NË VILEN E KOLEKSIONISTIT PLAK (Fragmente III-IV-V) / Shkëputur nga libri me novela ” Zhgënjimi” i autorit Kristaq Turtulli

NË VILËN E KOLEKSIONISTIT PLAK
 
-Fragmente –
 
III
 
Isha i vogël kur dëgjova për ikjen e Vehbi Çezmës. Bëri bujë në qytet. Ai kreu një arratisje spektakulare. Kjo ikje u përfol në qytet për vite me radhë. Në fillim nuk u besua, pastaj u tha se nuk ka burrë nëne ti bjerë liqenit mes përmes, kur të pret e ftohta hidhur e nëntorit. Më vonë u besua se qe mpirë, e vdekur prej të ftohtit të ujit të liqenit dhe kishte përfunduar si të gjithë ikanakët e tjerë me peshqit në fund të tij. Disa thanë me përçmim, që plumbat e rojeve duhet ta kenë bërë fërtele tradhtarin e kapërcimit të kufirit të shenjtë shtetëror dhe flakur si lëvere në brigjet e shtetit fqinjë. Por pasojat më të hidhura qenë për nënën dhe të motrat, të cilat i shkulën me dhunë, në mesnatë prej qytetit dhe i internuan në një fshat të largët, të thellë malor. Fqinjët dashakeq thanë se po të ishte burrë, le të qëndronte dhe të pranonte pa kompromis fatin e parashikuar, burgun, pushkatimin, si të ish.
Ikja e Vehbiut ndodhi fill pas arrestimit të babait dhe të dy xhaxhallarëve, si familje e deklasuar dhe e lidhur me mbretin. Vehbiu u lajmërua prej nënës, e cila i la në duar një shishe të vogël me vaj dhe një biçak: ‘Po ti biesh liqenit, lyeju me këtë. Po biesh malit dhe nëse të dalin qentë ose ujqit prei me këtë’, e porositi. Iku, la pas dhimbjen e nënës, mori arratinë pa i dirsur ende mustaqja. I vetëm, i çakërdisur, pa pasur tjetër rrugëzgjidhje dhe si rrallë kush, në mes të natës, i ra mes për mes, me not liqenit të Pogradecit. Hënë nuk kishte, nata dhe uji qenë të zeza sterrë dhe ai voziste, voziste pa ndërprerë. Diku afër bregut e gjetën gati të ngrirë disa peshkatarë me peshkarexhe. E morën me vete. E fërkuan, ti lëvizte e ti nxehej gjaku. E mbështollën me batanije dhe e nxorën e në breg.
 
IV
 
Makina vraponte në autostradë. Vehbiut nuk e kishte shkulur prej dhëmbëve të vënë cigarishten bosh. Trup përkulur vështronte i menduar morinë e pafundme të makinave. Ishte mesditë dhe autostrada ishte plot me makina të llojeve të ndryshme. Më hodhi një shikim të shpejtë dhe tha:
-Koleksionisti plak ndërroi jetë para disa ditësh. Karusel është kjo dreq jetë dhe përgjatë rrotullimit ngelesh në vend. S’ më vjen mirë për ikjen e tij, e njoha nga afër, punova, u përkujdesa në vite për kopshtin e tij. Ai ishte një nga koleksionistët më të mëdhenj. Më duket se të kam folur për të, – tha Vehbiu dhe u kollit.
-Po, -i thashë.
Përnjëherësh mu kujtua novela e mrekullueshme: ‘Koleksionisti i padukshëm,’ i Stefan Svajgut. Frika, përulja, përvuajtja, varfëria e gruas dhe e vajzës së koleksionistit plak, dhe verbëria, mallëngjimi i tij për koleksionin e padukshëm. I cili besonte se kishte koleksionin më me vlerë dhe lëmonte me dashuri kartablet e zbrazëta. Ndërsa koleksioni i vërtetë i pikturave, ishte shitur dhe shpërndarë në të katër anët e botës qysh prej një kohe të gjatë.
