NË VILEN E KOLEKSIONISTIT PLAK (Fragmente ) / Shkëputur nga libri me novela ” Zhgënjimi” i autorit Kristaq Turtulli

NË VILEN E KOLEKSIONISTIT PLAK (Fragmente )
 
 
VI
 
Të nesërmen Vehbiu erdhi dhe më mori herët në mëngjes. Nuk dukej shumë në humor dhe më ngjau më plak. Një rrudhë e gjatë ishte theksuar në faqen e djathtë, me siguri prej zhubrosjes së jastëkut. Kafen e porositëm në dritaren e lokalit, nuk u ulëm. I morën kafetë dhe u futën në autostradë.
 
-Turp nder, do ta ndez një cigare,- më tha Vehbiu kur makina ishte në lëvizje, pastaj shtoi i menduar:- Nuk është vetëm ta pi, se demek mu ça hunda për duhan, por…
 
Heshti. Pas disa minutash mbërritëm pranë vilës së madhe. Hymë brenda. Menaxheri i hekurosur na priti më ftohtë se dje. Hoqëm me nxitim këpucët, veshëm papuçet, u ngjitëm në katin e dytë dhe filluam menjëherë nga puna. Godina e madhe, muret, dritaret e larta, tavani i punuar me art dhe shije, gjithçka, po mbërthehej prej thonjve të një trishtimi të madh për shkak të boshatisjes. Ikja dhe boshatisja paralajmëron rrënimin e pashmangshëm të kësaj vile të bukur, kështu mendoja, ndërsa zbrisnim dhe ngjitnim shkallët e përmbytura prej letrave dhe hedhurinave.
 
Dreq o punë. Ç’po ndodh me mua. Kaq ma shpif, më mpin shpatullat! Kush, keqardhja dhe rrënimi, apo shpirti i keq që endet nëpër dhoma dhe korridore. Në çdo lëvizje a punë që kryej, më dukej sikur dikush më bie nga pas. Kthej kryet, dëgjoj një zhurmë të lehtë dhe asgjë. Kaq të thellë e ka shpirtin ky plak, sa dhe punëtorët e shkretë të ambalazhimit të koleksionit të tij nuk i lë të qetë, isha gati ti thosha Vehbiut.
 
Sa herë bëja ndonjë pushim të shkurtër, të mbushesha me frymë, dalloja të ngjeshur pas murit, herë një trup të gjatë e të hollë burri dhe herë trupin e vogël, si brumbull, të gruas, të zhytur në gjysmë errësirë. Domethënë hija e koleksionistit plak, hyrë si nuselale në vrimat e shpirtrave të tjerë, herë bëhet burrë dhe herë grua! Ndoshta dhe mi i bardhë, ku dihet..?!
 
Kërkova të shkoja në banjë. Vehbiu me përtesë më tregoi fundin e korridorit dhe gishtin tregues e përtheu nga ana e majtë.
 
-Gjithsesi ndiq shenjën,- me tha.
 
Dhe unë ndoqa shenjën e kuqe. Përpara më doli një korridor katror, në faqen kryesore të murit, lartohej portreti impozant i plakut, koleksionit, ulur në një kolltuk të luksoz. Me vështrim të ngulur, si skifter, një cullufe flokësh të thinjur, të ngritur përpjetë, fytyrëhequr, i plotfuqishëm, hijerëndë, i padepërtueshëm. Me duart të vendosura mbi dorezat anësore të kolltukut, njëlloj si Abraham Linkolni. Paske qenë ç’ paske qenë o plak, ia bëra me vete. Po hë, të gjitha i le pas.
 
Mu duk sikur pas shpine dëgjova, fëshfëritje, pëshpëritje të thellë dhe zhurmë dhe sikur portreti i plakut, i fyer dhe i nervozuar u shkund, lëvizi dhe sytë iu përskuqën. Pandeha se ai plak kokoroç i mbërthyer në kornizë po matej të dilte i fyer prej telajos dhe do turrej nëpër korridore duke kaluar mbi mua, që e nënvleftësova aq hapur.
 
‘Hej dreq, ia bëra me vete. Kjo vilë përrallore, qenka e shpirtrave të trazuara, jo e njerëzve.’ U largova me të shpejtë prej aty me një ndjenjë pasigurie dhe pështjellimi. Pa kthyer kokën nxitova hapat të shkoja në banjë.
 
Banja ishte e bollshme, luksoze e gjitha në mermer dhe plot dritë. Dhe ajo akullsi e pastërti, sikur më çlodhi dhe më largoi pasigurinë e pakuptimshme. I shkujdesur vendosa duart në mermerin e ftohtë dhe u vështrova një copë herë në pasqyrë me kornizën e madhe të nikeluar. Sa shpejt më kishin dalë qimet e mjekrës. Me mendimin se nesër përpara se të vija këtu dukej të ruhesha patjetër, ula pantallonat të bëja nevojën. Me këtë rast mund të lehtësohesha dhe çlodhesha pak. Djall o punë, sa maniakë dhe sa shpejt i mbledhin dollarët këta njerëz dhe nuk thonë kurrë mjaft! Më vetëtiu ky mendim në mendje dhe vara kryet.
 
