Poema e Gurit ( Për Gurin në katër gjendje) / Poemë nga Hekuran Halili

Poezi nga Hekuran Halili

 

Poema e Gurit

( Për Gurin në katër gjendje)

Lutja

Zot ,
të lutem!
Më jep fuqinë e durimin e burrit,
të mundem me gurët,
duke u kërkuar falje që do t’u prish qetësinë,
nga pak edhe do t’i lëndoj.
Por,
një fat më i mirë i pret.
Me ta do ndërtoj një shtëpi e një poemë,
të fortë si guri,
të bukur si guri,
sa guri të kenë jetë …

Gjendja e parë

( Shkulja )

Ndënë këmbë malesh qëndroni fuqishëm,
si lisa të nëndheshëm,madhështor,
nga shtatë ngjyra ylberi bërë.
Se jeni të fortë e të bukur,
do t’u shkul o gurë,do t’u shkul,
sikur gjithë malin ta ngre peshë,
me një lopatë,cfinë,levë e vare,
me një kazëm e zemër…

Ju shkula gurë, ju shkula.
me kaq mund,
në dritë të diellit ju nxorra,
duke u mundur burrash për mesi.
(E ku më mirë do ta njihnim njëri tjetrin
veç në mundje burrash…?!)

Gurë o burrë shpatullgjërë,
Gurë o burrë kokëfortë si unë,
shtëpinë time e të fëmijëve të mi,
me ty do ta ngre,
bashkë me poemën për ty,
si mirënjohje.

Jetoni,
sa jetë mbi Dhe të ketë ,
amanet po ta le….!

Gjendja e dytë

( Gdhendja)

Të nxorra nga dherat,
në vapë e acar,
me pëllëmbë të fshiva e fërkova,
me frymën e gjoksit tim të ngroha,
në prehër si fëmijë të kam marrë
e të gdhend dalëngadalë.

Të të zbukuroja Ty,
të gjithë gishtat i shtypa e vrava.
Nga dhimbja ulërita ,
nga dhimbja rënkova e ofshava,
Oh Nëëëënëëëë …
(asnjëherë s’të mallkova),
ndaj u zbute,
m’u binde,
m’u zbukurove ,
ndaj u deshëm shumë e më shumë.

Të gdhenda gurë,
me daltë e durim,
të zbukurova ,
të bëra dhëndërr,
(ndërsa përbrëndëshmi veten gdhendja,
e ëndrrat e mia),
për një një shtëpi të fortë e të bukur,
për familjen e fisin tim,
me djem e vajza shumë.

Të gdhënda gur,
më shumë me zemër e shpirt,
se me daltë e çekan,
të bekova ,
Bekuar qofsh o gurë-burrë,
Në shekuj përballofsh çdo furtunë…!

Intermexo 

(Pagëzimi)

Dhe tani që të gdhenda e të zbukurova,
do të të pagëzoj ,
me një ceremoni pellazgjike,
me ujë nga burimet e Akerontit,
me një degë dafine Butrinti,
me një kurorë ulliri thesprot,
me një krah lisi Dodone,
do të të spërkat,
e mërmërit mistershëm
në gjuhën pellazge,
në një gjuhë elime,
me “glë’ e “klë”
që bashkë me qumështin e nënës kam mësuar…

Ti,
më i madhi dhe më i forti gur,
gur themeli do të vë,
themele,
që mos u tundëshi kurrë!

Ti ,
tjetri,
më i bukuri,
më i hijëshmi,
guri i qoshes do të jesh,
bukuri e hijeshi,
buroftë shtëpia përherë!

Ndërsa ti,
gur delikat,
guri qemeri do të bëhesh,
mbi dritare, mbi çdo derë,
të harkohesh si ylberë,
miq e shokë të më presësh!

Gurqindisuri me ojna,
si shami vajzash në kokë,
gur kornize do të jesh,
vit pas viti u zbukurofsh!.

Gjendja e tretë

( Ndërtimi)

Usta duar artë,
tani,
që gurët pagëzuam,
hap themele të gjera,
të thella,
deri në palcë të tokës.
Një dem trevjeçar,
nga fusha e Lopsit tim,
me brri sa një bojë njeriu,
do bëjmë fli,
gjakun për tokën,
lutjet për Zotin
pellazgjisht, elimisht….

Dyzetë ditë,
dyzetë ustallarë,
punuan ditë e natë,
me diell e hënë,
muret bënë kala,
të bukur hata,
tani,
çatinë do t’i vëmë
qëndisur me kornizën,
si shamia me ojna.

Intermexo
( Riti i hedhjes së çatisë)
( Mandilja)

Kryeusta o kryeusta,
hape mandilen e bukur,
si fusha e Kestrinës,
mbi gjithë qerestenë ,
bërë nga lisat e Milesë e Saraqinit,
nga lisat e Mëllezit e malit të Thatë,
të hidhen dorovitjet e zotit të shtëpisë,
dorovitjet e tjera të gjitha me radhë.
Bjeri me sqepar baballëkut të rëndë,
e fol kush hodhi më shumë,
njerzit t’i vësh në garrë…

( I gëzofshi të gjitha dhuratat,
o kryeusta, qerrata…!)

Gjendja e katërt
( Kënga ime dhe e gurit )

Shtëpia jonë

Pas derës lë këpucët,
me lodhjen e këmbëve brënda.
Tek dollapi i rrobave var xhaketën,
me xhepat mbushur plot me lodhjen e ditës.
Në buzët e gruas vulos çlodhjen,
e marr lejen e gëzimit të orëve të mbetura ,
der në fund të tretjes së ditës.

Me sy pi një kupë hapësirë shtëpie ,
e dehem,
nga kënaqësia e djersës së ndershme ,
që e bëri shtëpinë tonë.

Ulem e ha drekë,
me gjellët mrekulli gatuar nga ti ,
gishtat duke lëpirë ,
e duke të uruar me sy
( se fjalët janë gjella me e keqe,
e kësaj tryeze të thjeshtë).

Mbështes shpatullat tek muri.
Guri përkulet,
diçka më thotë në vesh,
që veç unë e dëgjoj,
dhe ja marrim një kënge,
përbrëndëshmi,
nga koka,
tek zemra,
nga themelet,
tek çatitë,
për vajzën e djalin,
për nipin e mbesën që kemi,
për nipër e mbesa që do të vinë…

Këngën veç unë ,
guri,
dhe shtëpia ime e dëgjojmë…

Këngë mos mbarofsh kurrë,
Sa guri jetofsh…!

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s