
Poezi nga Lumo Kolleshi
TË PASHË…
Kasëm Trebeshinës
Në ikje meteorësh të një qielli të shprishur,
Në një kohë kur toka nuk e njihte dritën,
Kur verbëria hante zgavrat e syve të saj,
Ike si shtërg i mundimeve,
Kur shkretëtirës i qenë tharë të gjitha oazet.
Ike në “Stinën e stinëve”
Hamall i të gjithë dimrave,
Duke mbajtur brenda qelqit të shpirtit
Një pranverë të largët.
Nga copëzat e kohës
Je ndarë gjithmonë duke qeshur:
“Po iki,
Foshnja ka lindur e vdekur!”
QYQËROJNË AKTORËT
Teatrit tonë të mykur
Qyqërojnë përherë aktorët.
Në prapaskenë
Zë fill drama e kurthit,
Brenda pezhishkave luajnë merimangat.
Në llozhat e majme
Presin të fërkojnë duart ca regjizorë të rrjedhur.
Bie sakaq perdja e ngrënë nga mola.
Një dritë e zbehtë futet në skenë,
Meitshëm ndriçohen kukulla pa shpirt,
Kukulla që luajnë vetëm me pult.
Diku në një qoshe
Gërmat e atdheut fillojnë të hanë me uri.
Sh-së I shqyejnë h-në qenërisht,
Q-ja ikën e përlotur në një morg të zi,
P-ja thyen këmbët landfilleve te vdekura,
E-ja pritet barbarisht nga druvarë të çartur.
Atdheut i mbeten frikshëm vetëm katër gërma:
S,I,R,I.
VEÇ SHPIRTIN…
Eh,moj kohë kurvë, kërkon të më plakësh,
Këtë kënaqësi nuk do të ta fal kurrë,
Jo thinja e bastune të më japësh,
Dhe kamxhikë e plumba a një mal me gurë.
Eh,moj kohë zuzare,drejtuar prej idotësh,
Me duar kriminelësh që s’ kane besë e fe,
Syrin,edhe mund të ma përlotësh,
E mishin të ma grish,të ma bësh pe.
Veç shpirtin,shpirtin s’ma shkel dot me këmbë,
Në krahë shiponjash e kam lënë në fluturim.
Shqiponjat,ta dish, në qiell bëjnë lëmë,
Atje,veç atje i çoj duajt e shpirtit tim.
QAN LLULLAJA
Filloi të derdhë lotë të kristaltë.
Adoleshentja e çmendur e pjergullës sime.
Po nuk u çmenda dhe vetë këtë natë,
Propozoj mbylljen e çdo çmendine.
Dhe ka shejtanka një ego të marrosur,
Kërkon të mbajë vetëm gjerdan argjendi.
Ju ftoj të vini këtu këtë natë të pasosur,
Ta pijmë lehonë, të shkundet vet vendi.