-Ishte burrë i mirë merhumi. Nuk e ke idenë sa i pasur ishte, i krimbur në dollarë. Nuk kam përse të ankohem, më mbajti me bukë. Vetëm kohët e fundit kishte filluar sikur të çkallaisej. Përpara se të sëmurej, më vinte pranë kur punoja dhe më ankohej për vdekjen e artit, vyshken e luleve dhe të vlerave njerëzore. Kur përfundoja punë nuk më linte të largohesha. Më thërriste brenda dhe më tregonte koleksionin e tij. E ndiqja me vëmendje, e dëgjoja. Paçka se isha i lodhur dhe më flihej. Kopshtaria të kënaq shumë, por edhe të lodh. Nuk i ktheja fjalë vetëm e dëgjoja, se ndryshe do nxehej dhe do fillonte të shkulte leshtë e kokës. I gjori Oneili, i donte lulet! Iku. La pas miliona e miliona dollarë dhe si të gjithë, me vete nuk mundi ti marrë, – tha Vehbiu.
-Burrë i vjetër ishte koleksionisti Oneil?- e pyeta.
-I vjetër. I kishte nja tetëdhjetë, a nëntëdhjetë, mbase e njëqind. Kur mplakesh si ai, vështirë është ti çepkatësh vitet,- foli me indiferentizëm Vehbiu.
Makina la autostradën dhe u fut në një rrugë dyshe, me shtëpi dhe vila të mrekullueshme. Përpara shtriheshin lëndina, me bar të gjelbër dhe lulet shumëngjyrëshe të vendosura rreth tyre si korniza pikture. Mua nuk më ka rënë rasti, ngaqë nuk më del koha, të kaloj nëpër këto rrugë, pas ‘Kështjellës franceze’ dhe të shoh vilat e mëdha dhe hijerënda që fshihen mes pemëve të larta, qindra vjeçare. Rrugicat mes vilave ishin pothuajse të qeta, pa kalimtarë. Vehbiu ndaloi makinën përpara një vile të madhe, të rrethuar me kangjella të hekurta, të larta, të lyer me bojë të zezë dhe me derë të madhe të thurur me kangjella. Shtypi butonin që gjendej në krah të derës. Pas disa sekondash, dera e hekurta u shkund dhe lëvizi, u hap. Vehbiu më tha të zbrisja. Ai preu makinën majtas në një rruginë të shtruar me zift drejt garazhit të madh.
U gjenda vetëm në oborrin e madh të vilës, me rrugina të shtruara me zhavorr të imët. Në mes dhe nga të dy anët u hap një kopsht i madhërishëm, ku harlisen bukur lule të shumëllojshme. Përpara meje u paraqitën si një mozaik i gjallë, të gjitha llojet e ngjyrave të tulipanë; të bardha, të kuqe, të verdha, të gjelbra, ngjyrë vishnjë, ishte një kombinim i mrekullueshëm. Të mbahet fryma prej kënaqësisë. Pak më tej kishte llojesh të ndryshme trëndafilash të mëdhenj, të bardha, të kuqe, vishnjë etj, që nanurisnin gjithë krenari dhe delikatesë. Pak më tej valëzonin karafilat, borzilokët, shpatoret, bardhoshet, si dhe shumë lule të tjera, të gjitha ishin të mrekullueshme, dhe plot aromë. Në qendër të kopshtit të krijuar me lule të ndryshme, një metër katrore, dallova diçka të ngjashme me orën. Ngaqë mu duk sikur akrepi i minutave lëvizte.
– Vehbi, kjo këtu, sajuar me bar dhe lule, thua të jetë orë e vërtetë?- e pyeta Vehbiun kur më erdhi pranë.
-Orë e vërtetë është,- mu përgjigj ai, qeshi dhe pastaj shtoi:- Vite të shkuara shkova për vizitë në qytetin e Niagarës. Ndër të tjera, më tërhoqi vëmendjen një orë e madhe punuar me bar e lule, me shumë fantazi dhe shije të hollë. Nuk më rihej pa e krijuar një të tillë në kopshtin e koleksionistit. I cili kur e pa u kënaq pa masë.
-Ke bërë punë të mrekullueshme o Vehbi. Ç’ të them, çdo gjë që sheh këtu, të kënaq syrin dhe të jep përshtypjen sikur është qëndisur një qilim i madh me pe e gjilpërë dhe jo punuar trualli me shatë dhe prashajkë, – i thashë.
Ai u skuq nga kënaqësia.