Dëgjova hapa të buta gati të pandiera në korridorin katror të banjës. Kuptohet që nuk i kushtova rëndësi. Në banjë mund të hyrë kushdo për nevoja personale. Prandaj vazhdova cytje e mendimeve mbi pangopësinë e njerëzve për tu pasuruar, përlarë gjënë e tjetrit dhe ikjen e pashmangshme, duarthatë, nga kjo botë dhe të lehtësohesha. Befas, një pëllëmbë larg kokës sime pashë që lëvizi lehtë, majtas djathtas, doreza e bronztë e derës së banjës. Në fillim ngrita kokën i bezdisur, gati i acaruar, por kur mu kujtua lëvizja e hijeve nëpër korridore, më ngriu zemra. O zot! Edhe në banjë të ndjeka shpirti i ankthuar i plakut maniak! Doreza lëvizi dhe dy herë të tjera. Mora kuroja dhe u kollita fort, të tërhiqja vëmendjen, por më shumë të shkundja veten time. Heshtje. Nuk dëgjova hapa, as zhurmë, as asgjë.
 
Kur dola nga banja korridori dergjej në gjysmë errësirë. Kërkova çelësin dhe ndeza dritat. Mu duk sikur pashë një hije burri që humbi diku, më pas gruan e çuditshme diku nga e djathta e korridorit, ngjitur pas një statuje antike, pa krahë dhe pa kokë dhe një perde të rëndë, dhjetë metra larg. Qëllimisht kalova pranë saj. Sytë i kishte të mbyllura, fytyra e palëvizshme, si statujë dhe e veshur me errësirën e perdes së rëndë. Por kur eca përpara dhe e lashë pas, ndjeva që shikimi i saj më shponte shpinën si truelë.
 
Kur po lëviznim statujën e Mendimtarit të Rodenit. E ngrita pothuajse peshë dhe po e vendosnim në karrocën e sheshtë, Vehbiut gati sa nuk i shpëtoi statuja prej duarsh, të cilat ishin qullur prej djersës. Por unë me shpejtësi e mbërtheva përfundi. Vehbiu më falënderoi me sy, dukej i kapitur.
 
-Kujdessss!- dëgjova pranë veshit një zë fare të hollë, si klithmë shpendi, që vinte prej fundit të dheut aq sa më rrëqethi dhe statuja gati sa s’më shpëtoi prej duarve. Vendosa këmbën nën të. Bazamenti i statujës rëndoi mbi gishtat e mi. Me shumë vështirësi durova dhembjet, përqendrova vëmendjen dhe mblodha forcat e ngrita peshë dhe e vendosa mbi karrocën e sheshtë. Kush e lëshoi atë klithmë? Shpirti i munduar u koleksionistit plak? Djersët më rridhnin prej ballit dhe po më vishnin sytë.
 
Vendosëm me shumë kujdes ‘Mendimtarin’ e Rodenit në vendin e caktuar. Qëndruam, u mbushëm me frymë, fshiva djersët dhe vështrova përreth. Përsëri diku në cep të hollit, më zuri syri fytyrën e zbehtë, të gruas aziatike, me sy të mbyllura, me duar të kryqëzuara në gji. Ajo qëndronte në këmbë pa lëvizur. Më dukej sikur ishte e njësuar me murin e patinuar. Çfarë bën ajo gjë, aty në cep që s’lëviz dhe s’ flet? Pyeta veten. Ajo lëvizi rrëshqanthi dhe mu duk sikur luajtën të gjithë statujat së bashku me të.
 
Erdhi koha e pushimit. U ulëm të dërmuar mbi dy stola të vjetër dhe filluam të hanim bukë. Nuk më rihej pa vështruar atë grua të çuditshme që qëndronte për orë të tëra e ngurosur pas murit dhe symbyllur.
 
-Kush është ajo gjë, atje përtej, si statujë, si grua?- nuk mu durua dhe pyeta zë ulët në gjuhën shqipe Vehbiun.
 
-Cila gjë!- ia bëri Vehbiu i habitur.
 
-Ajo atje,-i thashë dhe i bëra me kokë.
 
-Shëët. Ajo atje? Mos u kthe, mos shiko andej. Ajo është Olivia Chu, është dreqe, me ato sy gjysmë të mbyllura, ngjan sikur fle. Edhe nepërkat mbajnë sytë gjoja të mbyllura, në fakt përgjojnë,-mërmëriti Vehbiu.
 
-Të gjithë përgjuakan këtu,- ia bëra me inat.
 
