NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË / Nga: Xheni Shehaj

NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË

Nga: Xheni Shehaj

5.1. Elementi popullor si ndërtues i ngjarjeve në Lahutë

Nëse do t’i vinim vetes detyrë të gjenim elementet popullore në vepër me siguri që do e kishim mjaft lehtë. Një lexim sipërfaqësor do na ndihmonte për të renditur këta elemente. Zana, Ora, dragoi, divi, ëndrra, lojrat popullore, lugati, kanuni, besa, etj. Në fakt përtej leximit sipërfaqësor e përtej renditjes së ‘thatë’ qëndron një lexim i thelluar që për pasojë sjell një rend të ri të elementeve folklorikë. Lahutën për nga përmbjatja e burimeve popullore do e ndajmë në dy pjesë:

– burime popullore që kanë funksion estetik;

– burime popullore që ndërtojnë episodin pasardhës;

Në grupin e parë do përmendim një sërë figurash mitologjike si; dragoi, divi, lugati, hija, lojrat popullore. Siç ka thënë dhe Çabej, vepra e Fishtës është mjaft e pasur dhe për nga etnografia. Po sjellim disa shembuj për ilustrim.

—————————————–

29 At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. 23.

“Veshë e mbathë e m’armë shterngue,

kishe thanë se asht lè drangue.”30

Në këtë rast elementi mitologjik ka si qëllim të nxjerrë në pah forcën, madhështinë e trimit.

“Shtatin div, e syn’ si zhgjeta,

Oso Kuka n’jelek t’arit

Pash e m’pash po i bjen pazarit.”31

Në vepër përmenden lojra të ndryshme popullore që luajnë luftëtarët për t’u çlodhur, si p.sh; loja cic – mic, hane – që është lojë barinjsh. Hiperbolizimet, topuzi, shpata, armët e kohëve tepër të largëta na çojnë në një mjedis prehistorik.

“Tri pllamë buzën kishte pasun,

kisht’ pasë veshin sa i zhgun burrit:

sa dy vetë me të me u mlue.”32

Ky pasazh dhe disa të tjera të kujtojnë Ciklin e Kreshnikëve, zmadhimin e tipareve të Mujit e Halilit. Figurat e Orës dhe Zanave janë të gjendshme në çdo këngë. Kanga e tetë, Ali Pashë Gucija, jep një detaj që e njohim prej Ciklit të Kreshnikëve; Ora e Shqypnisë i jep Aliut t’i marrë erë rozmarinës dhe kështu do të bëhet i fuqishëm, njësoj siç bënë Zanat me Mujin por në vend të rozmarinës aty kemi qumështin.

“Por, pse ti m’a bane at bè

se nep jetën për Atdhe,

qe un po t’ap nji forcë të re

vendit lisat ti me shkulun,

m’ty tagani mos me u ngulun,

plumja e pushkës ty mos me t’vra,

gjylja e topit mos me t’ra.”33

 

————————————

30 At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. 12.

31 po aty, f. 20.

32 po aty,  f. 47.

33 po aty, f. 89.

Një tjetër tregues i folkorit tonë është dhe lahuta. Lahuta është vegël muzikore me të cilën malësorët e Veriut të Shqipërisë këndojnë bëmat e trimave rreth vatrës. Që në titull del funksioni estetik i lahutës. Poeti paralajmëron lexuesit se rrëfyesi do këndojë luftën shqiptaro-sllave, gjakun e derdhur, tradhëtitë.

“Merr, Kaçel, njiherë lahutën

e na thuej nji kangë shqyptare

s’majm na zi pa na qitë fare!”34

Në fund të këngës, Oso e uron Kaçelin me një urim tipik popullor: “Zemra t’këndoftë!”

Fishta përmend në vepër dhe mikpritjen, besën e dhënë, kanunin e Lekë Dukagjinit.

“Nuk thotë Zoti as s’e ep Kanuni,

në vend t’huej me hi përdhuni.”35

Miku për shqiptarin ka qenë gjithmonë i rëndësishëm. Shqiptari e ka detyrë ta nderojë mikun, ta mbrojë atë.

“Prizrenjanët ku mirë po i presin,

bukë e zemër ku po i qesin,

si zanat qi e ka Shqypnija,

kur t’u shkojë miku te shpija.”36

Këto ishin disa nga tiparet popullore që autori ka përdorur për t’i dhënë veprës më tepër frymëmarrje, për ti dhënë ngjyrim shtesë. Grupi i dytë i elementeve folklorike ka të bëjë me ndërtimin e episodit pasardhës. Këto figura të përdorura me mjeshtëri prej poetit përbëjnë boshtin kryesor të zhvillimit të ngjarjeve pasardhëse.

  1. a) elemente patriarkale;
  2. b) figura e qyqes;
  3. c) ëndrra;
  4. d) parashikimi i së ardhmes përmes shpatullës;

———————————

34At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Botimi XVI,  Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. 44.

35 po aty,  f. 79.

36 po aty, f. 94.

Shqipëria ka qenë dhe është vendi i sundimit patriarkal, forcës dhe pushtetit të padiskutueshëm të burrit, babait, vëllait. Fishta e përdor konceptin patriarkal si shtysë, si nxitje. Përmes fjalëve të Avdi Pashës poeti prek sedrën e malësorit.

“Zot, ç’ka thanë njaj Avdi Pasha:

paska mbetë Shqypnija m’vasha.”37

Janë pikërisht këto fjalë që e bëjnë Oso Kukën të reagojë, të mbledhë çetën për t’i bërë ballë shkjaut. Dhe reagimi është i menjëhershëm:

“Oso Kuka paska ndi,

paska ndi e kenka idhnue.