-Po ma bën ca si shumë qejfin. Nejse, një farë mënyrë, ashtu është. Kopshtarinë e mësova rastësisht kur isha djalë i ri, në Belgjikë. Pasdite punoja për qejf kopshtin e vogël të shtëpisë së mbretit të ikur. Mbreti plak vinte në kopsht, ulej në bisht dhe së bashku shkulnim barishtet e këqija… Nuk më shkonte ndër mend se do më hynte në punë, në pleqëri, – foli mendueshëm. Heshti një hop dhe vazhdoi:- Bosi ynë ka qenë njeri me huqe dhe i djallëzuar si dreqi. Kur fillova punë, më vinte tre herë në ditë, me një stol të vogël. Ulej në mes të kopshtit, gjoja të bisedonte, në fakt më përgjonte, më kontrollonte dhe kur shihte ndonjë lule të vyshkur ose të këputur, tërbohej. Me sa morra vesh kishte ndërruar shumë kopshtarë, derisa më pranoi mua. Më ndiqte hap pas hapi, më dukej sikur e mbaja mbi shpinë. Kur e pa që punoja mirë, nisi të vinte më rrallë. Kur mërzitej, më ftonte të pinim së bashku kafe dhe më tregonte koleksionin e pafund… – Vehbiu ndërpreu fjalën dhe u përkul në gjunjë, kur pa kërcellin e varur të një trëndafili të kuq, të madh.
-Po kjo e urur lule përse qenka përkulur kështu, – u ankua me dashuri Vehbiu. Nxitoi, e ngriti kërcellin me kujdes, dhe e mbështeti pas gardhit rrethues, të sajuar enkas për mbështetjen e mbrojtjen e luleve. Prej nxitimit gjembi i trëndafilit i shpoi gishtin e madh, i doli gjak. Vehbiu futi gishtin në gojë dhe vështroi si prind, me përdëllim kërcellin, si të shihte një fëmijë të paditur që pakujdesish kishte bërë një gabim. Futi gishtin e madh mes gishtave të tjerë, e shtrëngoi pas tyre për të ndalur gjakun dhe tha:
– Ky kopsht është një pjesë e rëndësishme e jetës sime. I dua lulet, shumë i dua. Të dy kopshtet, para dhe prapa, i kam pastruar, mbjellë, ujitur, prashitur dhe përkujdesur çdo vit. Në pikun e punës nuk shkoja në shtëpi, flija me gjithë qejf në atë barakë që është në qoshe. Jam lidhur shumë me të dy kopshtet dhe me këto lule të bukura e delikate si vajza. E merr vesh ti, ngandonjëherë këto lule, më ngjajnë me njerëzit. Këtë e kuptoj kur i pastroj, i prashit, u heq barërat e këqija, i vadit. Më duket sikur lulet nisin gjallërohen, buzëqeshin, fërfëllojnë, përshkënditen dhe ngrenë kryet gjithë kënaqësi dhe mirënjohje. Nuk kanë gojë të gjorat, të ëmblat lule të flasin, por ato të dhurojnë pa kursim aroma të mrekullueshme. Ke dëgjuar çfarë tinguj të magjishëm lëshojnë? Jo?! Unë i dëgjoj çdo sekondë dhe minutë. O zot një botë e tërë më vete, -Vehbiu heshti një hop, pastaj shtoi:- Lus zotin që djemtë e plakut të nuk e shesin shtëpinë. Do Zoti më lënë të merrem me kopshtin, derisa të mos më bëjnë këmbët dhe duart. Nuk e di çfarë mendimi kanë. Djemtë e plakut janë të ftohtë, indiferentë si i gjithë brezi i ri. Ata e vizitonin të atin shumë rrallë. Nuk shkelnin kurrë në kopsht, u hipnin makinave dhe ikin si era. Nuk e di pse por unë u ligështova pak nga vdekja e koleksionistit, – foli me dhembje Vehbiu dhe fërkoi ballin e rrudhur.
Në qendër të oborrit ngrihej një shatërvan, në mes të tij një statujë vajzë, e cila mbante në sup një bucelë dhe prej saj derdhej uji. Vila ishte dykatëshe, madhështore, lyer me bojë të bardhë. Përpara me kollonata, me shumë dritare, ku nëpër qoshet e tyre kishte statuja të ndryshme të punuara me shije.
Vehbiu fshiu hundët me zhurmë dhe më tha të shkonin prapa godinës. Edhe aty shtrihej jeshillëku dhe hapej një tjetër kopsht i bukur me lule të ndryshme, të mrekullueshme. Me verandë në mes, kolltukë të bardhë luksozë dhe një tavolinë të madhe, katrore.
-I vetëm jetonte ky koleksionist plak në gjithë këtë vilë?- e pyeta Vehbiun.