-Shëëët! – pëshpëriti Vehbiu dhe shtoi zë ulët:- Ishte shërbyesja personale e merhumit, koleksionistit plak, tani është gërhima e tij. Kur më thërrisnin të shkoja, ti çoja plakut prej kopshtit të tij, lule të freskëta. E gjeja atë milet të mbledhur rrumbullak, si mace në fund të këmbëve të merhumit dhe më dukej sikur hyja në frigorifer. Ngandonjëherë e shihja të futur në shtroje, ngjeshur pas plakut. Plaku pa një arsye e pushoi Kristinën, shërbyesen e vjetër e familjes dhe, kjo mori të drejtën për ta ushqyer, veshur, dhe ndërruar. Sesi iu tipos merhumit në kokë ajo gjë, mish me dy sy, asnjë nuk e mori vesh. E solli plaku me vete prej spitali dhe mbajti si kone në dhomën e tij.
 
-Po kush klithi?-fola gjithë ankth.
 
-Ajo klithi. Ajo vrau dhe miun e bardhë të plakut.
 
Pranë nesh u afrua flokë shpupuritur Stive menaxheri. Dukej i zbehtë, i këputur sikur ta kishin rrahur me dru. Ai nuk mbante më kostumin e zi, kravatën e zezë dhe këmishën e bardhë, që e bënin aq hijerëndë dhe rëndësor. Kishte veshur një palë tesha të thjeshta dhe papuçe si ne. Akullsia e tij ishte shkrirë, mu duk sikur ishte futur në ujë. Vehbiu u kthye nga ai dhe e vështroi me habi. Menaxheri u ndje i bezdisur.
 
-Çka bërë vaki zoti menaxher,- qeshi pa të keq Vehbiu:- Qenke veshur dhe papuçe!
 
-Mos më thirr menaxher, të lutem,- ia ktheu tjetri i nervozuar.
 
-Ashtu, mirë, si të duash, nuk të thërres menaxher, do të them Stive.
 
-Kështu më thirr, Stive,- tha dhe shtoi:- Ku ti gjesh dhe papuçet tani. Të gjitha po i merr plaku me vete.
 
– O Stive, plaku i gjorë nuk mori asgjë me vete. Të gjitha i la këtu,- ia bëri i menduar Vehbiu.
 
– Ke të drejtë. Por nuk e kisha fjalën aty. Të gjitha i mori lumi. Komandën e mori ajo. Ma komunikoi shkarkimin. Në fillim të muajit tjetër do më nxjerrin në pension.
 
-Ah,- mërmëriti Vehbiu. Nxori cigaren dhe e vuri në cigarishte:- eja dalin jashtë. Këtu me gjithë mend të mbahet fryma.
 
 
VII
 
Dolën jashtë, hymë në kopsht, i cili ngjante sikur kish një gjoks të madh, merrte frymë thellë dhe fërgëllohej prej erës së lehtë. Vehbiu kundroi një copë herë krijimin e tij dhe psherëtiu. U përkul, u mbajti erë trëndafilave dhe ledhatoi me dashuri tulipanët. Pastaj ndezi cigaren dhe e thithi fort. Nga xhepi i brendshëm nxori faqoren petashuqe me raki dhe lagu buzët.
 
-Ma jep dhe mua,- tha Stive.
 
-Ou!- i a bëri Vehbiu i habitur dhe i zgjati faqoren petashuqe,- që kur kështu ti!
 
-Lëre Vehbi, mos e nga,- rënkoi Stive dhe piu një gllënjkë:- Lart, në studion e madhe janë mbledhur të bijtë, të bijat, noteri, komisionari, juristi. Përpara se të vendosej të hapej testamenti noteri kërkoi të thërritej dhe shërbëtorja personale e plakut. Dhe kush, ajo dreq grua, që hyri si aliene tek ne,- pëshpëriti Stive
 
-Ah,- psherëtiu Vehbiu.
 
– Ika, do shkoj të mësoj se çfarë bëhet,- tha Stive dhe u largua me hap të shpejtë.
 
-Është fjala për atë grua që na përgjon hap pas hapi?- pyeta Vehbiun:- Që ngjan si kukull bebe?
 
Vehbiu luajti kryet në shenjë pohimi.
 
-Po, ajo grua,- tha dhe shtoi:- Nëse të ka mbetur akoma diçka për të ngrënë, ulu dhe përlaje, kemi përpara shumë punë për të bërë.
 
Pa e zgjatur çmbështolla letrën alumini, gruaja më kish mbështjellë një mollë starkinkë dhe një banane. Vehbiu bëri pak më tej, ndezi një cigare tjetër. U ul në bisht dhe nisi të pastronte disa fletë që kishin filluar të zverdheshin në fund të kërcellit të luleve. Pranë nesh erdhi gati me vrap Stive. Ai mezi mbushej me frymë.
 
