KLUBI POETIK “TIRANA” NË NJË TAKIM ME POEZINË E ILIRIANA SULKUQIT / Nga: Albert Zholi

KLUBI POETIK “TIRANA” NË NJË TAKIM ME POEZINË E ILIRIANA SULKUQIT
Nga: Albert Zholi
 
Klubi poetik “Tirana” është një grupim poetesh dhe pasionantësh të poezisë, i cili ka vite që organizon veprimtari artistike me krijimtari poetike dhe filma por gjithherë jashtë vëmendjes se mediave që preferojnë më së shumti jetën roze, skandalet dhe jetën e vip-ave surrogat të krijuar artificialisht dhe shterpësish në këto vite tranzicioni në kryeqytetin tonë. Në ditët e fundit të tetorit ky grupim realizoi një takim poetik në kafe “Lux” në Tiranë. Duhet thënë se më parë Klubi Poetik “Tirana” i organizonte takimet në kafe bar “Muza” te Selvia në rrugën e Dibrës, që u mbyll dhunshëm dhe u kthye në një zyrë e një partie politike, sepse më shumë ndjehet nevoja për politikë se sa për poezi në këtë vend. Takimi me poezinë i ishte kushtuar poetes Iliriana Sulkuqi, që dashurinë e saj e ndan (në të vërtetë poetikisht do të thuhej më mirë i bashkon) në mes të Shqipërisë dhe Amerikës ku ka vite që jeton. Por nuk harron të vijë çdo vit e çdo vjeshtë në Shqipëri ku gjen një frymë të ngrohtë për poezinë e saj por ajo edhe përpiqet të krijoj një mjedis artistik gjatë ditëve të qëndrimit në Atdhe. Nëse do te hedhim një vështrim ndër vite do të gjejmë mjaft veprimtari dhe punë të bukura me nismë nga poetja . Pak vite më parë ajo bashkë krijoi me poetin Kolec Traboini, por dhe mbështeti financiarisht një botim të veçante “Kujto poetin”, kushtuar poetëve që nuk rrojnë më fizikisht, por vepra e tyre i bëjnë të jenë gjithë herë në mes nesh. Po në frymën e kujtesës të atyre që bënë traditën poezisë, Iliriana Sulkuqi përgatiti vitin e kaluar një botim të veçante përkujtimor për poetët Frederik Reshpja, Ndoc Gjetja, Murat Isaku, Betim Muço dhe Milanov Kallupi. Në këtë kuadër ajo me kolegët poetë të Klubit Poetik Tirana organizoi takime përkujtimore kushtuar këtyre poeteve në Shkodër dhe Elbasan. Vëmë në dukje se nuk mungojnë takimet e poetes edhe në Tetovë. Ky vit solli diçka të re në prurjet artistike të poetes Iliriana Sulkuqi, e njohur edhe për poetikën për vendlindjen, qytetin e Elbasanin për të cilin përgatiti dhe botoi me shpenzimet e veta Kalendarin e Kujtesës për njerëzit e penës e të kulturës të këtij qyteti me tradita kulturore dhe atdhetare. Atje u organizuan takime e biseda edhe në shkolla ku poetja e shpërndau falas kalendarin që kishte përgatitur me të dhëna për të gjithë autorët e fjalës së shkruar të këtij qyteti. Duke parë këtë veprimtari të bukur në vazhdimësi, Klubi Poetik Tirana organizoi një takim me poezinë e Iliriana Sulkuqit në të cilin takim ishte e pranishme dhe poetja. Me të vërtetë një veprimtari e bukur. Poetja Iliriana sapo ishte kthyer nga takimet e saj në Elbasan dhe për ta prurë ngrohtësinë e bujarinë e qytetit te saj të vendlindjes kishte sjellë e vënë mbi tryezë për çdo pjesëmarrës një ballakume tradicionale Elbasani. Ballakumet janë për pranverën, atë të sjellin ndërmend, tha ajo, por unë ua solla në këtë takim të bukur sepse poezia është gjithmonë pranverë. Mbledhjen e hapi gazetari e shkrimtari Albert Zholi, i cili duke qenë pranë Ilirianës në të gjitha