Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

NE I SHKUNDËM PEMËT ATË DITË

Më duket se ishte koha e fundit
Që ai të kthehet
Por ngjau e kundërta
Iku për të mos u kthyer asnjëherë

Më kujtohet kur pranë portave e lë trastën
Futi një kafshatë bukë në xhep
Dhe nën pallton e vjetër
Njëherë e përgjithmonë e harroi fëmijërinë

Ne i shkundëm pemët atë ditë
Që të kemi se çfarë të thajmë për dimër
Por ia behën krimbat dhe na qitën fare
Atë vjet u mësuam ta ziejmë gurin

Mësuam aq mirë
Sa që e zhveshëm deri në asht malin
Po ashtu mësuam të durojmë
Që të na teproj buka deri në pranverë.

 

E KAPËRCYEM TË PAMUNDURËN

Nga një dhunë e paparë
Nënat tona të mira
Mësuan ta sajojnë guximin
Kur i shtrimë duart përtej fjalëve
Atdheu na mësoi artin e qëndresës

Filluam t’u ngjajmë rrapeve
Sa herë që na kanosej etje
Krijonim krojet nga rrënjët e drurëve
Dhe mësuam fare mirë
Se si ta mashtrojmë urinë me këngë

Kur kishim të ftohtë prej ashklave
Të drurëve shumëvjeçar
Ndërtonim anije kozmike
Sa që kur paraqitej acari
Dielli i ngrohte eshtrat e dërmuar

Kaluan vitet por edhe shekujt
Kurse ne si gjithmonë
Ishim të durueshëm
kapërcyem të pamundurën
Për t’i dal Zot atdheut të përvuajtur.

 

PËR NJË TË NESËRME TË MADHE

Këtu ndoshta pakëz më tutje
Te ajo shkurre e cila s’bëzan
E lashë plakun tim
E lashë shtrimë
Mbi bujarinë dhe shpirtin e Pollogut

Atë ditë nën stërkalat e shiut
I varrosëm duart e rrudhosura të trishtimit
Më kujtohet kur në trenin e çmendur
Për në Bllacë e zuri gjumi
Flinte si një kërthi mbi rrotat e dhembjes

Kur mbërrimë në këtë lëndinë
I dëgjuam britmat e Kaçanikut
Një zë çjerrës atë ditë
U zgjua si klithmë shpirti
Mbi supet e përgjakura të atdheut
Dëgjuam lehjet e cerberëve

Ai burrë i mirë i njihte në gishta
Dredhitë dhe luftërat ballkanike
U shtri përbri një rrapi
U shtri dhe mbeti aty si një përmendore
Për një të nesërme të madhe.

 

PËRROI KËNDON NJË KËNGË TË LASHTË

Kur i shikojmë fluturimet e zogjve
Nëpër degët e nerenxës
Na duken ato flatra
Si lojërat tona arkaike
Njëri me këmbë të drunjtë në lagjen tonë
Çdo ditë i shuton topat prej lecke

Tjetri me gishtat e tij skelet
Për bukuri luan një melodi
Në një fyell të drunjtë
Përroi këndon një këngë të lashtë
Të cilën e njeh vetëm kavalli i metaltë
Era i ndërron perdet e tingujve

Kështu për çdo ditë e në çdo kohë
I ndërrojmë vendet e parathënieve
Kur nuk kemi se çfarë të bëjmë
Ecim si përherë këmbëzbathur
Ecim nëpër monopatet
E kujtesës së fëmijërisë së harruar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s