Mëkatet e vjeshtës / Tregim nga Sabina Darova


Mëkatet e vjeshtës
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
E djelë. E fundit për këtë shtator vjeshte, ku shirat nuk rreshtiin së bëri dashuri me tokën. Është dashuria e tyre e parë dhe më e gjata mbas verës së thatë të këtij viti. Këpucët e llustrafinta të dasmorëve përpiqen ti rezistojnë baltës, e cila nxjerr në pah egërsinë duke lozur me to, si macja me miun. Fundet e pantallonave të burrave, duken si funde varkash të thithura nga lluci i kënetës dhe takat e grave si dhëmballë të sapo shkulura që kërkojnë prehje.
Gratë nxjerrin nga çantat pasqyrat, kontrollojnë krehjen e flokëve të porsa dalë nga tasat e permanentit. Herë pas here, hedhin vështrime njëra-tjetrës me zili apo kërshëri, sikur duan të masin bukurinë e çdonjërës në varësi nga cilësia e trukeve të parrukiereve të lagjeve nga vijnë. Mira e lagjes sipër, është më e zonja se Zana e lagjes në qendër, apo Caja e lagjes poshtë, ka materiale më cilësore se Hajria e lagjes së Abazes.
Oborri i pallatit është i ngushtë dhe krushqit që kanë ardhur për të marrë nusen janë shumë. Dasmorët kanë sjellë dhe një orkestër me vete. Duket që kanë bërë të pamundurën për tu paraqitur sa më denjësisht, në këtë ceremoni dasme. Janë dasmorë malësorë që vijnë e marrin nuse në qytet.
Rrallë ndodh, që vajzat e qytetit martohen me djem nga fshati, aq më pak të zbritur nga malësia. Kjo ndodh kur vajjzat janë dashuruar me shokë studentë në universitet dhe atëherë kur kanë një cen. E thënë shkurt, o janë të braktisura nga një dashuri dhe aludohet që nuk janë të virgjëra, ose kanë difekte fizike, si miope, çalamane, të shëmtuara etj. Pra, janë vajza me njolla. Për mos t’ju ngelur në derë prindërve, kërkohen mblesër ndër të afërm e të njohur për dhëndurë tolerantë, që mbas natës së parë të martesës, nuk shfaqen përpara derës të zemëruar sepse nusja nuk është e virgjër. Nuk kanë as të drejtë morale ti kërkojnë nuses se me cilin ka shkuar përpara tij. Kjo, sepse e përfshin kontrata: zbritje në qytet, nuse me cen!
Një nga këto është Greta, shoqja ime e shkollës, e punës dhe e lagjes. Dhe pse jo, dhe dashuria ime e fshehtë.
Këmbët më shtyjnë jashtë vullnetit, për ti dhënë lamtumirën e fundit ëndrrës që pas pak orësh do e përpijë balta. Ëndrra ime do i dorëzohet krahëve të malësorit qe ka zgjedhur kompromisin, një grua “me njollë”, në këmbim me një shtëpi në qytet, një punë në fermën e qytetit, bukë të bardhë e konjak në lokal sa herë që ti thahet gurrmazi nga lodhja.
Ulërimat e grave paralajmërojnë dorëzimin e nuses tek pala e krushqve. Zëri i tyre i kobshëm njofton ndarjen e vajzës nga pragu prindëror dhe ky çast, shprehet me notat më të larta të hidhërimit. Nusja e thyer përgjysëm nga lotët dhe rënkimet, siç e kërkon zakoni, mbahet për krahësh nga daja dhe vëllai. Ligj kanunor. E ndjekin nëna dhe të gjitha gratë e fisit. Dasma merr ngjyrat e hidhura të mortit për familjen e nuses. Ajo që bën diferencën janë ngjyrat e rrobave. Largimi i vajzës në folenë e re përcillet me dhimbje.
Kërcas dhëmbët dhe nofullat përcjellin hidhërimin si një kalorës lufte që luftë s’ka bërë. Përballë, dy hapa larg meje, qëndron dhëndri i pispillosur që pret të marri nusen. Taksia e bardhë dhe kamioni me njerëzit lart, gati sa nuk çahen nga zhurma e daulles. Ngrej sytë dhe vështrimi ndesh sytë e Gretës që qan me zë. Ndal për pak sekonda të qarin, dhe mjekrrat tona dridhen si hije honesh. Vështrimi i saj më kërkon ndihmë, të cilën jam i pa zoti ta jap.
Është e dyta herë që kërkon ndihmë dhe është po e dyta herë që ndjehem i pafuqishëm, si një dështak. Siç duket, ditkam vetëm të përcjell…
Me Greten kemi kryer tetë-vjeçaren. As njëri e as tjetri ishim nxënës që shkëlqenim. Prindërit punonin si punëtorë, e nuk mundeshin të na ndiqnin në kryerjen e detyrave të shkollës. Banojmë edhe në dy pallate përballë e në kat të tretë. Janë pallate të
ndërtuara me punë vullnetare nga vetë familjarët. Rastësia e solli që të punojmë edhe në të njëjtën fabrikë.
