SHPIRTI I SIRTARIT TË KUJTIMEVE / Nga: Rami KAMBERI

SHPIRTI I SIRTARIT TË KUJTIMEVE

 

Nga Rami KAMBERI

“Ndez zjarrin e kujtimeve
si trëndafil i përndezur hedhur në oqean
shpërndarë dhe dashuria
si petalet e venitura bie melankolia
në shpirt shtohet dhembja”

Poezia si gjuhë e kujtesës dhe si gjuhë e mallëngjimit kur na paraqet në formën e shpërthimit shpirtërorë, sikur na i drejton shikimet drejtë odeonit të ndjenjës, që do të rikthehet tek ëndrra ku gatuhen emocionet e dëshirës me dhimbjen e realitetit, kur nga larg, tej oqeaneve, shpirti do ta ketë sa më pranë tokën e lindjes, të njeriut që hapi i ndalon atje, ku pos jetës si jetë jetike syri nuk i sheh më shumë se ajo që e do zemra e se thonë dot fjalët.

Seli Murati

Me një natyrë të kësaj poezie na vjen poetesha Seli Murati, nga toka e premtimeve të mëdha për një jetë ku ëndrra kërkohet të bëhet më shumë se ajo, që e do shpirti dhe e ndjenë prekja si vlim nga kujtesa dhe realiteti.
Kështu që, me dy veprat e saj poetike “Pikëllim i ëndrrës” dhe “Nga sirtari i kujtimeve”, me dhjetëra poezi të rreshtuara sipas kujtesës, na vjen mes nesh poetja Seli Murati, e cila, poezinë e ndanë në dy drejtime të kundërta:
Atë të dashurisë, ku përkufizohet identifikimin e poezisë me natyrën e kujtimeve dhe,
Atë të jetikes që e përmban identifikimin e jetës përtej dashurisë dhe fateve të jetës, duke u kurorëzuar në poezi të shpirtit.
Pra, shihet qartë se poetesha Seli Murati me dy veprat në fjalë mëton të ndërtojë një piramidë poetike, duke e lartësuar vetëm me sy të shikimeve që e nxjerrin nga thellësia e ndenjës odeonin e saj, që të rrezatoj mu ashtu siç do ajo:

• nëpër kujtesë dhe, 
• nëpër jetiken e saj.

“Me ngjyrën e bukur blu
gatova dhimbjen
si lule e fshehur nëpër lëndina
Ku shpirti im ushqehet….”

Janë këto vargje të poezisë “Trëndafili blu ngjyroset me puthjen”, poezi që e hap poetikën e librit “Pikëllim i ëndrrës, që me tej i lejon poetes të shtrydh nga kujtesa e saj shume ngjyra dashurie, si:

• për njeriun,
• për jetën,
• për dëshirat,
• për dashurinë,
• për vendlindjen dhe,
• për tokën që e pagëzoi.

Edhe pse poezia hapet me kujtesë për një dashuri, që merret sa nga kujtesa dhe ëndrra po aq edhe nga pikëllimi për një dashuri mes jetikes dhe shpresës, që poetja e pikturon si një njeri që mund të ishte më shumë se një dashuri edhe, më shumë se një i dashur në kuptimin jetik, që shihet qartë se si e pikturon me gjuhën e ndjenjës poete:
“Sonte pikturoj pejsazhin e bukurisë,
dhe mund lotin tim….”.
Pra, ky pikturim që thirret në emër të bukurisë, sikur na hap shumë shtigje për të arritur deri te pikat në fjalë, të lartshënuara, që na japin mundësi të themi se poetesha me një mjeshtri të madhe na i derdh mendimet gjithandej, për të thënë fjalën e fundit se kulmi i pikave në fjalë është pikëllimi.
Ndaj, po me këtë natyrë, poetesha na i sjellë edhe poezitë e veprës së dytë “Nga sirtari i kujtimeve”, me të cilën poezi na dalin hapur kujtimet si një gjurmë malli të poeteshës, duke shpërthyer me ngjyrat e ndjenjës dhe të emocioneve të cilat krijojnë metaforat e shikimit ndaj jetës sipas përplasjeve jetike dhe atë:

• herë nga kujtesa në dhimbje dhe,
• herë nga dhimbja në kujtesë.

