Përshtypje nga leximi i romanit të shkrimtarit Edmond Shallvari, “Unë dhe MY Alter Ego” / Shkruar nga Naser Aliu(Lis Bukuroca), publicist, shkrimtar

Përshtypje nga leximi i romanit të shkrimtarit Edmond Shallvari, “Unë dhe MY Alter Ego”

 


Shkruar nga Naser Aliu(Lis Bukuroca), publicist, shkrimtar

“Absolutja takon forcën e argumentit. Argumenti është një fazë fuqie, e pafuqishmërisë njerëzore ndaj absolutes.”

Citat nga romani

Romani nis me kremtimin e 50 vjetorit, ku shfaqet dualizmi i parë filozofik, si pikëpamje metafizike e një gjendjeje mes shpirtit dhe trupit, për të kaluar te paradoksi, te absurdi i jetës, te dualizmi dhe shpërputhja. Alter ego, Vetja, do të fitojë një karakter dhe një identitet të vetin dhe do të shoqërojë autorin prej faqe në faqe.

Nuk është një roman siç njohim, me një shtjellim, me një ngjarje me personazhe dhe intriga, por është një sprovë filozofike, psikologjike dhe psikoanalitike. Është një roman ekzistencialist, një valcer emocional dhe racional në mes Unit dhe Vetes, që shpesh shpien tek deduksioni. Është një përleshje që din të kalojë edhe në konflikt, ku debatohen një mori bindjesh, pikëpamjesh, vendimesh, qëndrime dhe paradigma. Është jeta e njeriut, janë dyshimet dhe pastaj në vazhdim shkrihen Uni dhe Vetja, duke vazhduar raportimin për të arritur te relativizmi.

Romani është një udhëtim në universin e shpirtit, një analizë e botëkuptimit njerëzor, ku mendimi shqyrton mendimin, nga rezulton meta-mendimi. Do të zhytet teposhtë me dialogë, duke nënvizuar kartezianizmin dhe cogito ergo sum të qenies njerëzore, me rënien dhe ngritjen e saj. Me jetën që duhet jetuar, edhe pse është absurde, siç konstaton Camus.

Një përsiatje e thelluar vazhdon në stilin e Platonit, për të gjetur se çfarë është dija, arsyeja e shëndoshë dhe çfarë konkluzioni të nxirret. Cili kishte të drejtë, Uni apo Vetja. Platoni thoshte se për të ditur diçka, njeriu duhet të jetë i bindur, këtu kërkohet me kokëfortësi të fitohet ajo. E dyta, gjithmonë sipas Platonit, ajo që dimë duhet të jetë e vërtetë dhe e treta, bindja që është evërtetë, duhet edhe të jetë e mundur të përligjet. Këto përpjekje platonike janë tipare kryesore të atij ligjërimi. Dashuria ndaj të vërtetës, rikapitullimi i jetës nëpërmjet dyshimit intelektual.

Herë duket se Uni do të dalë fitues, herë befason Vetja dhe, siç është në natyrën njerëzore, vazhdon me një fuzion. Është zhytje në nëndije dhe diskurs për t’i ndriçuar skutat e jetës prej ditëlindje në ditë lindje. Absurdi i jetës, ekzistencializmi, roman filozofik tej për tej, deri në rebelim, kryengritje brenda universit vetjak, ndaj jetës dhe rrethanave.

Unë dhe MY Alter Ego

Në lexim e sipër do të përplaset lexuesi edhe tek indukcioni i David Humet, se atë që ke parë në të kaluarën, do ta shohësh edhe në të ardhmen dhe jeta do të vazhdojë, shkrimtari do të kthehet prapa për t’u shkërmoqur, do të udhëtojë në kohë dhe do të bëjë dialog me Alter egon nga mosha 80, 82, me të riun, djaloshin krenar që ecën kokë lartë e pastaj për të arritur dhe marrë në pyetje adoleshentin 17 vjeçar, i cili do të përballet me një realitet tragjik: humbjen e atit. Shembja e botës dhe kërkimi i një alternative dhe me kalimin e orës së dorës nga i ati, tek i biri, pasqyrohet çasti dramatik, kur çdo njeri përballet me një të vërtetë absolute, tragjike, por të pandryshueshme: humbjen e idolit! Tani e tuje vazhdon kaptina tjetër e jetës.

Uni do të supozojë, Vetja do të kundërshtojë dhe do të arrij kështu tek Karl Poper, “ se një teori, ose hipotezë, nuk mund të dëshmohet si e vërtetë, madje nuk duhen as tregues induktiv. Ajo mund të kundërshtohet, nëse konstatohet se është e gabueshme.” Dhe kundërshtime të tilla në një luftë të brendshme ndjekin autorin me pyetje provokuese të Vetes. Herë njëri ngre kokë, herë tjetri.

