NË VILEN E KOLEKSIONISTIT PLAK (Fragmente ) / Shkëputur nga libri me novela ” Zhgënjimi”  i autorit Kristaq Turtulli

NË VILEN E KOLEKSIONISTIT PLAK

-Fragmente –

I

Poshtë dritares oshtiu buria e makinës. Duke u përtypur u vesha dhe dola. Nuk munda të përfundoja së ngrëni. Para pesëmbëdhjetë minutash u ktheva nga pazari. Vehbiu më priste në këmbë përpara makinës, derën e ka lënë hapur dhe nga brenda del tymi i duhanit si oxhak kaldaje.

-Hello! -ia bëri dhe më shtrëngoi dorën fort. Shkundi ndenjësen prej pluhurit të duhanit, flaku bishtat e cigareve në koshin e plehrave dhe ma bëri me kokë të niseshim. Në makinë të mbahej fryma prej erës së rëndë të duhanit, por s’i rashë në sy.

Vehbi Çezma është vejan, burrë i vjetër, trupmadh, me pak kurriz të dalë, me syze të mëdha optike, skeleti metalik i mbulon dy qeskat e vogla poshtë syve. Flokët e bardha i qëndrojnë si iriq, të ngritura përpjetë.

-Erdha me ngut, -më tha Vehbiu. Preu makinën nga e djathta dhe hyri në autostradë, pa kthyer kokën nga unë shtoi:-Menaxherit të vilës së koleksionistit plak, i thanë të thërrasë të tjerë punëtorë, të mbledhin dhe ambalazhojnë rraqet e rrangullat.

-Shumë rraqe dhe rrangulla paska ky koleksionist plak?- e pyeta.

-Ç’e pyet. Një jetë e tërë, por këto rrangulla vlejnë miliona,- ia bëri Vehbiu. U mbështet mbi timon dhe shtoi:- Si thua, nuk është keq të bësh ca dollarë të thata, kesh?

-Shkëlqyer,- i thashë.

Po mbush vitin në Kanada dhe akoma nuk kam gjetur një punë të qëndrueshme. Shtrëngesa e ekonomisë, qiraja e lartë e shtëpisë dhe rritja e çmimeve është e pranishme në familje, çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj. Lekët e fituara prej shitjes së shtëpisë së të parëve dhe disa kursimet të tjera të sjella prej mëmëdheut avulluan sa hap e mbyll sytë. Unë akoma vazhdoj ti bëj me mendje, hesapet dhe blerjet, me shkëmbimin e detyruar që bëra para se të nisesha. Nga lekë tmerrësisht të zhvleftësuara në dollarë. Pra i binte një me njëmijë, ndoshta dhe më shumë… Nejse… s’qahem, jam më mirë, seç isha, por përsëri malli, nostalgjia…

Pa e kuptuar më shkoi mendja tek mëmëdheu, mijëra kilometra larg. Tek qyteti im në gji të maleve dhe te shtëpia ime që ngrihej mbi kodër, por që tashmë nuk është më e imja. Kundër dëshirës sime e shita, më duheshin të holla për të blerë biletat e shtrenjta të avionit, etj. Shtëpinë dykatëshe, solide, të ngurtë, të ngritur mbi shkëmb, e ndërtoi gjyshi me paratë e mbledhura nga kurbeti, kur u kthye prej Argjentinës së largët. Në atë shtëpi të ngurtë, me shumë dritare dhe plot dritë, lindi, u rit dhe u martua im atë. Atje lindën vëllezërit dhe motrat e mija dhe linda unë. U martova, u deha dhe linda fëmijët. Lanë frymën e fundit prindërit e mi dhe tani, në atë shtëpi të dashur, që dhe mbrëmë më doli në ëndërr, jetojnë të tjerët. Pa e kuptuar psherëtiva. Paçka se një miku im, me moskokëçarje dhe duke zbardhur dhembët e thotë shpesh; ne fakirët idealistë, na mundojnë nostalgjitë e dala mode. Dëgjomë mua vëllaçko, shtëpia dhe atdheu gjendet atje ku jetohet më mirë.

