Poezi nga Vasil Çuklla

Poezi nga Vasil Çuklla

 

Kali

Po rend një kal, hasdisur mes territ
Gris tunikën e zezë, të natës hata…
Jelebardhë ngritur, kreshpëruar prej tmerrit
Frerët ka këputur e shalë më, nuk ka
Turfullon flegrashqyer, prej kobit që pa!

Hepon natës ferr, mes territ të ngrrirë
Dihat dhe rrevanin, nuk thotë ta ndalojë
Hingëllon ulërrimë, prej gjëmës mbërdhirë
Trrokthon natës nxirrë, nxjerr xixa patkoj
Lot rubin, për të zonë, syve terrur, pikoj!

 

Etyd

Dikush u gjend varrur, në dhomë izolimi
Një copëz litar, asgjë tjetër…
Nën këmbët që ndehen, një pellg ujë, s’qenë lotë!
As brengë mund të ish, sa bota e vjetër.
Pyesin veten, si mundi, ekspertët dhe sot
Të vendosë litarin, në tavan, kaq lart?!

Shkruajnë thjesht u varr dhe pastaj heshtojnë
Fundfjalës ca pika, mbi të bardhën, kartë……..

 

Dhe heshtëm

Përmes heshtisë, heshtëm heshtuar.
Nuk fole, nuk fola, s’thamë një fjalë!…
Një këngëzog, si flutur krahëshkruar
erdhi nga larg, porsi ogur i mbushur mall…
Shtrimë krahët. Brishtësisht e mbajmë në duar!
E tha gjithshka!… Çfarë mund të thoshim vall?!…
Ne, dy të rinj – përjetësisht dashuruar!

 

Peisazh

Vendosa si piktorët, të pikturoj agun…
Për telajo përzgjodha, letrën e bardhë
Për bojra, nuk di, përse zgjodha vargun, 
që në mundsha çdo rrokje, ta vendos radhë – radhë
drit-hijet do të zbresin, të më stolisin pragun.

Këngëzog të bilbilit, ja vura kornizë
Ngjyros qiejt ethshëm, me fjalën blu-kaltër…
Në mesqiell kreshpërojnë rrezoret, si drizë
të një dielli që vesh shpirtzemrat me flatër
si fjal-ëmbla e Nënës, brishtërorja karthizë.

Mandej, zbres më poshtë, më duhen kurorë
gjethnaja e lisave, zverdhuar në vjeshtë
kur pupëlt ajrisë, për çdo çast, për çdo orë
këputur prej degës, rrëzohet një fletë…
me vështrimin tejnajës, të ngrrirë në dëborë!

Përroi valëzuar zbret pllajës i murrmë.
Vala shtyn valën, gurgulluar mbi zall…
Eshtë vjeshtë okëruar, natyra fle gjumë
Nën ëndrra pranvere, tejmbushur në mall
Pret dimrin e egërr, që zemrës le gjurmë!

Si piktorët vendosa, t’ju fal këtë peisazh
Me fjalë rrokjezuar, me drit-hijen në rremba
Agvjeshte borëzuar… e ndier në faj
kur ankthin bart kurmit e trishtin ka brenda
Endërrmakthet e zgjojnë, si i bukur mirazh!

 

Ai…

Nuk fliste kurrë! Qëllonte, fliste rallë
Flet vetëm atëherë, kur ligjërimi ngec…
Kur përvëlon gjithkush. Për pak logjikë ka mall
Aherë nis flet ai. I shpalluri memec.
U fal çelsin e artë, që s’është, veç një fjalë
Si për t’i thënë bisedës – tani ti mundesh, hec…

Ai nuk fliste kurrë! Përse heshtonte vallë?!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s