– Atje lart, në studio po bëhet sherr i madh. Mësova që bosi ynë i ka lënë asaj gruaje me testament vilën dhe statujat. Të bijtë dhe të bijat protestojnë me të madhe. Kush është kjo grua, kjo shërbyese, që guxon të përvetësojë pronën tonë. Ne e shohim për herë të parë këtë njeri të huaj, në jetën e babait e në jetën e tonë. Ne njohim Kristinën si shërbese personale të babait. Nga doli kjo! Ata ngulmojnë, thonë se, shpërbërja e pronës së trashëguar nëpërmjet gjakut është skandaloze dhe në kundërshtim ne të gjithat normat dhe ligjet e shtetit. Mohimi i trashëgimisë së ligjshme të gjakut është i paparë ndonjëherë. Ky është mashtrim i ndyrë. Noteri tund si flamur, përpara syve të tyre testamentin e plakut të shkruar dhe të vulosur. Të bijtë dhe të bijat shtojnë se s’duhet besuar çfarë është shkruar dhe vulosur në testament, në muajt e fundit. Ata vështronin gjithë urrejtje gruan e huaj, aziatiken e panjohur, shërbyesen e të atit. Ndërsa ajo, qëndronte në qoshe të studios, si gur varri pa i lëvizur asnjë muskuj i fytyrës. Të bijtë dhe të bijat janë tërbuar, akuzojnë noterin për bashkëpunim me shërbëtoren, për mashtrim, e përvetësim prone dhe kanë të drejtë. Të drejtën e tyre do ta ndajë gjyqi, duhet të merret parasysh, atin i tyre prej sëmundjes ishte bërë matuf,- përfundoi Stive.
 
-Matuf!- ia bëri Vehbiu i përhumbur.
 
-Buf me zile,- ngriti zërin Stive.
 
-I paska lënë të bijtë dhe të bijat me gisht në gojë!- i pëshpërita Vehbiut:- Ajo femër nuk ka asgjë për të lënë mendtë.
 
Vehbiu ngriti supet pa ditur çfarë të thoshte.
 
-Më shumë se matuf, i çmendur. Hë, s’të vjen të pëlcasësh prej inatit!- dëgjova të fliste gjithë maraz Stive dhe ngriti e njëherë faqoren me raki.
 
Dëgjuan zhurmën e një makine që qëndroi përpara vilës. Stive dhe Vehbiu vështruan njëri tjetrin në mënyrë pyetëse. Pas pak u hap dera e hekurt e vilës dhe ne pamë një furgon të bardhë të hynte brenda. Makina u rrotullua pakujdes në rruginën e ngushtë të kopshtit, bëri prapa dhe rrëzoi të poçe me lule. Vehbiut iu prish fytyra prej dhembjes dhe u bë gati tu bërtiste:
 
-S’u plasën sytë. Nuk e panë saksinë me lule- mërmëriti.
 
Stive i bëri me shenjë të përmbante veten. Prej furgonit të bardhë zbritën me të shpejtë pesë djelmosha aziatikë.
 
-Kush ju a ka dhenë këtyre djemve kodin e hapjes së derës dhe hyrjes në vilë?- pyeti Stive zë holluar. Vehbiu ngriti supet. Atij akoma nuk i kishte ikur e zverdhura e fytyrës. Stive u bë pak më tutje, ngriti celularin dhe foli me zë të ulët, me shpinë të kthyer nga ne.
 
-Na falni!- thanë djelmoshat.
 
-Paskan mësuar të thonë e më falni,- u grind ultas Skoti.
 
Njëri prej djelmoshave u drejtua nga ne.
 
-Ju lutem na ndihmoni të takojnë Olivia Çou, – foli ai me një anglishte të çalë.
 
Stive futi celularin në xhep dhe u bëri me indiferentizëm, me kokë nga dera qendrore e vilës.
 
-Kërkojnë atë. Ajo, ju a ka dhenë kodin e hapjes së derës dhe hyrjes në vilë,- na pëshpëriti Stive.
 
Vehbiu s’foli. Djelmoshat aziatikë hynë brenda. Ne ndoqëm me sy nxitimin e tyre në shkallët e mermerta. Vehbiu shkoi drejt saksisë së thyer, mblodhi me kujdes copërat e poçes, i vuri mënjanë, pastaj filloi të mblidhte me duar dheun e shpërndarë.
 
-Lëre dreqin, ç’ i përlyen duart, çdo gjë këtu do bëhet dhe e pluhur,- foli Stive me nervozizëm:- Se sheh, sot kemi tjetër punë.
 
Stivit i ra përsëri zilja e celularit. Ai pështyu dhe shau me zë të ulët. E ngriti celularin dhe foli fare shkurt. E mbylli me të shpejtë, vështroi i përhumbur nga ne. Iku me nxitim, për pak sa nuk u gremis. U kthye i menduar dhe i kërkoi Vehbiut faqoren me raki.
 
-Mblidhe mendjen, më dukesh si i futur në ujë,- e këshilloi Vehbiu.
 
Skoti s’ foli, e pashë që nuk u fye. Unë vështrova orën e dorës dhe i pëshpërita Vehbiut se duhej të ngriheshim.
 