Vehbiu u kollit, si për të më shkundur prej përhumbjes. Buzëqesha si fajtor. Përpara tij, pranë xhamit të makinës, pashë një fotografi ku në të kishin dalë dy vajza të përqafuara, flokëgështenjë, të qeshura, të këndshme, hundë majuce. Më ngjanë sy dy dallëndyshka.

-Janë mbeskat e mija, -më tha Vehbiu me zë të qeshur. Mori fotografinë në duar e ledhatoi,  e puthi dhe shtoi:- Kotelet e gjyshit. Më ka marrë shumë malli për to.

 

II

Vehbi Çezma brodhi për vite me radhë nëpër shtetet Evropës, derisa mbërriti në Kanada, së bashku gruan, Anën, një çifute të trupvogël, të kolme, me sy të mëdhenj, si filxhan, të bukur, mbetur jetime në moshë të njomë. u njohën në Belgjikë. Ajo punonte vullnetare në një shoqatë bamirëse, ai shofer. Sa herë e ndeshte në shkallë, ajo e vështronte rrëshqanthi me sy të habitur dhe atij i regëtinte zemra. Një pasdite e priti kur ajo po zbriste nga shkallë, e tërhoqi pranë vetes, e puthi në buzë dhe i tha:

‘Moj syçkë e bukur, do të marr për grua.’

Ana e vështroi ngultas e hutuar, dhe sytë e mëdhenj i u hapën, iu bënë si dy liqene të kulluar. I shpëtuan çarçafët nga duart dhe zëdredhur pyeti:

‘Më do ti mua?’

‘Të dua shejtane, të dua je si zymbyle. Je shkëndijë drite, je e vetme në këtë botë, si unë.’

‘Kur jemi njëlloj, të dy të vetmuar. Mermë,’ i tha.

Prindërit e saj ishin burgosur dhe djegur në krematoriumin famëkeq, gjerman të Dakaut. Çifutja Ana i qëlloi e mirë, besnike, i fali Elizën, një vajzë të imët me sy të mëdhenj dhe të bukur si e ëma, që vetën dinte të qeshte.

Ardhja e fëmijës në jetë, ja ngrohu shpirtin Vehbi Çezmës. Kur kishte kohë të lirë, luante me të, e merrte me vete dhe dilte parqeve. Por vajza ju rit shumë shpejt. Një ditë kur hanin drekë, u tha si me shaka:

‘ Babush mos u mërzit, por unë do iki prej shtëpie.’

Vehbiut i ngriu luga e gjellës në dorë dhe i foli zë ngjirur: ‘Çdo me thënë kjo, mos u mërzit! Ka mërzi më të madhe për prindin kur i ikin fëmijët. Ku do shkosh?’

Ajo s’foli dhe ai nuk e pyeti më. Besoi trill çupërie. Por pas disa ditësh u solli në shtëpi një djalë të ri, të ndrojtur dhe dy kordele të zeza, të gjata i vareshin faqeve. Me syze të rrumbullakëta dhe hundë majuc. Ai i përshëndeti, u ul në tavolinë  dhe kërkoi të hante, si të ishte i shtëpisë, bile shkoi vetë dhe mbushi pjatën me gjellë. Vehbiu e përgjonte pa folur, i vinte të ngrihej, ta kapte për bythe dhe ta flakte jashtë. Anës iu skuqën sytë dhe hoqi dhe vuri tre herë kapësen me flutur nga flokët. Asaj kur i skuqeshin sytë e mbërthente nervozizmi. Vehbiu u detyrua ta zbuste vështrimin. Ana u kapërdi me vështirësi, fshiu sytë që i digjnin dhe ngriti vetullat e habitur:

‘Po, ky birbo, sikur po hapet ca si shpejt, si vaji në uthull?!

Vehbiu nuk donte të lëndohej e bija prandaj ia ktheu me sy: ‘Mirë bëri, bukë perëndie është…. ‘Bukën le ta hajë por vajzën mos na i marrë,’ ia ktheu Ana. Vehbiu hoqi syzet, fshiu qeskat e qullura poshtë syve.

