ti dukeshin fillesat e gjinjve, pantallonat e ngushta e bënin të dukej më e gjatë se ç’ishte. Vetullat me rimel, buzët trëndafili. Prej saj perhapej  aroma ngacmuese e parfumit të lehtë.

– I ke bio?

– Janë të freskëta të sapo vjela në kopsht-i tha mara që nuk e kuptoi pyetjen.

– E shoh. Desha të them nëse janë pa kimikate, si u thonë, pa pesticide, pa hormone.

– Ashtu janë, nuk përdorim na asi soj gjanash.

– Të besoj. Po i marr atëhere-dhe filloi t’i zgjidhte kokërr më kokërr.

Mara i pa duart: të vogëla, të buta, gishtërinjtë të gjatë, zbukuruar me unaza të arta me gurë të kuq e të gjelbër, në kyçet e duarve byzylykë, thonjtë të gjatë si bajame, të lyer me manykur ,dukej se mbi ta kishin çelur ca lule të kuqe. Pa të sajat: duar të ashpra, lëkura e rreshkur, nga ngricat dimërore dhe dielli përvëlues, me kallo e të çara nga punët e shumta, përditë. Në gishtin e unazës vetëm rrethi i martesës. Thonjtë të prerë thellë, që të mos mbusheshin me dhe dhe bajga. Ja që kështu ishin ndarë fatet!

“A bënte punë kjo grua, – pyeti veten Mara-të paktën brënda shtëpisë. A lante enët, lëveret, pastronte  shtëpinë, merrte pluhurat, gatuante gjellët? Me siguri që jo. Ajo vetëm mbillte e korrte llafe para ekranit. Jo vetëm kjo, po gjithë zonjat e pasunarëve të rinj. Ato pajtojnë ndonjë nevojtare, që tani nuk u thonë më shërbyese, por  punëtore shërbimi. Jo ush po gomar! Ua mbante  xhepi moj xhane.”

-Po i marr të gjitha vezët. Sot im shoq vjen nga Tirana për fundjavë dhe dua t’i bëj një surprizë.Tortën dhe majonezën dua t’i përgatis vetë. Sa për sonte, se nesër për uikend, do shkojmë në Shkodër. Buzë liqenit, në restaurantin”Mbreti Gent” gatuajnë një tavë peshku të hatashme që të lëpish gishtat. E shoqërojnë me verë të bardhë  “Shardone”që është si eliksir,mandej do të ngjitemi në Theth……

Mara e kishte parë të shoqin e zonjës, deputetin. Dy herë radhazi gjatë fushatës elektorale, tok me Markun,Margjelën, Ndrecën dhe Diellën. Ai kishte ardhur në qendrën e komunës si era me shi e bubullima, kishte zbrazur rrufetë verbuese të  premtimeve: shtrimin dhe asfaltimin e rrugës, riparimin dhe rihapjen e shkollës, ujë nga bjeshka, për çdo shtëpi që do të rridhte mga rubinetat ditë-natë dhe ujë për ujitjen e bimëve, për t’i dhënë fund thatësirës zhuritëse, qendër shëndetësore, shëndetësi falas…..Nga goja e tij rridhte mjaltë, dilnin mrekullira. Ai do të bënte gjithsa kishin premtuar e nuk i kishin bërë të tjerët. Turma e militantëve të rinj, nuk rreshtëte së thirruri:”Fitore, fitooore, fitore! Do fitojmë apo jo- pyesnin ata dhe vetë përgjigjeshin: po,po,po!” Kishin ardhur dhe të tjerë, edhe me më shumë premtime, por,  burrit të  kësaj zonje Mara dhe Marku i kishin zënë më shumë besë se ishte i një partie të madhe që ngjallte shpresë dhe votuan për ‘të. Që prej asaj dite ai s’ishte kujtuar më për ‘ta ishin gjallë a vdekur! Fjalë, fjalë e vetëm fjalë. Asgjë nga ato që u thane. Premtimet u tretën si kripa në ujë! Kishte hedhur lumin e kishte pështyrë kalin! Ja që të tillë ishin këta politikanë.

Zonja po mbushte qeskat dhe s’pushonte së foluri, po Mara se kishte aty mendjen. Aty pari kaloj një qen rrugësh. Qenushi i zonjës u trimërua dhe egërsua dhe iu gërduf me të lehura inatçore dhe iu turr. E lehura e qenit, ia preu ligjeraten së zonjës, ajo i  tërhoqi rripin.”Urt Xhixhi, ç’të gjeti? Ai është një rrugaç i mjerë, nga ata të kazanit të plehrave, që po shkon në punë të tij!” E mori Xhixhin në duar dhe i puthi turiçkën. Marës i erdhi ndot. Xhixhi u qetësua. Thoshin se zonja ishte beronjë dhe dashurinë për fëmijët që s’i kishte, e kishte hedhur mbi qenushin fatlum. Mara i peshoi perimet me kandarin e dorës, i numëroj vezët dhe i tha sa duhet të paguante. Kur nxori dhe hapi portofolin,Marës i zuri syri një tufë kartmonedhash njëmijëshe e pesëmijëshe, prandaj ajo nuk e rrudhte dorën dhe s’bënte pazar për çëmimin. Kur Mara po kërkonte të vogla për t’i kthyer kusurin, i tha ta mbante.Bujare në qindarka!

Po kapërcente mesdita, ishte koha që fëmijët do të dilnin nga shkolla. Kur durimi dhe blerësit po soseshin, ato që kishin mbetur i shiti toptan dhe me çëmim të ulur.