“Ka kaluar kohë e gjatë
atë kur s’je në praninë time.
Mirëpo, ngado që i hedh sytë
shoh portretin tënd
me sytë e mbyllur në mall…”.

Kështu e ka pikturuar poetesha ndjenjën dhe kujtesën brenda mallit, për një dashuri, që e portretizon një dashuri jetike, si një dritare jete, që mundëson radhitjen e poezive tjera në veprën “Nga sirtari i kujtimeve”, që, si një tërësi e kërkon më madhoren e jetës, dashurinë, për t’i sfiduar të gjitha shtigjet jetike, që shndërrohen në labirinte, si:

• mall,
• dhimbje,
• jetë,
• kujtesë etj.

“Në sirtar kujtimesh netëve të regjej
miliona vargje thurur për ty,
për siluetën tënde të admiruar,
në hije që reflekton gjurmë
kur s’ke gjumë, yjet numëron..”.

Po, lirshëm mund të themi se poetesha Seli Murati me poezinë ”Net kujtimesh”, në harmoni me poezinë e parë “Mungesën ta ndjej” të librit në fjalë, pra, librit “Nga sirtari i kujtimeve”, sikur na dëshmon se e tërë poezia është një, por, dallojnë vetëm karakteret dhe tematikat e poezive që e gjallërojnë veprën, kuptohet, si motiv dashuria, por, e gdhendur në mënyra të ndryshme, brenda shpirtit që:

• ka dashuri,
• ka dhimbje,
• ka kujtesë etj.

Kështu që, identifikimi i poezisë me poeten të çon tek poezia përplot figura e, ndërkohë të lejon të kuptosh që identifikimi i kujtesës me poezinë të çon tek dhimbja dhe dashuria si poezi, që rindërton dhe e ringjall një jetë nga e kaluara për të kaluarën në të sotmen apo më mirë thënë në të tashmen, që poeten e detyron t’i jepet:

• kujtesës, 
• ndjenjës dhe, 
• dhimbjes.

Ajo që e bënë me më shumë dashuri, poezinë e poeteshës Seli Murati, është e bukura, si një metaforë, që u jepet:

• njohjes, 
• dëshirës,
• kërkesës,
• ëndrrës,
• zhgjëndrrës,
• shpresës dhe,
• vegimit. 

Pra, përmes këtyre pikave, poetesha na dëshmon se e bukura e kërkon dhe e thërret njohjen, njohja provokon ndjesinë e së bukurës kurse e bukura ngacmon ndjenjën e ndjenja kujtesën.
Pra, nëse poezitë e poeteshës Seli Murati, në veprat “Pikëllim i ëndrrës” dhe, “Nga sirtari i kujtimeve” lexohen më sytë e poeteshës që janë thjeshtë sy të shpirtit, pa dashje bëhemi si poetesha, duke renduar pas absolutit të emocioneve, që na shndërrohet në njohje e cila na rikthen në absolutin e emocioneve dhe na pikëlon me absolutin e emocioneve, mu si poeteshën, që lirshëm mund të themi se edhe kjo ishte si arsye që poetesha të shpërthej përmes vargut, nëpër jetë e dashuri, nëpër kujtesë e dhimbje, qofshin ato për dashuri apo për truallin që e pagëzoi.
Së fundmi, do të gaboja poqë se them se poetesha, brenda dashurisë i ik dhimbjes sa për ta larguar nga fiziku apo emocionet e saja. Ndaj, jam i mendimit se poetesha Seli Murati, është, vetë sirtari i kujtimeve, që lejon të lexohet nga sytë jetë, për të kuptuar më shumë edhe një dhimbje nga kujtesa.
Besoj, se poetesha Seli Murati, me poezinë e saj që është jetësuar, ndoshta pa dashje e merr epitetin poete dhe, mendoj se poezia e saj do të ec edhe më tej rrugëve të jetës, po me këtë ngjyrë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s