“Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani” ( Vepër autobiografike ) – STEFAN CVAJG / Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

“Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”  ( Vepër autobiografike ) – STEFAN CVAJG

T’i bëjmë ballë kohës
ashtu si të na vijë.

SHEKSPIR


Rritemi të qetë, veçuar e në rehati,
por befas rrugëve të botës na lëshojnë;
sipër nesh përplasen prore dallgët mizëri,
gjithçka na tundon, shumë gjëra na gazmojnë,
mjaft të tjera zemrën na brengosin, dhe paprerë
shpirti ynë drithërohet paksa i trazuar;
ndjenja tepër të forta na pushtojnë, por përherë
të tëra i fshin e jetës vorbull e harbuar.

GËTE

S’i kam dhënë vetes kurrë aq rëndësi sa të më tundonte dëshira për t’u rrëfyer të tjerëve historitë e vogla të jetës sime. U desh të ndodhnin shumë ngjarje, katastrofa e fatkeqësi, shumë e shumë më tepër nga ç’i takon zakonisht një brezi të vetëm, para se të merrja guximin e t’i hyja një libri ku unë do të isha personazhi kryesor ose, më saktë, epiqendra e tij. Por për mua s’ka gjë më të papëlqyer sesa synimi që ta shfrytëzoj këtë rast për të nxjerrë në pah veten time, qoftë edhe në rolin e një lektori që komenton figurat e projektuara në ekran; koha ngjiz figurat, unë vetëm sa i përshkruaj me fjalë, dhe ky rrëfim s’ka të bëjë aq fort me fatin tim sesa me fatin e një brezi të tërë, të brezit tonë të pashoq, të mbetur në mëshirën e fatit si rrallëkush gjatë rrjedhës së historisë. Secili prej nesh, madje edhe ai më i rëndomti dhe më i përvuajturi, u trondit gjer në skutat më të thella të qenies së vet nga ato lëkundje vullkanike thuajse të pareshtura të tokës sonë evropiane; dhe unë, si njëri ndër të shumtët, s’mund t’i njoh vetes privilegje të tjera përveç njërit: si austriak, si hebre, si shkrimtar, si humanist e pacifist, jam ndodhur përherë mu aty ku pasojat e këtyre lëkundjeve sizmike ishin më të rëndat. Ato m’i përmbysën tri herë me jetë e me shtëpi e katandi, më shkëputën nga tërë e tashmja e nga tërë e shkuara dhe, me furinë e tyre dramatike, më vërvitën në mes të hiçit, në atë “s’di ku të shkoj“, që tashmë e njoh fort mirë. Por s’u ankova për këtë: pikërisht njeriu i paatdhe, në një kuptim të ri, e ndien veten të lirë, dhe vetëm ai që s’ka më lidhje me asgjë, s’ka për se të merakoset. Në këtë mënyrë shpresoj të plotësoj së paku një prej kushteve kryesore që nevojiten për të dhënë një tablo besnike të çdo epoke, dhe ky kusht është: sinqeriteti dhe paanësia.