veprimtaritë e saj artistike foli për pasionin e poetes dhe përkushtimin për kolegët shkrimtarë që nuk jetojnë më e që të mos i mbuloje pluhuri i harrimit sepse e vërteta është që institucionet shtetërore që duhet ta kishin detyrim, nuk i kujtojnë vëmendje artit letrar që ështe pjesë e shpirtit të popullit, pasuri kombëtare e kërkon përkujdesje. Poeti dhe kineasti Kolec Traboini në emër të Klubit Poetik “Tirana” falënderoi Iliriana Sulkuqin për të gjithë ato veprimtari të bukura në vazhdimësi që duhet të mos jenë të veçuara por te na nxisin që frymën e bukur te poetike ta mbajnë gjallë në takime me lexuesit, edhe kur ata ngurojnë të vine pranë poezisë, të bëhemi ne nismëtarë të këtij afrimi sepse poezia shkruhet për njerëzit dhe jeton tek njerëzit. Arti poetik modern, vazhdoi Traboini, nuk i përjashton përvojat e mëparshme poetike mbarë botërorë, përkundrazi i bashkon tashmë që koha e eksperimenteve shpesh abstrakte me poezinë është punë e kryer. Në këtë kuptim tek modernia gjejmë edhe klasiken, gjejmë edhe frymën e mrekullive të krijuar nga arti i popullit i skalitur perla nëpër shekuj dhe solli shembuj nga poezia popullore e jugut dhe e veriut të Shqipërisë që konsiderohen monumentale. Tek Iliriana Sulkuqi i gjejmë mrekullisht të shkrira frymën popullore, zërin e kumrive e shpirtin e Isuf Myzyrit me klasiken dhe modernen, vazhdoi Traboini duke e konkretizuar mendimin e vet me poezitë e poetes ”Më zu nata në vendlindje” dhe “Trokit e zgjo” të cilat i recitoi për të pranishmit. Në takimin poetik ishte e pranishme dhe aktorja e njohur Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, e cila fjalën e saj e gërshetoi me recitime poetike që emocionuan të pranishmit. Ajo kujtoi veprimtaritë e organizuara nga Iliriana në të cilat është ndodhur dhe ka dhënë ndihmësen e vet përherë artistja e madhe e skenës dhe e filmit. Madje kur para pak vitesh pa një film qe po përgatitej kushtuar veprimtarisë poetike te Iliriana Sulkuqit, shqip-anglisht, të realizuar nga skenaristja Angjelina Xhara, operator Mjeshtri i Madh Ilia Terpini dhe regjisor Kolec Traboini, ajo i kërkoi grupit realizues të mos e mbyllnin filmin se donte ti recitonte ajo poezitë e Ilirianës. Kështu që filmi u desh të punohej sërish dhe tashmë ai është me zërin e mrekullueshëm të Margarita Xhepës. Të pranishëm në takim ishin edhe emigrantë krijues nga Greqia dhe Italia, Ilir Mborja dhe poeti Aqif Hysa, por kishin ardhur edhe krijues nga Elbasani. Folën shumë pjesëmarrës duke shprehur kënaqësinë për këtë veprimtari. Klubi Poetik Tirana kishte përzgjedhur tridhjetë poezi lirike të autores të cilat u recituan nga pjesëmarrësit. E morën fjalën Ilia Terpini, Eduard Cala, Klejda Plangarica, Vehap Xhindole, Thanas Tane, Dodona Qose, Kozeta Zavalani, Bardhyl Toda, Harallamb Kota, Myslym Ndroqi e tjerë. Ishte një mbrëmje tiranase e bukur, një takim i ngrohtë poetik në prag të largimit të poetes në Amerikë, në New York ku jeton me familjen, por me premtimin se së shpejti do mblidhemi sërish me prurje të reja të cilat krijojnë atë mikroklimë artistike emocionale, e cila aq shumë u mungon poetëve të kohës sonë e jo vetëm në kryeqytet.
 
 
Albert Zholi
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s