 
VIII
 
Pas pak dëgjuam që ra zilja e derës së jashtme. Pas kangjellave të trasha të derës së madhe, na zunë sytë një siluetë gruaje, që fërkohej pas hekurave. Stive vështroi i përqendruar andej. I ktheu Vehbiut faqoren dhe nxitoi drejt derës së madhe. Brenda në vilë hyri një grua e vjetër, e gjatë, me syze të mëdha dhe me kapelë të gjerë, të zezë në kokë. Ajo ecte me vështirësi mbi takat e holla, si të trembej e mos binte. Gruaja e vjetër mbante hedhur krahëve një rrobë të gjatë me vija dhe ngjyra. Më shumë më ngjau me kuvertën që mbajnë meksikanët. Vehbiu shkundi çibukun pas thembrës së këpucës dhe pëshpëriti:
 
‘Çdo kjo meksikane plakë në vilën e koleksionistit?’
 
‘Ah!’ ia bëri Stive dhe u turr drejt saj.
 
Stive dhe gruaja vjetër nisën të flisnin mes tyre, me zë të ulët. Ajo e inatosur bëri të kthehej, të ikte. Ai e mbajti pas bërryli dhe i tregoi me kokë katin e dytë. Gruaja lëvizi mjekrën çekiç, me maraz dhe me kryet e ngritur lart eci, me hapa të mëdhenj drejt shkallëve të mermerta. Stive mbeti prapa me trupin e ndehur nga ajo. Gruaja mesi mbushej me frymë, u lëkund, gati sa nuk ra. Përtheu gjunjët me vështirësi dhe u ul në shkallinën e parë e vari kryet. Stive vrapoi drejt saj dhe nisi ti fliste me duar dhe me këmbë. Ajo u ngrit duke u rënkuar dhe psherëtirë. Hapat e saj nervoze trokëllitën. Stive e shoqëroi disa hapa, pastaj e ndoqi me sy derisa ajo hyri brenda. Më pas u afrua pranë nesh pa e ndalë shikimin derës ku humbi gruaja plakë.
 
-Kush është ajo grua?- e pyeti Vehbiu.
 
– Kush? Ajo! Nuk e njeh, nuk e arrite!- ia bëri i habitur Stive.
 
-Nuk më kujtohet.
 
-Është e mrekullueshmja Matildë, gruaja e dytë e Bosit tonë.
 
-E dija të vdekur,- tha Vehbiu:- Nuk dëgjova të flitej ndonjëherë për të.
 
-E gjora Matildë, ka qenë e magjishme kur ishte e re. Dritë dhe epsh rrezatonte kur qeshte, kur ecte, kur të vështronte, kur të prekte. O Zot, gjithë vila rrëzëllente! E mjera bukuroshe për një kohë qëndroi e shtruar në spital, në çmendinë. Tani jeton në një shtëpi pleqsh,- foli Stive, pa e ndarë shikimin nga dera, ku kishte hyrë Matilda.
 
-Mirë, po çdo këtu?- E pyeti Vehbiu.
 
Stive skërmiti dhembët:
 
-Çdo këtu, pyet! Ore je në binarë! Atje lart, në studion e madhe bëhet gjëma, lexohet testamenti i kodoshit plak. Matilda ka të drejtë më shumë se gjithë të tjerët. Kjo vilë e ndyrë, e shpirtrave të këqij dhe pushti plak i shkatërruan jetën, i morën rininë, bukurinë, e futën në çmendinë. Tani ata skutha të mbledhur atje lart, do zgurdullojnë sytë si bufër, kur të shohin atë dhe të dëgjojnë hatanë e madhe. Bosi ynë që iu shiftë emri, aksidentalisht harroi dhe nuk e ndau ligjërisht Matildën. Shtrigani e dinte të mbyllur në çmendinë, ndoshta dhe të vdekur…
 
-Ashtu!- ia bëri Vehbiu dhe vështroi nga unë me qesëndi:- Të shkretën grua e dinin të vdekur?!
 
-Të gjithë e dinin të vdekur, përveç meje. Një mbrëmje dimri e ndihmova Matildën të arratisej prej çmendine. E gjora ishte dobësuar bërë si kufomë. Jetoi vite me radhë e fshehur me emër tjetër. U shërua, u bë si kokrra e mollës dhe erdhi të përfitojë të drejtën, të marrë thelën e merituar të saj.
 
Dëgjoja Stiven i nemitur.
 
-Qenka çorbë e madhe, – ia bëri Vehbiu dhe fshiu syzet. U kthye nga Stive e vështroi ngulët, pastaj i shkeli syrin duke i thënë: – Ose Stiv, të drejtën thuaj, sa shumë të ka tërhequr kërraba nga kjo e magjishmja Matildë?
 
