Poezi nga Petrit Sulaj
APOLOGJIA E NJERËZVE PËRSËMBARI
Njerëzit më të bukur
që kemi takuar dhe në një çast të vetëm,
janë ato
që pasi kanë njohur skajin e dhimbjes,
fillimin,
jo fundin e vuajtjes
e kuptimin e humbjes
kanë shpikur dritën e tyre
për të dalë nga kthetrat e errësirës.
Njerëzit më të bukur
që do të dhurojë jeta,
janë si librat që lexojnë fëmijët e vegjël,
shumë pak fjalë e njëmijë ngjyra.
Njerëzit më të bukur
që të ka fshehur jeta,
kanë aromën e luleve
që nuk i nuhat hunda,
po zemra.
Njerëzit e bukur
i gjen dhe pas fjalës,
po më të bukurit fare
të hedhin rrënjë në zemër.
Njerëzit më të bukur,
rrinë në hije, nuk duken për botën
me ty për tu njohur.
Njerëzit më të bukur
po arrite t’i njohësh
nuk janë ndryshe nga ti,
sa her njeh një të tillë
je njohur me pjesën tënde më të bukur
që po të mos e kishte ndodhur
do vdisje se e ke, pa e ditur
Njerëzve më të bukur
fytyra u ngjan me bukën
sytë me dy kokrra gruri
me dhjetë fije bari të gjelbër
gishtrinjtë
ndërsa mendja e tyre
u jep gjithmonë të drejtë
të tjerëve
e kurrë vetes.
Njerëzit më të bukur
e shpërndajnë mirësinë
si agu i verës
kur mbi gjelbërim ngjit vesën
e spontanitetin
si ujë i burimit
poshtë dy gurëve
që banorëve të pyllit
u heq etjen.
Njerëzit më të bukur
nuk bëjnë mirë
për gabim a bamirësi
por se ky është
i vetmi zakon i tyre
Njerëzit më të bukur
që kemi takuar dhe në një çast të vetëm,
janë ato
që pasi kanë njohur skajin e dhimbjes,
fillimin,
jo fundin e vuajtjes
e kuptimin e humbjes
kanë shpikur dritën e tyre
për të dalë nga kthetrat e errësirës.
Njerëzit më të bukur
nuk mund të përshkruhen
vetëm mund të njihen.
Petrit Sulaj
2009 – janar 2017