Në ata dialogë shtrohet pyetja, ekziston vullneti i lirë apo njeriu është një qenie jo autonome, i cili mund të marrë vendime pa përsiatje, nga arrihet te determinizmi filozofik, se edhe po të kthehet çdo gjë prapa, do të ketë përsëri rrjedhën dhe përfundimin e njëjtë.

Romani ka plot paradokse filozofike. Gjendje paradoksale, ku gjendet një dyluftim në mes dy ndodhive të tensionuara, ku duken dy konstatimet të jenë të vërteta. Në atë përleshje e sipër, të thellë, filozofike, ku ndizen e fiken qirinjtë jo vetëm të moshës si konkluzion, por edhe identiteti personal deri tek epifenomalizmi, pra raportin në mes shpirtit dhe trupit, ku të gjitha problemet psikike, janë vetëm produkte anësore të shkëmbimeve fizike.

Do të gjendet brenda edhe problemi kartezian në mes psiqikës dhe trupit, si vetëdije, si shpirt, si mendim dhe si vullnet i lirë. Dhe befasisht shfaqet e dashura e tij, të cilën e ngre në nivel engjëlli, nga do të aterrojmë te Fraz Bretano dhe kuptojmë çfarë dallon shpirtërorja nga fizikja.

Siç tregon edhe titulli, romani është alternativ, eksperiment intelektual në kërkim të së vërtetës, me dhjetëra paradokse filozofike si e Zenos me garën në mes Akilit dhe Breshkës. Ose, edhe si anija e Tezeut. Po pikërisht kjo qëndron për thelbin e romanit dhe diskursin e gjallë dhe filozofik. Ashtu si anijes së Tezeut që pasi i zëvendësohen të gjitha pjesët, ajo vazhdon lundrimin në det, ashtu edhe shkrimtari. i përkthyer edhe në greqisht, Edmond Shallvari, vazhdon në eksplorimin e universit të dilemave njerëzore, duke shpërbërë veten në ide dhe vendime. Ku qëndron tani paradoksi filozofik? Një njeri merr ato pjesë të vjetra të anijes, që u ndërruan dhe ndërton një tjetër. Tani, cila është anija e Tezeut, ajo që u krijua nga pjesët e saj apo ajo që u krijua nga pjesët e reja? E tani, cili është Edmondi, Uni apo Alter egoja? Cili ka të drejtë, Vetja djalosh apo Uni 82 vjeçar, cili është Edmondi? Kjo dilemë filozofike vazhdon deri në faqen e fundit të romanit, i cili është i ndarë në 54 kapituj brenda 210 faqeve. Ato ndarje në aspektin psikologjik lehtësojnë shumë leximin.

“Të vogëlohesh duke u madhuar. Të madhohesh duke u vogëluar!”

Në fakt Uni dhe Vetja janë bota e njeriut, por duke i dhënë fjalën dhe mundësuar artikulimin edhe tjetrit, Vetja ngrihet në piedestalin, që ndihmon në krijimin e identiteti të përbashkët filozofik dhe sipas Ciceronit, një mik i vërtetë, është vetvetja e dytë. Miku i dytë pra këtu është Vetja, që gradualisht i shtohet Uni i dytë.

Në roman shtjellohet sfida njerëzore me hamendjet dhe në kërkim, si imponim intelektual filozofik, me dashurinë e madhe ndaj të vërtetës, shoqëruar me dhembje, shpresa, kënaqësi dhe zhgënjim. Nganjëherë dialogët kujtojnë Rousseuan me fisnikun e egër, në gjendjen natyrore, kur nuk kishte organizim politik, njeriun e pafajshëm, naiv, i cili ka një dinjitet natyror dhe është i patëkeq, por që qytetërimi i ka prishur personalitetin dhe individualitetin.

Edmond Shallvari

Në lexim e sipër do të gjenden asociacione me imperativin hipotetik të Kantit. Kjo len të kuptohet nga diskutimi dinamik me Veten se çfarë duhet bërë për të arritur një qëllim. Krejt ato dyshime, ato pyetje, ato kundërshtime, ato supozime, ato hamendje, dëshmojnë rregullin e Aristotelit mbi të mirën, se për veprim të drejtë, të mirë, nuk ka rregulla dhe se nga situata në situatë, duhen marrë vendime. Dhe, se nuk ka rregulla morale që mund të mësohen përmendsh për të vepruar drejt, ku edhe anti – Krishti do të jetë Uni i tij. Dhe, se njeriu është i moralshëm dhe me virtyt, kur bën vepra të moralshme, jo kur mëson rregulla mbi moralin.

