Parafjala e librit  “Testamenti i grave për gratë” / Nga autorja Zenepe Luka

Parafjala e librit  ” “Testamenti i grave për gratë”

Titulli i këtij libri “Testamenti i grave për gratë”, nuk do të thotë, se po ikim dhe po lëmë me të shkruar, atë, që nuk e kemi thënë me gojë. Jo! Brenda faqeve të tij, është hedhur shkurtazi, se çfarë arriti të bëjë një fondacion gruaje, që ka emrin e shqiptares së madhe, Ambasadores së Kombit, Nermin Vlora Falaschi, përgjatë rrugëtimit të tij 15 -vjeçar, por jo vetëm.

Ka disa arsye, që e motivuan këtë libër, të veçantë në llojin e vet, që botohet me rastin e  15-vjetorit të  Fondacionit.

Ai merr përsipër të kryejë misionin e tij sot dhe në kohët, që do të vinë, për të treguar me fakte, foto dhe të gjitha provat, që do t´i shërbejnë lexuesit dhe veçanërisht grave shqiptare, për të parë dhe mësuar se çfarë mundi të bëjë Fondacioni i gruas së shquar, me  njëzetë degët e tij, në rajon dhe Diasporë, për të bashkuar zërin e gruas shqiptare, të arbëreshes me kosovaren, të gruas intelektuale në Malin e Zi, Maqedoni, të shqiptares, që jeton mbi një shekull në Turqi, të arvanitases në Greqi, të atyre që jetojnë në  Gjermani, në Kanada, në Amerikë  dhe deri në Australinë e largët. Zëri i saj buçiti  fuqishëm edhe nëpër forume e konferenca botërore, ku u përfaqësua me dinjitet gruaja intelektuale shqiptare.

Në konferencat shkencore, në tubime apo veprimtari kulturore e artistike, në botimet e shumta, që ka bërë, dokumentarët e realizuar, qindra shkrime botuar në organet e shtypit brenda e jashtë vendit si dhe në kronikat televizive, u dëgjua zëri i gruas intelektuale shqiptare, që buçiti fort. Fondacioni, që ka në gjirin e vet gruan e shquar e patriote, ka bashkëpunuar me shoqatat dhe organizatat simotra, duke pasur model, Shënjtoren Nënë Tereza.

Ky Fondacion, ka patur synim dhe e ka realizuar plotësisht përcjelljen e mesazhit, se bashkëjetesa në etni, është domosdoshmëri në një shoqëri të qytetëruar, se gratë, pavarësisht nga kombësia e rraca, kanë një shqetësim të përbashkët: Të fitojnë të drejtat e tyre, të promovojnë  vlerat dhe të marrin vlerësimin e duhur  për kontributet, si përfaqësuese të denja për të qenë pjesë e lokomotivës së një shoqërie të qytetëruar.

Historia ka provuar se gruaja në drejtim, ka punuar e punon me përkushtim të madh, ka shkrirë jetën e saj në interes të Kombit, sepse e ndjen përgjegjësinë e detyrës, si dhe detyrimin për të përcjellë më të mirën për pasardhësit, për fëmijët, nipërit e mbesat, që të jetojnë më mirë dhe kontribuojnë më shumë.

Në këtë Fondacion dhe degët e tij, aderojnë gratë e  shquara në shumë fusha, veçanërisht në art, jurisprudencë, publicistikë, në jetën akademike e personalitete  publike,  që sfidojnë moshën e nuk njohin lodhje, që i ranë botës rreth e rreth, për të përcjellë mesazhet e domosdoshme si gra, për masën e grave.

Ky libër në nëntë kapitujt e tij, bën përpjekje, të skicojë portretin, modelin, e një armate grash, jashtë bindjeve politike, që  punojnë vullnetarisht, paçka se ky Fondacion, gjatë rrugëtimit të tij, nuk mundi të përfitojë edhe një projekt të vetëm nga qeveritë, organet e pushtetit vendor, institucionet  shtetërore dhe donatorë të huaj e vendas, se ka vuajtur shumë, për të bërë katërqindepesëdhejtë veprimtari të mëdha, brenda e jashtë vendit,  pesëdhjetë  prej të cilave, janë konferenca shkencore të nivelit akademik, që kanë pasur në epiqendër, gruan.

Ndërkohë, jemi dëshmitare, që në këtë periudhë tranzicioni në Shqipëri, janë lëvruar për OJF, që përfaqësohen nga njerëz të lidhur me pushtetin e çdo kohe, lumë milionash, pa bërë punë, që kanë “qepur” thjesht dosje, për t’i pasur në inventar dhe duke u pasuruar vetë padrejtësisht. Pavarësisht, se nuk mundëm të sigurojmë një zyrë, ambjent pune nga bashkitë e Tiranës e Vlorës, ambjentet e shtëpisë së drejtueses së tij në Vlorë, u vunë në dispozicion, që në themelimin e tij dhe tërë kohën, duke u shndërruar në një strehëz të grave.

U bënë përpjekje pa fund, për të gjetur një sponsor për të botuar gazetën “G R U A”, që të përcillnim zërin tonë çdo javë, por nuk mundëm.

Pra, të gjitha këto dhe trokitje të tjera të dështuara, që nëse  do t`i trajtonim një për një duhej një kolanë, asnjëherë nuk u bënë shkak që të ndalnim punën në rrugën tonë, që nisi në Kuvendin e Parë të Gruas së Shquar, që u mbajt më 18 prill të vitit 2002.

Mirënjohje Federatës së Grave të Kinës, që na pajisi me mjetet e nevojshme për të punuar.

Kjo është edhe sfida e këtij Fondacioni, që mbijetoi vetëm me sakrificën  e këtyre grave të shquara,  mbështetjen e  anëtarësisë dhe miqve të shumtë,  që janë bërë pjesë e tij.

Ky është një tjetër mesazh, i Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, që nuk lexohet sot, por me siguri do ta vlerësojnë dhe marrin model brezat.

Dy, prej tetë kapitujve në këtë libër, i kushtohen Gruas së Shquar, që i bëri dritë kombit dhe gruas gazetare, që nuk rreshti së shkruari për gruan.

Sigurisht, lexuesi duhet të kuptojë, se është bërë thjesht një përpjekje e sinqertë, për të shkëputur nga armata e madhe e grave të shquara, kryefigura, që ndër shekuj, kanë përcjellë mesazhet deri në ditët e sotme, që kanë qenë modeli ynë dhe që përjetësisht, do të mbeten në gjerdanin e artë të historisë shekullore të Kombit Shqiptar.

Lexuesi, masa e madhe e grave intelektuale, pjesa e shëndoshë e shoqërisë, do të bindet, se janë mijëra Teuta, Regjina Balsha, Bubulina, Miro Tërbaçe, Musine Kokalari, Tefta Tashko, Marigo Poso dhe Nermin Vlora, që ndriçohen nga Shenjtëria e Nënë Terezës që punojnë, shkrijnë jetën e tyre, për të mbajtur ndezur pishtarin, që kombi ynë i lashtë të ndriçojë në përjetësi.

Ky libër e ka emrin “Grua”.

 

Zenepe Luka

   Mars, 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s