Poezi nga Xheladin A. Çitaku

Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

N`FLATRA T`MELODISË

Flladi i puhizës ledhaton
shpirtin e përflakur, 
mbështjellur n`aromë
fletësh t`petaleve
mbushur nektar,
të shkrirë në ngrohtësi
rrezatimi ngjyrash të ndezura,
në portretin e fiksuar
rrugicash nën hije
e n`korniza thellësishë,
ku ndjesitë përpliten
në vorbull ëndërrimi,
mamuzëruar shkëlqimesh
e buzëqeshjesh
në linja perfekte.

N`kthjelltësinë e qiellit
vegohet siluetë e përndritur
në fronin e ngazëllimit,
kurorë xixëllonjash
ballit të diellzuar
e gërshetash valëzuar
n`supe të kristalta,
ku përhumbet shikimi
n`vezullime yllësie
e lëbyret ndijimi
në ëndje t`mjaltosur
të imagjinatës.

Përkëdhelje tundimi
n`idilin e ëndrrës,
në hënën e sajuar
të dritës argjendore,
ku feksë yshtëzimi,
ku vijëzohen flatrat
e emocionit
në shije iluzive
e n`gravura tingëllimi.

 

DOLLI MESKINE

Rëndueshëm n`bredhje
mendimet melankolike,
sfilitur kohësh të grisura
e shtigjeve ëndrrimtare,
trishtueshëm zvarritur
n`shpresën perënduar
rrugëve të zhgënjimit,
që vetja trasoi
e vetja shijoi,
shpirtin e mashtroi
për hoje t`paqena
e paragjykime naive.

Shkarë rrëpirash të fatit
çapitjet e trillit të jetës,
mëshirën braktisur
n`ferrishta ngashnjimi,
n`ashpërsi thepash
e majash t`kotësisë,
që egon shënjestruar
shigjetash lajkatimi
e humnerash nga prapa
për t`gremisur ëndrrimin.

N`horizonte t`lartësisë
vijëzohet shikimi i mashtruar,
si vegim lundrues
ku vijëzat puthiten
në velat e ftohtësisë,
në buzëqeshjen e hijëzuar,
që s`duket gjëkundi
as n`sorollatjet e kohës,
që përjetohet n`hapërim
e ngarend akrobatshëm
n`vizionin njerëzor.

Në flatra neverie
piskamë gladiatorësh
arenash prehistorike,
oshtimë ovacionesh
shpurash cezariane,
që flijim kërkojnë
me hakërrima në kor
e shtizat helmatisur
në vrerin e Ponc Pilatit,
që shigjetojnë dlirësinë
e hapin plagë feksjes
së agimeve mbi kreshtat
e nxira nga tis i errësirës
së netëve të gjata…

 

KËMBYES FYTYRASH

( Kupolës së xhindeve )


Shpirtëra lecke bërë kinde, kinde
t`grisur e shqyer nëpër kacavarje
n`maja kupolash ngjitur si xhinde
poshtë dynjanë e mbysin në sharje.

Hamejtë e djallit urrejtjen e bartin
smirën stivosin në pragje shtëpishë
snobë t`egërsuar që vatrën e zhvatin
flatruar n`ëndërra dremitëse dalldishë.

Orakuj zezone n`këmbime fytyrash
zellshëm argatërinë bërë për satanan
kameleonë, në shëndërrime ngjyrash
fjalë, besë e nder mbyllin në muranë.

Neps i uritur ndër kohëra të shkuara
kur koha nuk ngopte as me kafshatë
ngjitur me vrull zezonash t`kulmuara
ngelë në paterica kjo mendje e ngratë.

Syri i pangopur nuk nginjet njëherë
e shpirtngushtësia nuk njeh virtytin
nën lëkurë të robit gjallonë përherë
dhe hiqet zvarrë për ta njomë fytin…

 

NANURITUR VEGIMET

Një drithërimë shpërfaqet vegimthi
nga imazhi që shkreptinë si vetëtimë
shpirtin përshkon tejpërtej nxitimthi
dhe ndjesinë e mbërthen në thurimë.

Shikimi ndalet n`buzëqeshje si të diellit
që shfaqet hareshëm n`horizont agimesh
dhe feksin linjat si në kaltërsinë e qiellit
si n`butësi ngjyrash e si vesë pluskimesh.

Grerëza t`emocionit që cimbisin ëndjen
tundimin shalojnë drejt yjesh n`fluturim
n`afshe marramendjet shijojnë trandjen
tretur n`afekte përhumbjesh në ëndrrim.

Shqetësim i këndshëm kaplon ndërdijen
dhe ngatërron udhët ndër ekstazat fluide
n`labirinthe joshjesh e udhëzon vetëdijen
n`përkëdhelje shpresash për shije perfide.

Dhe dallgët trazuar në molin e ngazëllimit
ndër veloret e shpirtit baticat do përplasen
magjepsjet përkunden n`djepin e valëzimit
si bubullima të vullkanit zhuritjet gajasen…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s