LEGJENDA E ZEZË / Tregim nga Zade Kuqi

LEGJENDA E ZEZË

 

Tregim nga Zade Kuqi

Rozafa u ndal, koha sikur pushoi. Ktheu kokën pas dhe vështroi nga burri që përbri saj po zbriste faqes së malit. Ajo vërejti se ai në njërën dorë mbante një duhan puro të ndezur që po e thithte ngadalë dhe mendueshëm, duke nxjerr një tym të hollë me një kënaqësi që vështirë dallohej tej atij shikimi të errët të atyre syve të bukur. Në dorën tjetër mes gishtërinjve mbante të shtrënguar kohën. Rozafa u habit me sigurinë me të cilën ai e mbante kohën mes gishtërinjve. Ishte mjeshtër i të lozurit me kohën. Ai dinte si ta sillte atë. Si ta sorollate për qejfin e tij poshtë e lart. Ia kishte dalë që ta bënte kohën t’i shërbente atij e jo ai asaj. Poshtë tij, pas një dite me shi që po mbaronte, shtrihej fusha e betejës se ardhshme, mbuluar me një tis të hollë mjegulle. Komandanti sillte nëpër mend përvojat luftarake të mijëvjeçarëve. Cila prej tyre mund të ishte e fundit? Mos do të ishte e tij? Madhështia iu shtua edhe më shumë në fytyrë.
– Tashmë dukesh tamam Agim R., – mendoi me vete nusja e re dhe ktheu kokën nga fusha e betejës së ardhshme, teksa uli vështrimin mbi shtegun e ngushtë që kalonte përmes fierishtës, pak më tej. Thuhej se nga fieri, në dukje, i butë, mund të priteshe lehtë. Rozafa e kishte të ndaluar gjakosjen, ashtu siç e kishte të ndaluar dashurinë. Ajo u frikësohej që të dyjave njësoj. Tek qëndronte me këmbë në atë shteg të ngushtë mbi atë faqe mali, nusja e re u kthye edhe një herë nga perëndimi dhe kujtoi se dita i ishte ofruar edhe më shumë fundit. Përbri saj, në të njëjtën pozitë, qëndronte edhe Agim R. Edhe ai, sikurse nusja e re, mendonte për të njëjtën gjë, për ditën që po mbaronte dhe për betejën që po afrohej. Tek e sodiste, ashtu përbri saj, sesi iu duk edhe më i vendosur në planet e tij, ndërsa e nxirrte tymin e puros nga nënbuza e epërme me një kënaqësi të posaçme që tashmë sytë ia venin në pah, më qartë se sa në fillim. Koha, mes gishtërinjve të tij prej artisti, përpëlitej me dhimbje. Ai i fliste kohës për atë sesi ai tashmë ishte një ushtar besnik në shërbim të atdheut të tij e jo më një artist i mërguar. “Ti nuk më vret më mërgimeve, o kohë, as mua, as ushtarët e mi trima, dhe dua që përvoja ime luftarake, të jetë e fundit për shumë mote, dhe për shume gjenerata”, vazhdoi në heshtje dialogun me kohën.
– Motet… komandant, – pëshpëriti Rozafa në heshtje, – m’i kujtojnë legjendat, dhe unë lutem që përvoja jote në këtë betejë të mos jetë e fundit. Lëre kohën të lirë. –Përse e bënë të vuaj ashtu mes gishtërinjve. -kujdes nga zemërimi i saj? Rozafë, ikë të lutem, shko provo t’i japësh pak gji djalit. Pranë murit të kalasë ende e ndjejë vajin e tij dhe rënkimin e burrit tënd. Përse ike nga legjenda dhe erdhe ta soditësh këtë fushëbetejë, përse Rozafë? e pyeti Agim R.
– Po ti Komandant, pse zgjodhe të hysh në legjendë? Unë ika nga ajo, pikërisht që ta mësoj arsyen tënde.
-Ti nuk e di ç’ është legjenda, – vazhdoj Rozafa.
– Legjenda, Rozafë, – vazhdoi Komandant Agimi, do të ndërtohet si muri i kalasë tënde, ditë për ditë nga pak. Pas këtij moti, pas kësaj beteje, ajo do të duket aq e bukur, aq e dhimbshme, sa dhe vetë ëndrrat dhe dashuritë e ushtarëve të mi. Rozafë a të mjafton kjo, që të kthehesh prapë në legjendën tënde. Atje te themelet e kalasë, tek të presin foshnja dhe burri.
-Unë jetoj në legjendë ia ktheu Rozafa. Tash që të dy jetojmë në të. Unë me foshnjën dhe burrin, ndërsa ti me ushtarët e tu trima.
-Ç’ duhet të marrë me vete në Legjendë Rozafë?- vazhdoi në heshtje Komandanti ta pyeste Nusen e re.
– Mallin e pashuar të syve tu… dhe emblemën, nën të cilën luftuan ushtarët e tu trima, – u përgjigj Rozafa, përmes heshtjes që bëhej gjithnjë e më e rëndë.
-Po korbat? Ku ti vendosim ata? Në cilën pjesë të betejës dhe në ç’sfond?- vazhdoj Komandanti…
-Unë si dua korbat, – u përgjigj Rozafa.
– Zogjtë e zinj m’i kujtojnë rrugët e gjata dhe pa adresa të mërgimit. Si të flas për korbat para syve tuaj të bukur? Është mizore, Komandant, Korbi, ky është dënimi në legjenda, jo hyrja në to.
– Përse i themi korb në gjuhën tonë? – vazhdoi prapë Rozafa në heshtje… dhe Agim R. në heshtje iu përgjigj nuses së re.
– Sepse…tha ai… janë të zi, si nata; të zi, si vdekja; të zi, si beteja. Janë të zi, si vetë legjenda.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s