-Oneili! I vetëm!- Mërmëriti Vehbiu dhe bëri përpara nëpër një rruginë të ngushtë duke ecur si patok. Qëndroi. U kthye nga unë në gjysmë profil dhe tha:- Dikur vinin dhe iknin makina të markave të ndryshme që donin të shihnin koleksionin e rrallë. Më vonë makinat erdhën duke u rralluar, derisa dera kërcëllinte me përtesë në hapjen e ndonjë makine të vjetër. Por koleksionisti ynë thoshte me krenari:
‘ Kush guxon të thotë se jam vetëm. Unë kurrë s’kam qenë dhe jam i vetëm. Kam shenjat e mbretërve dhe gjeneralëve. Kam mjeshtrit e mëdhenj, të cilët qëndrojnë me mua ditën e natën. Kam thesarin e madh, koleksionin. Jam mbret, jam i plotfuqishëm. Të gjitha këto vlejnë miliona dhe miliona. Ja shiko këtu, më tregonte ai, kjo është përkrenarja e Aleksandërit të madh. Kjo statujë është krijuar nga dora e Fidias, skulptorit më të madh të antikitetit Grek. Atje është shqyti i Jul Qezarit. Kjo është tabloja e Petër Paul Rubensit: ‘Danieli dhe luanët’. Tabloja atje është origjinale e Botiçelit. Këtë portret oficeri që shikon këtu është e Franc Halsit, etj. Këta janë si të gjallë, më flasin, grinden dhe më thonë se të gjithë janë të mëdhenj. Unë përpiqem ti qetësoj.’
-Kështu më thoshte merhumi i gjorë. Por ato që thoshte ai, nuk më hynin shumë në qese,- Vehbiu nënqeshi me keqardhje dhe shtoi:- Ç’të bësh, qejf e qejf kjo dynja. Haram dynja. Ça takëm i tërbon paraja. Shumë të tjerë, i mundon dhe u merr frymën fukarallëku. Hajt lëvizin, të mos bëhemi vonë. Më duket se llapa ca si shumë.
 
V
 
Menaxheri na priti i vrenjtur, mbështetur tek kanati i derës së pasme, e cila ishte me xhama me lule të derdhura. Ai ngjante si i hekurosur, sikur kishte gëlltitur okllainë, qe i gjatë, i hollë, hijerëndë, i ftohtë. Flokët e lyera me brilantinë i ndritnin. Mbante veshur kostum të zi, kravatë të zezë dhe këmishë të bardhë. Ai ndehu dorën përpara, na ndali, pastaj vuri gishtin tregues mbi buzë, për të na thënë mos bëni zhurmë dhe fjalë. Nuk i hodhi sytë fare nga unë, ngriti lart vetullën e majtë dhe tha:
-Ajo kineska u grind, bërtiti, u nxi, do të thërresë të sajtë, do ta bëjë..,- i pëshpëriti fare ulët e diçka tjetër Vehbiut , i cili pështyu dhe u nxeh.
-Le të sjellë kë të dojë, me kuçkë dhe me maçkë, në të së ëmës të vejë!- shau Vehbiu dhe kafshoi cigarishten e fildishtë:- Të thashë, e të them, këtë djalë e kam si veten, prej mëmëdheu.
-Mirë. Pa fjalë. Eshkë dhe barut mbete gjithë jetën,- ia bëri me bezdi menaxheri dhe i pëshpëriti Vehbiut, me zë të ulët e një gjë tjetër. Menaxheri rezervohej nga unë. Vehbiu ngriti supet dhe nuk i ktheu përgjigje. Menaxheri me një lëvizje të kokës, eci i parë dhe na futi në paradhomë. Në krye të derës kryesore qëndroi, më ktheu shpinën me nervozizëm. Më bllokoi krejt pamjen dhe vazhdoi të porosiste Vehbiun se çfarë duhej të bënim, duke i folur ultas sikur kish frikë se do të zgjonte të vdekurin. Asgjë nuk mora vesh se çfarë tha.
Hymë brenda. Na udhëhiqte menaxheri. Ai ecte ngadalë, gjithë delikatesë e ceremoni, si mbi pupla. Aq sa të acaronte nervat. Përpara meje u hap një holl i madh. Shumë orendi ishin ngritur, paketuar, mbuluar me çarçafë të bardhë, por dhe aty kishte një luks, mermer dhe madhështi që të linte pa mend.
-Hiqini këpucët,- na urdhëroi ultazi dhe ftohtë menaxheri:- Lërini aty, në qoshe.
