Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

KOHA E HUMBUR SOROLLATET

Kur më zë vetmia
Fundosem në shpirtin tim
Dhe si një zhytës profesional
Notoj si i çmendur notoj
Nëpër detin e kujtimeve

Ju thashë
Kur më zë vetmia
Nuk i ngjaj asnjë njeriu
Nuk di sa është ora në qytet
Kjo e shtëpisë qenka ndalur sot

I pyeta edhe fqinjët
Por as ora e tyre s’punon
Qenkan ndalur koha në këtë lagje
Fjala e humbur sorollatet
Nëpër degët e thyera të gështenjave.

 

ÇELIN ME QINDRA ZOGJ TË RINJ

Nuk trokasim më nëpër porta
Ato janë gjithmonë të hapura
Një muzikë kozmike
Dëgjohet përbrenda mureve

Për çdo ditë këtu lind një Diell i Ri
Kur vijnë mbrëmjet
Nën pemët e lulëzuara
Njerëzit përherë dashurojnë

Burimet janë të kristalta
Ngjajnë me shpirtin fluid të lagjes sime
Kavakët asnjëherë më
Nuk e ndalin rritën e degëve

Kur bien shirat me vrizma ylberesh
Netëve nën hënë
Shpendët krenarë të atdheut.

 

 

MBI KËTO BEDENA TË ATDHEUT

Këto janë imazhet
Më të bukura sot për sot
Mbi këto bedena të atdheut
Ndjehem i madhërishëm o Zot

Nëpër fushat e gjëra dhe të paanë
Si kaprojtë e egër fëmijët vrapojnë
Çfarë kënaqësie tjetër
Në këto çaste mund të ëndërrojmë.

 

I DËGJONIM EDHE BRITMAT E PLUMBAVE

Ajo katrahurë e atyre ditëve
Përfundimisht desh na çmendi
Si arinjtë flinin qytetet
Ishte numri i vogël
I atyre familjeve
Që përgatisnin djemtë për luftë

Nuk kishte kurrfarë organizimi
Nëpër oda me dritare të errësuara
Patriotizmi valonte si qumështi në kusi
Kurse në anën tjetër
Nën kajsishtat e mbjella
Armiku i dhunonte edhe pemët e shkulura

Mbi qiellin e zi
Për çdo ditë
Fluturonin zogjtë e hekurt
I dëgjonim edhe britmat e plumbave
Por ec e qite kokën në rrugë
Kur në pragun e derës të prite mortja.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s