Poezi nga Daniela Xhani Kreka
Kohë e gruas
koha ka sytë e gruas
kur rrugëton në kohë
gjurmë dheu
gjurmë fjale
gjurmë ndjenje
gjurmë thërmijash
thërmijë e gatuar me re
re e gatuar me qumësht gjiri
me këmbë në tokë
me shpirt në qiell
kohë me diell
mos e shih në sy
të shkon drita
të verbon,
kur ajo qesh
shih pemën
që çelet
shih dheun
që kriset
shih grurin
që zverdhet
shih gojën e saj
qafën si tendoset
zërin
gjakun
kockën fosforeshente
mos ia ndal sytë
mos ia ndal diellin
mos e ndal
kohë e vrenjtur
mblidhen retë
në pupilë
grusht
përplasen
rëndohen
shemben
mos ia pyet trishtimin
mos i lësho fjalë
mos ia përhap lëmshin e mbledhur
në sy
në fyt
në mushkëri
shih si merr frymë
si hedh shallin
si i lëkundet çanta në dorë
si i gjunjëzohet era
në këmbë
si i fshihet stina në flokë
mos ia trazo retinën
mos ia trazo heshtjen
kohë me shi
prej syve të saj vjen rrebeshi
prej syve të saj
prej ujit
prej kripës
prej shpirtit
prej dëshpërimit
prej të pamundurës
prej asaj që s’shkon
aty ku duhet
ashtu siç duhet
mos ia hap qepallat
lëri të të rrjedhin
në veshje
në lëkurë
në ind
në gjak
në kockë
në palcë
në kohë
në kohën që fshihet
tek sytë e saj
tek limfat
tek kapilarët
tek hemisferat e trurit
tek katër dhomat e zemrës
tek diafragma
tek vezoret
tek kordoni ombelikal
tek lindja
tek lindja e kohës
që kur u krijua
njeriu.