Bëmë siç na urdhëroi. Hoqëm këpucët dhe veshëm një palë papuçe të buta me llastik poshtë. Ndërkohë menaxheri vazhdonte të na porosiste:
-Duhet kujdes, vëmendje në mjedisin ku punohet dhe, respekt e solemnitet për shpirtin e koleksionistit. Këtu akoma endet dhe ndjehet fryma i të ndjerit Oneil, njeriut të mrekullueshëm.
Vehbiu ma shkeli syrin pas shpinës së menaxherit. Vështrova përreth. Më tërhoqi vëmendjen muri përballë, aty ishte imituar mrekullia e natyrës, e Amerikës së veriut, ujëvara e Niagarës. Uji rridhte nga sipër me furi, gjithë shkumë dhe potere dhe të krijohej përshtypja sikur ishim brenda në të. Të dukej sikur rrjedha do shkulej prej murit dhe do merrte me vete gjithçka që do gjente përpara. Veçse zhurma ishte e butë, nanuritësh, çlodhëse, jo e potershme, shokuese siç është Ujëvara e Niagarës në të vërtetë. Ngela i mahnitur.
-Sa bukur!- më shpëtoi një pasthirrmë.
-Sigurisht bukur. Bosi ynë ishte gjeni. Nuk kishte të dytë burrë në botë si ai,- foli thatë menaxheri.
Menaxheri më dukej një lake i bindur, që adhuronte dhe hijen e zotit të tij. Ngado kishte orendi luksoze. Nëpër mure qenë varur piktura të madhësive të ndryshme, të piktorëve të shquar. Në qoshe të mureve dhe në krye të shkallëve kryesore që të shpinin në katin lart, qenë vendosur statuja të ndryshme me femra nudo, si nimfa, me lira nëpër duar. Gurë të zinj të gdhendur në artin surealist. Në të majtë ngrihej madhërishëm dhe një imitim i Davidit të Mikelanxhelos.
-Mos u shastis,- më pëshpëriti Vehbiu në gjuhën shqipe:- Menaxheri është skile, përgjon. Ai më pyeti njëmijë herë për ty, e njeh mirë këtë njeri? Aq sa më ngriti nervat. Këto që sheh rrotull kanë vlerë miliona dollarë.
Dreq, ia bëra me vete. Doja të protestoja. Burri i futur në kallëp akulli më përgjuaka! Unë po mrekullohesha, nuk po shastisesha. I kisha studiuar në shkollë rrymat dhe veprat e shquara të artit nuk mundja ti shijoja dhe tri prekja me dorë. Vija prej një vendi ku me krenari thoshim që jemi të varfër deri në dhembje, dhe thjeshtësisht të ndershëm. Këto salltanete dhe magji arti nuk i kishim ndeshur kurrë. Unë magjepsem me vlerën e paimagjinueshme të artit e jo me vlerën fantastike të shitjeve dhe shumën marramendëse të dollarëve që kalojnë nga njëra dorë në tjetrën. Vështrova nga Vehbiu gjithë ankim. Ai ngriti supet.
Ngado ndjehej një qetësi acaruese. Mu duk sikur më zuri syri një mi të vogël, të bardhë që vraponte i trembur mbi tapetin me lule të qosheve dhe humbi pas një kthine. Paska mi në gjithë këtë luks, veç me një ndryshim se miushi qenka i vogël dhe i bardhë. Pa e kuptuar as vetë mu qesh. Befas dëgjova një zhurmë të thatë. Instinktivisht u rrëqetha.
-Hej, dreq!- mërmëriti Vehbiu:- Sa gjynah!
-Çfarë?- pyeta gjithë ankim.
-E vrau, e shkeli me këmbë miun e bardhë të plakut,- pëshpëriti Vehbiu me trishtim:- Dikur merhumi ma dha dhe mua ta mbaja atë gjë një copë herë në dorë…
-Kush?! Kë?!- ia bëra si në ethe.
-Ajo.. atë..,- Vehbiut i mbeti fjala në mes, sepse atë çast erdhën dy shërbyese të shëndosha dhe sollën bokse të mëdhenj me çarçafë të bardhë e mjete të tjera ambalazhimi. Ato ecnin me ceremoni njëra pas tjetrës dhe menaxheri si robot, me një lëvizje të prerë të gishtit tregues, u bëri me shenjë të largoheshin.
-Duhet të lëvizni duart,- na porositi ftohtë menaxheri dhe na ktheu shpinën. Eci me hundën përpjetë dhe për pak sa nuk shkeli mbi miun shtypur, të bërë si petë. Pa me indiferentizëm dhe neveri gjakun e përtharë dhe zorrët e holla të nxjerra përjashta. Gromësiu, kthye nga unë dhe më urdhëroi shkoja të merrja farashën e ta mblidhja me fshesë.