I shkëputur nga të gjitha rrënjët, madje edhe nga toka që i ushqente ato rrënjë, unë i kam me të vërtetë këto cilësi, si rrallëkush ndonjëherë. Kam lindur më 1881 në një perandori të madhe e të fuqishme, në monarkinë e Habsburgëve, por mos e kërkoni në hartë, sepse është fshirë soje pa lënë gjurmë. U rrita në Vjenë, metropol dymijëvjeçar, kryeqytet shumëkombësh, dhe m’u desh të largohesha së andejmi si ndonjë kriminel, para se të katandisej në një qytet provincial gjerman. Vepra ime letrare, në gjuhën e vet origjinale, u bë shkrumb e hi, madje në atë vend ku librat e mi kishin bërë miq miliona lexues. Dhe kështu s’i takoj më asnjë vendi, i huaj gjithandej, mysafir në rastin më të mirë; edhe atdheu im i mirëfilltë, Evropa, që ma pati zgjedhur zemra si të tillë, tani për mua quhet i humbur qysh nga çasti që ka nisur të shqyhet e të copëtohet për të dytën herë në një luftë vëllavrasëse. Kundër dëshirës sime, jam bërë dëshmitar i disfatës më të tmerrshme të arsyes dhe i triumfit më të egër të brutalitetit që shënon kronika e shekujve; kurrë ndonjëherë – dhe këtë s’e pohoj aspak me mburrje, por me turp – s’ka rënë një brez nga një lartësi e tillë shpirtërore në një humnerë të tillë morale siç ka rënë brezi ynë. Gjatë këtij intervali të shkurtër midis kohës kur mjekra sa po niste të më dilte dhe kohës së sotme, kur po fillon të më thinjet, pra, gjatë këtij gjysmëshekulli, kanë ndodhur më shumë shndërrime e ndryshime rrënjësore nga ç’mund të ndodhin zakonisht gjatë kohës së dhjetë brezave njerëzorë të marrë së bashku, dhe secili prej nesh e ndien se kjo është si tepër shumë! Jeta ime e sotme ndryshon aq fort nga tërë jeta ime e djeshme, me të përpjetat e të tatëpjetat e saj, sa më duket sikur kam jetuar jo vetëm një, por disa jetë, krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. E theksoj këtë, sepse më ndodh shpesh që, kur them pa e pasur mendjen: “Jeta ime“, të pyes veten padashur: “Cila prej jetëve të mia?“ Jeta para Luftës Botërore, jeta para Luftës së Parë, jeta para Luftës së Dytë, apo jeta ime e tanishme? Pastaj e kap veten sërish në befasi duke thënë: “Shtëpia ime“, pa e ditur në çast për cilën prej shtëpive të mia të dikurshme e kam fjalën, për shtëpinë në Bath, për shtëpinë në Salcburg, apo për shtëpinë e prindërve në Vjenë. Ose kur them “te ne“, më duhet të kujtohem me tmerr se për njerëzit e atdheut tim ka kohë që jam po aq pak një prej tyre sa dhe për anglezët e amerikanët, se me të atjeshmit s’jam i lidhur organikisht, ndërsa tek të këtushmit s’do të integrohem dot kurrë krejtësisht; ajo botë ku jam rritur e kjo e sotmja, si dhe ato që ndodhen ndërmjet tyre, po veçohen përherë e më tepër në vetëdijen time si botë krejtësisht të ndryshme. Sa herë që gjatë ndonjë bisede u tregoj miqve të mi më të rinj në moshë ngjarje nga periudha para Luftës së Parë, kuptoj nga pyetjet e tyre tërë habi se ajo që për mua vazhdon të jetë ende një realitet i natyrshëm, për ta është shndërruar në diçka që i takon historisë ose në diçka që ata nuk arrijnë dot ta përfytyrojnë. Dhe një instinkt i fshehtë brenda meje u jep të drejtë: ndërmjet së sotmes, së djeshmes e së pardjeshmes sonë janë shembur të gjitha urat. As unë vetë s’mund të mos habitem me tërë ato ngjarje të shumta e të shumëllojshme që kanë ndodhur brenda hapësirës së ngushtë të një jete të vetme, të një jete me të vërtetë tepër të pasigurt e të rrezikuar, sidomos kur e krahasoj me atë lloj jete që kanë bërë të parët e mi.