Greta është vajza më e bukur e lagjes. Ndoshta edhe e të gjithë qytetit. E gjatë e bel hollë, sy jeshilë e flokë verdhë të dendura me onde. Ngjyra e flokëve e bën të dallojë nga flokët brunë të vajzave të qytetit. Ngjan me kukullat Barby. Në fakt, djemtë e thërrasin “Greta kukulla”.
Kush nuk u dashurua mbas saj. Të rinj e burra me mustakë. Mes tyre dhe unë, por ajo më sheh si vëllain e saj të vogël.. E jo vetëm. Herë pas here më rrëfen emrat e simpatizantëve dhe unë luftoj me ta, gjatë ëndrrave të natës si një Don Kishot i mirëfilltë. I zemëruar shtrëngoj grushtet aq fort, sa thonjtë më ngulen në mish e shtrembëroj fytyrën nga dhimbja. Sytë e jeshiltë më shohn të çuditur e pyesin, çfarë të dhemb? Zemra, zemra dua t’i përgjigjem, por ul kokën e nuk guxoj ti shpreh ndjenjat e mia.
Besniku, babai i Gretes, ma beson kur shkojmë në punë, në turn të tretë. Të kam si djalë, e ke amanet nga unë.. Të ma ruash si sytë e ballit vajzën!
Unë skuqem e me zërin që bëhet nyje në grykë, belbëzoj premtimin në mbajtjen e fjalës.
Shoqëroj çdo natë Gretën nga shtëpia në fabrikë e anasjelltas, i sigurt që e kam kryer detyrën më së miri. Kjo për një vit e gjysëm, deri në ditën e kobshme kur zbuloj atë që nuk do ja kisha uruar as armikut.
Ishte ditë e premte dhe në fabrikë sapo kishin filluar të vinin portokallet e para. Shishet mbusheshin me lëng e arançiata, të cilat përfundonin për eksport. Puna me orar të zgjatur zgjat për dy muaj me radhë. Ne të rinjve, na takonte të punonim më shumë në turnet e natës. Jo vetëm kaq, por edhe kontrolloheshim në çdo moment se mos pinim pa leje, lëngun e shtrydhur të frutit të verdhë që rridhte nga tubat e metaltë.
Në qytetin tonë malor, ky frut ishte i ralle dhe vetëm në festat e fund vitit mundej të na ndanin 2kg për shtëpi. Ndaj dhe tentacioni i varfërisë tonë ndaj lëngut të portokalltë, ishte shumë i fortë. Sekretari i Partisë, që ishte dhe përgjegjësi i repartit, nuk na i ndante sytë dhe kërkonte të “sakrifikohej” dhe ai pëgjatë turneve të natës.
” E bëj për Partinë”, mburrej. “Bllokadat çahen me eksport dhe çdo pikë lëng i shitur kapitalistit, sjell bollëk ndër vatrat tona”! Askush nuk e besonte, por kujt ja mbante të kundërshtonte?!
Atë të premte, i lodhur dhe gjithë djersë, rreth orës katër të mëngjesit, shtyja pedanën me arkat plot me shishe drejt magazinës.
Shtyj derën e hekurt i shkujdesur dhe i jap forcë këmbës së majtë për të shtyrë pedanën. Rrotat e saj rrëshqasin lehtësisht mbi dyshemenë e lagur dhe veshi më kap një klithmë: ” Ohhh”.
I çuditur, sepse isha i sigurt që brenda nuk kish njeri, ngre sytë për të kërkuar rrugën nga vjen zëri. Sa do të kisha dashur që ai çast të më kish kursyer! Të kish zgjedhur dikë tjetër në vendin tim. Sytë fotografojnë një pamje që nuk e kisha as menduar, e as imagjinuar ndonjë herë.
Nën dritën e zbehtë të llampës së neonit, vërej dy trupa të zhveshur cullak e lakuriq. Trupi femëror ndriste si një gjysëm hëne. Lëkura e bardhë, e bukur si mëndafsh. Mbi supe derdheshin flokë ngjyrë të verdhë.. Hap dhe mbyll sytë dy-tre herë si për ti thënë vetes që figura që ti shikon, nuk është ajo që ti njeh, por e dikujt tjetër. Por jo, nuk gabohesha. Figura femërore e lakuriqtë kristalizon qënien e Gretës, perëndeshës time. Mbi ballë ndjej djersë të ftohta e gjunjtë fillojnë të dridhen. Por nuk ishte e mjaftueshme. Tablloja duhej kompletuar.. Përballë vajzës, me buzët që varen si banane e stërpjekur nga kënaqësia, bark dalë e të dhjamosur, qëndron sekretari i Partisë dhe përgjegjësi ynë i repartit, Reshiti. Si ishte e mundur? Fërkoj sytë për tu zgjuar, por zgjuar jam. Për disa sekonda mbulon një heshtje varri. Askush nuk ishte i përgatitur të gjendej në një situatë të tillë. Si ishte e mundur ? Greta ime që unë e ruaja nga vështrimet djallëzore të djemve, paska një raport seksual me një burrë të martuar?