Unë hezitova, më vinte pështjellë. Menaxheri u kollit me inat. Vehbiu pa vëngër nga menaxheri dhe më goditi me bërryl të mblidhja veten e të veproja si më urdhëroi i hekurosuri. Me zorrët në goja, mblodha me fshesë miun e shkretë e të brendshmet e shpërndara. Pështyva disa herë me radhë ngaqë e kisha në gojë pështirën. Lava dhe rrojta duart, pastaj shkova në ndihmë Vehbiut. Hoqëm kutitë e kartonit, i flakëm në koshin e plehrave. Çarçafët e bardhë i vumë në radhë mbi tavolinë dhe ndamë më vete mjetet ndihmëse plastike.
Diku në cep të hollit, në të kundërt të dritareve të mëdha, në gjysmë hije, më zuri syri një fytyrë të zbehtë gruaje, aziatike, flokë të prera shkurt, si kukull bebe. Me sy të mbyllura, me duar të kryqëzuara në gji, qëndronte në këmbë pa lëvizur. Po të mos e shihje që merrte frymë lehtë, do të ngjante njëlloj si statujat që ishin përreth. Akullsia e menaxherit dhe ngurtësimi i kësaj gruaje më shkaktuan të ftohtë. Por nuk e di sepse mu krijua përshtypja se, pas atyre syve të vegjël dhe gjysmë të mbyllura, kokërdhokët e syve lëviznin me shpejtësi marramendëse.
Filluam menjëherë nga puna. Hapnim çarçafët dhe mbulonim orenditë të shumta duke i lidhur nëpër këmbëzat e tyre, me llastika të buta. Me kujdes të jashtëzakonshëm filluam të hiqnin pikturat prej mureve, u fshinim pluhurin, i mbështillnim me celofan të përgatitur posaçërisht për këso punësh me vlerë dhe i vendosnin shtirë në raftin e përgatitur enkas për këtë punë deri në ambalazhimin përfundimtar. Pluhuri i shkaktonte Vehbiut alergji dhe kollitej pa ndërprerje.
Për herë të parë në jetën time po shihja së afërmi, po prekja, po ambalazhoja pikturat e mrekullueshme që i kisha mësuar në shkollë. Por që nuk ma merrte mendja ti shihja, ti prekja dhe aq më tepër ti ambalazhoja, për ti çuar në një drejtim të paditur. Pikturat e vjetra të realizuar me mjeshtëri të lartë, mbuloheshin trishtueshëm me letër të trashë, ambalazhoheshin me kartonë dhe celofonë.
Mendova për një moment, çuditërisht dhe vazhdimësish ka ndodhur në kushte të vështira, krijimtaria, shpërthimi i talentit, gjenia. Më pas ndodhi shurdhëria, memecëria dhe trishtimi i madh. Ambalazhimi dhe shtegtimi i pandërprerë i vlerave dhe afishuar nëpër mure antivlerat. Ato kanë bredhur nga një shtet në tjetrin, janë shitur, vjedhur, rishitur në shekuj dhe shekuj. Fatkeqësisht nuk kanë zë të ankohen, të protestojnë, këto vepra të mrekullueshme, të krijuar prej mjeshtërve më të mëdhenj të artit.
Statujat i lëviznim me shumë ngadalë dhe përgjegjësi prej vendit ku kishin qëndruar hijerëndë dhe madhështish vite me radhë. I vendosnim në një karrocë dore të sheshte me rrota. Ato ishin të rënda, shumë prej tyre qenë derdhur në bronz, të nxira prej kohës, disa ishin në gips. Vehbiu lodhej shpejt, mezi mbushej me frymë dhe herë pas here e mundonte kolla. Unë pa i rënë në sy mundohesha të mbaja peshën dhe ngarkesën më të madhe të punës. Isha mbytur në djersë.