Stive u ndje i bezdisur dhe i nervozuar:
 
– Ama pyetje bën dhe ti. Nuk kishte mashkull në botë të mos e lakmonte Matildën e magjishme. Unë vërtet isha një copë menaxher vile por nuk ndryshoja nga të tjerët. E mbaja mend kur hyri nuse, u shtanga prej bukurisë, gati sa nuk më ra tabakaja prej dore. E përgjoja kudo që shkonte, kur ecte, kur hante bukë, kur lahej, kur varte kryet prapa dhe i dilte qafa e hollë e mrekullueshme. E ëndërroja çdo minutë me gjithë shpirt. U mbaja erë teshave të saj, më vinte dalldi. Ngandonjëherë në inat e sipër ndëshkoja veten, si guxoja që mendoja dhe lakmoja gruan e bosit. Përsëri e ëndërroja Matildën natë e ditë dhe qaja në heshtje, në vetmi. Më hipi tërbimi kur ai e zboi Matildën prej vile. Nëse thuhej që shkonte me të tjerët, punë e madhe ajo ishte e mrekullueshme. Ai plak i kamur ishte krimb për të dhe nuk ishte në gjendje ti bënte hyzmetin. Isha gati ta mbysja me jastëk shtrigun, merhumin, dhinë e zgjebosur me bishtin përpjetë. Në pamundësi vrasje bastarde, e ndoqa me dhembje në zemër gruan që admiroja, nuk munda to ndalja kur të gjorën e lidhën dhe e futën në çmendinë. Ajo bërtiste, lëshomëni, si guxoni! Trupi më rrëqethej prej klithmave të dhimbshme të saj. Mrekullueshmja, fatkeqja Matildë…
 
-I gjori ti,- foli ultazi, me ironi Vehbiu:- dhe e mjera ajo!
 
Stive nuk dëgjoi çfarë tha Vehbiu. Dukej i përhumbur, fërkoi ballin me nervozizëm dhe me sy të picërruar vazhdoi:
 
-Edhe pse në moshë pak të shkuar, ishte e bekuar dita kur mora Matildën dhe e futa në shtrat. Më dukej sikur po hyja në parajsë, u drodha, u fërfëllova kur preka gjoksin e saj. Matilda e mbulonte gjoksin me çarçaf, më lutej të mos e prekja, s’ishte më e para, i ishte fishkur, por mua sisët e saj më dukeshin më të mrekullueshmit në botë, si dy portokaj magjikë. Me inat thashë:
 
’Shtrigu i dreqit, pa pikë turpi e mëshirë, nëpërkëmbi një bukuri si ty,e futi në çmendinë, kur duhet të mbante në pëqi.’ Matilda u prek shumë nga fjalët e mija, mu var në krahë dhe qau me dënesë. Qava dhe unë me të dhe me vete thosha; O Zot të jetë e vërtetë, kjo femër magjike është tërësisht e imja dhe mund të bëj çfarë të dua me të.’ Doja të ikja me vrap, të fshihesha diku dhe të qaja.
 
Kur vija në punë, i mbushur i ndërkryer, shihja plakushin që endej si somnambul nëpër korridore. I tretur, i dërmuar, i rrëgjuar, si trung i vjetër në kalbëzim. Më vinte ti ulërija në sy: ’Dëgjo mirë o shtrigan, Matilda është e imja, e mbaj në prehër. Është e imja vetëm e imja, plas po deshe.., – psherëtiu Stive dhe fshiu djersët.
 
-Nuk e kuptoj perse e urren kaq shumë?- e pyeti Vehbiu:- Bosi ynë nuk ka qenë dhe aq i keq.
 
-Përse e urrej! Ai plak më ka nxirë jetën, gjithnjë kam qenë i përulur, i fyer, i nëpërkëmbur,- foli me maraz Stive. Heshti një hop, i menduar. Skërmiti me dhëmbë majën thoit të gishtit të vogël dhe gjithë vrer shtoi:- Ta lemë atë, se iku me të shumtit, tani na doli një avaz i ri, kuçka, aziatikja, pa ngjyer gjë, vetëm sa i derdhi nja dy a tre herë kovën me shurrë të plakut, kërkon të marrë llokmën e madhe. Dreqi i verdhë ndoshta e ka rënë në vesh që Matilda jeton në shtëpinë time, prandaj më pushoi nga puna.
 
-Ashtu! Sikur the jeton në shtëpi pleqsh? -e pyeti Vehbiu.
 
-Gënjeva. Dëgjo të tregoj një të fortë: Një ditë përpara se të cofte shtrigu, e mora për dore Matildën dhe e futa tinës në vilë. I mora masat që më parë, Olivias, zvarranikes, i dhashë ilaç për gjumë dhe ajo u kokolos si mace zgjebanike në divan, mbledhur kutullaç, me gishtin me madh në gojë si biberon. Me Matildën për dore i ranë kryq e tërthor vilës. Ajo përgjërohej prej mallit, pastaj prej kuzhinës ngjitëm shkallët, kaluam në korridorin e ngushtë sekret dhe hymë në paradhomën e shtrigut. Hapa derën me ngadalë, me shumë kujdes. Më trembte zgjimi i befasishëm i Olivës. Hymë brenda në dhomën e madhe të plakut. Dikur nuk hyja brenda pa më lajmëruar dhe lejuar ai, sidomos natën. Nejse, kishte perënduar njëherë e mirë ajo kohë. Koka e plakut dukej tmerrësisht e verdhë, si kufomë, humbur në jastëkët e mëdhenj, gjithashtu të verdhë. Ia çova Matildën pranë shtratit. Ai kapsalliti sytë pa qerpikë. Ajo i shkoi i qëndroi mbi kokë, me lot në sy dhe me duar të mbledhura në gjoks. Merhumi shqeu sytë, gërhiti zëshuar dhe vuri dorën përpara, hapi gishtat si për të bllokuar figurën e shfaqur të gruas.
 