E ç’kanë parë im atë e im gjysh? Secili syresh bënte një jetë drejtvizore, një jetë që ishte njësoj qysh nga fillimi e gjer në fund, pa të përpjeta, pa të tatëpjeta, pa tronditje e pa rreziqe, një jetë që njihte vetëm tendosje të lehta, vetëm ndryshime të pandjeshme; me një ritëm të njëjtë, të qetë e të rehatshëm, dallga e kohës i mbartte që nga djepi gjer në varr. Ata rronin në të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, madje thuajse përherë në të njëjtën shtëpi; çdo gjë që ndodhte në botën jashtë s’ishte gjë tjetër për ta veçse pjellë e gazetave dhe nuk vinte t’u trokiste në derë. Sigurisht që edhe në kohën e tyre bëhej diku ndonjë luftë, por qe gjithmonë ndonjë luftë e vockël në krahasim me përmasat e luftërave të sotme, zhvillohej larg kufirit, s’dëgjoheshin topat, ndërsa në krye të gjashtë muajve shuhej, harrohej, mbetej paskëtaj vetëm si një fletë historie, e ngjashme me një gjethe të tharë, dhe niste sërish jeta e mëparshme, ashtu e pandryshuar. Kurse ne e përjetonim gjithçka në mënyrë të pakthyeshme, asgjë s’mbetej nga e kaluara, asgjë nuk kthehej sërish; na qe ruajtur risku të përfshiheshim në mënyrë të gjithanshme në një numër të madh ngjarjesh, që zakonisht historia i ndan me kursim për këtë a për atë vend, për këtë a për atë shekull. Shumë-shumë, një brez përjetonte një revolucion, i dyti një puç, i treti një luftë, i katërti një zi buke, i pesti një falimentim shteti, madje disa popujve të bekuar, disa brezave të bekuar s’u shihnin sytë asgjë të tillë. Por ç’nuk kemi parë, ç’nuk kemi hequr, ç’nuk kemi përjetuar ne gjashtëdhjetëvjeçarët e sotëm, që de jure mund të kishim ende një copë jetë përpara! E kemi studiuar me rrënjë nga njëri skaj në tjetrin katalogun e të gjitha katastrofave që mund të përfytyrohen, por prapë s’kemi arritur ende gjer në faqen e fundit. Unë vetë kam qenë bashkëkohës i dy luftërave më të mëdha që ka njohur njerëzimi, dhe madje i kam përjetuar në dy fronte të ndryshme: njërën në frontin gjerman, tjetrën në frontin antigjerman. Në periudhën e paraluftës kam përjetuar shkallën e formën më të lartë të lirisë individuale dhe më pas gjendjen më të mjeruar që mund të ketë njohur kjo liri qysh prej shekujsh, jam nderuar e jam përçmuar, kam qenë i lirë e i skllavëruar, i pasur e i varfër. Përmes jetës sime janë turrur tërë kuajt e murrëtyer të apokalipsit: revolucion dhe zi buke, zhvlerësim paraje dhe terror, epidemi dhe emigracion; kam parë të rriten e të përhapen mu para syve të mi ideologjitë e mëdha masive, fashizmin në Itali, nacionalsocializmin në Gjermani, bolshevizmin në Rusi dhe, mbi të gjitha, atë kolerën e kolerave, nacionalizmin, që ka helmuar lulen e kulturës sonë evropiane.

M’u desh të isha dëshmitar i pambrojtur e i pafuqishëm i këtij kthimi të papërfytyrueshëm të njerëzimit në një gjendje barbarie që besohej se ishte harruar prej kohësh, me atë dogmën e saj të antihumanizmit, të shndërruar qëllimisht në program veprimi. Na qe rezervuar të shikonim sërish, pas shumë shekujsh, luftëra pa shpallje lufte, kampe përqendrimi, tortura, grabitje masive e bombardime qytetesh të pambrojtura, dhe të gjitha këto qenë mizori që pesëdhjetë brezat e fundit s’i patën njohur ndonjëherë, dhe shpresojmë të mos i vuajnë më as brezat e ardhshëm. Por, në mënyrë paradoksale, gjatë po kësaj kohe, kur bota jonë u kthye brutalisht një mijë vjet prapa në fushën morale, e kam parë po këtë njerëzim të lartësohet në fushat e shkencës e të teknikës nëpërmjet arritjesh të padëgjuara, duke e tejkaluar me një të rrahur flatrash gjithçka që ishte sendërtuar në miliona vjet: pushtimi i hapësirës qiellore nga aeroplani, transmetimi brenda sekondës i fjalës tokësore në tërë sipërfaqen e globit dhe zotërimi në këtë mënyrë i gjithë hapësirës kozmike, shpërbërja e atomit, fitorja e arritur ndaj sëmundjeve më tinëzare, kryerja pothuaj çdo ditë e zbulimeve të tilla që një ditë më parë dukeshin ende si të paarritshme. Gjer në kohën tonë njerëzimi në tërësi s’është sjellë kurrë në mënyrë kaq djallëzore dhe s’ka bërë asnjëherë mrekulli të tilla që shëmbëllejnë me mrekullitë hyjnore.