Por çuditërisht më dukej sikur mbi shpinën time lëvizte, shfaqej dhe zhdukej një hije, që më mbante frymën dhe më shkaktonte lodhje akoma më tepër. Sa ngrija kokën të shihja, fësht hija shkiste dhe humbiste në korridoret shumta që kisha përreth. Dreq o punë! Mos endet akoma nëpër shtëpi shpirti i koleksionistit plak, që nuk do të shkëputet prej thesareve të veta të çmuara! Dhe ky shpirt i fandaksur na duhet tani, kur djersa na rrjedh çurg. Edhe pse shtëpia e madhe kishte ajër të kondensuar përsëri të mbahej fryma prej orendive të rënda dhe ajrit të ndenjur. Ndoshta për shkak edhe të hijeve…
Në çdo lëvizje dhe punë që kryeja, hija, lëvizja, tendosja, frymëmarrje e shpejtë e papërballueshme na qëndronte pezull mbi krye. Merr frymë shpirti i plakut?! Sa mundohesha ta shihja, ndodhte zhdukja e menjëhershme për korridore, duke tërhequr pas vetes një jehonë të shurdhër gjithë ankim. Kjo gjë po bëhej gjithnjë e më tepër e mundimshme. Doja ta pyesja Vehbiun, dëgjoj frymëmarrje. Merr frymë shpirti? Ç’po ndodh në këtë holl të thellë, të mbushur me shpirtra dhe hije? Por kishte rrezik që miku im i mirë të më merrte për të lajthitur.
Punuam pa ndërprerë dhe pa folur deri vonë. Vehbiu pa orën e madhe të lyer me ar që gjendej në krye të korridorit kryesor. Ishim tmerrësisht të lodhur, mua më shtohej këtu dhe pagjumësia. Po kalonte teta e mbrëmjes. Erdhi Stive menaxheri, edhe ai dukej i lodhur, por hijerëndë dhe i hekurosur si më parë.
-Ta lemë kaq për sot?- e pyeti Vehbiu.
-Prisni këtu ta pyes atë,- foli menaxheri i bezdisur dhe iku me të shpejtë.
Pas disa minutash menaxheri u kthye dhe me shikim të përhumbur na tha:
– Shkoni. Nesër duhet të vini herët.
Vehbiu luajti kryet në shenjë pohimi. Dolën jashtë. Qielli ishte i kthjellët, i mbushur plot me yje. Prej kopshtit vinte një erë e mrekullueshme. Vehbiu mbajti këmbët, hapi krahët dhe u mbush me frymë. Veprova dhe unë si ai. Në gjoksin tim të lodhur dhe të djersirë, ndjeva që hyri një fllad erë të mrekullueshme, lehtësuese.
-Për çlodhje dhe bukuri shpirtërore janë lulet dhe gjelbërimi ,- ia pat Vehbiu me zë të plotë dhe psherëtiu.
Mu bë sikur u hap dera kryesore, u zgjat një kokë dhe prej fashës së dritës që vinte nga brenda, dallova flokët e prera shkurt si kukull bebe.
-Eja ikim,- ia bëri Vehbiu i bezdisur dhe tha:- Të shkosh me linjë në shtëpi të vetë gjatë, do të çoj me makinë. Ke nevojë të mbledhësh kockat, të jesh i çlodhur për nesër.
-Si të duash,- i thashë dhe disi me rezervë shtova: – Vehbi, më duket sikur diçka nuk shkon në atë vilë.
-Në vilat e mëdha me plot korridore dhe dhoma, gjithmonë shumë gjëra nuk shkojnë..,- ia bëri Vehbiu me moskokëçarje.
-Kishte njerëz të afërt? – e pyeta.
-Kush Oneili, koleksionisti ynë? Ka o posi, djem dhe vajza. Të thashë ata i vinin rrallë, shumë rrallë. Ndoshta për shkak të nënës. Nuk e di mirë, nuk e gjeta gruan në vilë kur fillova punë në kopshtari. Por Kristina, shërbyesja e parë më tha, se gruaja e parë kishte qenë një grua e urtë, e heshtur, e pafjalë, i bindej verbërisht të shoqit. Gratë e mira janë çelës magjik, me prokopi në jetën e burrit. Fatkeqësisht i vdiq herët shkaktuar prej lindjes së fundit. Ndërsa gruan e dytë e takoi në një lokal nate, gjysmë të dehur, pas një tentativë të dështuar për të vrarë veten, shkaktuar prej dështimit të dhimbshëm të një koncerti. Urdhëroi shoferin ta çonte në vilën e tij. Pas disa javësh vunë kurorë në kishë. Ajo ishte një këngëtare që i kishte ikur zëri, femër e gjatë, trupderdhur, e bukur dhe më e re se ai, pijanece dhe nevrastenike. Kur grindeshin e ndiqte Oneilin me kopaçe, duke i bërtitur, unë jam me mish dhe me kocka, jam femër e gjallë, jo mumie. Kam nevojë për seks dhe thyente me inat reliket e shtrenjta. Oneili ulej në gjunjë dhe mblidhte copërat e thyera duke qarë. Çuditërisht qante dhe e shoqja. Qan për këto, e pyeste Oneili. Jo qan për veten, për fatin tim, për zërin e humbur, për mjerimin shpirtëror, për botën e pështirë, për gjithçka, i përgjigjej ajo. Flakte kopaçen dhe fillonte këndonte zëçjerrë nëpër korridore. Kristina më tregoi se e shoqja ankohej për vetmi të madhe, ngaqë Oneili qëndronte gjithë ditën me koleksionin e tij.