‘Fantazmë je apo çfarë je?!’ bërbëliti sy zgurdulluar akrepi plak.
 
‘Është Matilda,’ i thashë: ‘Më e bukur se kurrë dhe erdhi për të dhënë lamtumirën e fundit.
 
‘Jam Matilda,’ i tha ajo.
 
‘Çdo kjo Matildë e vdekur në shtratin tim. Gremisu fantazmë e keqe, vdekje. Ikë,ikë. Mos më merr, ku ta lë koleksionin tim?’ Ai po ngashërehej…
 
‘Do ta lësh koleksionin e shtrenjtë këtu, si të tjerët,’ i thashë unë me inat.
 
‘Ah,’ ia bëri ai me dhembje, ’mos…’
 
‘Jam Matilda, më beso,’i lutej ajo, ‘ja prekmë, jam me mish dhe me kocka.’.
 
’ Nuk je ajo, je vdekja, hiqu qafe, nuk dua të më marrësh. Ajo ka vite që ka vdekur dhe mirë ka bërë që ja vdekur.’
 
‘Më dëgjo, jam gjallë, jam Matilda’, i fliste gruaja e rrëmbushur nga lotët.
 
‘Jo nuk je… Ikë…Olivia, Olivia..!’ bëri ai të thërriste. Mua më ngriu zemra, nxitova ti zija gojën. Plaku u përdrodh, fytyra iu skuq prej mundimit, iu nxi e pastaj i ra zali. Mu duk sikur dëgjova zhurmë pas dere. Kujtova se shtrigu e zgjoi nepërkën Olivë. Tërhoqa me ngut Matildën nga erdhëm, ikëm.
 
‘Më erdhi shumë keq për të,’ më tha Matilda duke dënesur ultas dhe shfryu hundët me zhurmë. ‘ I gjori si ishte bërë.’
 
Nuk i ktheva përgjigje. Djallushe e madhe je Matilda, sa bukur e lot rolin, posi, tu dogj barku për të! doja ti thosha.
 
‘Mos i bëre ndonjë gjë të keqe?’ më pyeti ajo dhe shfryu përsëri hundët me zhurmë.
 
‘Ç’mund ti bëja, vetëm sa ja mbajta gojën të mos bërtiste. Sa zemër të dhembshur ke Matilda’, i thashë.
 
Ajo më mbështeti kokën e bukur në krah dhe psherëtiu. Besova i trembur se plakun e lashë të dergjur në shtrat dhe nuk pata kohë të përmendja. Megjithatë për një moment dëgjova grahma të mëdha pas shpine, kujtova se hija e plakur ishte ngritur prej shtratit, në këmishën e natën dhe na ndiqte me kopaçe nëpër në rrugë. Hipëm me vrap në makinë dhe i thashë Matildës ta ngiste sa më shpejt që të ishte e mundur.c
 
‘Çfarë ndodhi?’ më pyeti ajo e frikësuar.
 
Pandeha se shtrigu na arriti dhe po godiste xhamat e makinës me potere.
 
‘Të lutem ec,’ i thashë, zemra më rrihte e vrull.
 
Matilda më vështroi e çuditur dhe i dha gaz makinës. Për dreq na kapi policia, paguam dhe një gjobë të mirë për shpejtësi. Ç’të bësh, paraja dhe kënaqësitë bastarde të jetës janë kthyer në kult…
 
Vehbiu luajti kryet, ndezi cigaren dhe mërmëriti:
 
-Mirë bëre që gënjeve. Sikur the që Bosi ia ka lanë me testament shërbesës personale, Olivia Çout?
 
Stive largoi me dorë tymin e duhanit që vinte drejt tij. Fytyrë skuqur u kthye nga Vehbiu. Një damar i trashë blu i pulsonte në tëmthin e majtë:
 
-Ashtu thashë, se ashtu është shkruar, – tha, ngriti lart gishtin tregues dhe foli me ton solemn:- Por testamenti i një plaku të marrë duhet tu nënshtrohet ligjeve të mençura të shoqërisë së civilizuar. Dhe unë kam të drejtën time, më iku jeta për dhjamë qeni duke i shërbyer me besnikëri shtriganit plak.
 
– Ke të drejtë,- ia bëri Vehbiu dhe thithi cigaren i menduar.
 
 
IX
 
 
Drejt nesh duke u lëkundur po vinte Matilda. Është pa kapele dhe flokët e lyer në të kuq të ndezur i ishin shpupuritur. Stive shkundi pantallonat dhe i alarmuar u sul drejt saj.
 
– Matilda çfarë ndodhi që zbrite?
 
