Poezi nga Adelina Dardha
Zhgënjimi…
Tsunami i oqeanit i ngritI valët
mbi sytë e mi,
gjer në dhimbje m’i preku fijet
e plagëve,
një nga një,
e bardha e retinës me të kuqe njollash u bë,
dhe u fundos nëpër zgavrat e
bregoreve të gurëve,
atje ku aromat e puthjeve tona,
ngulçonin nën zë ligjet e dashurisë!
***
Dhe ti që më thua se çfarë
kam bërë unë për ty
kur ti u largove,
unë di që ecja
nëpër një mjegull,
dhe nuk dija nga shkoja,
rrugët ishin bërë si vijat e dorës
tabelat si kryqe gishtash,
dhe pulsi i dorës bërë si busull
për shtegun e mallit
ku rrihte zemra jote,
dhe unë që të pyesja,
se çfarë bëre ti pa mua,
kur unë të kërkoja,
dhe ti që nise të vështroje
heshtjen e mungesave ,
dhe mjekra të ishte zbardhur
nëpër thinja,
hija e trishtimit
ishte përdredhur
si një patë
e egër nga qafa,
jehona e dhimbjes
pa droje ishte shkëputur,
si dy pika parfumi
në çarçafin e krekosur,
dhe ti si i përgjumur më thoje,
se kishe një jetë
që prisje veten,
nga unë ta zgjoje!
***
Kujtimet e mbetura
në një çantë lëkure
me harta të grrisura
që dhëmbin
më trembin
dhe vrapoj diku larg
shumë larg,
sa mos të njoh as veten,
as njerëzit,
të heq cantën nga supet
e tua
të nxjerr kujtimet si tufa flokësh
dhe t’i përplas diku
pas ndonjë shkëmbi..
e di që nuk do mundem dot ta bëj,
dhe do më mbysin lotët,
kur t’i lutem djallit,
as këtë herë të mos shkoj për andej,
se akoma po i ndjej të gjalla!