Do të ndeshemi edhe me utilitarizmin e John Stuart Mill në kërkim të veprimeve të drejta që rrisin lumturinë e njeriut dhe përsëri në ndërtimin e saj shfaqet bashkëshortja si princeshë, duke kujtuar poezinë e parë kushtuar asaj:

E kush tha që 10 vjet

Kemi që vumë kurorë?

Ne do mbetemi për jetë

Bashkëshortë dhe dashnorë.

Në roman, gjatë asaj trajtese filozofike, hidhen aforizma të fuqishëm, të pakundërshtueshëm, deri te hedonizmi, për të arritur tek materializmi historik i Marksit dhe përpjekjet e mëdha për ta kuptuar atë, por edhe zhgënjimi me rendin, pa urrejtje dhe me pamundësinë për të studiuar çfarë dëshironte. Duket se dëshiron predikim të moralshëm, por është fanitje çasti, kur kalon pranë Thomas von Aquin, për t’iu drejtuar David Humet.

Autori shpërbën vetveten në atome si atomisti i parë Lukreci në poezinë epike, “Mbi natyrën e gjësendeve”, për të cilin shpjegimi i mbinatyrores ishte qesharak dhe naiv. Ai mendonte se atomet në hapësirë boshe krijojnë çdo gjë që ekziston, ndërkaq, Shallvari kërkon atë brenda vetes, duke shkokëluar veten në ide dhe shtresuar në një udhëtim kohor, herë prapa, herë pas, herë në aktualitet.

Nëse Sokrati dinte se çfarë nuk dinte, edhe autori i romanit do të persekutohet nga kureshtja për të mësuar dhe sa “kapërcej një njohje, ndodhem para dhjetëra pragjeve të tjerë të mosnjohjes.” Duke lexuar ato përsiatje mund të konstatohet se njohja ishte vet dialogu i zhvilluar me një mjeshtëri filozofike.

Lexuesi do të ndeshet edhe me dialektikën e Hegelit, se çdo fenomen, tezë, mund të prodhojë aspekte kundërthënëse dhe pikërisht kjo është arsyeja pse përlahen Uni dhe Vetja në kërkim këmbëngulës për t’i dhënë një përgjigje, një kuptim, një justifikim jetës.

Aty ka shpresë, zhgënjim, dyshime, familja, lumturia, djemtë, pra krejt ai univers emocional që mbështjell qenien njerëzore.

Mplakja e trupit do të arrihet dhe pason mosha 85, 90 dhe 100, sa nuk mund më të shuhen as qirinjtë. Pastaj kujtimet e para të moshës 15 vjeçare dhe poezitë e para. Trupi si pasojë e viteve, do të dobësohet, por shpirti i tij do të mbetet po ai. Sa herë mungon rrugëdalja, do të shfaqet bashkëshortja, e cila do ta përcjellë që nga dita e parë e dashurisë, deri në fund. Dashuria e tij, nuk është metaforë e jetës, por vet jeta. Në fakt dashuria e madhe ndaj të shoqes, është Uni i dytë, që arrin të këndellë Unin e parë dhe Veten skeptik të autorit. Dashuria që e ka shtyrë t’i shkruaj vargje, ta rimojë dhe ta shndërrojë në tenor kryesor të jetës, në melodi, në simfoni, sepse është shpjegimi i jetës me pasardhësit e përbashkët, me kryeveprat. Dhe, në moshën 100 vjeçare, kur imazhi i pasqyrës e tmerron, atëherë Vetja hesht:

– “Mblidh veten!, i them vetes, por ajo nuk më përgjigjet. Mos është kjo jetë e deritashme një ëndërr e një gjumi të gjatë? Apo më erdhi çasti të ik ? Ja, kështu siç e kam dëshiruar, në gjumë mes ëndrrash, në ëndrra mes gjumit!

Dhe, në atë dilemë, shfaqet përsëri perëndesha, bashkudhëtarja jetës, e dashura, shoqja, dashnorja, zëri i së cilës tingëllon si para 50 viteve:

– Kush ai, kush ajo, o burrë, përgjumshëm je, a si?

– Ja ky, që kam qenë Unë, po s’është Unë tani, po dhe Ti aty, që ke qenë Ti, po s’je Ti tani!

Dhe në këtë gjendje, në këtë delir, e dashura do të nxitojë t’i sjellë një kafe për të mbledhur ai ca veten.

Romani është një lundrim filozofik në universin e njeriut. Ky vështrim ishte përshtypje pas leximit, por një dekontruksion më i ngadalshëm, do të nxirrte edhe dhjetëra përkufizime dhe vlerësime të tjera.

Si konkluzion, për nga mbresat që të lë romani, pa rënë kurrë në nihilizëm, mundëson një referencë me Sartrin se “njeriu është qenie, që nuk është ajo që është, dhe është ajo, që nuk është!”

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s