Ja ku doli dhe arësyeja, përse sekretari i Partisë sakrifikonte familjen e tij me tre fëmijë për të qënë në turnin e natës. Gjaku më bulçon dhe veshët.
I shtangur nuk di si të veproj. Këmbët të gozhduara në dyshemenë e qullur sikur prisnin vendimin e dënimit: me varje apo kokë prerë?!
” vazhdo ti, po deshe”- dëgjoj zërin e trashë të tij.
“Nuk të vjen më në derë një e mirë si kjo”, ngre zërin. ” E njeh atë shprehjen” kap çfarë të kapësh”?
Nuk arrij të kuptoj apo të besoj sensin e fjalëve që dëgjoj dhe e pyes: ” Çfarë po thua”?
Ai qesh e më afron fytyrën. ” Ehi spurdhjak! Po të ofroj pjatën me mish ta hash. Ja ku e ke. Është akoma e ngrohtë. Apo nuk je i zoti. Nuk të ka rënë mishi në dhemb akoma?Hahahahaha!”
Vështroj Gretën. Sytë nuk më kishin parë trup më të bukur se ai! Ulur mbi një karrige të vjetër druri, vendos duart përpara gjinjve për tu mbrojtur dhe nga sytë fillojnë ti rrjedhin lotë. Dea, e bukura e dheut! Nuk di se kush ishte më e bardhë atë natë, hëna apo fytyra e saj. Nuk mbaj ment se si, por di që krahu im ngrihet lart dhe kërkon të godasi. Përplaset mbi fytyrën e saj me të gjithë forcën që kisha. Rrëzohet dhe bie me gjunj mbi dysheme. Nuk kërkon ndihmë të ngrihet. Qan mbyturazi. Ringrej krahun dhe këtë herë drejtohet nga ai. Ndaj sekretarit të Partisë. Burgut po i thosha hapu. Ketë radhë më shkon bosh. I shkathët, Reshiti e kupton qëllimin tim dhe më kap krahun.
” Ehi djalosh, e din se me kë ke të bësh? Jam përgjegjësi yt dhe sekretari i Partisë. Si mendon, që dëshirat e mia nuk realizohen, po ti dua unë? Këto flokët e verdhë janë të miat dhe bëj ç’të dua!” Po ti ruaje kur të dali jashtë nga këtu”. E zbardh dhëmbët.
Kuptoj grackën ku kish rënë Greta, vajza më e bukur e qytetit. Ndoshta jo vetëm ajo.
Ngrihu!- e urdhëroj. Si një kufomë ngrihet ngadalë, tërheq përparësen blu të dokut dhe ja hedh trupit. Me kokën ulur zhduket nga magazina.
Reshiti më bën me shenjë buzët që duhet ti mbaja mbyllur. Një fjalë e vetme e tij dhe unë mund të gjendem i pa punë, jashtë fabrikës.
Ndjej stomakun që proteston e nxjerr vrer. Ç’të bëja tani? Si mundej ti dilja përpara Besnikut që më kish besuar vajzën?
Për fat, dita zbardh dhe mëngjesi më ftonte të ngrija thembrat nga kisha ardhur. Në shtëpi bie si i vdekur mbi krevat. Nuk mbaj mënt sa orë të kem fjetur. Dëshiroja të qëdroja ashtu, në errësirë, vetëm me veten, si midhja brenda guackës, pa lënë të depërtojë drita.
Më zgjon zëri i nënës. I them që nuk jam mirë dhe shkoj në klinikën mjekësore të vajzës së tezes, ku shërben si mjeke. Një javë raport.
Ditën përpara se të dal në punë, dëgjoj nga ballkoni time më, tek uron nga ballkoni tjetër ti trashëgohet vajza. Brof në këmbë e i afrohem xhamit. Ishte mamaja e Gretës.
Ime më hyn dhe më gjen përballë saj, për ti kërkuar shpjegime.
” Kanë fejuar Gretën. E kanë fejuar në malësi. Ja ka gjetur Reshiti dhëndrrin. Është fis i veti . Burrë i mirë”. Mbi buzë i vizatohet një buzëqeshje ironike…
 
* * *
 
Kanë kaluar 9 muaj nga ajo ditë. Sot, kukulla “Barby” martohet. Dhëndrri malësor i fut krahun dhe e tërheq drejt taksisë së bardhë. Daullja gjëmon dhe unë ndjej zemrën që po më çahet. Greta largohet me kokën të kthyer pas. Ndjek shtëllungat e tymit që lë pas shpatullave të saj. Shtëllungat përzihen me baltën dhe shiun që s’rresht së dashuruari tokën. Gratë tundin kokat dhe pëshpërisin ngadalë:
” Iku edhe Greta”, e ngjisin shkallët e pallatit dy e nga dy…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s