Më duket se e kam detyrë të dëshmoj për këtë jetën tonë të tensionuar, dramatike, plot me të papritura, sepse, e përsëris, secili ka qenë dëshmitar i këtyre shndërrimeve të jashtëzakonshme, secili ka qenë i detyruar të jetë dëshmitar. Brezi ynë s’pati mundësi të shmangej, të rrinte mënjanë, siç kishte ndodhur në kohët e mëparshme; falë organizimit tonë të ri të sinkronizimit universal, ne ishim vazhdimisht të informuar për gjithçka që ndodhte. Kur bombat rrafshonin shtëpitë në Shangai, ne në Evropë, duke ndenjur në shtëpi, e merrnim vesh para se të nxirreshin të plagosurit nga gërmadhat. Ajo që ndodhte një mijë milje përtej deteve, vinte e shfaqej sakaq para syve tanë e mishëruar në figura të gjalla. S’kishte mbrojtje, s’kishte sigurim ndaj këtij informacioni dhe angazhimi të pandërprerë. S’kishte vend ku mund të fshiheshe, s’kishte vetmi të qetë që mund ta blije; dora e fatit na kapte përherë e kudo dhe na tërhiqte mbrapsht në lojën e vet të panginjur.

Njeriu qe i detyruar t’u nënshtrohej vazhdimisht kërkesave të shtetit, të bëhej pre e një politike nga më idiotesket, t’u përshtatej ndryshimeve nga më fantastiket, pra, qe përherë i lidhur me zinxhirë pas një strumbullari dhe nuk shkëputej dot syresh sado që të mundohej. Kushdo që ka përshkuar këtë epokë ose, më mirë të themi, kushdo që ështe gjurmuar e persekutuar – dhe kemi pasur intervale të pakta për të marrë frymë – ka përjetuar më shumë histori nga ç’ka përjetuar ndonjëri prej stërgjyshërve të tij. Edhe sot ndodhemi prapë përballë një kthese, përballë një fundi dhe një fillimi të ri. Prandaj edhe unë nuk e ndërpres aspak pa qëllim në një datë të përcaktuar këtë vështrim retrospektiv të jetës sime. Këtë e bëj, sepse ajo ditë shtatori e vitit 1939 i vë pikën përfundimtare epokës që na rriti e na edukoi ne gjashtëdhjetëvjeçarët. Por në qoftë se ne, me anë të dëshmisë sonë, i përcjellim brezit të ardhshëm qoftë edhe një pjesëz të vërtete, si gjurmë të asaj ngrehine të shembur, besoj se nuk do të kemi bërë diçka fare të kotë.

Jam i vetëdijshëm lidhur me rrethanat e pavolitshme, por tepër karakteristike për kohën tonë, në të cilat dua të hedh në letër kujtimet e mia. Po i shkruaj në mes të luftës, po i shkruaj në vend të huaj dhe pa pasur as minimumin e materialit arkivor për t’i ardhur në ndihmë kujtesës. Në dhomën time të hotelit s’kam asnjë kopje të librave të mi, asnjë shënim, asnjë letër miqsh. S’marr dot prej askund informacione, sepse në mbarë botën shërbimet postare nga një vend në tjetrin janë ndërprerë ose i pengon censura. Jetojmë po aq të izoluar nga njëri-tjetri sa dhe para qindra vjetësh, kur s’qenë shpikur ende as anijet me avull, as treni, as aeroplani, as posta. Pra, nga tërë e kaluara ime s’kam gjë tjetër me vete përveç atyre që ruhen në trurin tim. Në këtë çast, për mua gjithçka tjetër është e paarritshme ose e humbur. Por brezi ynë e ka mësuar mirë artin e shkëlqyer që të mos vajtojë gjithmonë për atë që ka humbur, dhe ndoshta kjo mungesë dokumentesh e hollësish mund të kthehet madje në dobi të veprës sime. Sipas mendimit tim, kur kujtesa mban një element dhe mënjanon një tjetër, këtë s’e bën ashtu rastësisht: këtë unë e quaj si një fuqi që rendit me kompetencë dhe përzgjedh me mençuri materialin e saj. Gjithçka që njeriu harron nga jeta e vet, në të vërtetë ka qenë dënuar prej kohësh nga një instinkt i brendshëm për t’u harruar. Vetëm ajo që dua unë ta ruaj ka njëfarë të drejte të ruhet për të tjerët. Pra, flisni e zgjidhni ju e jo unë, o kujtimet e mia, dhe jepni së paku një shëmbëllesë të jetës sime para se të kridhet në errësirë!

(STEFAN ZWEIG: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”,
vepër autobiogragike”, titulli i origjinalit: “Die Welt von Gestern
– Erinnerungen eines Europäers”, Botimet “SANTORI”,
Tiranë 2012, 450 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s