Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

E FSHEHTA E KASAFORTËS
(Për ata/ato me kujtesa intime.)

Ashtu siç kanë zyrat kasafortë,
ku mbajnë dokumentet sekret,
njeriu ka një kasafortë në kokë,
ku ruan të fshehtat e jetës së vet.

Në kasafortën time, je vetëm ti,
fshehtësia e madhe e jetës sime.
Atë kasafortë, nuk e hap asnjeri,
sikur pas vdekjes të bëj kërkime.

Kasafortën, thurur me fije neuroni,
s’e hap asnjë çelës dhe asnjë mjet,
se e ka bërë Mjeshtri i elektronit,
që krijoi gjithë kozmosin me planet.

Ti qëndron aty, si një planet mister,
ku s’hyn dot kozmonaut, si te hëna,
se të zbulova vet, për të parën herë,
me raketën, që më pulsonte zemra.

Ku eksplorova, të paprekurat vise,
me relievin e butë të perimetrit,
derisa të dy trupat tanë ndryshe,
pushtuan thellësitë e njëri-tjetrit.

Tani je fosilizuar, si floriri mes gurit,
ngurtësuar para vitesh fshehtësie,
në pjesën kryesore, brenda trurit,
ku të kam mbuluar me gjak dashurie.

Emrin tënd sekret, e di vetëm unë,
dhe ai vdes bashkë me emrin tim,
me gjithë bëmat, që flenë gjumë,
në shtratin e dikurshëm intim.

Kur kujtoj, sa desha fort një zemër,
hap kasafortën kyçur të fshehtësisë,
të sjell para syve, si të parën femër,
që më fale gjithë nektarin e vajzërisë.

Dhe kur ne flasim heshtur, në mendim,
s’na dëgjon dot, afër apo në largësi,
asnjë aparat i sofistikuar në përgjim,
ndaj fol të flasim lirisht, gjer në përjetësi!

 

PROFESORI I LAMTUMIRËS

Të pashë kur pensionin numërove disa herë, 
o i nderuar profesor i moshës së lamtumirës,
dhe rrudhat e thella s’tu sheshuan asnjëherë,
nga fizionomia dimërore, që i dhe fytyrës.

Të pashë kur supën barishtore përzjeve me kothere
dhe vajin e zëvendësove me ca thërrime rigon.
Mishit ia harrove prej kohësh shijen dhe erën,
kafen e pive atje, ku lëngu nga llumishtet kullon.

Të pashë kur urinove, duke u dridhur i tëri,
se ilaçi i prostatës, të kërkonte paratë e bukës.
T’u këput dora si ashkël dhe tu drodh zëri
kur urbanit i pagove dyzet qindarkat e rrugës.

Dikur e ndjeje veten një yll, që shpërndaje rreze
dhe auditori të rrethonte, si fluturat rreth dritës.
Tani të duket vetja si kur je një paçavure tezge,
nga e cila largohen ata, që i tremben ndihmës…

Por ama shteti ka për ty një detyrim madhor,
se ta pagoi badihava punën për tërë një jetë.
Dhe tani qindarkat për ty i nxjerr me shumë zor,
nga ato qindra miliarda që qarkullon në xhep.

Po të shtosh edhe miliardat e pasurisë kombëtare,
ku ti ke pjesën tënde të pronës së investuar,
del se me shumimin e të ardhurave shumëvjeçare,
edhe nga fitimet përtej jetës, ti kotheren ke fituar…

 

BALADA E GRAVE QË U BËNË ZOGJ

Kjo baladë drithëruese, me njëqind vaje bilbilash,
për ju, njëqind nëna, nuse dhe virgjëresha suljote,
vjen nga humnera e Zalogut me tinguj klithmash,
ku jehona e sqepave të zogjve, ushton ndër mote…

Për ju, që me zogjtë e gjirit, në pelena engjëllore…
fluturuat nga shkrepi shkëmbor, në honin vdekëtar,
duke ruajtur nderin e fustanebardhave arbërore,
për të mos rënë, në duart e halldupëve gjakatar…

Kur për të mposhtur ndjenjën e frikës nga humnera,
ju u lidhen me njëra-tjetrën, zinxhir, dorë për dore,
siç lidhen zogjtë, gjatë shtegtimin në të tjera dhera,
duke hedhur çamërisht, një valle të bukur popullore.

Hodhët vallen e vdekjes, buzë greminës shkëmbore,
derisa humnera u ndali në fyt klithmat rrëqethëse.
Dhe kur çatajtë e ujqërve, shqyen cicërimat qumështore,
fluturuat si tufë zogjsh, në pavdekësinë e përjetshme.

Mbeti prapa jehona drithëruese, për bilbilat vajtimtar,
ta përhapin në semaforë udhëkryqesh, ku tregtohet trupi,
nga disa femra fatkeqe, të çliruara prej kanunit mesjetar,
që shesin nderin, për pak kartëmonedha, me njolla turpi…

Por njëherësh, për më pak dinjitet, më pak pastërti fytyre,
më pak besnikëri femre, krenari nëne, gruaja, vajze motre,
të njohur në opinion, të lënë trashëgim për pjellën e tyre,
dhe aspak emër të mirë, si ju, o gra faqebardha suljote…

Historia juaj mbeti përjetësisht në kujtesën njerëzore,
gdhendur me shkronja të arta, me më të lartin përnderim,
për shpirtrat e sakrificës, nga më të mëdhatë femërore,
me atë lloj vetëflijimi, për ruajtje nderi e mos turpërim…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s