Avdi pashë, tha, ma kadalë!

mos e thuej dy herë at fjalë!”38

Burrnia, është një element tepër prezent në vepër, përshkon thuajse tërë Lahutën.

  1. b) figura e qyqes

Qyqja në folklorin tonë simbolizon zogun ndjellakeq. Kënga e saj tregon se diçka ka ndodhur ose do të ndodhë. Fishta nëpërmjet këngës vajtuese të qyqes paralajmëron kobin e zi; vdekjen e Avdi Hilës.

“Vall, kush din mue me m’kallxue,

pse kjo qyqja, zog i true,

si mos kurrë asht tue vajtue.”39

Pikërsiht, vaji i qyqes sjell episodin tjetër për lexuesin. Fishta përmes saj e përgatit lexuesin për gjëmën. Është vaji i motrës së të vrarit që sjell episodin tjetër. Pra, kemi dy linja; një për lexuesin dhe një për vetë personazhet e poemës.

  1. c) ëndrra

Ëndrra si pjesë e mendësisë popullore është lajmëtare e së ardhmes. Ajo tregon se ç’e mirë a e keqe do të ngjasë. Te Fishta ëndrra nuk përdoret thjesht me funksion estetik por vihet në shërbim të strukturimit të veprës. Ajo është jo vetëm lajmëtarja por dhe nxitësja e ndërmarrjes së disa veprimeve (p.sh. Oso pasi ka parë ëndrrën u thotë rojeve të dalin të ruajnë).

—————————

37  At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. 16.

38 po aty,  f. 17.

39  po aty, f. 22.

“Tue përdredhë njato musteqe!

thonë ka pa nji andërr t’keqe!”40

Ëndrra që ka parë Oso bëhet bartëse e ngjarjes që do ndodhë. Fishta nuk e lë vend për aludim, kohë lufte, ëndrra e keqe me siguri do sjellë gjak e tym.Vetë ëndrra ka karakter mistik por në rastin tonë ajo shfaqet në gjithë lakuriqësinë e saj.

  1. d) parashikimi i së ardhmes përmes shpatullës

Në familjet shqiptare mes shumë zakoneve e traditave është dhe një zakon që unë do e quaja ‘të çuditshëm’ e deri diku edhe qesharak. Është fjala për shikimin e shpatullës i cili tregon nëse do ketë vdekje apo jo. Zakonisht shikohet shpatulla e kafshës së rritur vetë e të therur. Këtë zakon na e jep dhe Fishta te Lahuta.

“Kqyre at shpatull, Soko Tona,

e na thuej a difton gja.”41

Ky element prapanik, mbetje e folklorit tonë përdoret me mjeshtëri prej poetit, pasi kryerja e këtij veprimi fillimisht vjen si rezultat i ëndrrës së keqe, pra Oso i kërkon Sokos të shohë shpatullën meqë ëndrra e kishte paralajmëruar dhe tregon një përfundim të qartë: fillimin e luftës.

Ndër elementët folklorikë pjesëmarrëse në Lahutë janë dhe Zanat. Çabej në shkrimin “Zana dhe Diana” botuar te Hylli i Dritës flet për origjiën e Zanave, besimin popullor, ngjasimet me Vilën sllave dhe Zinën rumune.

“Zana është më fort një figurë e maleve të Shqipërisë veriore dhe e verilindjes (Kosovë). Në besimin popullor të Shqipërisë veriore Zanat sipas D.Ernesto Cozzi Anthropos IX (1941), f. 455. u përngjajnë Orëvet.”42

“Si tipar thelbòr i Zanës shqiptare na del natyra heroike e saj dhe lidhja me luftën. Ky tipar kryesor i ka mbetur Zanës dhe te eposi popullor Lahuta e Malcis. Edhe te Lahuta e Malcis sipas shëmbëllimit të besimit popullor nuk ka një por shumë Zana, të cilat janë si motra ndërmjet tyre (Kënga 24, f. 371.). Në krye qëndron Zana e madhe e Vizitorit (f. 362) ose shkurt Zana e Madhe, bri saj na dalin; Zana e Sharit (f. 94), Zana e Veleçikut (f. 139) dhe Zana e Haramis (f. 188). Zana shqiptare në qënie, por jo në emër shkon së bashku më fort me Vilën e sllavëve jugorë.”43

———————————-

40 At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Botimi XVI, Shkodër, Botime Françeskane, 2010, f. 43.

41  po aty, f. 44.

42 Eqrem Çabej, Diana dhe Zana, në: “Hylli i Dritës”, 1942, nr. 3-4, f. 147.

43 po aty, nr. 5- 10, f. 227 – 228.

Fishta e përdor dendur figurën mitologjikë të Zanës në epos. Përshkrimet e trimave, ‘djelm si Zana’, vajet e Zanave për trimat e vrarë, për Tringën, i japin eposit një ngjyrim të theksuar mistik dhe përrallor. Kudo ku janë trimat janë dhe Zanat. Ato i ndihmojnë në luftë, u lidhin plagët, i japin fuqi. Vetë poeti e thërret Zanën si ndihmësen e tij. Duket se dhe ai vetë beson në ekzistencën e kësaj qenieje të mbinatyrshme. Thirrja e Zanës prej poetit të kujton Muzat greke. Zana pra nuk qenka veç luftëtare, ndihmëse, por dhe frymëzuese. Praninë e saj e gjejmë dhe te eposet e autorëve sllavë. Dhe aty ajo kryen të njëjtat funksione si tek ne. Ashtu si Shqypnija dhe Mali i Zi ka Orën e vet.

“Katërqind Bijoca të ri

qi janë Ora e Malit të Zi.”44

Zanat dhe Orët janë elementet e përdorura më së shumti te këto epose.

 

Xheni Shehaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s