ROMAN ME SHKËLQIM HUMANIST ( Refleksion estetik për romanin “Të ftuar në rrethin e dhjetë ”  të autores Flutura Açka ) / Nga: Arbër Ahmeti

ROMAN ME SHKËLQIM HUMANIST

Refleksion estetik për romanin “Të ftuar në rrethin e dhjetë ”  të autores Flutura Açka

 

Nga: Arbër Ahmetaj

“Të ftuar në rrethin e dhjetë ”  është roman i një ndjeshmërie të lartë qytetare. Me këtë roman Flutura Açka bën një prerje të thellë anatomike mbi shoqërinë e sotme shqiptare duke zbritur deri thellë në ditët e para të ngjizjes së shtetit shqiptar. Dinamika, subjekti, personazhet, teknikat e rrëfimit e të shkrimit janë thjeshtë marramendëse. Ky shënim duket si në konflikt interesi, pasi Flutura Açka është botuesja e prozës sime në shqip, por më duhet po ashtu të theksoj se ajo dhe unë, jemi në një konkurencë të pamëshirshme si autorë. Pasi mbarova së lexuari në dorëshkrim këtë roman, u gëzova, jo thjeshtë për atë si autore, por për letërsinë dhe shkrimin shqip, pasi pak pikë dyshimi ky roman do të përbëjë një pikë shënjuese në letrat tona. Flutura edhe me romanet tjera, si « Ku je ? » « Kukullat nuk kanë atdhe » etj, ka vënë stekën e saj letrare në lartësi sfiduese, por me këtë roman, ajo avancon edhe më shumë.

Të ftuar në rrethin e dhjetë

Romani ka në qendër tre personazhe, miq fëmijërie e që vendosin të takohen pas shumë vitesh, për të festuar një përvjetor. I strukturuar në dhjetë kapituj, të thirrur « rrathë », si reminishencë e rrathëve të Ferrit të Dantes, lexuesi njihet me jetën e tyre, me jetët e tyre, me të shkuarën dhe tashmen e vendit nga vijnë dhe atdheut të cilin kanë zgjedhur për të jetuar. Përmes tyre edhe dhjetëra personazhe të tjerë hyjnë në shtjellë duke sjellë mikrodramëzat, historitë e tyre të vogla e të mëdha. Romani përshkruan njeriun e sotëm shqiptar, por edhe atë europian, me të gjithë kompleksitetin e tij, dyzimet, luhatjet, arritjet, brengat, dhimbjet, tonet e shpirtit, shpërthimet e ndjenjave e të mendimeve. Dhurata për lexuesin është e magjishme. Pak kush mbetet pa e gjetur vetveten në këtë roman Që nga ata që na drejtuan e na drejtojnë, ata që u shuan përfundimisht përmes vrasjeve e burgimeve të pashpirta, ata që mbijetuan duke u përballur apo gjunjëzuar, ata që ikën, duke mbetur me kokë të kthyer pas, ata që na pritën, na i hapën apo mbyllën dyert e shtëpive të tyre në Europë. Drama e personazheve zbulohet ngadalë, në një mbrëmje fiorentinase, në atdheun e Dantes. Po ashtu si dhe bota e tyre e brendëshme, psikologjia shpresat, arritjet dhe dështimet e tyre.
Lexuesit i bëhet edhe një dhuratë tjetër : romani përshkohet nga një pasuri e jashtëzakonshme informacioni mbi historinë, arkitekturën, artin dhe muzikën. Flutura Açka merr përdore lexuesin përmes bukurive të qyteteve europiane, na shoqëron në artin dhe letërsinë e sotshme e të djeshme, duke dëshmuar njohje të thella të tyre për veten e vet, dhe një bujari të rrallë për lexuesit e saj.

Flutura Açka

Personazhet, pavarësisht anëve të errëta e komplekse të jetës së tyre « udhëhiqen » përmes rrathëve të ferrit nga dashuria, si Virgjili i antikitetit shoqëron Danten. (Në roman janë përfshirë dhjetëra tercina të veprës së famshme, të përkthyera në shqip nga Pashko Gjeçi, si eko të gjendjeve të ngashme). Dashuria, kjo ndjenjë sublime, e përndritshme e përtëritëse, jo rrallë edhe i djeg me shkëlqimin e saj tundues. Autorja ka alternuar me mjeshtri emocione të thella e të bukura, me përshkrime e qasje analitike përmes dialogjesh inteligjente, duke sjellë peshën e rëndë që bartin personazhet e saj. Romani u ka shpëtuar gjithsesi toneve publicistike, pasi autorja nuk mban anë, ajo u jep hapësirën e domosdoshme gjykimeve të personazheve të veta, u jep atyre lirinë e plotë të gjykimit, liri, në kërkim të së cilës ata kanë sakrifikuar aq shumë. Gjykimi i fundit iu takon lexuesve ! Libri kënaq edhe etjen e gjahtarëve të shprehjeve të bukura, të citateve të mënçura, pasi personazhet e romanit, janë njerëz me përvoja e kultura të çmueshme, gjë që u jep atyre një shkëlqim humanist !
«Të ftuar në rrethin e dhjetë » është po aq i mirë, sa edhe romani « Dernier des Notres » i Adelaide de Clairmont-Tonnerre, që ka fituar « Grand prix du roman de l’Academi Francaise 2016 ».
Ua kam rekomanduar miqve të mi frankofon këtë roman, dhe nuk kanë mbetur të zhgënjyer : i nxis miqtë e mi të pasionuar pas letërsisë shqipe ta lexojnë romanin e Flutura Açkës,«Të ftuar në Rrethin e Dhjetë » pasi jam i bindur që do të mbeten shumë të kënaqur.
Ky roman arrin të bëjë dy gjëra njëherësh, të rrëfejë në mënyrë të mrekullueshme një histori, dhe të ngjallë emocione estetike, emocione që vijnë nga shkrimi i bukur, nga vetë fjala.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s