– Oh Stiv. Atje nuk durohet. Mu bë koka daulle,- ia bëri ajo, iu shmang dhe eci drejt nesh. Fytyrën e ka të rënduar prej pudrës, qerpikët e lyer me rimel të zi dhe faqet e skuqura, por dallohej për një bukuri të venitur. Ajo u afrua drejt meje dhe me delikatesë si koketë, zgjati dorën e vogël, të rrudhur drejt buzëve të mia, ta puthja dhe tha:- Stive i dashur, s’më njohe me miqtë e tu të këndshëm.
 
U hutova dhe hezitova për një moment. Qëndrimi i saj është shumë hijerëndë dhe imponues. Pa e kuptuar përkula kokën, sakaq ndjeva në ije goditjen me bërryl të Vehbiut, por koka e mori rrëshqitjen, por vendosa ballin në dorën e fishkur dhe të ftohtë. Matilda fërgëlloi prej kënaqësisë. Vehbiu zgurdulloi sytë, më luajti syrin dhe nënqeshi me ironi. Stive përdrodhi buzët me nënvleftësim dhe vështroi e mëri të fshehur nga unë. Siç dukej nuk i erdhi mirë që unë i putha dorën dhe u bë mik me ne. U përtyp dhe me nervozizëm tha:
 
-Matilda, e kupton, do ngelemi me gisht në gojë…
 
Ajo zbardhi dhembët e vënë dhe ia pat me inat:
 
-Oh, Stiv, të lutem. Ata sharlatanë më ngritën nervat. Sa hyra në dhomë të gjithë zgurdulluan sytë. Kujtuan se hyri një fantazmë. U zbythën drejt dollapëve me zemër në dorë. Kur u fola dhe e kuptuan që isha me mish e me kocka, jo fantazmë ulëritën: ‘Kjo e vdekur, dreq, arratisur prej çmendine çdo këtu!? Të lajmërojmë policinë, ti hedhim hekurat.’ Mu hodhën në fyt, më ngulën thonjtë. Për inat të tyre nxora dhembët si vampirë, u qesha në fytyrë, por në fakt u tremba. Fëmijët e shtrigut u bënë një me hardhucën shërbëtore kundër meje.
 
-Mos u tremb. Ardhja jote i futi ata si minj nëpër çargje,- ia bëri i paduruar Stive. –Pastaj…çfarë u the tjetër?
 
-Oh, Stiv! Ku di unë çfarë u thashë. Më zuri koka më hyri frika. Ja, dola të marr ajër të pastër. Shko ti atje. Më lër rri me këta miq të lezetshëm…
 
-Matilda, lëri marrëzitë. Do të mbetesh lypsare? Paraja është e mrekullueshme dhe e lakmojnë të gjithë. Matidla, të lutem, kthehu menjëherë,- i tha Stive.
 
-Po sikur të më futin përsëri në çmendinë. Oh Stiv, më mirë të vdes sa të kthehem aty!- foli ajo gati në të qarë.
 
-Mos u tremb, asgjë nuk ka për të ndodhur,- i fli ashpër Stive.
 
I futi krahun dhe e tërhoqi me forcë, gati zvarrë drejt derës. Ajo ngjante si një njeri që jep shpirt. Ai i tha:
 
-Matilda, e kam siguruar shënimin e shërimit nga doktori.
 
Vehbiu vështronte i vrenjtur, psherëtiu dhe ndezi cigaren. Befas e shoi cigaren dhe e theu më dysh. E flaku tutje me maraz dhe mërmëriti:
 
-Konopi i dreqit ja mori shpirtin së shkretës.
 
Stive qëndroi te dera e vilës dhe ndiqte me sy Matildën kur ngjiste shkallët mermerta për te studioja e plakut, ku qenë mbledhur trashëgimtarët. Pas një copë herë eci me hapa të ngadalta drejt nesh dhe mërmëriti:
 
-Belara të mëdha. Maskarenjtë duan të lajmërojnë çmendinën. Urrejtja ndaj një të treti i bëri një ujqit e dreqit. Hakmarrja e tyre është e poshtër, por mutin di t’ i hanë.
 
Qëndroi, vështroi nga dera e vilës dhe fërkoi mjekrën katrore me inat, i zverdhur në fytyrë. U ul dhe nis të vërtiste nëpër gishta guralecët e vegjël.
 
-Hë, se për pak harrova,- foli Stive pas pak, por pa vështrua nga ne:- Dhe për ty Vehbi, nepërka Olivia Çou vendosi të hedhë në rrugë. Më mirë vendos vetë të dalësh në pension një ditë me mua. Merre si të duash…
 
-Ah- rënkoi Vehbiu dhe i nemitur vështroi gjithë trishtim nga kopshti që shtrihej gjithë bukuri dhe madhështi përpara tij dhe saksisë me lule të thyer dhe të rrëzuar përdhe…
 
 
Shkëputur nga libri me novela ” Zhgënjimi” i autorit Kristaq Turtulli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s