-Po fëmijët nuk jetonin në vilë?- E pyeta.
-Jetonin, por më të shumtën e kohës fëmijët qëndronin nëpër shkolla dhe konvikte. Kristina më tregoi se një mbrëmje bosi u grind keq me gruan dhe shoqja iku nëpër shi me shoferin e shtëpisë. Kur gruaja u kthye e penduar pas disa muaj, Oneili nuk e qasi në vilë. Asnjë nuk e di se ç’u bë me të shoqen,-Vehbiu heshti një copë herë dhe ndezi cigaren, kabina e makinës u mbush me tymit të duhanit, vazhdoi:- Ngandonjëherë bosi me trishtim më pyeste: ‘Të jetë e vërtetë o Vehbi që kur vdes njeriu, i ikën shpirti, ngjitet lart dhe lë trupin pas?’
Unë nuk dija çfarë ti thosha. Ai nuk më linte të vrisja shumë mendjen dhe shtonte:
‘Dua që shpirti im të jetë përherë këtu, me koleksionin tim. Është jeta ime.’ Tha Vehbiu dhe vazhdoi:- Oneili i shkretë nuk donte të ndahej prej koleksionit. Shpesh herë e shihja që fikte dritat dhe bridhte nëpër korridore duke mbajtur në duar shandanë të mëdhenj. E dëgjoja që bisedonte me zë të lartë, qeshte, bërtiste, çirrej. Pas e ndiqte në heshtje e gjora Kristinë, i lutej me dorë në zemër të kthehej në shtrat. Të dy vërtiteshin me penjuarët e natës dhe ngjanin si fantazma. Bosi e zbonte me dhunë, Kristina i lutej me lot në sy. Por lutjet e sinqerta të shërbyeses plakë e mërzitën Bosin dhe e zboi përherë në çaste histerie. Kjo tjetra që mori, i erdhi pas valles, e linte plakun të bënte çfarë të donte, e përgjonte, i qëndronte pas si hije. E vishte me armaturat e lashtësisë dhe e linte derisa ti binte zali, të shtrihej përdhe sa gjatë dhe gjerë. Një pasdite menaxheri Stiv, më tha ti çoja lule si zakonisht. E gjeta në mes të korridorit të madh, të zhveshur pothuajse lakuriq, ishte vetëm në të mbathura. Më erdhi shumë keq për të, më ngjau si skelet, ishte mjaft i dobësuar. Më bëri shenjë të mos bëja zhurmë dhe më pëshpëriti, se kish dalë të kërkonte besimin e humbur dhe shpirtin e gruas së parë. Pastaj shtoi se dhe koleksionit të dashur i kishin ikur zërat dhe zhurmat së bashku me besimin e shpirtrat.
’Hajde të çoj në dhomë, të qetësohesh i thashë.’ Ai ma bëri përsëri, shëëët dhe më pëshpëriti, të mos dëgjojë Olivën Cou, shërbëtorja e re. Ajo i bënte akupançë me gjilpëra në të gjithë trupin, kurë ala aziatike. Shërbyesja e re i kishte premtuar se ti sillte besimin e humbur së bashku me zërat e zhurmat e koleksionit dhe shpirtrat e tyre. Pas pak erdhi Olivia. Mi nguli sytë e vegjël e të zinj, si bishë, sikur do më hante të gjallë.
‘Po ti çdo këtu,’ më shfryu, mi rrëmbeu lulet dhe i flaku. Mori plakun për dore e përkëdheli nën mjekër dhe ai zgjati kryet si kone, e tërhoqi në dhomë. Prej asaj dite ajo nuk pranonte njeri ti afrohej dhomës së plakut.
– vazhdon –
 
 
Shkëputur nga libri me novela ” Zhgënjimi” i autorit Kristaq Turtulli
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s