Të nesërmen e asaj dite e gjeti Elizën kur po paketonte valixhen dhe iku si era, së bashku me kaçurrelin, në Izrael:

‘Do ktheheni shpejt?’ I pyeti Vehbiu duke e mposhtur me vështirësi trishtimin.

Anës shtrëngonte duart në gji me sy të rrëmbushur. Të dy të rinjtë vështruan njëri tjetrin dhe qeshën.

‘Qeshni,’ rënkoi Vehbiu. ‘I ikin prindit prej gjirit dhe pa pikë turpi qeshin. Po kjo pikë e zezë.’ Ai i mërzitur u tërhoq mënjanë, bërtiti, shau. Ana e mirë ndrydhi dhembjen e mori pranë e qetësoi, duke i thënë, i dashur, fëmijët janë si pëllumbat, i lind, i rit, i ushqen, i mëson si të fluturojnë. Dhe befas, ikin, fluturojnë, tutje, drejt vendeve të tjera siç fluturuam ne.

‘Ne u detyruam të iknim nga sytë këmbët,’ u grind Vehbiu:’ Ne ishim të dy të vetmuar që krijuam një çerdhe….

Dikur, Vehbiu bëri një tregti të vogël, e cila i eci mbarë, bile bleu dhe dy shtëpi të bollshme në qendër të qytetit. Por gruaja e mirë dhe e urtë Ana iu sëmur papritur, i zuri shtratin. Ai përkujdesej për të si fëmijë. Një mëngjes e shoqja e thirri pranë dhe i tha:

‘Kam qenë e mirë me ty o Vehbi, të drejtën më thuaj?’ Burri i drodh dhe i rrodhën lot.

‘Ç’më thua o Anushja ime, o lulja ime! E mirë ke qenë, shumë e mirë je, aq sa nuk të kisha dhe nuk të kam hak,’ i tha.

‘E ti ke qenë burrë i fortë, me huqe të mira dhe unë ndjehesha mrekullisht mirë, o pëllumbi im, o shqiponja ime. Shtrëngomë në krahë, si gjithnjë,’ i tha ajo.

Vehbiu e roku nga shpatullat e dobëta, e afroi pranë vetes, e ngjeshi pas gjoksit të tij. Frymëmarrja e saj po ngadalësohej. Pas disa çastesh trupi i Anës u lëshua, u var.

‘Ana,’ bërtiti Vehbiu, ‘Anaaaa!’

Heshtje, asnjë përgjigje. Ajo iku, sikur nuk ishte kurrë.

Vdekja e gruas e dërmoi shpirtërisht dhe ekonomish, falimentoi. Kur ajo i iku, e la vetëm, Vehbiu e kuptoi sa e kishte dashur dhe sa shumë qe lidhur me atë grua të vogël, të dhembshur dhe me sy të mrekullueshëm. I telefonoi Elizës, së bijës, iu lut, të kthehej, por ajo i tha, ‘Kam krijuar familje dhe kam vendosur të qëndroj në Izrael. Sidoqoftë ajo erdhi në varrimin të së ëmës. Ishte shëndoshur, bërë grua. Eliza qëndroi disa ditë me të dhe iku. Pas disa javësh e mori në telefon dhe i tha:

‘Baba, po të duash eja këtej nga ne, në Izrael të jetosh me ne.’ Vehbiu bëri dhe një operacion të paparashikuar zemre, që e rrëzoi shumë. I detyruar, i dërmuar i shiti të dyja shtëpitë dhe bleu një shtëpi të vogël në breg të liqenit. Nisi të kërkonte punë. Pas disa përpjekjesh për të gjetur një punë të përshtatshme me shëndetin e tij, disa miq çifutë, nga fisi i gruas e rekomanduan të punësohej si lulishtar tek një koleksionist pikturash dhe antikuarësh.

-vazhdon –

 

Shkëputur nga libri me novela ” Zhgënjimi”  i autorit Kristaq Turtulli

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s