Fëmijët dolën nga shkolla. Mësimet për atë ditë ishin mbyllur. Bashkë me ta, shkoi në shitore: sheqer, oriz, vaj gatimi, makarona, miell, sapun,  larës dore rrobash, fileto pulash per supën e darkës, nga nje “molto” per femijet që të thyenin urine, sa të shkonin në shtëpi për drekë. Te furra dy bukë të bardha. Thuajse ç’kishte fituar i la po aty. Ikën siç kishin ardhur, sikush peshën e tij, ecnin me çapin e Luçies.

Gjellën e kishte gatuar të mbrëmshmen, në tenxheren me presion. Nga një pjatë fasule dhe sallatë. Hëngrën në heshtje,por punët e ditës nuk kishin Mbaruar. Duheshin larë enët, por i vuri në sqoll dhe i la për në darkë. Bashkë me Albanin, morën kazanin, govatën e llamarintë, kanistrën me lëveret për tu larë, që ishin bajagi dhe zbritën në lumë. Ndezi zjarrin me drutë që ishin aty rrotull, ngrohu ujin, i lau një për një dhe pastaj i shplau në ujët e bollshëm të lumit. I shtrydhi sa i dhembën duart,i vuri në kanistër dhe u kthyen në shtëpi. Ishte e lodhur dhe i dhimbte beli. U shplodh një cope herë, pastaj hapi të larat në tel.

-Hajd, u tha fëmijëve, – shpejt në banjë, se do të flini në çarçaf të patër.  Mësoni mësimet dhe bëni detyrat.

Ata nuk bënë llafe, Albani me sokolin laheshin vetë, ajo lau Luçien.

O punë ju mos u sosçi, u bëfshi sa mos u njohçi! Duhej mjelë Lara,nxjerë plehu nga kasollja e saj, e më pas hedhur ushqimi. Më pas duheshin mbyllur pulat. Uf! Edhe hekur të ishte do t’ishte perkulur, po ja që njeriu qenka më i forte se hekuri!

Në darkë, Luçia u sëmur papritur dhe zjarrmia ju rrit shpejt. Futyra iu skuq dhe me gjithë atë vapë kishte të dridhura. Me siguri duhet te ishte grip, në klasë të saj ishin sëmurur dhe të tjerë. E shtriu në shtrat. Ajo digjej. Nuk kishte aspirina. Nënëzeza, ç’të bënte? I bëri çaj me lulebliri, e mbuloj me çarçaf. E theu djersa, i ndërroi teshat, pastaj kompresa me uthull. Dergoi Albanin te Diella se mos u ndodheshin aspirina. Desh fati,kishte. I ndërroi kompresat dhe i ndenji mbi krye deri sa pas aspirinës i ra zjarrmia. Djemtë ishin në gjumë. U kot dhe e këputi gjumi, aty ulur në karrige pranë së bijës.

Ashtu nëpër gjumë, dëgjoi të lehurat me tërsëllimë të Murros.I doli gjumi dhe mbajti vesh. Murrua angulliu dhimbshëm e si me të qarë, dikush duhet ta kishte goditur. U ngrit vrikthi, mori çiften që ishte e varur në mur dhe shoi dritën. Nga dritarja, në errësirë mezi shqoi dy hije që po i afroheshin kasolles së Larës. I kallën frikë, zemra i rrahu fort, por nuk u tremb se si i thonë, në shtëpi tënde të ndihmojnë dhe muret! E zbrazi armën, drejt tyre por lart, pa dashur t’i vriste apo lëndonte, veç t’i trembte. Dhe vërtet,ata ia therën vrapit, u bënë erë dhe i përpiu errësira. Ajo qëlloi edhe një herë në drejtimin nga ikën. Doli në oborr. Dera e kasolles së Larës ishte e hapur, por ajo ishte Brenda shëndosh e mirë. Mori frymë e lehtësuar.

Me të dëgjuar krismat e armës, mbrritën Ndreca me Diellzën, e pyetën se ç’kishte ndodhur.

– Hajnat, – tha ajo- duhet ta kenë dit që Marku s’asht në shpi. Erdhën me grabit Larën. Po të mos kishte qenë Murrua, nesër Lara do të kishte qenë e varun n’çengelin e kasapit!

– Emta Mara, u kallzove burrneshë, sa mirë po t’i kenë marrë ca saçme nga tulet.

-Jo, nuk i gjujta me i godit, veç me i tut. E gjetshin të keqen tjetërkund. Po tashti, si i bahet Ndrec?

-Fli pa gajle. Hajnat nuk kthehen apet atje ku i gjujn me pushkë. Mandej na ktu jena. Nesër shkoj vetë dhe lajmëroj policinë. Natën e mirë!

Mara i përcolli në oborr, mbylli portën dhe i thirri Murros. Ai ishte mbledhur kruspull dhe kuiste dhimbshëm, kur pa të zonjën, u ngrit ngadalë dhe iu afrua i tulatur. Ajo e kontrolloi imtësisht por nuk i gjeti plagë. E ledhatoi me dashuri. Për mirnjohje e besnikëri, Murrua i lëpiu duart.

Kishte kaluar mesnata, iku edhe një ditë dhe kishte hyrë dita e re.Do të ishte një ditë si gjithë ditët. Marën s’po e merrte gjumi, e ndjente shumë mungesën e të shoqit, se shtëpia pa burrë, është si kulla pa çati. Por duhet të flinte se do të gdhihej përsëri.

Një ditë si gjithë të tjerat, ku e prisnin gjith’ato punë e kështu pa fund. Vallë a do të kishte edhe për ‘ta ditë të bardha?

       Tiranë, tetor 2017.     

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s